Freitag, 13. September 2013

Vullnet Mato: Poezi


KONCERTI I LAMTUMIRËS SË ZOGJVE

Dëgjoj çdo vit me ëndje
koncertet pranverore,
të muzikës simfonike
në podiumet e pemëve.
S’ka koncerte më të këndshme
në skena botërore,
se ato të zogjve të foleve,
para çeljes së vezëve.

Jehojnë me zëra alto,
bilbilat, kanarinat, gushkuqët,
shoqëruar nga tonet bas
të bufëve dhe sorrave në kor.
Qukapikët u bien fort
trumbetave me lëkura drurësh,
teksa kukuvajkat u fryjnë
fagotëve në tonalitet minor.

Pylli jehon për gjashtë muaj
nga simfonitë fluturake,
por koncerti i ndarjes me verën,
para emigrimit vjeshtor,
për t’i dhënë lamtumirën
pyllit të mikpritjes bujare,
është në mjediset e blerta,
koncerti kryesor më madhështor.

Pastaj të parat, dallëndyshet,
me zogjtë e rinj të stinës,
çajnë perdet e reve,
duke i prerë me gërshërët e bishtit.
Pas tyre, gardalinat orkestrante
lirojnë telat e violinës,
kurse rosat shkundin ujërat
nga lugët e surdinave të fytit.

Patat e ngjirura, për tëmos u ftohur
gjatë kohës në udhëtim,
mbështjellin fytin e lodhur
me puplat, si jaka golfi të buta.
Mbeten, vetëm harabelat e ngathët,
bujtës të ferrave për dimërim.
të ushqehen me thërrime erërash
nëpër oborre të ulëta.

Të fundit lejlekët, llogaritin
numrin koncerteve të zhvilluara,
nga çdo specie zogjsh
përgjatë dy stinëve të verimit
dhe pasi palosin pendët e vjetra
në foletë e shkarpave mbi plepa,
krokasin paksa sqepat e gjatë
dhe çajnë qiellin drejt Perëndimit.

Nostalgjia ime pret me padurim
të dëgjojë simfonitë e reja të kthimit...

 

KOSTUMI I MENDJES

Njerëzit këtu në plazh
janë të gjithë lakuriq
dhe s’merret vesh
çfarë identiteti kanë;
të mençur, budallenj,
të mirë e të liq,
deti, në orgji verore,
ka thirrur nga çdo anë.

Ka fshatarë klasikë,
me dyzet lëkurë,
qytetarë të ngulitur
që në themele të qytetit,
femra të vonuara,
që shpresojnë një burrë,
meshkuj që shtojnë numrat
në listat e qejfit.

Të rinj që i tregojnë detit
sekretet e trupit
t’u bëhet shtrat lëkundës
për seksin ujor;
pleq që i falin diellit
orët e viteve të fundit,
t’u shërojë dhimbjet
në kyçe mjeku qiellor.

Të gjithë shtrihen si fokat
në rërën e përvëluar,
dhe dalin nga valët kristalore
me lëkurë delfini.
Askush nuk di të bëjë
një përcaktim të saktësuar,
kush ka tre rripa tangash,
cili vesh brekë bikini.

Vetëm kur çel rubinetin
dhe goja e tij gurgullon
cilësitë e formuara nga
zanafilla e gdhendjes,
atëherë nën lëkurën
që dielli bronzon,
zbulohet njeriu i veshur
me kostumin e mendjes...

Rrobaqepësin e mirë
që mat e pret me kujdes,
secili e ka të vendosur
brenda trurit të vet.
Mjerë kush lë gojën
pa metër të presë,
për të qepur e veshur
zhele të pista në jetë!...

 

NJË ROZAFË ME THIKË NË ZEMËR

Një Rozafë u muros
me thikë në zemër,
gjaku i kulloi nëpër gjoks
qumësht të zi...
Era thërret me kuje
vogëlushin në emër:
Mos shko te nëna,
se do të helmohesh në gji!...

Ortekët para nisjes
thërrasin me dhimbje:
Vogëlush, mos kërko nënën
shtigjeve duke rendur,
se je ende fëmijë i parritur
për këto brigje,
të mbulon kopeja e gurëve
me akull veshur!...

Përrenjtë gurgullojnë
të mbushur me lotime,
duke u rrokullisur
thërresin me dëshpërim:
Vogëlush, mos shuaj etjen
me rrëke vajtimesh,
se damarët e njomë
të mbushen me hidhërim!...

Vetëtimat hedhin
mbi muranën e Rozafës,
trëndafila të zjarrtë
dhe thërrasin me ulërima:
Vogëlush, mos shko
t’i shohësh nënës plagën,
se të plagoset për vdekje
e gjithë fëmijëria!...

Por djali nuk dëgjon
kujet e klithmave përqark,
shtrihet sipër muranës
dhe me dy doçkat e tij,
shtyn gurët për të thithur
qumështin me gjak,
pranë nënë Rozafës
së murosur në shkëmbinj...

Atëherë qielli i mallkoi
gjakësorët e nënave me gjëmim:
U shoftë fara juaj,
o burracakë që lini udhëve jetimë!...

 

DUKE FSHIRË SYTË E PLUHUROSUR…

Pa ty, mikja ime e hershme,
ura mbi lumin, ku na bashkonte nata,
zemërohet dhe shkon tatëpjetë zallit,
bashkë me ujërat e shkumëzuara,
që rendin të ndjekur nga vitet e mallit.

Atëherë hëna dhe yjet fillojnë shndërrohen,
në hije gërmadhash parahistorike të vetmuara,
ku dalin prej tyre skulpturat antike
dhe më godasin zemrën me shigjeta të helmuara.

Kështu çdo mbrëmje hija jote vjen rrotull,
duke më tundur një shami mëndafshi të bardhë,
për të nisur hapat e kotë prej kohësh të lodhur,
drejt errësirës, ku harrimi shuan puthjet me radhë.

Pastaj shemben të gjitha gërmadhat
dhe pluhuri mbyll të tëra udhët e vona.
Unë vrapoj për të dalë nga asfiksia e pllakosur,
sa herë kaloj urën e psherëtimave tona,
duke fshirë lotët e syve të pluhurosur…  

TRËNDAFILAT E QIELLIT

Mbrëmë kronikat televizive
dhanë lajme të çuditshme nga kozmosi.
Tufa të mëdha trëndafilash
kishin mbirë në tërë gjithësinë.
Nëpër galaktikat e të gjitha formave,
Vajzat e planetëve të banuar
ishin bërë për t’u puthur…

Ciganët e sistemit tonë diellorë kishin dalë
nëpër mullarët e Kashtës së Kumtrit
dhe u binin tambureve të yjeve, duke kënduar:
Dilni m’i goca kozmike në sokakët e qiellit
se u presin çunat e Tokës së diellit!...
Në mos dalçi, në mos dalçi,
kurrë meshkuj me sy mos pafshi!...

Mbrëmë gjithë natën gjëmoi qielli,
deri në largësitë e tij të thella e të pafundme.
Priten me kureshtje lajme të reja,
vallë, vajzat e cilit planet
do zbresin në Tokë për t’u veshur nuse!...

Kishin dalë kandidatët e parë për nuse yjesh,
disa mijëra djem të argëtimeve nëpër klube nate…
mes tyre një shqiptar me flokët si lundër mbi krye,
dhe një kosovar i bukur me mustaqe…

PËRBINDSHAT E TMERRSHËM

O Poseidon, i gjithëfuqishëm,
qofsh mallkuar në të gjithë Eubënë
dhe në krejt detrat përqark
zotërimeve të Helionit,
që me tre dhëmbët e llahtarshëm
shkunde me tërmete tërë dhënë,
dhe le të gjallë pas vetes
përbindëshat e korrupsionit!...

Të grabisin trojet, bagëtitë kolektive
dhe të mbushin shpellat,
me arin e djersës së mijëra argatëve,
të tokës dhe të detit,
lëvruesit e poezisë e të prozës
që u rropatën në të mbjella,
për të mbajtur gjallë Realizmin Socialist
në parcelat e shtetit.

Ku u fshehën polifemët me një sy
që hëngrën dje poetët e Bërzeshtës
dhe më pas të tjerët,
në trojet përqark nahijes së Kuksit?
Ku maskohen sot përbindëshat
që gllabërojnë lundërtarët e velave të letrës,
varfërojnë shokët dhe miqtë e internetit,
së bashku me lexuesit?...

Mblidhuni, o trima të deteve letrare,
shpërndarë nëpër kontinente,
të skuqim majat vigane të penave tona
në flakë dhe zjarr,
t’u verbojmë këtyre polifemëve
syrin e ballit me fuqinë e vetme,
të ngordhin shpellave,
pa lënë pasardhës të tjerë grabitqarë!...


TË PRES TË VISH PËRSËRI !

( Improvizuar për të vetmuarin Nako )

Eja e dashur, të pres
të vish nga largësitë e tua!
Se pa ty, s’kam pasur
asnjë stinë ngazëllimi tjetër...
Stina e dëfrimeve verore
ke qenë vetëm ti për mua,
këtë, besoj, e ke kuptuar,
që nga ikja jote e vjetër...

Mos kujto se do bëj ndonjë
orgji të madhe për ty,
ato i kemi harxhuar kur vije
me këmishën e bardhë si krilla,
atëherë kur dielli im lindte
mes gjunjëve të tu në agim,
dhe perëndonte pasi feksnin
dritat e muzgut në shtylla.

Gjatë asaj kohe unë
bëhesha për ty një burim,
ku thithje me shumë etje
nektarin e djalërisë së ëmbël.
Dhe trupi yt i magnetizuar
në tërheqjen me tërbim,
më paralizonte tërësisht,
nga koka deri te këmbët.

Eja, tani s’kam ndërmend
të rikthej kohën e rinisë!
Me dashuri ne kemi çmendur
trupat në çdo shije stili.
Dua vetëm të shoh nurin
që të dha mosha e pjekurisë,
të çmallem me zërin tënd
që ia kalon çdo kënge bilbili.

Eja, mos u druaj aspak,
se do kthehesh sërish,
në folenë, ku gjatë viteve
të fundit je strukur,
me shpirtin të ripërtërirë,
nga çmallja e nostalgjisë,
më e mirë nga ç’ke qenë
dhe më e bukur!...

 

GJUHA E TRUPIT
(Nga cikli: Erosi i ndjenjave)

Shumëkush fillon nga përgatitjet
paraprake seriozisht,
t’i drejtohet dashurisë
me fjalë e fraza sa më pikante
dhe qëmton me kujdes
fjalorin e zgjedhur posaçërisht,
për çastet kur do të shprehë
ndjesitë e veta delikate.

Pa menduar se natyra
ka vënë në trupin e çdo njeriu,
një gjuhë më me efekt,
se përpjekja të ëmbëlsoj tonet.
Vetëm me gjestet
që shprehin gjymtyrët vetvetiu,
rizgjohen shumë herë
më të fuqishme emocionet.

Provo, derisa syri i saj të përgjigjet
me vështrim prej miku ! ...
Nëse i lë ninëzat e tua të notojnë
nëpër ujërat e syrit,
ajo pulit qepallat me një
psherëtimë të lehtë qerpiku,
për të treguar se për ty
ka hapur të dy kanatat e shpirtit.

Nga nënqeshja e ëmbël,
me rrudhëzat në cepat e buzës,
kuptohet se ajo të ka fiksuar
në ndjenjat e saj sekrete.
Atëherë je i mirëpritur ta ndalësh,
diku në një cep të udhës,
se më së fundi ke arritur
ta bësh zemrën e saj për vete.

Prapë, s’ke pse lodhesh
me thurje hartimesh poetike,
sepse buza e saj me një dridhje,
të fton vet për puthje.
Madje vetulla e ngritur,
habitet me tonet e tua patetike,
kurse vetulla e ulur, të qorton,
nëse vepron me ngutje.

Kur i gufon gjoksi, sikur dy pëllumba
do i fluturojnë nga trupi,
mund t’i qetësosh urtë e butë
me ledhatime të ëmbla.
Atëherë, asaj i ka ikur
si një rojtar i përzënë, turpi
dhe me brohoritje të zjarrta
fillon t’i flasë vetëm zemra.

O zot, o zot, të më fliste përsëri,
me ato gjymtyrët e veta,
një bukuri nazike, pa pasur
për zërin tim asnjë nevojë
dhe me gjestet memece,
që ua kalojnë fjalëve të tepërta,
të më mundësonte si dikur,
pushtimin e heshtur fare pa gojë!...  


QENI ROJTAR, ERA DHE GJETHJA

Thuhet shpesh, fjalët janë gjethe,
që pasi thahen, bien dhe i merr era.
Shkrimi është qen i madh leshtor
që i ruan lidhur me zinxhir mbi letra.

Megjithatë dhe ky racë qeni rojtar,
Nuk jeton mbi letra përjetësisht,
se ka zbutës qensh që afrohen tinëz
dhe e helmojnë me një copë mish.

Ndryshe si do merrte grabitqari tokën,
shtëpinë e të patundshmet e tjera
të bëhej vet pronar, pa trashëguar
asnjë gjethe të shpëtuar nga era?...

Unë linda bashkë me disa hektarë
tokë buke, truall, pemë dhe shtëpi.
Por gjithë trashëgimet m’i mori era,
pasi qentë roje i helmuan disa qeveri.

Dhe tani pres, derisa dhe trupin,
era e fundit të ma hedhë si gjethe,
te mali i Dajtit, ku do blej dy gurë,
sa të më shkruhet emri i kësaj jete...

 

FOLA ME TRUNGUN E NJË PEME

Një çift i dashuruar
kishte gdhendur dy emrat,
mbi lëkurën e një ahu
degëgjerë e shtatgjatë.
Afrova buzët,
te një nga nyjet e kësaj peme
dhe i fola me gjuhë pemësh,
trungut kryelartë:

-Jam një mik i pyllit,
nga vitet e djalërisë së hershme,
dhe gjuhën e drurëve
e kam mësuar me mjaft pasion,
kur gdhendëm emrat
e dashurisë së pavdekshme,
me vajzën që mora grua
dhe në vazhdimësi deri vonë...

- Nuk mund të flas më gjatë
me një njeri që njihet mirë,
në kujtesat drusore,
të transmetuara nga të parët,
te çdo dru që bën hije në pyll,
dhe i ruan në fshehtësi,
sa të digjemi nga rrufetë,
apo të rrëzohemi nga druvarët...

-A mund të më bësh vend,
o dru, të hyj në trungun tënd,
dhe si mik i vjetër i trungjeve pyjor,
të flasim shtruar!...
- Ç’ kërkon të më thuash, o njeri?-
tha trungu me ton të rëndë, -
kur emrin e gdhendur në dru,
tani nuk e ke në zemër të shkruar!...

-Nga e di ti, o dru i moçëm,
kur ne bashkë me gruan jetojmë
në të njëjtin çift që na bekuan
drurët e një pylli tjetër;
Kemi mbjellë e rritur
tre filiza të rinj, si drurët e ahut,
që bëjnë hije në pyllin njerëzor
të botës sonë të vjetër.

-Të jetosh bashkë s’do të thotë,
se ju keni akoma në zemra,
emrat e gdhendur
në zanafillën tuaj të dashurisë.
Përderisa në zemrën tënde
kanë shkruar emrin disa femra,
nuk dihet kujt i përket
zemra jote e ndarë shumëfish!...

-Ou!... hape derën, të hap zemrën,
të ta tregoj konkretisht,
se ruaj gdhendjen e emrit
të asaj që kam ende në shtrat!...
-Shko, ore, se s’ ma hedh dot mua,
ti, zemërgdhendur nga tradhtitë,
se ne i kemi kujtesat të regjistruara,
në rrathët e viteve të gjatë!... 


AROMË VAJZËRIE...

Sivjet, në kohë plazhi,
hyra rastësisht,
nëpër dhoma vajzash
të fisit tim.
Përshtypja e parë
që ndjeva befasisht:
aty nuk binte era vajzë,
por era tym!...

Më krijoi ndjesi të rëndë
për disa çaste,
goditja e nuhatjes
me kundërmim nikotine,
ndryshe nga pandehma
ime delikate,
për të ndjerë erë livadhesh
me aromë trëndeline.

Vetëtimthi m’u kujtua
koha e viteve rinore,
kur shkonim fshatrave
të ftuar prej së largu,
në dhomat e mësueseve
për kafen shoqërore,
dhe era femër, ndjehej
sa afroheshe te pragu...

Sistemi arbitrar,
vërtetë nuk përtonte,
t’u ndërhynte vajzave
në çdo privaci,
por kurrë nuk arrinte
të dekompozonte,
atë aromën e veçantë
të lules, vajzëri...

Ndërsa sot, nga mania
e tejkaluar në botë,
vetëm sa për t’u dukur
moderne në mjedis,
provojnë edhe tymin
e vyshkjes së kotë,
kur sapo u shpërthen
aroma e vajzërisë!...

 

FAQEN E DJATHTË

Më klikoi mendimin një ide
paksa e habitshme,
për ta zbrazur brenda vargjeve
në këtë poezi.
Dihet, jam maniak
që gjuaj tema të çuditshme,
teksa qëmtoj fenomene
të rralla në krijimtari.

Kam disa gra mikesha
që i dua të gjitha me shpirt,
pa menduar se janë femra,
po krijesa magjike.
Dua t’i kem brenda shpirtit,
se më projektojnë dritë,
pasi zemrat s’kanë nevojë
vetëm për dashuri fizike...

Po ta dinë bashkëshortët,
se shpesh mes tyre më kanë,
ndoshta mund të tërbohen
nga xhelozia e marrë,
të thonë: Ta vrasim
me tre plumba, “atë donzhuan”,
se na ka hyrë në zemrat e grave,
ku ne jemi pronarë!...

Por mikeshat ruajnë
në thellësi të shpirtit, sekretin
pasi e dinë, s’kam interesa
për cënimin e kufijve trupore.
Se jemi njerëz me autokontroll
dhe pjekuri intelekti...
që adhurojmë te njëri-tjetri,
vetëm vezullimet mendore.

Për këto gra kam veç një lutje,
mundësisht,
faqen e djathtë ta kenë
nga puthjet të rezervuar,
nëse takohemi dikur në jetë,
diku rastësisht,
t’i puth fort, si motra
me të cilat jam vëllazëruar!...

 

TË KA LALI SHPIRT, O, TË KA LALI XHAN!
Kjo më e rëndomta këngë bashkëkohore,
jehoi në të gjitha hapësirat anembanë,
se preku direkt ndjenjën e madhe njerëzore:
“Të ka lali shpirt, o, të ka lali xhan! ”...

S’kam dëgjuar njeri në botë të këndojë:
“Kam alamet shtëpie, kam goxha dyqan!”,
por dikë që nga dashuria zemra i fluturojë:
“Të ka lali shpirt, o, të ka lali xhan! ”...

S’ka kënduar ndonjëri: “Kam shumë flori,
kam një kope të madhe bagëti në stan!”
por dhe varfanjaku shpërthen në dashuri:
” Të ka lali shpirt, o, të ka lali xhan! ”...

Askush s’ka kënduar në kulmin e ngazëllimit:
“Jam titullar në ministri, në gjykatë jam sovran!”,
por dhe i papuni shpërthen dufin e gëzimit:
” Të ka lali shpirt, o, të ka lali xhan!”...

Romeo e Zhulieta, dashnorët e përtej detit,
nuk sakrifikuan jetën se s’kishin ç’të hanë,
por se nuk i lanë t’i këndonin njëri-tjetrit:
” Të ka lali shpirt, o, të ka lali xhan ! ”...

Ndaj, unë për këdo, nga të shtrenjtët e mi
që e mbaj fort në zemër dhe më mban,
do të jehoj kurdoherë me sa kam fuqi:
” Të ka lali shpirt, o, të ka lali xhan! ”...

Donnerstag, 8. August 2013

Cikël poetik nga Fran Ukcama



DAL SHQIPTAR, SHQIPTAR I PLOTË!

Se jam gegë,
e kam në ball,
të jem dhe toskë, kerkush s`më ndal,
Gegë e toskë, toskë e gegë,
Si dy kokërra në një shegë,
Si dy degë në një qershi,
Lidhë në rrfanë me dashuni,
Dy bylbyla knojnë kah agu,
“shumëzëren” me eee, labi
Heu malsori “majekrhu”
Dhe dy sheget unë i kpus,
Brenda shpirtit po i fus,
Kem nji rrajë një gjuhë të vjeter,
Deget shtohen,
Lulëzat I japin jetën,
Sa pak dalim kur rrimë ndamë,
Bukur shumë kur jemi bashkë,
Dashamiret na duan kështu,
Erdhem kohnash gjer ketu.
Duke i pasë të dyja tok,
Dal Shqiptar,
Sqiptar i plotë!

 

ATDHEU ASHT EDHE ME ARNA

Atdheu ka kostum ''Armani''
por ka gozhup dhe krahnol me arna,
kjo nuk do të thotë ti që kthen pas vitesh,
buzet t`i rudhesh,
dhe shumë të zoritesh,
aq ma keq të shash,
A shahet baba dhe nana?!!!

 

MBRAMË ISHTE SONTE NUK ERDHI

I ndjeri profesori i letëesisë,
shkrimtari, poeti,
Nikollaj Margilaj,
pip ahu i zbritun prej Hoti, Trieshti,
u formua e burrnua u zbardh udhëve të Fierit,
fisniku , bujar, rriti femijë të mbarë!

Mbramë ishte, sonte nuk erdhi,
te bar Rinia,
zemer e Fierit,
ku kuvenduam me humor e shaka
e mua më tha: -Malsori i Tropojes të zbuti laleshka e Fierit!
dhe unë iu gjegja: - Sikunder edhe ty, gruaeja fisnike Nomi, që ke në krah,
por ne verioret e zbritun prej mali,
Kanunin e Lek Dukagjinit, e perkthyem se prapthi,
na doli se mbari..
qeshem, qeshem sa ma s`ka!

Por, oh, por në ora dy të nates,
zemra profesorit i tha: - Ti vijo udhen, se unë u lodha, nuk mundem ma!
Nuk erdhi sot te zemra e shalqinit,
mesi i Fierit, bar Rinia,
iku te Tëshumtit, kuvendon se çka pa e çka la mbi tokë!

Shpirti në Parajsë të pushoftë
Profesori Nikollë!
Burri prej Trieshit,
fisniku nder i Fierit!

 

PARA HOMERET TE ASHTI I TOKES

Knjojtaret që knuan kumbushem tej motit,
lahuten latuan prej ashtit të Kombit,
kombi i formuam prej fiseve, me emnin e zotit
u lidhen anë detiti,
a ua dimë ne të sodit?!

Muranat në kala i lidhen mbi shkambe,
mbi shkambe. e fushat i mbajtën në prehën,
sa luftna kanë pritun, lumenj me gjaqe,
ata Parahomeret, ne ne lanë .
nder e emën,

Rapsodi që vargun me lidhza, shkulma gjaku,
luftrash, qendresash, kronika, gojë më gojë,
hyni në analet që përcjellin rreth oxhakut,
ardhtaret e kohes,
që kanget i shumojnë..

I besoj legjendes, epikes, dhe thanthanjes, ndër breza,
dhe pse arka, sunduke, parahomeret nuk na lanë,
janë shenjat e shejta të gdhenduna në shpella,

Freitag, 2. August 2013

Dy tregime nga Shefqet Sulmina


Valentina

Është gushtë,kohë kur njerëzit përgatiten për të shkuar nëpër plazhe,ose nëpër vendet e freskëta malore për të kaluar muajin e pushimit. Unë me Dorin dhe Mirin kemi dalë nga qendra komerciale e qytetit. Qyteti ku jemi vendosur është në veri dhe ka një liqen të bukur dhe të madh. Shpesh u them atyre hajde të bëjmë një shëtitje nga deti. Ata qeshin. Ka filluar i nxehti i ditëve të para të gushtit dhe ne nuk dimë ç'të bëjmë për ta kaluar, pasi ndërmarrjet ku punojmë janë mbyllur.
Unë sot jam vetëm fare. Në hyrje të qendrës komerciale në krahun e djathtë, është një dyqan djathi, një skulpturë e madhe lope, ca stola ku ulen dhe pinë cigare duhanpirësit. Brenda në atë dyqan është një vajzë e bukur me emrin Valentina që i ngjanë gruas time. Kur unë ulem për të pirë cigare si gjithë të tjerët, Dori me Mirin më ngacmojnë:
-He, Çeto, po rri një çikë me pa nusen?
-Po jo,- i them,- se po pi cigare.
Unë jam i ri, por ata janë në pragun e daljes së adoleshencës. Miri është djali i mikut tim mësues dhe ishte ai që më mori të banoja me ta. Dori është nga Tirana dhe unë nuk e thërras me emrin e tij por,o Tirons. Ata e njohin nusen time nga fotografia që kam unë në komodinë dhe Valentinën nga prezenca e saj në banak. Nganjëherë më thonë ik Çeto merr një çikë djathë të nusja. Me atë që më bëjnë mua ata unë po dalë me dy gra; njëra në Shqipëri me djalin tim të vogël dhe njëra këtu në Itali, në banakun e djathit. Edhe shumë gjëra të tjera më punojnë mua ata, por mua nuk më ngelet hatri se janë djem të mirë dhe më respektojnë. Ç'duhet për të bërë nga punët e shtëpisë, të tëra i bëjnë ata, vetëm me një kusht që kur të jetë për të marrë djathë dhe gjëra të tjera ushqimore duhet t'i bëj unë. Është punë që edhe unë e kam pranuar me dëshire. Ata, tallën dhe më thonë provoje Çeto me Valentinën, se ja vlen. Të them të drejtën unë e kam provuar pa u thënë gjë atyre,por s'po më del gjë. Kur unë rri e pi cigare në stolat përballë banakut të saj,ajo në fakt e di që unë rri për të,kurse unë shumë herë rri dhe mendoj për gruan dhe djalin e vogël që i kam larg. Ajo herë-pas-herë më hedh ndonjë vështrim buzëqeshtë dhe vazhdon të punoj. Unë kurrkund nuk e kam kuptuar mirë as për ç'ka i kam thënë dhe as se ç'farë më ka thënë në gjuhen italiane që e njoh shumë pak. Një gjë është e qartë:për të,unë që rri dhe pi një cigare në stolin përballë saj, rri për të. Ajo nuk e di që unë kam një grua dhe një djalë një det larg. Po Valentina është e bukur dhe unë të them të drejtën ndjehem pak si vetëm. E ndërsa rri në stolin përball Valentinës, shoh hyrje-daljet e njerëzve tek shtyjnë karrocat e ngarkuara me ushqime dhe veshmbathje apo orendi, më vjen ndërmend gruaja tek më përcolli.
Qante po çuditërisht nuk më thoshte mos ik. Djali po flinte mbi krevatin tonë. Jashtë pranvera llastonte më bukurinë e saj trupin e tokës. Ishte qershor dhe viti shkollor sapo ishte mbyllur. Gruaja ishte akoma me lejen e lindjes. Unë po dilja nga dera dhe ajo po më shoqëronte. Ç'shoqërim ajo vetëm qante.
Kur e marrë në telefon,e pyes se nëse qan akoma. Ajo më siguron se jo. Mirë i them,tani në fund një puthje. Unë puth receptorin e telefonit dhe nuk e di ç'bën pastaj ajo andej. Kaq,pastaj kam filluar të harrohem me jetën dhe problemet e punës së këtushme pasi kudo që vete nuk është puna ime. Kur shoh njerëzit që përgatiten për të shkuar buzë detit,sesi më duket. Më duket se do të nisem serish të marrë detin e zi të natës,si atë ditë kur u nisa nga Himara. Më kujtohet...
Udhëtuam natën deri atje,ndërsa kishim pritur për tu nisur tre ditë rresht në Vlorë. Unë isha me Turin, me një djalin e një miku, i cili, shumë kohë më vonë u transferua dhe shkoi në Francë. Më kujtohet se ishte mot i bukur dhe nata e mbushur plote me yje. Gomonia ishte e madhe por mua më jepte përshtypjen se do të fundosej nga çasti në çast tek përplasej me dallgët e larta të detit i cili kishte një ngjyrë të zezë. Detin unë e kam dashur gjithmonë,por kurrë atë mbrëmje me yje dhe ujë të zi. Nxirrja duart jashtë gomones dhe prekja ujin e kripur të detit. Nuk dukej se ishte uji i kripur,por mua më dukej se e shihja tek më kripëzonte me ujin dorën. Ishte një lojë e çuditshme dhe e gjatë me dorën time dhe me ujin e kripur në atë udhëtim plotë terr dhe shpresë. Dëgjohej ndonjë zë"edhe sa duam?".Askush nuk përgjigjej nga dymbëdhjetë burra që ishim në atë makinë prej gome. Diku në horizonte një dritë që fikej dhe ndizej. Të jepte përshtypjen se ishte e afërt. Të paktën ashtu dukej ai far...
Valentina ma bënë me dorë që të shkoj te banaku dhe mua më ndërpriten kujtimet. Unë ngrihem dhe shkoj drejt saj. Edhe gruaja ime kështu ma kishte bërë me dorë kur më tha se i pëlqente të martohej me mua. Po Valentina përse po më thërret? U përpoqa ta mblidhja veten dhe tërë fjalët italisht që dija. Fjala është gjë e madhe thashë dhe me erdhi ndërmend poezia e një poeti kur fletë për "fjalët".Po ai fliste për fjalët e këqija. Po Valentina? S'më kujtohet si u ndjeva kur u mbështeta në banak. Pozicioni që mori qenia ime ishte gjithë sy e vesh. Valentina më tha :
-Ma oggi vuoi comprare le "Mozzarele"?(Po sot do të blesh moxarele?)
-No, oggi vorrei comprare te. (Sot dua të të blej ty.)
-Gli hai i soldi? (I ke paratë?)
-Vado a prenderli dalla mamma...(Vete ti marrë tek mamaja...)
Fraza e fundit i përkiste një këngë italiane që thoshte:Ik tek mama për të marrë qumësht...Ajo qeshi. Unë e le të qeshurën e saj në banak dhe dalë me mendimet e mia...
Fari që ndriçonte dukej i afërt,por ishte tre orë larg e tmerr. Ne lamë gomonen dhe dolëm nga deti pothuaj të lagur duke marrë shkrepat e egër të bregut. Nuk kishim bërë as pesëqind metra kur dëgjuam "Alt!". Nuk e shihnim njëri-tjetrin po me siguri të gjithë ç'ishim, ishim shndërruar në statuja pellazgjisht. Fjala e gjuhës tjetër na theri brinjë më brinjë. Nata u bë edhe më e zezë dhe më dukej se s'kishte as yje,megjithëse po gdhihej. Pastaj dëgjuam fjalën tjetër "Vieni"! Gjithë ajo luftë e egër me dallgët kishte marrë formën e një tjetër lufte. Mos lëviz i thashë Turit,djalit të mikut tim. Nuk e shikon më tha ai me gjeste dhe me pëshpërima? Donte të thoshte se të tjerët u dorëzuan e ne ç'farë do të bëjmë. Fjala "Vieni" ishte si një tingëllim i shqipes që unë do ta përktheja në shqipen time "të shoh ku je po hajde, mos e zgjatë...". Po ku na shohin ne ata thashë me vete, por jo Turit,që e mbaja fort me dorë që mos të ngrihej. Dëgjohej zhurma e dorëzimit...Ne siç ishim të lagur u ngurtësuam. Mbi kokën tonë lëvizte një projektorë drite,por ne ishim ngjitur me gurët e shkrepave të bregut pa lëvizur as majën e qimes. Nuk më kujtohet sa ndemjen dhe se ç'ndodhi me të tjerët, ndërsa në të aguar ne gjetëm taksinë që na priste. Mendimet më ndërpriten prapë këtë herë se po vjen drejt meje një grua shumë e bukur me një qen të madh për dore. Ka një minifund të lartë,taka të larta dhe këmbë të mbushura e të gjata dhe me syze të zeza. Kur një grua është kaq e bukur andej nga anët tona thuhet se është për ta pirë në kupë. Mua më vjen ndërmend një poezi imja e hershme,se tani nuk shkruaj më pasi nuk më del koha nga puna ku jam zhytur.
E desha vizatimin dhe erën,
Se desha fortë atë.
Se vetëm atë dhe erën kam dashur
Dhe kam dashuruar gjithnjë atë...
Nuk ishte kushedi por mua më vinte shpesh në mend dhe përpiqesha ta vërshëlleja kur gruaja e bukur erdhi e më përshëndeti. Unë nuk e di pse atje nga banaku i saj, Valentina po qeshte. Ndërsa gruaja e bukur po më fliste mua,unë isha hutuar krejt. Nga vërshëllima e poezisë që u përmenda më sipër,më kishte ngelur vetëm vargu"...dhe kam dashuruar gjithnjë atë"...Gruaja e bukur ishte vetë poezi sa unë nuk jam në gjendje ta përshkruaj.
-Më falni,- tha,- mund të ma mbani pak qenin sa të bëjë shpenzimet? Kthehem shpejtë,- shtoi duke më parë në sy.
Sytë e mi u ndeshen në dy shigjetat e syve të saj që ma kërkonin me këmbëngulje këtë favor. E para, më erdhi rëndë t'i thosha "jo" sepse ishte grua; së dyti ishte tepër e bukur për ti thënë "jo" një të bukure; së treti edhe mua më pëlqente të lozja atë çast me dike qoftë edhe me një qen. E mbajta qenin por i thashë gruas së bukur që të nxitonte e mos të vonohej. Ajo më premtoi se do të kthehej shumë shpejt. Valentina që më hidhte shpesh sytë,u duk se u befasua kur më pa me qen për dore pothuaj tek dera e saj,la banakun dhe më tha ku e gjete këtë qen të bukur,duke e ledhatuar qenin. Qeni i lëpinte duart dhe hynte e dilte përmes këmbëve të saj. Dukej sikur të njiheshin prej vitesh.
-Mos e prek,- i thashë,-se është i huaj dhe gjërat e huaja nuk preken.
Ky pyeste Valentina! Ajo pothuaj ishte gati të linte banakun e djathit e të bënte xhiro me qenin tim që ma dhanë në mirëbesim vetëm për pak minuta.
-E di çfarë race është?- më pyeti ajo.
-Jo,- i thashë,- pasi nuk jam shumë i dhënë pas tyre. Më pëlqejnë dhe vetëm kaq.
-Pse nuk u ka folur zonja që ta la në ruajtje? E njihni ju zonjën që ua la në ruajtje? Ku shkoi zonja që kishte qenin?
-Dëgjo,- i thashë,- unë nuk e njoh zonjën që më la qenin. -Po ti pse m'i bënë këto pyetje të çuditshme?
-Ajo ta ka ngecur qenin. E di ti se tani është kohë pushimesh,-vazhdoi të më sqaronte ajo,- dhe me qindra njerëz i lënë nëpër rrugë qentë sepse nuk duan t'i marrin nëpër festa!
-Po ajo më tha se do të kthehet shpejtë,- thashë unë i habitur.
-Ajo nuk do të kthehet,- tha ajo e sigurt,- tani merre qenin dhe dërgoje në shtëpi.
-Unë qenin në shtëpi?!
Më erdhi ndërmend Dori me Mirin që sikur më thoshin:
-Mirë që të morëm ty, por dashke të marrësh edhe qen!
-E ç'do të bësh, do të ma lësh mua?
-Jo,- thashë,- do t'ia kthej zonjës së bukur që ma la.
-Ajo ka dalë nga portat e tjera, prandaj mblidhe veten e bëhu burrë,- më tha Valentina.
-Mos! thashë me vete,- ç'i bëra vetës.
Si mund të ta shpija unë qenin në shtëpinë tonë pa pyetur Dorin dhe Mirin. Po kujt t'ia lija? Qeni vinte e më lëpinte këmbët, kërkonte te lozte siç ishte mësuar me zonjën e tij. Unë shihja zinxhirin e tij dhe trishtohesha dhe pse i bindur se ky qen nuk e dinte se si i kisha unë punët. Nuk ishte se e doja këtë qenë,por nuk kisha arsye ta urreja. Po gruaja e bukur ç'farë mendon tani që e hoqi qafesh qenin e saj në një formë mjaftë inteligjente! Kush është qen për atë, unë apo qeni? Apo ajo vete?
Prita gjatë por gruaja e bukur nuk u duk më. Mua më ngeli qeni në dorë,ndërsa doja të kisha në dorë Valentinën. Vete për lesh dhe del i qethur,thashë me vete. E hoqa mendjen përfundimisht nga Valentina dhe do t'u thosha Dorit dhe Mirit që t'i bënin ata shpenzimet, pasi unë aq shumë i turpëruar siç u ndjeva nuk kisha dëshirë të vija më nëpër qendra komerciale e të ngatërrohesha kotë se koti me gjëra të çuditshme. E mblodha mendjen dhe vendosa të shkoj. Valentinën më vinte rëndë ta përshëndesja. Nga pas më ndiqte qeni i gruas së bukur që po miqësohej shpejt me mua. Isha larguar ca kur ndjeva zërin e Valentinës që ma bënte me dorë të ndaloja. Ndalova. Qeni filloi të lozte midis këmbëve të mia.
-Pritë,- më tha Valentina,- se është e gjitha një shaka.
Unë hapa sytë i habitur dhe m'u duk se po zgjohesha nga një ëndërr e çuditshme. Valentina qeshte ndërsa më shihte mua që nuk kuptoja asgjë.
-Gruaja e bukur ishte tezja ime,- tha ajo.
-Po qeni,- i thashë,- është daja jot?
-Ajo, tezja ime shkon për pushime dhe do të ma lërë mua qenin këto ditë. Por unë jam në punë dhe mendova se ti mund të më ndihmosh.
-Unë të ndihmojë për tërë këto ditë që jam me pushime se kot po rri këtu para teje, por nuk mund t'a marrë qenin në shtëpi tek miqtë e mi.
-Jo, qenin do ta mbajë unë në shtëpi.
-Mirë,- i thashë pa menduar.
Tani unë dalë shëtitje me qenin e gruas së bukur bregut të liqenit dhe pres që Valentina të kthehet nga puna. Nganjëherë pasi hamë darkë se bashku rrimë deri vonë bregut të liqenit ku bënë shumë fresk. Jam miqësuar shumë me qenin por sidomos me Valentinën...Gruaja e bukur më bënë të fala nga larg dhe i ka thënë Valentinës se do të më njoh. Dori dhe Miri kanë filluar të kthehen vonë nga diskotekat ndërsa unë po përgatisë letrat zyrtare për të marrë gruan dhe djalin. Pas tre muajsh Valentina do të shkoj për studime në Triestë.




A do të bëhesh shkrimtare?

 Kishte dëgjuar se do të bëhej një konkurs i madh për talentet dhe artistet e rinj në qytet.
Kush?
 Ajo,pra ,mikja ime. Në qytetin tonë bëheshin mjafte aktivitete për të cilat, kjo mikja ime, i merrte vesh e para. Siç ua kam thënë dhe herë tjetër ne shkruanim për gazetën e qytetit dhe dinim shumë gjëra që ndodhnin në këtë qytet. Kjo, mikja ime i merrte vesh, se unë nga ti dija. Ju do thoni se po akuzoj gazetarinë si "pinë" që e dinë vetëm gratë... Merreni edhe si thashetheme, por kjo është e vërtetë.
Ajo mikja ime i ra derës bam-bam-bam.
-Kush është?- pyeta unë pa u ngritur ende nga krevati.
-Jam unë.
Ju do thoni kush ishte? Dhe unë po ua tregoj.
Ishte Dea.
Ju do më pyesni se si është kjo mikja juaj me këtë emër të çuditshëm "Dea". A është e bukur? A është e mirë? Etj. etj. Unë nuk do t'ju tregoj asgjë.
Ju do të më pyesnit përse? Unë do t'u përgjigjesha vetëm sepse.(Hë, sepse gratë e bukura janë si qumështi i venë në zjarr, që duhet ta kthesh kokën herë-pas here për ta parë...) Këtë e kisha lexuar nga një shkrimtar. Në fakt, e para që e lexoi, ishte Dea që ma tha mua. Pastaj unë ua thashë shokëve të mi, që për çudi kishin frikë t'ua thoshin të dashurave të tyre. Kur i thashë Deas se kështu vepruan shokët e mi, ajo m'u përgjigj prapë me një thënie të të njëjtit shkrimtar, kur thotë se e bukura do kokë dhe "shpatulla" për ta mbajtur. Unë prapë ja thashë shokëve të mi dhe prapë ata u treguan të heshtur dhe nuk ua thanë të dashura të tyre. Prandaj edhe unë vendosa të mos u tregoj asgjë për Dean, të dashurën time. Edhe këtë të fundit kot që e thashë. Kam vendosur edhe unë të bëj si shokët e mi mos të flasë për të dashurën time. Ndryshe është me gratë. Ato mburren me burrat e tyre. Që ta kuptosh këtë duhet ta shohësh në vështrimet e tyre... se të ka mburrur gruaja apo jo. Po duhet ta kuptosh ama...
-Zgjohu,- më tha,- dembel, debil!
-Kush është dembel?,- bëra unë sikur u habita.
-Kam tërë mëngjesin që shëtisë qytetin e vetme. E di ti që sot bëhet një konkurs? Dhe ne duhet të marrim pjesë me doemos! A më ke thënë se do të bëhesh i famshëm? Se të pëlqen të shkruash libra, të bëhesh...
-E di, moj, e di dua të bëhem shkrimtar. Por pse kaq shpejt bëhesh shkrimtar? Hajde, hajde sa vite duhet të punosh për t'u bërë i tillë.
-Fillimi i mbarë, është gjysma e punës. Jo si ty që do të flesh tërë ditën.
-Edhe unë mirë e kam filluar,- thashë.
-Pse?
-Të dua ty.
-Po e di ti që unë do të punoj për vete dhe jo për ty,- tha ajo,- dhe më mori për veshësh.
-Hiqi duart,-i thashë,-nuk merren burrat për veshësh.
-Nga se merren?
Një moment i heshtur. Doja tu flisja për sytë e pastër të saj,për të qeshurën e vrullshme që i vinte së brendshmi dhe që ajo donte më terë atë forcë të brishtë femërore, ta ndalte. Shiheshim në sy apo në pasqyrë, nuk po kuptohej. Unë e dija që ajo brenda saj ndjente gozhdën e pyetjes: "nga se merren burrat?" Po ajo nuk ndjehej e mundur nga kjo pyetje. I mundur ose e mundur do të ishte se cili do të qeshte i pari. Di që qeshem atë çast,por mua nuk më kujtohet kush qeshi i pari...
Ndërsa po krihesha në pasqyrë dhe Dea më rrinte nga mbrapa, e pyeta:
-Dea, më çfarë krehri krihesh në mëngjes?
-Me atë, që më ke dhënë ti,- tha ajo pak e habitur dhe bëri të shkonte nga dritarja.- Po ti,-shtoi,- pas pak.
-Me gishtat e tu,- ja prita unë.
-Atëherë pritë të të kreh,- dhe mori krehrin.
-Lere krehrin!- i thashë.
-Krehrin e gishtave?! Të pëlqen?
Flokët e saj të trazuar shpërndanin një aromë të këndshme që më rrethuan dhe më turbulluan. Dea la krehrin duke rrëshqitur fytyrën e saj si padashur mbi timen. Ja mora kokën e bukur dhe e tërhoqa drejt meje. Uji nga rubineti i çezmës bënte një zhurmë të shkërmoqur. Mbi flokë ndjeja gishtat e Deas që më për ngjethnin dhe më shumë. Trupi i saj i ngrohte dukej krejtësisht i lëshuar sa mund ti jepje forma të reja... Megjithatë s'kishe se ç'të shtoje më tepër.
-Gjuhen...- i thashë.
-Nuk krihesh me gjuhë,- tha ajo përgjysmë zëri dhe tërësisht e përhumbur.
-Ja,- thashë,- pse duhet burri!
Një krehër dhe një tufe me lule i dhurova për ditëlindje dhe një varg puthjesh varg e varg. Poezi nuk i shkrova pasi ajo shkruan më bukur se unë.
Dolëm. Lamë pas pallatin tim në formë "L" dhe hymë në bulevard. Pranvera po shkrinte dyllin e blireve dhe i jepte qytetit një aromë të mrekullueshme. Dea më zuri për duarsh. Unë e pashë prapë në ata sy blu të thellë dhe qesha. Edhe ajo qeshi duke ju kujtuar pyetja "nga se kapen burrat" dhe tha:
-Mjaft!
-Pse,- i thashë mos jemi fëmijë që duhet të kapemi për dore,- ja ndërrova krejtësisht fjalën.
-Pse mos jemi të martuar që do të të fut krahun?- përsëriti edhe ajo lojën.
-O?!-ja bëra unë.
-E!-ma priti ajo.
Nga zëri i saj kushedi sa lule bliri mu duk se u rrezuan në bulevardin me zëra dhe hapa kalimtaresh të tjerë. Pas nesh,herë-pas here linim statuja dhe fytyra njerëzish të njohur ndërsa ne do të shkonim të konkurronim për tu bërë poetë ose shkrimtarë. Fytyrat tona të bukura të rinisë udhëtonin drejt universitetit të qytetit. Mua më dukej sikur po talleshim,ndërsa Dea ishte plot zjarr. Sa zjarr të bukur kanë femrat, mendova ... Sidomos në këto raste të veçanta.
Sa u afruam në hyrje të universitetit,përveç lajmit për konkurrim dhe rregullave të tij, që shkruar:
"Më parë se të shkruash mëso gjuhen".
-E sheh?- i thashë.
-Po.
-Për të qenë të sigurt,- shtova,- e bëjmë prapë një prove.
-Këtu para universitetit? Nuk u ngope në shtëpi?
-A do të bëhesh shkrimtare?
-Po.
-Atëherë puthmë.


Dienstag, 30. Juli 2013

Sinan Kërpaçi: Gjestet

 
Sinan Kërpaçi

GJESTET

E vendosa që sot të shkoj te gruaja i dehur
gjë që nuk e kam bërë me të jetës kurrë:
as në shtrat kur zëmë “luftën”
dhe as në tavolinë kur “kërcasim” lugën.

Do ta shkel me të dy këmbët betimin “Kurrë!”.

Që nga balli ku gruaja më ka ngjitur etiketën
me kujdes që nga larg ta lexojnë të tjerët
me këto duar do ta shqit të shkruarën “Burrë!”
ashtu si e mendon ajo e nuk jam unë....

Edhe tek të dashurat s`kam shkuar njëherë i pirë,
por ato gjithnjë kanë thënë për mua “i dehur”
dhe vazhdojnë ta besojnë gjithnjë e më shumë:
kanë qejf ta ngulitin në mendje fort mirë
se unë kur “u pushtoj” shtratin jam i pirë.

Në mos me shoshoqe me vete e bëjnë pyetjen:
pse na ndodh me këtë të dashur kështu?!
Asnjëherë me të tjerët, gjithnjë me poetin
përgjigjem në mënyrën më të sinqertë:
nga gjestet, nga gjestet që bëj kur jam me ju.

Lokal “ MATEO”, 30, 7, 2013

Montag, 17. Juni 2013

Mentor Thaqi: Cili na qenka ky?

 
Mentor THAQI
 
CILI NA QENKA KY?

(atij që i bjen në masë, e bartë me shëndet)

rëndë krekoset
a edhe vlerave iu kanoset

don t´jeton n´qendër t´vëmendjes
që t´i ikë hamendjes

vetëlavdërimet
në maje gjuhe,
hyn e gjuhet
ku dhe ku s´duhet

djallë i kuq,
jeton për puç

e tha me sy t´skuqur
e mendje të huçur:
historia nisë prej meje,
imponoi me zjarrë rrufeje

patë jopak hije vazale
që iu ngjitën për fjale

mori duartrokitje të shfrenuara,
të pamerituara,
të kamufluara

të tjerë
që s´u pajtuan,
u shantazhuan, injoruan, ndëshkuan,
bile edhe u shituan

doli harambash
pa dhe një adash

tevona, i erdh zezona,
shiti miq e shokë
që t´shpëton kokë

dikurë, u mbush kupa,
u pakësua durimi,
u shtua guximi

sërish bën zhurmë
se pas po len gjurmë

po, i tha një i urtë
me fjalën e gurtë:
paj, le ta din secili
se ti, pas lë gjurmë kërmilli

mos na shit kopalla,
s´të don as mahalla

je kokë e lajthitur,
shpirtë dhe arësye shitur

17.06.2013

Mittwoch, 22. Mai 2013

Urata dhe mallkime popullore


Lutje dhe Urata

Mos t´marrtë përpara i pakjeni (i pa soji), as të vret e as të falë!
*
Zoti ta shtoftë bereqetin e hallallit!

 *
Tu baftë djali ma i zoti se ti!
*
U bafsh me ta rujt nderin stërnipa e stërmbesa!
*
U baftë një sheher (qytet) prej djalit tand!
*
Ruana Zot prej njeriut t´koritun!
*
Mos u bafsh me ti kajtë hallet Rahoveci se ndigjon krejt Podrimja (Anadrinia)!
*
Ti lëshofsha në konak magazinat e Zotit!
*
Tu rrittë nderi që e ke me bollëk!
*
Fitofsh shumë e shpenzofsh shumë!
*
Dashtë Zoti e na mbanë ajo që nuk e shohim!
*
Oj çikë, na raftë bashk lia e na mbyllshin në një karantinë!
*
T´i marrsha të ligat që nuk i ke!
*
I pifsha ujë për shëndet!
***

Mblodhi dhe i përpunoi
Mentor Thaqi



Disa nga mallkimet (nemët)
në rajonin e Rekës së Dukagjinit

***
Zoti pikë e pesë iu baftë!
 ***
Zoti ku brenë miza hekur iu çoftë!

***
E vrafsh baben tënd!

***
E vrafsh veten pa të keqen e kuj!

***
U bafsh me ta punu token miqësia!

***
Të shkoftë e mbara vetëm në bija!

***
Të guftë harami për oxhaku!
***
Ju raftë armija e kuajve!

***
 Ju raftë zhuga (zgjeba) në pikë të verës! (problem me dal deshë, kruarjet ...)

***
Të shkoftë pushka mbarë në vrasje vllaznish!

***
Kurrë dritë me sy mos pafsh!

***
U farofshi deri në pula!

***
Ju vraftë afti i fukarasë!

***
Ju daltë kukama (kuja) për grykë të oxhakut!

***
U shtofshi pak e dekshi shumë!

***
E paç mallë një fjalë prindi!

***
Të coftë kurbani naten e bajramit!

***
T´i dektë jarani çikës shtatzanë!

***
Të coftë kali midis lavre me farë të shkepun!

***
Ju daltë flaka e shpisë midis arbaini (dimri)!

***
T´kopshin kokrrat e synit si kokrrat e krypës!

***
E paç mallë me nigju ni fjalë të giuhës tande!

***
Shkofsh e mos u kthefsh!

***
U kthefsha e mos ju gjetsha!

***
E thefsh qafen pa të keqen e kujt!

***
Të lëshoftë shpirti me kafshatë harami në fyt!

***

Mblodhi dhe i përpunoi
Mentor Thaqi


Dienstag, 21. Mai 2013

Fakete Rexha: MALLKIME POPULLORE NGA GJAKOVA

 
Mallkime popullore nga Gjakova

- Tu preft dita!
- Tu preft nafaka!
- Tu errt drita e synit!
- T'gjet e liga!
- Te marrt pushka n'bire t'veshit!
- Tu mshelt dera me dry!
- T'honkt toka!
- Vorri mbrenda mos te mbajt!
- Mos mujsh me dhan xhezan!
- As gjel as qyqe mos t'kendoft n'oborr!
- E thefsh qafen me kersim!
- Tu thafshin krahet!
- Ta marrt zoti shneten!
- T'gjujshin hallku me gure!
- T'plast zemra e barkut!
- U befsh sakat!
- T'bift bari te dera! ( te mbet shtepia shkret)
- Te mbift bari n'faqe (vdeksh)
- Te mbet vendi shkret!
- Tu preft ora!
- Te lafshin mendt e kres!
- I marrsh malet!
- Mbetsh n'rruge t'madhe!( pa dere, pa strehe)
- Mbetsh n'dore vakafit!
- Krofsh majen e kres e qare mos gjetsh!
- Krofsh murin me duar!
- Tu gryfshin zorret e barkut! (skamja, uria)
- Te djegt zjarmi xhehnemit!
- Tu djegt zemra si qymyri!

Fakete Rexha: URATA POPULLORE NGA GJAKOVA

 
Urata popullore nga Gjakova

- Veq djepa perkundt kjo shtepi!
- Jepma Zot, çka mbet prej fukaras!
- Mos tu shoft zjarmi votres!
- T'kendoft zemra gjithmone!
- Tu gezoft zemra qyshk e m'qyshk!
- T'punoft hapi edhe vrapi!
- T'punoft shneta si ma se miri!
- E trashegofsh me nipa e sternipa!
- Te past lakmi gjithe bota!
- T'baft ylli drite ne ball!
- T'ardht devri i mire!
- T'honkt goja mjalt!
- T'ardht e hijshme pleqnia!
- T'ardhshin t'mirat per dere e per penxhere!
- Japsh me dore e marrsh me krahe!
- T'u gezoft gishti i unazes!
- T'u mbuloft gusha me dukat!
- Paq nafak!
- Paq nder e njerezi!
- Paq jete sa Cabrati! (jete te gjate)
- Te shkoft zani larg!
- Veq lule tu mbjellshin ne zemer!
- Paq fatin siq ma ke bukurine!
- U plaksh nen hijen e femijeve!
- U rritsh me nane e bab, me gjysher e stergjysher!
- Edhe kenduesi te beft vo!
- Ta pafshin hajrin kojshia e karshia!
- Ta dhashte zoti kah se kujtofsh!
- Tu shtoft hisja e bereqeti!
- Paq kamben e mire e me nafak
- Kurre mos tu mshelt dera e oborrit!
- Tu gezoft kulmi i shtepise!
- Gjetsh xhehnetin n'kete dynja e n'ate dynja!
- Tu befshin femijet krah!
- Paq zanin e mire!
- Ja pafsh hajrin djerses sate!
- Veq sofra t'gezimit shtrofsh gjithmone!
- Kurre vend t'zbrazet n'sofer mos paq!
- Hanksh me luge t'dukatit!
- T'beft zemra lum gjithmone!
- Edhe guret e sokakut kendofshin per ty!
- Drite e nur tu baft zemra!
- E gezueme qoft dita qe ke ardhe n'dynja!
- Gjithmone gezimi tu mbjellte n'zemer!
- T'qoft e gezueme dita!
- Dite te mire e t'gezueme!
- Rafsh i vogel e u qofsh i madh (nena femijes kur e ve ne gjume)
- U befsh burr me kandar! (nena, kur uron te birin).
- Te past lakmi Gjakova!
- Nderofsh baben edhe fisin! (nena - vajzes)
- Qofte derebardhe shpija qe shtin mbrenda! (nena- vajzes)

Sonntag, 19. Mai 2013

Fjalë të urta nga Lugu i Baranit


FJALË TË URTA NGA LUGU I BARANIT

01. Burrnia nuk matet me pash, por si mas puneve t'ndershme!
02. Vatani pa liri, si shpija pa kulm permbi!
03. Lirinë nuk ta falë kërkush, por duhet me e fitu vet!
04. Kush nuk lufton për liri, robninë e ka n'shpi!
05. Armiku më i rrezishëm asht ai që e harron!
06. Çka të bahet n'kojshi, prite n'shtepi!
07. Ku thone se ka dredheza shumë, merre krojshën e vogel!
08. Ujku kimen e nderron por adetin s'e harron!
09. Borxhlliu i keq, ti lyp paratë diten e Bajramit!
10. Dielli asht jorgani i fukarasë!
11. Njeriu asht dy herë femije: kur lind dhe kur plaket!
12. Ma e mire asht një ditë sokol, se njëqind Gogol!
13. Ai që di më së shumti, flet më së paku!
14. Katuni që doket, nuk do kallauz!
15. Kush lyp shumë e hupë edhe atë që e ka!
16. Xhehneti i gruas është të kamt e burrit!
17. Kur je vet n'hapsane, mos jep sadakë për dritare!
18. Kalin e shumë shpive e han ujku!
19. Kur shterojnë lumenjtë, rriten prroskat!
20. Miku asht mik deri sa nuk perzihet ne punët e shpise!
21. Miku i mirë, njihet në ditë të vështirë!
22. Djali i plakut, vaji i sakakut!
23. Burri për gruan asht si kulmi për shpinë!
24. Burri veten e jep, por besën s'e then!
25. Kanga asht vaji i burrit!


Tregoj Bajram Ali Muhaxheri
Kosuriq - Lugi i Baranit 1983
_

Freitag, 26. April 2013

Ramiz Selimi: Mërgimtarët nuk duhet të jenë Jetimë


Polisa e sigurimeve €-10,- në muaj dhe zbritja e çmimeve për fluturime, kërkesa ergimtarëve

Shkruan:Ramiz Selimi

Shteti i Kosovës të trajtojë mërgatën në mënyrë të barabartë me pjesën tjetër të popullit. Sigurimi i makinave për mërgimtarët t’i përshtatet urgjentisht çmimeve që paguajnë qytetarët në Kosovë, të ulet në €10,- tarifa e sigurimeve për një muaj.

Sigurimi i makinave është një nga problemet më të mëdha që kanë mërgimtarët, ky problem është munduar të paraqitet nga qeveritarët si problem ndërkombëtarë, ku qeveria do ta kishte mënjanuar “menjëherë”, sikur rregullat e kartonit të gjelbër të lejonin, pasi ne nuk jemi anëtarë të OKB-së, thonë ata, e plot dokrra tjera. Realiteti është krejt ndryshe nga ato që proklamojnë qeveritarët. Fakt është se interesi dhe buxheti i kompanive të sigurimit mbushet pikërisht nga kjo tarifë.Mesatarisht secili mërgimtarë së paku dy herë në vit udhëton me makinë në vendlindje, supozohet se 1/3 e popullsisë jetojnë në mërgim, sipas të dhënave diku rreth €, 30-, milion në vit përfitojnë kompanitë e sigurimeve, të cilat në rast dëmi në shumicën e rasteve hezitojnë për një dëmshpërblim korrekt.

Ne nuk mund të bëhemi anëtarë të kartonit të gjelbër edhe pas anëtarësimit në OKB dhe ketë duhet ta pranojmë hapur. Problemi kyç i gjithë kësaj është mosfunksionimi korrekt i gjyqësorit. Përderisa gjyqësori cilësohet si jo i mirë dhe me mundësi manipulimi ne nuk mund të bëhemi anëtarë të organizatave serioze. Turqia dhe disa shtete tjera edhe pse janë anëtarë të OKB-së nuk janë anëtarë të kartonit të gjelbër për shkak të parregullsive me funksionimin e ligjit.

Pra, qeveria duhet të sqarohet, a e dëshiron lekun e mërgatës apo popullin që jeton atje. Nëse populli saj është me rëndësi, atëherë ajo duhet të ofrojë të njëjtat kushte dhe të njëjtat ligje për të gjithë pa dallim. Sigurimi mesatar i një automjeti në Kosovë për qytetarët vendas është €-120 (pa regjistrim), në vit. Do të ishte e udhës dhe njerëzore që mërgimtarëve urgjentisht polisa e sigurimit të automjeteve tu caktohet tarifa prej €-10, në muaj, për të balancuar nivelin me qytetarët vendas, do të ishte një zgjidhje e mirë për mërgatën deri në pranimin e Kosovës në organizatën e kartonit të gjelbër.

Mërgata vuajti dhe vuan akoma shumë me udhëtime

 Ka shumë vite që na mundojnë probleme e telashe të jashtëzakonshme të të gjithë mërgimtarëve nëpër kalime, udhëtime, viza e mundime të ndryshme. Përveç vuajtjeve dhe ngarkesave psikike e brengave të varfërisë, ku secili nga ne mbanë familje në Kosovë, vëllezër e të afërm, mërgimtarët patën edhe vuajtjet tjera si nga vendet pritëse ashtu edhe nga ato transite.

Shumë vite diaspora vuajti duke ndarë kafshatën e gojës për të mirën e vendit, shumë vite ajo bredhi rrugëve të Evropës, duke demonstruar e duke aktivizuar të gjithë potencialin për interesa kombëtare. Disa shkuan vullnetarisht në luftë e disa derdhën shumë para në fondet e krijuara.
Të gjithë ata që kanë emigruar edhe në luftën e dytë botërore,nuk e harruan vatanin, kontribuuan secili në mënyrën e vet, vetëm evetëm që t’i delet në ndihmë atdheut.

Kurse tani nuk qanë kush hallin dhe dertin e tyre, fjala bie tash, është nevoja për një lehtësim në regjimin e vizave të mërgimtarëve me vendet e Ballkanit. Ka kohë që vendet transite tallen me mërgimtarët tanë edhe pasi që jemi bërë shtet, po atëherë i kujt është ky shtet, nëse nuk kujdeset për qytetarët saj?
Ka raste kur disa herë duhet të shkohet në konsullata për të plotësuar formular për të kaluar transit, duke kaluar disa ditë poshtë e përpjetë.Duke i kontrolluar me orë të tëra, duke i ndalur nëpër kolona me fëmijë e gra, duke ju shkuar pushimi nëpër zyra të ndryshme në vendlindje, duke vrapuar pas dokumenteve, letërnjoftimeve, certifikatave e shumë probleme tjera, për të mos ja shijuar aspak shijen atdheut. Diku duke sharë korrupsionin, e diku duke kërkuar njeri që të kryej punë edhe më ryshfet.

Mërgimtarët kanë të gjithë leje pune dhe qëndrimi në vendet ku punojnë, nuk meritojnë një trajtim të tillë as nga vendet transite, por as nga shteti amë. Bile, bile shteti Kosovar duhet të jetë ai që lufton dhe i mbron qytetarët e vet, atëherë kur atyre ju bëhet një e padrejtë.

Vjenë – Mançester, fluturimi €-120-,kthyese!
 
Sa i përket biletave të aeroplanit, ato janë shumë të shtrenjta. Nëse një familje 5 anëtarëshe gjatë pushimeve vendos të fluturojë për Prishtinë, ajo duhet të llogaris minimumi 1500 euro në një drejtim. Nëse familja vendos të fluturojë diku tjetër, po për këta 5 anëtarë përafërsisht me distancë të njëjtë, ta marrim destinacion Anglinë apo Skandinavinë, do tëpaguajnë 300 euro në një drejtim.

Trageti nga Italia po krijon edhe ai shpenzime të mëdha, 1000 euro duhet llogaritur për këtë. A e vënë gishtin në kokë ndokush nga qeveria, se më mirë do të ishte ato 1000 euro me u lënë familjeve në Kosovë, se sa me i marrë kompani të ndryshme ajrore, apo trageti italian.
Mendoj se qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë duhet të punojnë shumë më shumë, që shqiptarët mërgimtarë të kalojnë transit nëpër të gjitha shtetet ballkanike pa probleme. Është e pabesueshme që qytetarët tanë të pajisur me Patentë-shofer të Bashkimit Evropian,janë vegël e përbuzjeve dhe maltretimeve në vendet transite.

Mërgimtarët janë aq shumë të zhgënjyer dhe të mërzitur nga moskujdesi i qeverive tona, aq sa janë të ndezur e plot inate, kjo sjellje indiferente të bënë të ndihesh plotësisht i pambrojtur.
Nuk është aspak befasuese që një pjesë e tyre janë agresiv në kufi, peripecitë e shumta gjatë udhëtimit i bënë ata të nxehën dhe të nervozohen, pasi që rruga për në atdhe duhet të jetë e hapur dhe pa probleme, pa telashe, në vendlindje duhet të shkojnë me vullnet.

Qeveria duhet të bisedojë me të gjitha shtetet fqinje, jo vetëm për tregti të mallrave, por pikërisht edhe për problemet e mërgimtarëve, në mënyrë që të lehtësohet ardhja në atdhe. Edhe miqve ndërkombëtar duhet t’u thuhet qartë që të intervenojnë të ato shtete që po hapin barriera. Duhet t’i hapen rrugët diasporës, këtij potenciali të madh e të fuqishëm ekonomik, që të ndihet plotësisht i dëshiruar për të dhënë kontributin e tij në zhvillimin ekonomik.

Të merren hapa nga Ministria e Diasporës për t’u lehtësuar udhëtimin këtyre njerëzve. Sa më parë që është e mundur të organizojë, që biletat e aeroplanit të jenë të lira, ato të jenë me tarifa familjare, pa kalkulime e probleme. Të këputen përfitimet e matrapazëve e njerëzve të dyshimtë në aeroporte.

Sikur të ndodhte lehtësimi i udhëtimit, ardhja në vendlindje do të dyfishohej, e në disa raste do të trefishohej. Ata që tani udhëtojnë dy herë, po të ishte bileta si në relacionin Vjen-Londër do të udhëtonin së paku katër herë në vit, paramendoni çdo ardhje e tyre do të rriste qarkullimin e mjeteve financiare, do të ishte një ngritje shumë më e madhe në krahasim me këto që kemi tani. Numri i atyre që do të vizitonin atdheun do të rritej dukshëm, mjetet financiare do të mbeteshin në vendlindje dhe më këtë direkt edhe bizneset do të lulëzonin. Qeveria me njëhapë të tillë do t’i ndihmonte zhvillimit ekonomik dhe bizneseve në përgjithësi. Ata që kanë përfunduar në Biznes dhe Menaxhim e dinë që vendimet e vogla në dobi të kolektivit sjellin zhvillimin ekonomik.

Të gjitha shtetet që po na sjellin probleme, njëkohësisht përfitojnë materialisht nga mërgata e jonë  me derivate e ushqim. Intervenimi i qeverisë për të lehtësuar transitin, jam i bindur që do të haste në mirëkuptim te ato shtete,sepse ne assesi nuk bënë të ndihemi jetimë.
Ministria e Diasporës duhet t’i marrë shumë seriozisht të gjitha problemet e mërgimtarëve dhe assesi nuk guxon të jetë indiferente ndaj problemeve të tyre. Injorimi i tyre do të shkaktonte humbjen e një krahu shumë të fort, me emrin “MERGATA”, krahun më të fort politik dhe ekonomik që ka Kosova. Rrallimet e vizitave në atdhe do tëishin shumë të dëmshme për vendin.

Fehmi Ajvazi: TREGIMI PËR AGJENTIN KAPLLAN R.


TREGIMI PËR AGJENTIN KAPLLAN R.

(Kjo analizë në formë tregimi, është vetëm gjysma e së vërtetës për gjithë të vërtetën që e rrethon figurën enigmatike të Kapllan Resulbegoviqit, e që në një të ardhmen të afërt “kjo e vërtetë” patjetër duhet të bëhet e njohur...)

Prof. dr. Agim Vinca, me një shkrim brilant të kohës e pati demaskuar pamfletin idiotesk “Enciklopedia maqedone”. Demaskimi, ishte konkret. Të ashtëquajturit “shkencëtar maqedonas”, në kontekst të shkruarjes së enciklopedisë për Maqedoninë kanë përdorur shkrime, literaturë, dokumente, letra të ndryshme pa asnjë vlerë dhe aq më pak shkencore njësoj, sikur që është edhe vetë “Enciklopedia” e çuditshme dhe e shkruar me zjarrmi nacionaliste panballkanike. Nga popujt dhe komunitetet më të goditura në këtë “golemot enciklopediata”, janë shqipatrët në fakt historia kombëtare shqiptare. Akademia e Shkencave Maqedone për këtë punë, ka përdorur lloje të fakteve të çuditshme siç, është ta zëmë edhe libri i Kapllan Resulbegoviqit me titull, “Origjina e shqiptarëve” ! Dr. Agim Vinca në shkrimin e tij, e xhveshë këtëfar Kapllaninin: një figurë nomade, dhe serbofile.

Kapllanin, tash e thërrasin “K. Buroviq”! S’di, nëse ende është gjallë...! E ndërkaq, ai ka qenë një dinak i hershëm, një konvertit i regjur për nga mësiemt dhe zanatit agjenturorë. Dr. Vinca siç thashë, në shkrimin e tij analitikë, e xhvesh figurën e Kapllanit, siç e xhveshë breshëri kallirin e misrit në arë. Kjo padyshim, është mënyra e duhur dhe profesionale-shkencore për t’iu kundërvënë atyre që lëshohen të merren me falcifikime dhe me pseudoshkencë, si Akademia Maqedone. Prandaj vetëm përmes mendimeve, fakteve dhe dëshmive, kritikës parimore xhveshen e kallen pa u futur në sirtar dhe arkiva pamfletet, librat e ndryshëm njorantë, historitë e stërkequra dhe të deformuara si te “Enciklopedia maqedone” etj.

Kishte pasur kohë që s’më ishte kujtuar Kapllan Resulbgoviqi, (tani: K. Buroviqi ), i njohur kryesisht me romanin “Tradhtia”! Shkrimi i Dr. Vincës, ma pati rikthyer kujtesën për Kapllanin. Ky farë shkrimtari prandaj, Kapllan R. është preteksti i këtij shkrimi. Pse? Kapllan Resulbegoviqi, ka flertruar për shumë vite e dekada në mesin e shqiptarëve në relacionet Prishtinë-Shkup-Tiranë. Agjenda e tij, nuk ka qenë as arti, as letërsia, as arsimi, as porti, as nacionaliteti, as dashuria por, ishte spionimi. Në ish Jugosllavi, me qindëra mijëra shtetas të të gjtiha kombeve dhe kombësive, u shndërruan në komunistë në informatorë, në policë, në shefa të sigurimeve, në agjentë të regjur, në kundëragjentë etj. Ata u infiltruan dhe u rekrutuan kudo, ngado dhe kurdo për qëllime të caktuara shtetërore panjugosllave.

I ashtuquajturi shkrimtar, Kapllan R., është njëri nga agjentët më të rrezikshëm të segmenteve dhe kreaturave të Sigurimit Shtetëror Jugosllav dhe Ushtarak që veproi kryesisht në hapësirat shqiptare dhe ndër shqiptar me dekada të tëra. Resulbegoviqi, veproi në trekëndshin: Prishtinë-Shkup-Tiranë. Portreti i tij, ishte dhe mbetet delikat në kuptim të strukturës biografike agjenturore, ndonëse ish Jugosllavia komuniste ka më shumë se 20 vite që është shkatrruar. Për çudi të Zotit, ky ish agjent (jo edhe shumë konspirativ në dukje të parë), ndonëse nuk ishte shqiptar, ka shkruar kryesisht në gjuhën shqipe (dikur e sot), ka shënë dhjetra e dhjetra intervista në gjuhën shqipe, është lexuar në shqip, është botuar në shqip etj. Një agjent jugosllavo-serb që veç të çmendurit mund t’ia lypin brirët sepse brirët atij i janë dukur që nga majat e larta ta Rugovës e Sharrit, ende edhe sot, ka vazhduar të lëshojë “fetva” antishqiptare, sa në shqip dhe sa në serbishtë dhe, emri dhe vepra e tij ka vazhduar të jetojë ndër shqiptar. Të shohim së bashku se, kush ishte Kapllan Resulbegoviqi ?

Kapllani R., duke pasë pakëz afinitet filloristi për të shkruar ose ndoshta aspak (unë besoj që aspak), besohet që është rekrutuar në fillim si informatory ushtarak në KOS (Kontra Obaveshtajna Sluzhba/Shërbimi Kundërinformativ Ushtarak). Ndërkaq, Kapllan R., hapat e parë në fabrikën komuniste ish jugosllave të shkrimit, i nisi në Prishtinë. Të paktën, kështu tregojnë dëshmitë e hershme kulturo-agjenturore. Thuhet që shkrimet e tij, janë “shkruar ose përkthyer” në gjuhën shqipe ngase ai fillimishte edhe pse “shqiptar”, nuk ka ditur të flasë dhe të shkruaj në “gjuhën e tij nacionale”! Pastaj, janë botuar në gazetën “Rilindja”, në revistën “Jeta e Re” etj. Por, si mund të ketë qenë e vërteta? Sa shkroi dhe ç’farë shkroi Kapllan R., është një çështje më vete por nga kapitali i tij “intelektual dhe letrar”, veçohet romani “Tradhtia”. A e shkroi këtë roman, Kapllan R. ? Do të përpiqem t’ju dëshmoj që, ai s’qe kurrë shkrimtar dhe, s’është shkrimtar as sot ! Nëse është kështu, dhe mendoj që është m’u kështu, shtrohet pyetja: kush e bëri “shkrimtar” Kapllan R-në ? Kush ia shkroi dhe kush ia shkruan edhe sot, veprat atij?

Këto janë pyetjet themelore për ish agjentin “Kapllan R., i cili tash e rreth 50 vite vazhdon të jetë ende gjallë në hapësirat shqiptare përmes letrave të shkruara, nganjëherë përmes deklaratave, intervistave. S’ka rëndësi që, ka disa kohë që s’ia kemi n’di gjamën! Veçse jo pak, shkrimet dhe sidomos retorika e tij gjambaze dhe agresive, propaganda e tij e pandërprerë përqarëse disavjeqare, stili urrejtës, fyes, denigrues etj., pati ushtruar ndikim të madh në radhën e kastave politike dhe kulturore në trekëndëshin; Prishtinë-Shkup-Tiranë dhe, anasjelltas. Kapllan R., j ka rënë goxha shumë, “Tupanit të Poshtërimit” nëpër etnikumin tonë.

T’i lëmë tani këto dilema. Ti kthehemi linjës jetësore-agjenturore të Kapllan R-së! T’i kthehemi modelit të përgjegjësië agjenturore të dikurshme të tij…? Shqiptar ose jo, Kapllan R., ka qenë dhe mbetet prezent në hapësirat tona etnike. Saktësisht: jo përmes shkrimit dhe shkrimeve por, përmes detyrave dhe misioneve agjenturore që i janë dhënë atij nga qendra të caktuara me disponim historik antishqiptar: nga Beogradi dhe Shkupi (dje, si agjent sekret nën rolin dhe në maskën e “shkrimtarit”, kurse më vonë nën rolin dhe nën maskën e “pseudoshkencëtarit”). Supozimet, hipotezat, analizat dhe sidomos faktet që nuk janë vetëm fakte sipërfaqësore, na dëshmojnë dhe rrëfejnë se Kapllan Resulbegoviq, u bë emër në letrat e shkruara shqipe në Prishtinë. Më shumë se kaq, ai emrin e tij pastaj e akomodoi në Shkup: nën siglën e gazetarit dhe krijuesit. Dhe më pastaj, u shpall edhe si i “burgosur politik”! Duke u ankoruar në Shkup, i ishte afruar më afër Tiranës. Krejt pastaj, ishte hedhur atje edhe fizikisht! Në Tiranë, Kapllan R., kishte përfunduar në burg. Veçse jo si patriot, por si tradhtar. Pra, burgu i tij në Tiranë, ishte brendësia e tij e dyshuar agjentuore, por jo edhe dekonspirimi i plotë.

Rruga e gjatë agjenturore e Kapllan R., i ka specifikat e veta që janë tipike për agjentët e regjur-agresiv. Por, kjo punë su ba e ditur asnjëherë siç duhet. Kapllan R., mbeti jo vetëm i njohur dhe si një shkrimtar, por edhe i dashur e i adhuruar ndër shqiptar. Kur ai doli nga burgu në vitet e 90-ta, u konsiderua si një hero, si shkrimtar i nërgjegjës, si një antikomunist etj. Doli nga burgu me institimin e Dr. Zekiria Canës, i cili kishte trokitur në dyert e presidencës në Tiranë, për ta liruar me çdo kusht Kapllanin. Madje, Dr. Cana (nuk jeton sot), ishte kërcënuar në rast të moslirimit të tij! Kapllan R., sigurisht që do të liriohej në ndërkohë si shkak i ndryshimit të rrethanave të asokoshme në Shqipëri, porse kur erdhi në Prishtinë u prit me fanfare!

Rrëfimi për Kapllan R- në, s’është një rrëfim fantastiko-shekncor. Kapllan R., u bë shumë i njohur në letrat tona me romanin e mirënjohur historik “Tradhtia” (roman i ndaluar). Me këtë roman, Kapllani u bë shumë i njohur dhe veçanëritsh shumë i dashur ndër shqiptarët që jetonin në Kosovë dhe në viset e tjera të ish Jugsosllavisë. I njohur dhe i dashur, sidomos ndër shqiptarët që jetonin në teritoret e ish Jugosllavi dhe në Kosovë. Personazhet kryesorë të romanit “Tradhtia”, janë atdhetarët e njohur: Abdullah Presheva, Xheledin Kurbalia, Hasan Alia-Remniku, Hetë Koka-Mësuesi etj. Këta dhe të tjerë personazhe të dhimbshëm dhe të dashur për popullin e robëruar, ishin vrarë dhe ishin likuiduar (pas Luftës së Dytë Botërore apo pas aneksimit të Kosovës nga Beogradi), nga ish regjimi komunisto-titist jugosllav. Romani “Tradhtia” prandaj, qe një roman rreptësisht i ndaluar. Për këtë roman si dëshmi, mund të dënoheshe deri në 10 vite burg!

Pyetja shtrohet: A e shkroi Kapllan R., këtë roman ? Nëse nuk e shkroi, si u bë ai autor i tij…? Pastaj, kush mund ta ketë shkruar romanin…? Kapllan R., nuk e ka shkruar këtë roman. Dikush ka thënë se atij (Kapllanit), i janë rrëfyer ngjarjet në burg…! Cilat ngjarje…? Ngjarjet që shkruhen dhe përshkruhen në roman, janë të një territori të ngushtë: të zonës së Karadakut. Dhe ky është një roman krejt historik, e ngjarjet aty janë autentike, origjinale, besnikrisht të thëna-të rrëfyera, të përshkruara me shumë precizitet. Si ka mundësi…? Kjo thënja se, “atij i janë rrëfyer ngjarjet…”, duke si një përrallë a legjendë ngase ai që e ka dhënë këtë hipotezë të këtillë (nuk po ia përmendi emrin për arsye të korrektësisë publike), nuk është nga territori i Karadakut. As ata me të cilët Kapllani ishte në burg (aq sa ishte), nuk kanë qenë nga terreni ku është zhvilluar ngjarja e romanit, dhe nuk i kanë njohur personazhet e romanit.

Kapllan R., nuk ka qenë kurrë në rajonin e Karadakut. Unë personalisht (si autorë i këtij shkrimi), kamë lindur dhe jamë rritur në zonën e Karadakut, kamë lindur dhe jamë rritur nëpër vendet dhe nëpër shtigjet, malet, kodrat, lëndinat dhe fshatrat ku zhvillohen ngjarjet në roman. Mos ma merrni si pretencioze, porse qysh në vititn 1995 në një shkrim në gazetën e studentëve “Bota e re”, e kamë shtruar pak a shumë këtë pyetje se: kush në të vërtetë e ka shkruar romanin “Tradhtia”! Askush, atëbotë se ka qelur gojën në Prishtinë: as nga elitat kulturo-krijuese, as nga shkrimtarët, as nga historianët, as nga gazetarët...! S’ka folur kush! Në fakt, jamë përpjekur ta mësoj këtë të vërtetë pa më nxitur apo pa më thënë kush: hajt, hyni kësaj pune.

Pas shembjes së komunizmit dhe shkatrrimit të ish Jugosllavisë, në Prishtinë u bë e ditur se, Sinan Hasanit, ish politikanit shqiptaro-jugosllav, i ishin shkruar librat ( si përshembull romani i tij i njohur “Rrushi ka nisë mu pjekë” etj.) nga shkrimtarë të tjerë. Sinan Hasani, i cili ka qenë edhe anëtar i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës, ish kryetar i Jugosllavisë etj., s’kishte ditur fare të shkruaj.

Kapllan Resulbegoviqin, ne e kemi ditur si shkrimtar shqiptar. Por, ai nuk ka ditur të shkruaj në gjuhën shqipe: së paku, jo sa ka jetuar në Prishtinë dhe në Shkup! Atij, thuhet që i janë përkthyer shkrimet. Kamë mësuar që Kapllan R., është shoqëruar me emra të njohur të kulturës dhe letërsisë në Prishtinë, në Shkup etj. Me, alamet emra dhe shkrimtar të njohur. Ka qen në burg, edhe me Adem Demaqin. Kur e kamë lexuar romanin “Tradhtia”, dyfish më është shtuar dyshimi: si është e mundur të imagjinohet dhe të shkruhet një roman kaq autentikë, një roman kaq historik dhe me personazhe dhe ngjarje origjinale, krejt të vërteta…? Të rrëfyera me besnikëri, me brilantizëm! Qysh si fëmijë, i kisha dëgjuar rrëfimet e pleqëve tanë për ngjarjet dhe për të bëmat e heronjeve të këtij romani, dhe sidomos ato të kaçakut të famshëm të Karadakut, Hasan Alia- Remniku tamam, siç ishin në roman.

Pastaj, kamë filluar t’i pyes me seriozitet njerëzit e rëndomtë, dhe të tjerët jo bash të rëndomtë: nëse njëfar Kapllan Resuli, mos ka jetuar ndonjëherë në regjionin e Karadakut! S’kamë gjetur njeri të gjallë të thotë që, Kapllan R., ka jetuar në zonën e Karadakut. Madje, s’kam gjetur asnjë njeri të thotë apo të dëshmojë se, të paktën njëherë në jetën e tij Kapllan R., ka qenë në rajonin e Karadakut (Viti-Gjilan-Preshevë-Kumanovë), hapësirë kjo në të cilën edhe zhvillohen të gjitha ngjarjet e romanit. Pra: si është e mundur që ky, Kapllani R., të jetë autor i këtij romani…? Nga hulumtimet e mia, dyshohet se, dy persona mund të jenë autor të vërtetë të romanit: Mësuesi H.K. (fshati Kokaj-Gjilan) bashkpunëtor i ngushtë i patriotit Hasan Alia, dhe intelektuali Haki Limani (profesor i Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe nga fshati Tërrnavë/Preshevë). I pari, është likuiduar së bashku me gruan e tij dhe me patriotin Hasan Alia duke e kaluar lumin Drin (në zonën e Hasi/ Prizren) në tentim për të kaluar ilegalisht në Shqipëri, kurse i dyti, Hakiu, është aksidentuar për vdekje në afërsi të Radio Prishtinës, në Prishtinë ( ka qenë në shoqëri me poetin e njohur Azem Shkreli, dhe me një person tjetër).

Nuk kam mundur t’i identifikoj ose t’i vërtetoj këta dy emra si autor të vërtetë të romanit. Por kjo punë, mbetet që një ditë të vërtetohet. Romani “Tradhtia” po ta lexoni mirë dhe me kujdes, është një roman i detajizuar-autentik. Ngjarjet, personazhet, vendet janë konkrete-reale. Kapllan R., është thjeshtë, një autor i shpifur. Më shumë se krijues apo autor i shpifur, Kapllan R. Ishte një agjent sero-jugosllav që mbajti në Tiranë, sa di unë, rreth 10 vite burg.

Kujtojeni sot fytyrën e tij të vërtetë: kur u lirua nga burgu në vitet e 90-ta, nga burgu ai doli si një antikomunist i tërbuar, dhe si një patriot i pa parë e dëgjuar...! “Si patriot”, Kapllani sapo doli nga burgu, e rrëmbeu kazmën e denigrimit, të shpifjeve, të njollosjeve, të përbaltjes dhe të fyerjes së çdo gjëje shqiptare mbi këtë tokë! S’la, asgjë pa njollosur, sharë, e sabotuar. Luftën titanike të agjentit pas burgut, e bëri kundër Ismail Kadaresë. Kapllan R., në Tiranë, në Shkup dhe Prishtinë (pas daljes nga burgu iu kthye trajektorës së kundër të trekëndëshit subverziv), si një “patriot i vërtetë shqiptar”! Por, ai s’erdhi të vendosej të jetonte as në Prishtinë dhe as në Shkup, por shkoi të kërkonte azil politik në Zvicër. Edhe atje në Zvicër, propagandoi dhe kritikoi, spekuloi dhe mashtroi gjithandej, turmat e vuajtura shqiptare të Diasporës.

Deri vonë, emri i tij ka figuruar si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Ok. Veçse, s’voni, Kapllan R. e pati xhveshur maskën konspirative të agjentit serbo-jugosllav: është vetëidentifikuar. Është vetëidentifikuar, dhe ka pohuar se ai është për nga nacionaliteti, malazias. Epo, i tillë kishte qenë gjithmonë.

Shqiptarët, një pjesë e tyre vazhduan edhe më tutje ta besojnë tregimin për “Kapllan Resulin shqiptar”, atë Kapllanin që e kishin njihnin dikur. Por vetë Kapllani, deklaroi botërisht se ishte vetëm një malazias dhe, s’kishte qenë kurrë shqiptar ! Si malazias, më duket që sot jeton në Ulqin. Në një intervistë për gazeten e përditshme “Pobjeda” të Podgoricës, ka thënë se vajzës dhe djalit të tij, ua ka përkthyer emrat e vënë shqiptarë, në emra serbishtë (Dushani dhe Dushanka). Në Ulqin, thotë që e ka shkruar një pamfletë me titull “Shqiptarët i iriton e vërteta”, në të cilin pamflet veq shpifjeve për gjenealogjinë tonë, merret edhe me damkosjen e figurave tona meritore historike-nacionale. Grixha qe e ka përpiluar “Enciklopedinë maqedone”, e ka përdorë dhe cituar paçavuren shekncore të Kapllanit.

Post Scriptum: Kapllan R., nuk e përfundon kurrë detyrën e tij agjenturore. As në varr…! Por detyrë jona është që, t’ia xhveshim maskën dhe ta hedhim një ditë të afërt, në shportën e mbeturinave.

Montag, 1. April 2013

Albert Zholi: INTERVISTA IME E FUNDIT ME MARASH HAJATIN


Intervista ime e fundit me Marash Hajatin para se të ndrronte jetë.

 E. Hoxha për katër dekada me radhë, udhëhoqi, bëri ligjin, nënshtroi me grushtin e hekurt, qeshi, vajtoi, ngriti e ndërtoi, arsimoi, uli e ndëshkoi. Një histori e gjatë.

Historia-Enver Hoxha para kamerave
Gjithçka vetëm sipas xhirimeve televizive
Rrëfen Marash Hajati, publicist, ish drejtor i Televizionit dhe Drejtor i Përgjithshëm i RTSH


Nga Albert Zholi.

Zoti Marash Hajati, për mbi 20 vjet me detyrë qëndrore në drejtim të shtypit shqiptar e brenda kësaj periudhe, 15 vjet drejtor i televizionit e Radiotelevizionit të vetëm në atë kohë, në mënyrë ekskluzive, do të sjellë para lexuesve të gazetës sonë me realizëm në fushën profesionale të paraqitjes xhirimeve e regjisë televizive:

Zoti Marash, është një sipërmarrje e madhe, bile mund të them artileri e rëndë në fushën e publicistikës, paraqitja e kësaj teme në media. Por, nisur nga përvoja juaj në fushën e gazetarisë, kjo do të jetë me vlera në njohjen e historisë së gjallë dokumentare të shtypit shqiptar. Faleminderit që zgjodhët gazetën tonë.

 Për t’u lënë sa më shumë fushë veprimi mendimit tuaj, ju bëjmë fillimisht një pyetje të shkurtër: Nga do ta nisni intervistën?

 Faleminderit për çfarë thatë. Ky është një obligim për të qenë sa më realist në shtjellimin e kësaj teme vetëm sipas fakteve të ekranit. Fillimisht nisur dhe nga sensi profesional si redaktor i shtypit të shkruar, por edhe si njohës i ekranit, do të jap disa karakteristika të figurës së Enver Hoxhës për të arritur deri tek kamera.
Ka qenë rrjedha e ngjarjeve historike, që përcaktoi fatin e Shqipërisë për të mos u ndarë nga emri i E. Hoxhës për katër dekada me radhë. Si figurë qendrore e një shteti që po ribëhej në drejtime të panjohura, ai udhëhoqi, bëri ligjin, nënshtroi me grushtin e hekurt, qeshi, vajtoi, ngriti e ndërtoi, arsimoi, uli e ndëshkoi…Një rrugë e gjatë peripecish, arritjesh e humbjesh të një shteti e të një populli të tërë. Koha e sundimit të E. H. nuk është as magji, as pa shpjegime. Ai erdhi në krye të vendit në rrethana të ndërlikuara, por të volitshme për ambiciet e qëllimet që i kishte vënë vetes.
Mes flakëve të Luftës së Dytë Botërore, Musolini më 7 prill 1939, hodhi këmbët në bregun më të dobët të Gadishullit Ballkanik, në Shqipërinë e varfër e të rraskapitur për të ngritur më tej urën e pushtimeve drejt Lindjes. Kundër agresorëve, nën flamurin e interesave kombëtare u ngritën krerë, atdhetarë, nacionalistë të rrymave politike nga më të ndryshmet, për të udhëhequr revoltën, manifestimet e qëndresën aktive kundër zbarkimeve italiane. Të mësuar për dhjetëra vjet me radhë nga historiografia shqiptare, se e vetmja forcë organizuese, që solli çlirimin e vendit ka qenë Partia Komuniste me E.Hoxhën në krye, nuk e pengon sot aspak hapjen e rrugës së studimeve objektive për t’i dhënë cilësdo force politike meritën e paraqitjes së kontributit real, që i takon për atë rrethanë apo situatë që u krijua. Por askush tjetër nuk diti e nuk manovroi si E.H. për marrjen e pushtetit dhe vazhdimin e qëndrimit në krye të tij pas luftës së çlirimit. Për të arritur në këtë finale, ai bashkoi më zgjuarsi tytat e armëve të komandantëve trima e të dëgjuar si: M.Peza, H.Lleshi, S. Moisiu, R. Kodheli, M.Shehu etj, që opinioni i asaj kohe i njihte dhe i respektonte. Me taktikën e “ruajtjes fizike” të udhëheqësit dhe rolin e padukshëm, por tepër të fuqishëm të Partisë Komuniste, në kohën kur nazifashizmi ulte kokën i shpartalluar në dyert e Stalingradit e të Moskës, E.H. del i pari në drejtim të luftës, komandant i ushtrisë partizane. I pari në krye të Frontit demokratik, i pari në Qeverinë e Përkohshme. Kudo në krye, kudo në drejtim, kudo i pari. Ai fitoi dhe e mbajti pushtetin me metodat e luftës dhe mbeti zbatues i këtyre metodave, derisa u nda nga jeta.

Po, cilat kanë qenë premisat që e mbajtën aq gjatë E. Hoxhën në pushtet?

 Mendoj se janë tri kryesore. Së pari, ai i përket një plejade udhëheqësish të vendeve të Lindjes, që dolën fitimtarë mbi pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre. I gjithë ky brez sundimtarësh e quante veten shpëtimtar të kombeve të tyre, si: Dimitrovi në Bullgari, Georgiu Dezhi në Rumani, Bejruti në Poloni, Ulbrihti në Gjermani, Kim Ir Seni në Korenë e Veriut, Tito në Jugosllavi, pa folur për Stalinin e Mao Ce Dunin, që në vendet e tyre morën gati pamje hyjnish. Të gjithë këta udhëheqës, as nuk mund ta mendonin veten të zëvendësuar. Erdhën në pushtet nga gryka e pushkës dhe vetëm ndonjë luftë e re mund t’i zbriste nga ai post. Gjithçka u shkrua dhe u saksionua në favorin e tyre: ligjet, kushtetuta, vendimet, ngjarjet. Në realitet, asnjë nga këta sundues nuk u largua dhe nuk e dorëzoi pushtetin, sa qe gjallë. Me fronet, ata i ndau vetëm vdekja. E.H. ishte më i riu prej tyre e sundoi më gjatë se të tjerët. Vetëm Kim Ir Seni i Koresë së Veriut ia kaloi me 50 vjet sundim. Imagjinoni tani që të ndodhte kjo në një sistem si ai demokratik perëndimor apo Amerika. Titos do t’i duhej të kalonte 9 mandate në kutitë e zgjedhësve. E.Hoxha do të merrte 10 mandate rresht. Kim Ir Seni do të votohej për 13 katërvjeçarë. Një çmenduri e vërtetë. Në vendet perëndimore sot, apo në Amerikë ndonjë kandidature i bie të zgjidhet për herë të dytë e njerëzit mërziten, derisa ta lërë pushtetin. Natyrisht sistemi i udhëheqjes së përjetshme sot është tkurrur e strukur në pak vende të botës, të cilat janë edhe më të pazhvilluarat.
Faktor i dytë i rëndësishëm, që favorizoi pushtetin e gjatë të E. H. ishte varfëria deri në mjerim e vendit. Shqipërinë e asaj kohe ishte tepër e vështirë ta përcaktoje, se cilit sistem shoqëror i përkiste. Me rreth 90 përqind të popullsisë analfabete, ajo përpëlitej mes grindjesh, pangrënies, gjakmarrjes etj. Të çoje në atë kohë deri në krahinat më të largëta të Shqipërisë, bukën e kripën, vajgurin, veshjen, këpucët etj., ishte njëlloj si të ndërtoje një qytet në shkretëtirë. Të çoje mësuesin dhe shkollën, diturinë deri në thellësitë, ku edhe mushka nuk gjente dot rrugë, ishte një ëndërr. Të shkruanin e të lexonin letra në çdo shtëpi, ishte një përrallë. Të çoje llambën elektrike në vend të pishës, ishte njëlloj sikur të zbrisje në errësirrën shekullore një copë diell. Të gjitha këto për fatin e mirë kanë ndodhur nën sundimin e tij. Këto ndryshime nuk i kupton, as nuk i imagjinon brezi i sotshëm dhe i disa viteve më parë, por s’duhet harruar për asnjë çast se, sëbashku me përparimin ai çoi atje partinë, diktatin, nënshtrimin, që i shërbenin lakmisë për të mos e lëshuar kurrë pushtetin.
Faktori i tretë, që ka ndikuar në jetëgjatësinë e dorës së hekurt të E. H. ka qenë politika e tij e veçantë brenda rrethit të ngushtë të udhëheqjes. Duke folur tri herë në ditë për unitetin, ai kurrë nuk preferoi të jetonte në amulli, pa vigjilencë, pa zbulim kundërshtarësh, pa shtypje e ushtrim frike. Në vetvete kjo metodë drejtimi mbante të tensionuar çdo pjesëtar të udhëheqjes. Për çdo veprim kërkohej maturi e besnikëri. Mjaftonte që ndonjëri nga udhëheqësit e tjerë apo bashkëpunëtorët e afërt të shqiptonte propozime apo mendime më të zgjuara se të tijat, apo të krijohej ndonjë farë dyshimi për rivalitet, që i lartpërmenduri të përfundonte në ndonjë grup antiparti. Nëse grup nuk kishte, ai do të krijohej. Ndarja me të keqen, forconte e çelikoste udhëheqjen. Tani për t’u kthyer tek tema jonë.
Me këto veçori e me këtë karakter, ka ardhur E.Hoxha që në ditët e para të pushtetit, në moshë të burrëruar përpara aparateve dhe kamerave filmike. Me shkathtësi e gjallëri, ai kurrë nuk pozoi i stisur, por qëndroi para objektivit për t’u thënë bashkështetasve se është aty jo për t’i parë, por për të paraqitur plotfuqishmërinë e tij drejtuese. Për rreth 20 vjet me radhë, derisa edhe në Shqipëri hyri televizioni, shtypi, gazetat dhe revistat e më pas dhe filmi dokumentar, kanë qenë vitrina numër një e portretit dhe veprimtarisë së E. Hoxhës. Në çdo festë apo ngjarje përkujtimore, në pritje të delegacioneve, në vizitat nëpër Shqipëri e jashtë shtetit, kudo dhe përherë s’pushonte së shkrepuri aparati. Fotografitë zyrtare, që shumëfishoheshin në disa kopje, kalonin pragun e K.Q. për zgjedhje e për caktim botimi. Në vitet e para të gjitha organet e shtypit vinin të njejtën fotografi. Më pas ato u ndanë sipas tematikës. Deri vonë, viston për t’u bërë fotografitë publike e ka mbajtur E.H. e bashkëpunëtorët e afërm. Më pas e drejta e përcaktimit ka zbritur tek sekretari i propogandës, por asnjëherë pa dijeninë e N. Hoxhës. Popullaritet kanë pasur edhe filmat kronikalë, dokumentarë të Kinostudios “Shqipëria e Re”, që xhiroheshin shpejt dhe shfaqeshin para seancave të filmave artistikë në të gjitha kinematë e Shqipërisë.

 Kemi lexuar e dëgjuar që shumë udhëheqës në botë kanë bërë dhe mjeshtëri artistike për zgjedhjen e portretit fotografik dhe paraqitjen e tyre në mjediset shoqërore e në media. Si është ky raport te E. Hoxha?

 Çeshtja e paraqitjes së sunduesve para qytetarëve të vet ka qenë ka shkolla më e vjetër artistike që njihet. Këtu nuk bëjnë pjesë realizimet e portreteve në pikturë, skulpturë, fotografi, më vonë edhe filmimet, por edhe mësimet e mjeshtërisë aktoreske të lëvizjeve si dhe arti i komunikimit dhe të folurit artistik. Bile e gjithë kjo nuk është “pronë” vetëm e drejtuesve, mbretërve e presidentëve. Ajo është në vetë prirjet njerëzore. Kush nuk do të flasë bukur, rrjedhshëm e në mënyrë të figurshme! Kush nuk do ta paraqesë këtë art me hijeshi, me mimikë e lëvizje të pëlqyeshme! Mirëpo tek udhëheqësit për këtë veprim thonë fjalën e vet specialistë, mësues, piktorë deri edhe në komisione të veçanta merren me këtë punë. Por e gjithë kjo është vetëm pjesa ndihmëse kryesore, është aftësia, paraqitja, filozofia, inteligjenca e pse jo edhe guximi, forca e imponimit të vetë udhëheqësit. Për këtë historia ka shumë shembuj nga më të habitshmit. Por të kthehemi tek tema jonë. Për fatin e tij të mirë E. Hoxha përmbushte në shkallën e lartë tri kërkesat kryesore, që i duhen një prijësi: figurën, portretin e mënyrën e të ecurit dhe kjo është e para. Zërin mikrofonik me intonacionet më të pëlqyeshme për publikun dhe e treta, aftësitë e komunikimit hipnotizues. Këto s’kam pse t’i shpjegoj, sepse ata që kanë folur, biseduar e dialoguar me të më japin plotësisht të drejtë.

Atëherë, ju duhet ta keni pasur shumë të lehtë paraqitjen në televizor?

 Relativisht. Dhe ja pse. Në hapat e parë të televizionit eksperimental në vendin tonë, aty nga vitet ‘60-të, nuk pati ndonjë vëmendje të veçantë për informacionin televiziv. Më vonë erdhi duke u shtuar interesi. Me fillimet e viteve ‘70, televizioni njohu një rritje të dukshme. Me kompletimin e pajisjeve teknike, me zhvillimin e rritjen e krijimtarisë publicistike, krijuese e pasqyruese, ai u bë qendra më e rëndësishme e propogandës. E.H. e vlerësoi lart magjinë elektronike si mjet i pazëvendësueshëm në komunikimin me masat. Televizioni kishte përparësi të jashtëzakonshme për paraqitjen e platformave politike, mitingjeve, takimeve e bisedave “gju më gju me popullin”. Veç figurës, hyri si komponent edhe zëri, që i dha një vërtetësi jetësore, dokumentare, të pakrahasueshme me mjetet e tjera. E.Hoxhës i doli kështu në shteg një dhuratë e madhe, që duke u harmonizuar me talentin e tij si orator, bëri
një epokë të vetën për atë periudhë. Në të gjitha veprimtaritë e manifestimet, sekretari i parë i K.Q-së. do të ishte në qendër të kamerave. Në mjaft raste këto veprime organizoheshin enkas për të treguar se “Partia e shoku Enver ishin të pathyeshëm”.
Televizioni me grupe të veçanta e regjisorë të kualifikuar kishte plane tepër sekrete, ku do të bëheshin filmime. Për to deri në detaje interesohej personalisht R.Alia. Për paraqitjen autoritare të E.H në ekran, veçuar nga të tjerët, gradualisht u përpunua një “skemë” e hollësishme. Në kongrese, data përkujtimore, festime, ai do të hynte i pari në presidium, me hap të ngadalshëm e duke përshëndetur. Kamerat do të xhironin në disa plane me kalime të qeta. Kur brohoritjet e duartrokitjet të arrinin në shkallën më të lartë, atëherë hynte pjesa tjetër e byrosë. Në mbledhje të veçanta, kur nuk parashikoheshin duartrokitje, ai vinte i fundit, vetëm pasi të ishte vendosur një qetësi absolute. Kur ndonjë veprimtari është quajtur e paarrirë, jo në planin e përmbajtjes së ideve, por të cilësisë së figurës, paraqitjes e kjo ka ndodhur, atëherë takimi nuk është lejuar të transmetohej në televizion. Kështu një bisedë organizuar në Korçë me kuadro e veteranë, ngaqë nuk u lejua që të vendoseshin mjetet për ndriçim, kronika doli e zbehtë si pa jetë, vende-vende e errët. Duke mos u dhënë në televizion, ky aktivitet ngjalli shumë dyshime mbi gjendjen shëndetësore të E. H. Si kompesim, për t’u prerë rrugën përgojimeve e fjalëve të armiqve kundërshtarë, mbas pak kohësh E.H. doli para publikut në një manifestim me shokun Pilo Peristeri mes punëtorëve në uzinën “Traktori”. Më pas nuk na sollën aq shumë pengesa për vendosjen e prozhektorëve. Për hir të së vërtetës duhet thënë se E.H. ishte mjeshtër i komunikimit me kamerat. Ai duke depërtuar përballë saj, i jepte objektivit gjerësi manovrimi tepër të natyrshëm. Për atë çka do të pasqyrohej bëhej një konsultim i gjerë duke marrë në mjaft raste edhe pëlqimin e vetë E.H. Telashet më të mprehta krijoheshin në veprimtaritë e mëdha si: Parada, manifestimet e 1 Majit, kongreset etj., sepse mbas xhirimeve kërkoheshin shumë plane me figurën e E.H. për të plotësuar montazhin. Kohët e fundit të jetës së tij është filmuar në një kamera të veçantë, e cila regjistronte gjithë veprimtarinë në objektiv të drejtuar vetëm tek ai. Pastaj bëheshin zgjedhjet e planeve.
Paraqitja më spektakolare e E.H.në kamera, ka ndodhur në vitin 1978 me vizitat në Gjirokastër e Sarandë organizuar me shumë publicitet. Ato, që në fillim morën një karakter çmalljeje, ndjenjash personale, kujtime të fëmijërisë etj. Ishte koha, kur nga sheshi i Çerçizit në një miting të gjerë, ai iu drejtua bashkëqytetarëve:
- Hë, do thoni ju, po ç’u bëre!
Duke shfrytëzuar vendlindjen si arenë filmimesh në atë turne të gjatë, mund të themi se E.H. arriti një pikë kulmore të paraqitjes së tij në televizion. Çdo gjë ishte e programuar dhe e kronometruar, që nga shëtitjet në monopatet, sokakët e kalldrëmet e deri tek kafeja në shtëpinë pranë kalasë. Në tatëpjetën e ndërtesës-muze u çmall me gjitonët. Në Mashkullorë, te Rrapi, recitoi vargje pafund për atdhedashurinë e këndoi labçe me grupin e kooperativës për Çerçizin. Në Grapsh të Jorgucatit pushtoi kamerat duke bërë të ngulen pranë tij mijëra njerëz, që duartokisnin. Shiu nuk pushonte. Ai e filloi përshëndetjen e tij me keqardhje, që s’kish mundur ta mësonte greqishten e bukur në rini, gjuhën e atij populli të lashtë e të respektuar, të një vendi me histori botërore, por për fat të keq e kishte gllabëruar kapitalizmi.
Vizita vazhdoi në Sarandë. Ai vendosi tufa me lule në varrezat e dëshmorëve dhe u përkul me solemnitet përpara bustit të të madhit Hoxha Tasim. Në amfiteatrin e Butrintit bisedoi lirshëm me gazetarë, sidomos me ekipet e televizionit, të cilët mbetën mbas ndenjëseve të helikopterëve.
- More, kur i filmoni, kur i përgatisni e kur i transmetoni të gjitha këto ngjarje! Jeni njerëz shumë të zotë, - u tha ai.
Ishte koha, kur në vendin tonë as nuk mund të bëhej fjalë për transmetim nga vendngjarje. Në Tiranë ajo zotësi mund të bëhej hi e pluhur sikur telekinemaja e “plakur” dhe e vetme, të pësonte ndonjë defekt. Ai aparat transmetonte çdo natë rreth dy orë kronika e reportazhe me film 8 milimetërsh, që kishte mbi 100 ngjitje. Një çudi e vërtetë.

Zoti Marash, bëheshin seleksionime në atë kohë nga bisedat e fjalimet e E.Hoxhës?

 Veç montazhevet për cilësinë e figurës apo të lapsusve, që ishin të paevitueshëm ka pasur raste që xhirimet materiale nuk janë transmetuar për vetë temën e trajtuar. Për shembull, i ndodhur në Ksamil mes banorëve të ardhur nga krahina të ndryshme e, që për hir të së vërtetës, me mundin e djersën e tyre, kishin krijuar plantacione me portokalle, limonë e ullinj të papërsëritshëm, E.H.duket nga frymëzimi, sikur doli jashtë kontrollit të vetes dhe të bashkëshortes, bëri humor dhe i ngacmoi të rinjtë.
- Sa kalamaqër do bëni ju? – e filloi ai dialogun. – nga tre po, se dhe unë tre kam bërë, bile mund të bëja dhe më shumë, apo jo Nexhmije? Kjo bisedë aq sa i takonte dialogut me Nexhmijen, nuk u transmetua kurrë në ekran.
Të rinjtë e gjorë qeshën e nënqeshën, më shumë jo për numrin e fëmijëve që do bënin, por për nuset që nuk i shikonin as me dylbi, mbasi ato të shkretat vajza shtegtonin në qytet, ku mund të siguronin një jetesë më të përshtatshme. Montazhi i atij emisioni do të mbahej mend për numrin pa fund të ngjitjeve.

Është perifrazuar e dëgjohet edhe sot rëndom nga ata që e kanë parë drejtpërdrejt, apo edhe kur shikohet nga sekuenca filmike, se E. Hoxha ka pasur cilësi aktoriale dhe emocione të spikatura. Simbas mendimit tuaj është e vërtetë kjo?
Më lart, kur fola për disa dhunti, që zoti apo fati u jep njerëzve, përmenda veç inteligjencës e kapacitetit mendor, u jep edhe figurën, zërin dhe aftësitë komunikuese që, të gjitha bashkë janë pjesë e aktrimit. Fillimisht dua të theksoj, e citova pak më lart, se s’ka njeri në jetë që të mos dëshirojë të jetë pak aktor, është tjetër gjë sa ia arrin ai për të konfirmuar personalitetin e tij në shoqëri. Ballafaqoni tani liderët me këto kërkesa në raport me njerëzit e tjerë. S’ka dyshim se janë të shkallës më të lartë. Nisur nga përvoja e hulumtimi profesional publicistik kam pohuar, dhe me këtë mendim janë shumë specialistë me mua se Enver Hoxha ka poseduar cilësi të spikatura në fushën e aktrimit. Nuk dua të perifrazoj asgjë për të argumentuar këto mendime. Ndoshta do të krijohet bindje më e saktë për këto teza përmes shembullit që do të sjell më poshtë. Zhvillohej mbledhja e këshillit popullor të rrethit të Sarandës. Raportohej për gjendjen moralo-politike të të gjithë krahinës. Nga diskutimet e faktet, që u sollën për një seri tentativash të të rinjve për të kaluar kufirin e për t’u arratisur në Greqi, E. H. u inatos aq shumë, sa thirri i papërmbajtur:
- Mos doni të vijmë ne e të bëjmë punën tuaj këtu, t’ua ruajmë kufijtë? Punoni keq! Sinori nuk është atje tek piramida. Ai nis këtu, në shtëpi, në rrugë, në zyra e shoqëri. Kundër atyre që duan të tradhtojnë vendin, asnjë mëshirë!
Njerëzit u ngrysën. Salla u nxi. Mirë kjo që ndodhi, por si do t’i vinte halli më tutje vizitës? Takimi u zhvillua ftohtë, pa ovacione e duartrokitje. Çdo gjë u përligj me atë që këto ishin mbledhje pune e s’kishte nevojë për eufori e brohoritje.
Në darkën e po asaj dite ishte planifikuar një koncert mirëseardhjeje, përgatitur nga krijuesit më të mirë të rrethit. Frika se E.H. s’do të merrte pjesë, ngaqë ishte zemëruar, u shtua shumë tek drejtuesit e Sarandës. Mirëpo me ardhjen e forcave të sigurimit në sallë, ata u ngrohën dhe e morën veten. Koncerti u zhvillua pa ndërprerje e pati sukses. Sapo mbaroi koncerti dhe u ul sipari i skenës, E.H. pa biseduar me asnjeri vajti drejt e në prapaskenë. Atje u bë një pështjellim, por ai duke buzëqeshur kërkoi grupin lab të fëmijëve të veshur bukur me fustanellë e kapelet e mëdha mbi kokë. U zu me ta dorë për dore e hodhi valle, e këndoi me shumë kënaqësi.
Shoqëruesit, operatorët e fotografët bënë një rrëmujë në sallë, duke kapërcyer mbi karrike, për të arritur të filmonin diçka nga ai takim i befasishëm. Kur mbaroi kënga e vallja, udhëheqësi i pyeti fëmijët me radhë se të kujt ishin, si mësonin, çfarë dëshirash kishin etj. Kur mësoi nëpërmjet përgjigjeve me atë çiltërsinë fëminore, se atyre u mungonin fletoret, s’kishin çanta të bukura, s’kishin libra të mjaftueshme, se u kërkonin prindërve e ata s’kishin ku t’i merrnin, në sytë e E.Hoxhës u shfaqën lotët. Ashtu u fiksua edhe në kamera. Hajde beso tani, në botën e këtij njeriu! Kujt i përkiste ai? Mbledhjes së mëngjesit me thirrjet për burgosje dhe eliminim të atyre që nuk bindeshin, që thyenin kufirin, apo lotëve e valles që hoqi me vogëlushët! Ai ishte një interpretues i habitshëm i bindjeve të tij në jetë e në kamera.

Gjithëçfarë dëgjuam deri tani ishin fakte nga jeta, nga xhirimet e paraqitja publike e E.Hoxhës përpara kamerave. A mund të na thoni ndonjë gjë shkurt për ato që kanë ndodhur jashtë Kameras?

 Nëse pyetjen e marrim në volumin total të saj, për ato që kanë ndodhur jashtë kameras për Shqipërinë e atyre viteve për udhëheqjen, për E.Hoxhën e lidhur ngushtë me to, vetëm shkurt nuk mund të flitet. Ajo ishte një histori e tërë rreth 50 vjeçare. Aty janë kongreset, plenumet, mbledhjet e Byrosë Politike të qeverisë. Aty janë vendimet. Aty janë grupet armiqësore, devijimet, letrat e hapura, eliminimet të gjitha mbi bazën ideologjike të asaj kohe, çka janë tema të veçanta edhe për historinë e shtypit shqiptar. Megjithatë nga ajo pyetja për E. Hoxhën jashtë kamerave, që lidhet edhe me vizitën e vitit 1978 në Gjirokastër e Sarandë, do të them diçka. Në atë vizitë pati edhe dy ngjarje të pakëndshme. Në to, pa dashur zbuluam një E. Hoxhë tjetër, disi të ashpër e brutal, larg skemave artificiale të jetës zyrtare. Mbas një takimi në lagjen Palorto, bashkë me një kolegun tim, u gjendëm në oborrin e shtëpisë së pritjes. Donim të miratonim urgjentisht tekstin për kronikën. Në hyrje ndodheshin shoqëruesit. Oborri s’kishte njeri. Enveri, që sapo ishte ngjitur lart, kërkonte duke thirrur Nexhmijen, e cila ende s’kishte arritur. Ndonjë vonesë me të afërmit e të shoqit, si në qytetin e gjinisë. Nga dhoma u dëgjuan bërtitje, sharje e fyerje me fjalë të pabesueshme. Nga sa u kuptua ai kishte ngelur i zhgënjyer nga mjedisi. Dhomat nuk ishin ngrohur, orenditë të vendosura pa rregull. Deri poshtë vinte zhurma e përplasjes së karrigeve. S’na mbeti gjë tjetër, morëm hijen me vete dhe u larguam. Tekstin na e dërguan më vonë. E njëjta situatë u përsërit dhe në Sarandë, por me tone më të ashpra e të pakontrolluara. Qëndronim me Sulon, shoqëruesin, kur papritmas u shuan dritat. Kjo e inatosi shumë udhëheqësin. Ishte muzg mbrëmjeje e lart në katin e dytë u bë shumë rrëmujë nga Enveri. Suloja
thirri një shofer dhe e nisi urgjentisht për elektricistin. Ne zbritëm në këmbë deri në breg të detit. Dritat nuk vonuan të vinin.
- Programin e vizitave do t’ua sjell unë gjithnjë, - tha Suloja.
Edhe kjo gjë njerëzore është. Edhe udhëheqësit janë njerëz të dashur, të ëmbël, të sertë, inatçi e brutalë. Tjetër sa ruhen e si ruhen, për të mos i demonstruar anët negative të tyre.
E. H. ishte nga ata që nuk zbulohej lehtë.

Kur ka filluar rallimi i transmetimeve për Enver Hoxhën e cilat kanë qenë arsyet?

 Vizita e parë dhe lodhshme në jug të Shqipërisë 1978, qe e fundit në këto përmasa me regjistrime e takime jashtë në natyrë. Në fillimet e viteve ’80, ai u rëndua dukshëm nga sëmundjet, nga tensionet politike me grupe armiqësore e komplotiste e sidomos mbas rënies ekonomike, si pasojë e prishjes me Kinën. Në atë periudhë, dalja e tij para kamerave shërbente më shumë për të treguar se pushteti dhe sistemi socialist ishin ende gjallë. Në atë kohë veprimtaritë me prezencën e sekretarit të parë të K.Q., për arsyet që përmendëm më lart, u kufizuan ndjeshëm. Paraqitja e tij lidhej me ndonjë mbledhje plenumi, mbrëmje solemne gjatë votimeve e rregullisht në paradën e 1 Majit. Kronikat dhe telereportazhet nga këto veprimtari ndiqeshin deri në imtësi nga R.Alia dhe nga Nexhmija. Megjithatë në veprimtarinë e televizionit të vetëm shqiptar në atë kohë gadishmëria për të sjellë në ekran informacionin apo lajmin më të rëndësishëm të ditës, ka qenë e madhe, aq më tepër kur bëhej fjalë për të parin e vendit. E them këtë, sepse për dy të papritura, që lidheshin me aktivitetin e E. Hoxhës, televizioni mund ta kishte paguar rëndë. E para, ka ndodhur në mars të vitit 1978, kur mbas gjithë veprimtarive të programuara të ditës, Enveri ngarkoi shoqëruesin e përhershëm Sulo Gradeci që menjëherë të niseshin te mulliri, ku punonte këngëtari i famshëm Xhevat Avdalli, sepse do ia marrim me të një herë labçe, por do jemi pa suitë. Po televizioni, kishte thënë Sulua me vete! Dhe papritur, pakujtuar, nxitimthi gjen një operator, teknikun e zërit dhe ndriçuesin e fill e tek mulliri, ku Xhevati ia merrte e Enveri ia priste me iso. Kronika doli mjaft origjinale e njerëzit me njëfarë buzëqeshje thoshin: këndoka mirë shoku Enver!
E papritura e dytë, ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 28 nëntor 1982. Edhe për të gjithçka ka kaluar me komandë të përshpejtuar dhe vetëm nga shoqëruesi. Grupi i xhirimit ndali frymën tek monumenti “Nënë Shqipëri”. Enver Hoxha i vetëm bënte homazhe në varrezat e dëshmorëve të Atdheut. Po të bëhet ndonjë konkurs për realizim lajmi televiziv, ndoshta edhe sot mund të konkurrohej për mjeshtërinë e realizimit. Mbas një ore nga instanca më e lartë e K.Q. kanë pyetur me ankth, nëse u arrit gjë të filmohej.
Me Enver Hoxhën, enkas për televizionin, është organizuar vetëm gjuetia e peshkut në Volorek të Pogradecit. Ka qenë viti i fundit i jetës, i lodhur, i sëmurë, por jo dhe krejt pa humor. Udhëheqja ishte në merak që ta paraqiste në publik përmes ekranit, se ai ishte mirë me shëndet. Kronikën “Enver Hoxha në peshkim” e pati realizuar operatori i talentuar, mjeshtër i kameras dhe i lajmit, Gazmir Shtino. Vetë Enveri bënte mjaft humor me Gazmirin, sepse Feriku, babai i tij kishte qenë shok shkolle me Enverin. Të bëje shaka me kamera në krah si Gazmiri, s’ishte fort e lehtë. Operatori i thoshte se babai i tij kishte qenë nxënës më i mirë se ai. Enveri i tha atë ditë se suksesin e filmimit e keni të garantuar, sepse këtu te kanali me ujë të kristaltë, kanë mbyllur kalimet e peshku jo vetëm mund të zihet me grep, por atë mund ta nxjerrësh nga rrjetat edhe me dorë. Enveri u paraqit në atë kronikë para shikuesve si peshkatar.

Cila ishte porosia e prerë për filmimin e tij?

 Ne, në televizion kishim marrë porosi të prerë, të shmangnim çdo marrje të afërt si portret. Përjashtim bën këtu regjistrimi e transmetimi i Kongresit të 8-të të Partisë në nëntor 1981. Aty janë realizuar veprime nga më spektakolare të punës në televizion ndonjë herë. Kësaj teme do t’i kushtohet një material i veçantë. Ai është kongresi i fundit që marrin pjesë të gjallë E. Hoxha e Mehmet Shehu. Gjithçka në marrëdhëniet e tyre ishte në buzë të greminës. Për 7 ditë ata as nuk folën, as nuk komunikuan së bashku. Mes tyre kishte marrë fund çdo gjë. Por shija e hidhur në kamera për E.H. ka ardhur përfundimisht mbas vetëvrasjes së M.Shehut. Komandanti i partizanëve legjendarë me plumbin e nagantit të tij, hequr vetvetes depërtoi thellë edhe në zemrën e E.Hoxhës, duke e mposhtur atë në mënyrë të pakthyeshme moralisht e shpirtërisht.
M. Shehu me aktin që kreu nuk iu nënshtrua Enverit, i cili donte ta shihte shokun e dikurshëm më të ngushtë të luftës e të jetës, të gjunjëzuar. Kjo nuk ndodhi. M.Shehu me veprimin që bëri, i dogji në duar letrat E.Hoxhës. Kjo i solli një zemërim të jashtëzakonshëm. Atij i mbeti pa mbajtur pretenca përfundimtare: Konkluzionet e Byrosë Politike mbi veprimtarinë armiqësore të poliagjentit M. Shehu. Të nesërmen, nëpërmjet një incizimi të veçantë, i quajtur sinoptika e famshme, E.H. ankohej me zë të mbytur se ai, (Mehmeti) nuk priti ta dëgjonte atë, se çfarë do të thoshte. Pikërisht se e dinte se çfarë do të thoshte, Mehmet Shehu nuk desh ta dëgjojë. Dhe ajo ishte trimëri.
Më 24 dhjetor 1981, një javë mbas asaj vetëvrasjes, sekretari i parë i K.Q., vendosi, apo vendosën të tjerët, të dalë para kamerave. Në televizion nxitim e pështjellim. Disa herë u thirrëm në sektorin e shtypit. “Skenari i xhirimeve” ishte përgatitur nga lart. Enveri me pallto të hapur, shall të lëshuar dhe kapele republikë do të paraqitej duke hyrë në ekspozitën e arteve figurative mes të ftuarish, por jo në plan të parë të ekranit. Ekspozita ishte hapur me rastin e festave të nëntorit dhe me qëllim nuk ishte mbyllur. Pas një kalimi të qetë e të shkurtër, E. H. do të ulej në një kolltuk më mikrofon përpara e me ndriçim të posaçëm. Aty do të zhvillohej një bashkëbisedim me një grup nga inteligjenca e kryeqytetit, artistë, gazetarë e shkrimtarë. Çdo gjë u realizua sipas parashikimit, vetëm se kamerat nuk i dhanë dot jetë asaj skene. Ai fliste ngadalë, me ndërprerje, duke shtrënguar fort duart, që të mos i dridheshin. Bashkëbiseduesit i rrinin përqark si kurorë. E.H. i porositi ata, që të dëgjonte e gjithë Shqipëria, se uniteti parti-popull është i pathyeshëm. Në montazh na u desh shumë punë që kronika të quhej e pranueshme për transmetim.

Zoti Marash, në intervistën tuaj pohuat se gjithçka që lidhej me figurën e
E. Hoxhës për televizionin realizohej përmes një skicë-skenari të paramenduar. Atëherë si ka mundësi që kohë mbas kohe, këto vitet e fundit të ndryshimeve demokratike, keni parë të transmetohen disa filmime të shëmtuara nga ana profesionale të mbledhjeve e takimeve të instancave të larta të asaj kohe me figura të deformuara të pjesëmarrësve, sidomos të E.Hoxhës, Kadri Hazbiut, R.Alisë, S. Stefani etj. Ka ndonjë shpjegim e si qëndron e vërteta?


 Po. Prapa atyre xhirimeve e filmimeve të paraqitura si një gjetje e madhe të siguruar gjoja nga rrugë sekrete është vetëm një mashtrim, që lidhet me ngjarjen që do të rrëfej më poshtë. Në vitin 1980-81, me një akordim fondesh nga ana e qeverisë prej afro 10 milion dollarësh, televizioni shqiptar nisi të pajiset me aparatura me ngjyra të asaj kohe. Kjo ishte një ngjarje e madhe, mbasi ishim të fundit në Evropë që ndaheshim nga kamerat bardh e zi. Pikërisht ato ditë në një takim pune, R.Alia më njohu me një studio të montuar në ambientin pranë sallës së madhe të mbledhjeve në aparatin e K.Q. Aty çdo gjë ishte diletante me magnetoskopë të dalë kohe. Me kamera bardh e zi të vendosura qosheve të sallës e që komandoheshin në distancë nga Murati teknik, punëtor, që kryente shumë punë të tjera, bile ishte edhe fotograf. Funksioni i gjithë kësaj aparature ishte të regjistronte pa pushim për orë të tëra zhvillimin e mbledhjeve të ndryshme. Aty nuk bëhej montazh. Veprimet e kamerave kalonin me ngjitje, siç i thonë me gjuhën teknike. Ramiz Alia në atë takim sygjeroi se edhe televizioni mund
të përdorte këto filmime.
- Për ne, - i pohova nuk kishin vlerë. Le që cilësia e marrjeve ishte shumë e dobët, por ne po ecnim drejt emisioneve e lajmeve tërësisht me ngjyra.
- U mësuat ju vetëm me ngjyra,- tha me shaka, po thjesht, për arkiva nuk mund të shërbejnë ato?
Sa keq që i doli fjala për t’i shfrytëzuar ato si material arkivor, sepse mbas ndryshimeve demokratike të 1990 në disa emisione u përdorën ato filmime si dëshmi të mosmarrëveshjeve të udhëheqjes së Partisë së Punës të diktatit të luftës kundër armiqve të popullit etj. Çdo gjë tjetër lidhur me këto xhirime si: ishin xhirime franceze apo sikur ato i paskësh realizur Sulo Gradeci si kamer e fshehtë janë thjesht trillime e spekullime për të përpunuar opinionin publik në kohë interesi.

Zoti Marash. Sot në mediat televizive është përhapur shumë mënyra e regjistrimit dhe më pas e leximit në monitor apo perde projeksioni të lajmeve, mesazheve edhe fjalimeve të personaliteteve. Duke përdorur leximin drejtpërdrejt, folësit i ecën ligjërata rrjedhshëm, nuk bën lapsuse e në këtë mënyrë pozon më bukur para kamerave. E.Hoxha e ka pranuar ndonjëherë të hyjë në këto struktura teknike televizive?

 Më pëlqen ta nis përgjigjen me idenë e pyetjes, nëse është bërë ndonjë “truk” i tillë televiziv me E. Hoxhën. E them që në fillim se jo, asnjëherë. Dy janë arsyet: E para, në atë periudhë, tek ne njihej fare pak kjo metodë pune, le pastaj që s’kishim as mjete cilësore për realizime të tilla. Ndaj quhej diçka e papreferuar. E dyta dhe kryesorja qëndronte në atë që sapo t’ua bënim instancave lart këtë propozim do të na thonin: Medemek ju do t’i bëni udhëheqjes “dubla” si në filmat artistikë. Pra, nëse nuk na del mirë sinkrona e leximit, ta përsërisim edhe një herë frazën apo paragrafin e fjalimit. E kujt t’ia bënin këtë, E,Hoxhës! Hiqeni nga mendja. Në një shembull diku më lart kam thënë se, kur xhirimet e një takimi me veteranët nuk u quajtën të përshtatshme të transmetohej (figura ishte e dobët për arsye ndriçimi. Enveri nuk i pëlqente fare dritat e forta në sy). Gjithçka u “riparua” me një dalje tjetër të bujshme të E. Hoxhës në një takim me klasën punëtore të uzinës së autotraktorëve. Aty u punua shumë në kamera, por edhe vetë Enveri qëndroi tërë kohën i gëzuar dhe i buzëqeshur për të treguar se ishte i fuqishëm dhe mirë me shëndet. Për të plotësuar diçka nga pyetja juaj do të shtoj. Nëse E. Hoxha nuk pati regjistrime apostafat jashtë kamerave për t’u transmetuar më vonë, ai dhe grupi i tij me Sulo Gradecin e pjesëtarë të tjerë shoqërues kanë përdorur herë mbas here regjistrimet radiofonike për transmetim më vonë. Më i njohuri është regjistrimi në Radio-Tirana i raportit të tij prej disa orësh mbajtur (apo i dëgjuar në kongresin e 8-të të partisë, nëntor 1981. Kjo u justifikua. E para, sepse materiali ishte shumë i gjatë dhe autori do lodhej së tepërmi kur ta paraqiste direkt. E dyta, dhe kjo ishte kryesorja. Enver Hoxha ishte në atë kohë në një krizë tepër të rëndë me Mehmet Shehun. Por për këtë do të flitet diku tjetër. E shoh të domosdoshme të theksoj edhe diçka tjetër për pyetjen që më bëtë më lart e që lidhet me regjistrimet në monitor apo perde projeksioni të figurës, fjalimeve e mesazheve të udhëheqësve e personaliteteve duke bërë edhe “dubla” deri sa gjithçka të shkojë mirë. Televizioni Shqiptar e ka përdorur për herë të parë këtë me Ramiz Alinë e konkretisht në përshëndetjet për festën e Vitit të Ri. Thirrje të ndryshme për zgjedhjet, përshëndetje për Vitin e ri shkollor etj. Sot kjo metodë pune televizive ka zgjerim sidomos në leximin e lajmeve drejtpërdrejt, ku folësi si të thuash lexon me zë ato rreshta që dalin në monitor apo perde projeksioni, përdoret gjerësisht nga personalitete, ministra, deri edhe nga drejtues kryesorë, bile duke folur si në reklamë. (Me të qeshur) Ne në intervistën tone, folëm pa regjistrim as në monitor, as në perde projeksioni.


P.S
Duke mbyllur këtë intervistë, kam dëshirë të theksoj se: Çdo gjë aty është parë në këndvështrimin profesional gazetaresk. Mbi parimin: Asgjë shumë mirë dhe asgjë shumë keq, por gjithçka njerëzore, gjithçka jetësore. Kështu, duke zbritur me këmbë në tokë, bëhemi më të kthjellët se, në tërë ato vite të monizmit është punuar me një idealizëm e shpresë se, vendi ynë do hynte më shpejt në rrugën e gjerë të përparimit. Fati aq desht. Ama, edhe sot, me këtë tranzicion pa fund kërkimesh e sundimesh politike, qoftë djathtas apo majtas, duket aq pak dritë në tunelin e së ardhmes, sa as rrugën deri tek tuneli se gjejmë dot. Sa keq!

Nga Albert Zholi.