14 vjet-klubi i shkrimtareve "PETRO MARKO"
Me Klubin e Shkrimtarëve “Petro Marko”-Vlorë
Shoqata, (sot Klubi) e shkrimtarëve “Petro Marko” të qytetit të Vlorës është themeluar më 19 Qershor 1998, nga një grup nismëtarësh, poetë, shkrimtarë dhe intelektualë të pasionuar që menduan se ishte koha më e përshtatshme për të ngritur një “digë” të qëndrueshme për të grumbulluar prurjet e vrullshme letrare dhe ti kthente ato në dritë kulture. Ishte gjallë poeti i rrallë dhe i veçantë për fëmijë, Ferhat Çakërri, i cili me shkëndijat e syve dhe shpirtin të tij miratoi dhe mbështeti këtë nismë. Ishte Qerim Skënderaj, Myrteza Mara, Dr. Zeko Braho, Bardhosh Gaçe, Idajet Jahaj, Seit Seitaj, Anastas Bita, Xhemil Lato, etj., që hodhën themelet e para të kësaj “dige”.
Duke ndjekur traditën e figurave të shquara të letrave shqipe: Petro Markos (Nderi Kombit), Ali Asllani (Nderi i Kombit), Shevqet Musaraj, Odise Grillo, Aleks Çaçi, Andrea Varfi, Spiro Çomora, Fatos Arapit dhe brezave të mëvonë, poetët dhe shkrimtarët e qytetit të Vlorës kanë arshivuar vepra të arrira letrare.
Kryetari i parë i shoqatës “Petro Marko”, deri në vitin 2000 ka qenë z. Qerim Skënderaj, që sot jeton në Itali.
Radhët e anëtarëve të klubit janë shtuar e shtohen jo vetëm nga krijuesit me stazh, si Petraq Truja-pedagog, Agron Dine-piktor, Arben Meksi-arkitekt, Petraq Kote-poet, Petraq Pali, Gudar Toto-pedagog, Fahri Shaskaj-historian, Luan Vrioni-piktor, Irfan Bregu-shkrimtar-gazetar, etj., por edhe talentet e reja, të cilët kanë gjetur përkrahje dhe mbështetje të vazhdueshme, si Edilberta Mitro, Evis Çelo, Simon Xanini, Eduard Frakulla, Elona Likaj, Lorela Veshaj, Evisa Maskaj, Meli Bocaj, etj. Në këtë Klub kanë shfaqur dëshirën dhe janë bërë anëtarë edhe shumë poetë e shkrimtarë shqiptarë që jetojnë në gjithë kontinentet, si Fatmir Terziu-Londër, Kozeta Zylo, Rajmonda Mojsiu, Dalan Luzaj-SHBA, Vasil Qesari-Francë, Silvana Bekri-Finlandë, Robert Martiko-Korfuz, Lediana Kapaj-Strasburg, Mimoza Hametaj, Simon Xanina dhe Teuta Gjata-Itali, Arqile Gjata-Athinë etj.
Në nëntor të vitit 2010, u vendos ndërrimi i emrit të shoqatës në Klub i Shkrimtarëve “Petro Marko”, me kryetar z. Myrteza Mara dhe sekretar z. Gëzim Llojdia.
Sukseset e anëtarëve të Klubit “Petro Marko” në fushën e krijimtarisë janë të dukshme, të prekshme dhe shumë prej tyre të nivelit bashkëkohor. Vlerësime dhe opinione pozitive, brenda e jashtë vendit, për autorë e vepra të ndryshme, duke filluar nga prozatorja Vilhelme Vranari (Haxhiraj), Luan Toto, Myrteza Mara, Qerim Skënderaj, Idajet Jahaj, Leka Skëndaj, Enver Qama, Luto Memokondi, Albana Hodaj, Çlirim Hoxha, Sinan Elmazi, Pali Shtëmbari, Gëzim Llojdia, Pëllumb Velo, Albana Lulaj etj.
Veprimtaritë e Klubit “Petro Marko” janë të shumta e të larmishme, marrëdhëniet bashkëpunuese me klube dhe shoqata analoge si në Greqi-Klubi “Drita”, në ShBA-Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë, në Kosovë-dega e Lidhjes së shkrimtarëve Mitrovicë e Gjilan, në Fier, Lushnjë, Elbasan, Korçë, Durrës, Sarandë, etj. kanë dhënë e japin një frymë dhe kulturë të re jo vetëm në fushën e njohjes e shkëmbimit të përvojave, por edhe të emancipimit letrar e qytetar.
Vlen të përmendet organizimi dhe zhvillimi i simpoziumit për veprën e Prof. Dr. Isuf Luzaj, më 8 korrik 2011. Klubi Petro Marko e shpalli këtë personalitet me përmasa ndërkombëtare “NDERI I KLUBIT PETRO MARKO”. Ceremonia u zhvillua në sallën e Universitetit Pavarësia. E pranishme z/ministrja e kulturës Zana Turku, Prof Xhevat Beqaraj-referues, Bujar Leskaj dhe Dr. Prof. Gjergj Sinani.
Po ashtu promovime të mirëorganizuara, për veprat letrare dhe ekspozita pikture, fotografike e karikature janë bërë e bëhen vazhdimisht nga Klubi “Petro Marko” dhe si gjithmonë, promotorët e gjithë kësaj lëvizje Myrteza Mara dhe i palodhuri Gëzim Llojdia.
Mbresëlënëse ka qen vizita në shtëpinë e Petro Markos, nga z.Myrteza Mara, Fatime Kulli e Luan Toto, si dhe homazhi në varrin e Petro Markos në Dhërmi-27 dhjetor 2012. Në bashkëpunim me Klubin “Drita” u bë vizitë urimi në shtëpinë e Dritero Agollit, me rastin e 80 vjetorit të lindjes, po ashtu në saj të këtij bashkëpunimi klubi “Petro Marko” u bë mbështetësi kryesor gjatë kurorëzimit me titullin e lartë “Nderi i Kombit” i personalitetit të shquar të letrave dhe diplomacisë shqiptare, Ali Asllani.
Gjashtë pjesëtarë të klubit “Petro Marko” janë anëtar të Akademisë Europiane të Arteve, ndërsa tre shkrimtarë (M Mara, V Vranari, L Toto) janë nderuar me titullin “Mirënjohje e qytetit të Vlorës” nga Bashkia e qytetit. Po ashtu tituj nderi për anëtarët e klubit janë dhënë edhe nga Komuna e Novoselës për fabulistin Pëllumb Velo, nga Kanina për zonjën V. Vranari. Komuna Vllahinë ka vlerësuar me titullin e lartë “Qytetar Nderi” shkrimtarin Myrteza Mara. Por tituj nderi dhe stimuj të ndryshëm ndanë edhe Kryesia e klubit “Petro Marko”. Kështu, janë vlerësuar me titullin “Nderi i Klubit” Qerim Skënderaj, Liljana Gjika e Nase Jani, ndërsa është bërë traditë që në fund të çdo viti ndahen diploma për krijimtarinë më të mirë.
Një bashkëpunim dhe mbështetje Klubi “Petro Marko” ka me Bashkinë, Bibliotekën e qytetit dhe me Insitutin e librit dhe të promocionit, “Toena”, si dhe me DAR Vlorë, duke zhvilluar konkurse dinjitoze midis shkollave të mesme.
Është i vetmi qytet që ka një lulishte të bukur me emrin “Lulishtja e Shkrimtarëve”.
Në këtë vit Jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë, sipas kryetarit të klubit “Petro Marko”, Myrteza Mara, do të zhvillohen një sërë veprimtarish promovuese, takim në formë spektakli letrar me shkrimtarët dhe poetët vlonjatë kudo në botë, konkurs Jubilar midis shkollave dhe krijuesve, ndarje çmimesh dhe botimin e një Antologjie Poetike.
Kush shkon në klubin “Petro Marko”, që ndodhet në katin e dytë të Universitetit “Pavarësia”, do gjej përherë shkrimtarin dhe piktorin Luan Toto, këtë burrë me pamje fisnike dhe mikpritje po aq fisnike e miqësore, i cili ka vënë në dispozicion mjedisin aq modest dhe komod. Kontributi personal i z. Mara në pajisjen me tavolina, karrige dhe raft-bibliotekë i ka dhënë funksionin e duhur këtij mjedisi, i cili është vizituar edhe nga personalitete në fushën e letërsisë si dhe miq shkrimtarë nga Kosova dhe qytete të tjerë të vendit. Aty mblidhen herëpasëhere shkrimtarët, diskutojnë, promovojnë, recitojnë vargje, madje edhe këndohet kënga labçe. Aty janë të ekspozuara pikturat e Luanit, si dhe një koleksion mjaft interesant me mbi 400 çakmak të tipave të ndryshëm. Nga ky koleksion u dhurua Dritero Agollit edhe çakmaku-“Topi i Mato Grudës” dhe Luani mori dhuratë nga Driteroi një çakmak që e kërkonte por nuk e kishte në koleksion!
Portreti i klubit “Petro Marko” në Vlorë çdo ditë e më shumë merr dritë dhe lartësi sepse është gjetur dhe funksionon fryma e mirëkuptimit, e respektit dhe e dashurisë për letërsinë, për njeri-tjetrin. Sepse drejtohet nga njerëz pasjonantë dhe të pakursyer që e duan krijimtarinë letrare, e duan dhe nderojnë qytetin e tyre, Vlorën tone-poete, siç kam qejf ta quaj.
Unë ndjehem i nderuar që jam anëtar i këtij Klubi që mban emrin e njeriut të shquar të letrave shqipe “Petro Marko”.
Nase Jani
Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita”
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen