Poeti Arqile Gjata me krijimtarinë e tij poetike të dhuron nga njëra anë prehje shpirtërore dhe nga ana tjetër etje për kërkim të pashterueshëm filozofik. Poezitë e tij gërshetojnë në mënyrë përfekte universalen me personalen, të pakapshmen me realen, freskinë rinore me mençurinë dhe durimin e njeriut stoik. Mjafton t’iu hedhësh një sy vargjeve të tij dhe aty ndërmjet figurave letrare, mes metaforash e epitetesh të cilat natyrisht dëshmojnë vlerën e një pene të regjur në tokën e begatë të poezisë, do të gjesh njeriun human në kërkim të një bote ideale. Bota ideale e poetit Arqile Gjata nuk është aspak utopike. Ai me vrull të pashterueshëm rrëmon në shpirtin e kohës për të tërhequr prej saj ato vlera, ato tipare të cilat janë të domosdoshme për themelimin e një koncepti jo vetëm letrar por madje edhe politikosocial sa më afër njeriut. Madhështia e tij qëndron në faktin e ndërgjegjësimit të plot se njeriu përpara njohurisë është si një pikë ujë në oqeanin e pafund të saj. Ja se çfarë shkruan autori për këtë në poezinë e tij ‘’Vegime’’:
‘’Gjysma e kohës
vrapoi
të merrte shikimet e
njerëzve të mirë,
kur me habi shfletoja
librat
e mahnitshëm me shumë
çelsa.
Me krahë të hedhur
mbi dritën e njohjes
pashë veten time aq
të vogël,
sa një fije kashte.‘’
E pazbuluara ende
është ajo që i drithëron shpirtin. Si shkrimtari i madh grek Nikos Kazanxaqis,
i cili shkruante se ‘’ Duke patur besim të flaktë në diçka që nuk ekziston
akoma, ne e krijojmë atë’’, poeti Arqile Gjata udhëhiqet nga e pa njohura për
të eksploruar, zbuluar por edhe pse jo për të krijuar kuptimin e thellë të
jetës. Midis të tjerash, burimi i frymëzimit të tij, aty ku shuhet etja për
jetë, janë elementet e natyrës. Adhurimi i ajrit, i cili përshkon gjithë veprën
e tij poetike, përfaqëson adhurimin e lirisë, liria e cila zë vendin kryesor në
renditjen e vyrtyteve të njeriut human. Në poezin e tij ‘’Tek ajri janë gjithë
gërmat e shpirtit’’ poeti shkruan:
‘’Tek ajri janë
gjithë gërmat e shpirtit,
ato si degëzat e
pemëve luajnë mrekulli
kur rrugën harron e
vetmitar qëndron,
me shpresë
të durosh vetveten,
madje zhveshur,
a me xhaketë
pranvere.’’
Një tjetër
karakteristikë e veprës së tij letrare, e cila është tejet domethënëse, është
sjellja në pah e elementit të dritës. Drita paraqitet si fuqi shtytëse në
proçedurën e jetës. E gjen atë dritë akoma dhe tek njerëzit e ikur, sepse poet
i vërtetë është ai që mund të shikoj përtej gjërave që kanë dimension tokësor,
dhe Arqile Gjata e meriton plotësisht të quhet poet i vërtet.
Duke mbyllur këto
mendime mbi librin e tij, dua akoma ti uroj nga zemra në ketë përvjetor të
ditëlindjes jetë të gjatë, lumturi në familje si dhe vite të pa shterueshme
krijuese e suskese pafund.
Harillaq Cici
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen