Sonntag, 31. März 2013

IRENA GJONI NË "MARATONA POETIKE E SARAJEVËS"


POETJA DHE STUDIUESJA DR. IRENA GJONI PERFAQËSON SHQIPËRINË NË MARATONËN POETIKE NË SARAJEVË

Prej datës 20 deri më 22 mars u zhvillua Maratona Poetike e Sarajevës. Kjo Maratonë ishte në kuadrin e festivalit ndërkombëtar disa mujor “Sarajevska zima” (Dimri në Sarajevë) në disa fusha të artit si: kinematografi, pikturë, muzikë, balet etj.. Organizatorët e saj Ibrahim Spahiç, drejtor i festivalit dhe Sabahudin Haxhialiç, poet dhe botues i “DIOGEN pro kultura magazine”, për mbylljen bukur dhe në mënyrë simbolike të kësaj ndërmarrjeje kulturore prestigjioze, kishin zgjedhur “Maratonën poetike”. Finalja poetike ishte në ditënatën 21 mars duke u gdhirë data 22 e cila vinte në ditën botërore të poezisë. Për më tepër, përkonte me ekuinoksin e pranverës e në mënyrë sinjifikative tregonte ditën e fundit të dimrit e ditën e parë të pranverës (festën e Harmonisë) që një stinë mbyllej me poezinë dhe riniste tjetra po me të.
Poetja dhe studiuesja Dr. Irena Gjoni nga Saranda, ishte e vetmja poete që përfaqësonte Shqipërinë mes pjesëmarrësve prej rreth 20 shteteve, ku mund të përmendim: Bosnje –Hercegovina, SH B A, Zvisër, Poloni, Kosovë, Slloveni, Itali, Marok, Rumani, Turqi, Serbi, Austri etj.. Poetja Gjoni vinte pas shumë prezantimeve të tjera në Ballkan dhe Evropë, ku ka fituar çmime të para dhe ku poezia e saj ka spikatur për gjetjet origjinale e frymën e një poezie sa moderne, aq edhe kombëtare. Poezia e saj është bërë pjesë e shumë antologjive të rëndësishme të poezisë shqiptare.
Poeti tjetër shqipfolës në këtë Maratonë poetike, ishte Mexhid Mehmeti, që përfaqësonte shtetin e Kosovës. Edhe pse ende nuk është njohur prej Bosnje – Hercegovinës, njohja përmes artit e poezisë i pararend çdo njohjeje politike dhe është shumë e rëndësishme. Për më tepër ku mbulimi mediatik i këtij aktiviteti ishte prej shumë mediave të rëndësishme të Bosnje – Hercegovinës dhe të shumë prej mediave të vendeve pjesëmarrëse. Kjo Maratonë poetike ishte e njohur prej pothuajse të gjithë shteteve e kryesisht Ministrive të Kulturës të vendeve respektive.
Një prej momenteve më të rëndësishme dhe të veçanta të poetes shqiptarë, pjesëmarrëse në këtë aktivitet prestigjioz letrar në Sarajevë, ishte pritja nga ambasadori i Shqipërisë zoti Flamur Gashi në ambientet e Ambasadës shqiptare më datën 20 mars. Të ndjerë komod në mikpritjen e tij dhe të stafit të ambasadës, ishte ky një vlerësim për kulturën dhe poezinë shqiptare të prezantuar në Sarajevë. Në këtë kuadër, ku siç u shpreh zoti Gashi: “Secili në punën e tij, në profesionin e tij, kur del jashtë Shqipërie, harrohet që është nga Saranda, nga Peja, apo Prishtina. Ata janë përfaqësues të Shqipërisë dhe duhet të prezantojnë vendin e tyre në mënyrën më të mirë dhe dinjitoze. Gjithmonë në shërbim të kombit shqiptar.”
Data 20 mars vijoi më tej me vizita në vende të rëndësishme të objekteve historike e kulturore në Sarajevë dhe për t’u përmbyllur në mbrëmje me shfaqjen e baletit në “Bosanski kulturni centar”.
Maratona poetike kulmoi në ditënatën 21 dhe 22 mars me leximin e poezive të autorëve pjesëmarrës në këtë ditë botërore të poezisë. Poezia shqipe u prezantua në mënyrë dinjitoze nga poetja Irena Gjoni, e cila u paraqit në këtë Maratonë edhe me një libër të sajin “Poetry”, që vinte pas botimit të katër librave të mëparshëm: “Tatuazh në shpirt të detit” poezi 2003, “Marrëdhënie të miteve dhe kulteve të Bregdetit Jonian me ato ndërkufitare” studimor 2008, “Gjysma dashurish” vëllim me fiksione 2010, “Maja malesh e magmë jonike” poezi 2011 . “Poetry” ishte realizuar në shtatë gjuhë: në shqip, në anglisht, frëngjisht, kroatisht, rumanisht, greqisht dhe turqisht. “Ishte kënaqësi – shprehet poetja dhe studiuesja Dr. Irena Gjoni, - të bëje që poezia shqipe të përcillej në këto gjuhë prej miqve poetë pjesëmarrës, që ata vetë të recitonin në gjuhën e tyre poezinë shqipe, duke qenë poezitë që u përcollën në më shumë gjuhë për të pranishmit”. Për vetë interesin e madh që pati poezia e Irena Gjonit, z. Sabahudin Haxhialiç shprehet: “Humnerë e dashurisë. Në kërkim të përgjigjeve, ajo krijon histori. Në kërkim të historisë, ajo krijon mendime. Në kërkim të mendimeve, ajo krijon imazhe. Shpirtin e poezisë ose poezinë e shpirtit. Më konfuzon Irena së bashku me natyrën. Poezia e saj dhe e jona. Kjo ishte dhe arsyeja që poezitë e Irena Gjonit u botuan tek revista kulturore “DIOGEN pro kultura magazine” në një cikël të plotë”. Krahas kësaj reviste, në maratonën poetike u prezantua edhe antologjia e poetëve pjesëmarrës me nga pesë poezi në gjuhën angleze.
Maratona poetike e zhvilluar në Sarajevë, konfirmoi edhe një herë që poezia nuk njeh kufij dhe që aktivitete të kësaj natyre janë mënyra më e mirë për globalizimin kulturor.


 AUTOPORTRET

Ngjitur shtyllave të rrugëve…

- Si në kohët e lashta,
lajmërimet e vdekjeve, - pëshpëris.

(Ej, bukuroshe, kjo erë vjeshte
ta zhbën nocionin kohë?)

Fletës së letrës,
në këmbë i ka ngelur vetëm një gisht.
I mjafton balerinës virtuoze
për vallëzimin e vdekjes
nën ritmin e erës.

Fryma pikëlon çikë e nga një çikë:

Ekspozitë...fotografike,
Modele...- Biondia...e...Detit,
Fo...to...graf...-me...ndjet... ...e... ...
a...dh...u...r...u...e...s...v...e...
...t...ë... ...s...a...j...

Shpirti fluturon
rrathëve të ferrit - rrugicave vjeshtake,
Për t’u bastarduar
Nënkëmbëve të kushedi kujt.
Fotograf - Mendjet e adhuruesve të saj.
E fiksuar fotografive nga mendjet
në çastet më fatlume a fatkeqe
sjellë adhuruesve të saj:

Një dilemë e rrënjosur në përjetësi,
hënë njëzetekatërshe që ha e rilind vetveten,
ëndërrim flakërues qiellit
që turfullon si kalë i harbuar,

melankoli e muzgut,
demon i zbutur e hiç në krijim fytyrash,
prekje e realitetit me shqisat e të verbrit,
një psherëtimë galaktike,
një jehonë e saj në shpellat Ciklopike,

dashuri e mallkuar në mëkate epshi,
perlë princesash e nimfë e pavdekshme,
mallkim i vendosur në altar martese,
mjegull e djegur në hapësirë të plakur,
tradhëti shkretëtire në oaze makthesh,
Një vetull perfekte në ironi të dashurisë,
e vjedhur një fije floku e verdhë
e mbajtur fatsjellës,
një arkivol sysh - guackë perle kënaqësi,
një buzëqeshje vrasëse pa pagesë,

buzë të kopjuara me karbon të kuq buzësh
për t’u risjellë pranë netëve ogurzeza,
një gjoks ngacmues, përtej dekoldeve
dhe bluzave të ngushta,
mantel të kuq gëzofësh - mburojë shigjetash,

një lot i zi,
përzier me helmin e dhimbjes e rimelit,
duar të sikletshme
përherë në mbajtje të shanseve,
engjëll misteresh i dalë prej ferrmendjeve,
një lot shumëngjyrësh i theksuar nga koha,
imazh i rilindur prej hirit që predikon,
tatuazh në shpirt të detit.

Ëndrra të mëdhaja,
pa ditur ditën e lindjes e vdekjes,
mendje në lojëra fantazie,
hipnotizuese për të tjerë...
E gjitha e ndarë
në një labirinth mendjesh,
e ngelur në të njëjtin vend,
e ngelur në të njëjtën moshë,
e gjendur në të njëjtën bukuri Beatriçase...

Ekspozitë e parë me shpirt të rrënuar,
e paçuar gjer në fund,
e trembur nga bukuria e dikurshme,
nga adhuruesit e shumtë gati mitikë,
nga ëndrrat të ëndërruara dikur fatlume.

Me shëmtimin krijuar prej zhgënjimit,
me çmendurinë prapë pinjoll të zhgënjimit,
eci rrugëve duke mbledhur
gjethet e vjeshtës,
me përfytyrime - fotografitë
e mendjeve të adhuruesve,
pa i parë,
vetëm duke iu trembur
bastardimit nga nënkëmbët
e kushedi kujt...

Ende vazhdoj të eci
duke mbledhur gjethet e vjeshtës…


Marrë nga Gazeta NACIONAL

Dienstag, 26. März 2013

Fakete Rexha: GERSHETE TRENDAFILASH E SY


GERSHETE TRENDAFILASH E SY

(Vellait tim. URIM REXHA-avokat. E vrane ne oborrin e shtepise se vete. Mengjesin e 26. marsit. 1999. Prag ditelindjeje te 40-te). Banoreve te lagjes sime te femijerise. Gjakoves qe me rriti e me mesoi te mendoj. LAVDI)

Mes nates me barre e mengjesit boje portokalli, veshtrimi yt i topitur. I ngulur thelle, ne bar. Syte ternin shikimin e gjithe qenmes sate. Deri çastin e mbrame. Veshtronin...mendonin...prisnin. Apo, flisnin? Kaq ngulur ne trendafilat gershete. C'kane? Syte s'pergjigjen. As trupi yt shembur perdhe. S'ndjejne me asgje. Dhe, ne kurre s'kemi per ta kuptuar. Kush ishin? Cilet ishin ata bije bushtrash, kriminele? C'te tha zemra yte, e njome, e re, bujare? E syte ç'te pane? Gjate kohes qe s'te dha leje agsholin ta puthje. Agimin qe po te lindte ne balle. As yllin e pare ne dritare mengjesit. Prag ditelindjes sate te 40-te.
Gjakova, 26.mars. 1999. Dielli i ftohte kishte mbjellur kembet deri te shtati me bryme e me vese. Nuancat qiellit, bardhe plumb e boje ametisti. Toka e ndrydhur ane per ane. Pranvera te blerte e kishte hapin. Boje lulemellage e kishte shqetesimin, nisma e pranveres sate te fundit, vella. Nisme e pikellueshme. Te shemben vete te trete oborrit.
Ende matane grilash ne rruge nje drite. Kuarci dridhej, luhatej, endej shetitej nga dora ne dore. Si para pamje burgut. Zbardhnin net e ngrysnin agimet personazhet e kaltra, te egra. Shtazet. E s'kish njeri t'i pyeste pse rrinin e s'shkonin. Edhe cilin prej nesh tani e donin, pas teje?
Lagja Mulla Jusuf, ne Gjakove. Gjakova me krejt gjeografine e saj po shkundte te nates shqetesimin. Shtriqej pikellueshem. Kosoves gjak po i nxirrnin. Eshtrat po ia thyenin e gjithe ç'kishte brenda lekure, rropullite. Agimet i arratisnin gropave qe hapnin e rihapnin. I gjithe frike Cabrati mbi Gjakove. Njerezorja e mundur, e lodhur llahtarit. Ngrysur zbardhte mengjesin femijeria e mplakur brenda dite. Rrudhe me rrudhe ballin mesyente nga frika malin. Cabratit ku tashme flora vdiste para se te rritej.
Ata, i hyne lagjes. Dogjen, vrane, e prene e s'lane gje pa bere. Perveq teje, vella edhe komshinjte tane, djemte e vajzat me te cilet kur ishim te vegjel ne rruge luanim. Ne shkolle shkonim. Te gjithe sebashku u rritem, e qeme femijeri e lumtur.
Oh, vella. Dhe, ende asnje ndryshim qe atehere, sa qem gjalle te gjithe. Asnje dallim mes nesh dhe juve qe rate fli, e s'jeni me pa. As neve qe na degdisen ku afer e ku dherave larg. Asnje ndryshim qe atehere...Perveq duelit te heshtur mes drites dhe erresires. Asnje dallim mes nesh dhe atyre qe ankthin na e mbollen ne shpirt. Shoqe te mjera Kosoves ia bene fatkeqesite. 14. vjet prej atehere qekur ishim gjalle te gjithe. Tokes mendjeholle shqiptare. Ne Kosove. Ende na zhvatin, djegin, e zhbijne. E sa torturues kujtimi ende i gjalle i veteshkaterrimit. Te njerezores nga njerezorja. Kriminelet te lire shetiten rrugeve. Bishat. Pa t'kaluar, pa varre, pa histori. Dhe, ende asnje dallim mes nesh dhe atyre. Qe 14. vjet.
Por, ndashte o vella. E rendesishme eshte ajo qe ne e dham. E jona ishte. Me teper se jeta na kushtoi gjitheçka. C'ishte na prape do ta bejme, ne vend do ta vejme. Si gjithemone. Do ta bejme Kosoven me te bukur se ç'ka qene.
Se pasha Buken. Toke e Qiell. Pasha Lirine e Hirin e qindramijera jeteve njerezore. Te dashura. Te shuara. Atyre, do t'ua veme emrin qe u ka hije. Heredokur. Meqe plotesisht do tu takoj. Atyre qe zemrat na i poçen hellit. I denoft i madhi Zot si ne liber Sodomen. Te tashmes as te ardhmes se tyre, as mjeket mos i gjetshin ilaq. Perveq per ta ngrehur shpirtin e tyre neper therra tutje deri te zjarri. Flake u djegshin si rrenja E pa rrenje mbetshin.

Sonntag, 17. März 2013

Namik Selmani: AMANETI I TAJAR GASHIT:


Amaneti i Tajar Gashit

 Duke ndjekur rrugën e arsimit shqip në Gostivar

 Nga NAMIK SELMANI

 Rruga e arsimit tonë kombëtar përherë i ka ngjarë një udhe ku udhëtari ka patur një etje të madhe e shpesh edhe të pashuar . Një etje ku krojet e diturisë kanë qënë me ujë të pakët. Ky mendim m’u përforcua edhe kur bëra një vizitë në shtëpinë e mësuesit veteran Mustafa Ismailin në Gostivar. Qante mësues Mustafai se i kishte ardhur në shtëpi një mik nga Shqipqria , nga Çamëria. Më tregonte librat që kishin shkruar për të.Isha me mësuesen Bukurie Gashi ( Iseini) që gjithashtu ishte edhe ajo vajza e një mësuesi të vjetër, ndër të parët e shqipes në Gostivar që quhej Tajar Gashi. U emocionova vërtet. Dhe i kërkova vetes një “ besë” të re. Duhej shkruar sa më shumë për këtë rrugë Ishte shumë më tepër se një detyrim për të shkruar qoftë edhe modestisht për këtë rrugë që nuk ka arsye përvjetorësh për t’i kujtuar, por që gjithmonë janë “ buka” e së ardhmes . Pse jo edhe guri ku ndahet kufiri i politikës në këtë shtet shumëetnik. Duke parë në disa arkiva fillimet e mësimit shqip në shkollat e Tetovës, Gostivarit të qytetve të tjera e të fshatrave shqiptarë në Maqedoni që dhe sheh disa foto të atyre viteve të bie në sy një lajm shumë krenare të nxënësve dhe mësuesve të atyre viteve. Ishin shkollat e para shqipe e në një foto t një shkolle të hapur në Tetovë një dorë e pastërvitur mirë kishte shkruar “E para shkollë shqipe në Tetovë”.
Emrat e shkollave kishin gdhendur atë histori të re që po shkruhej në qytetet e bjeshkët e Iliridës si “Liria” “Ismail Qemali” etj. Fëmije që në uniformën e tyre të parën kishin plisin. Bashkë me shkronjën shqipe që ata gdhendnin në fletët e bardha, kishin edhe pamjen krenare të plisit të bardhë, me të cilin kalonin në rrugët e Gostivarit, të |Tetovës, të Kumanovës, të Shupit.
Kjo pamje është një “ portë” kujtese për mësuesin e parë të zonës së Gostivarit Tajar Gashi.
Isha para pak kohësh në Gostivar. Në një qyet ku simbolika e librit, e llokumeve dhe e kënave të nuseve të ndiqte hap pas hapi. Jo më pak edhe jehona e tingujve të ansamblit të Gostivarit që akoma është i gjallë në skenë n e Maqedonisë, së Kosovës e në Ballkan e më gjërë.
Nuk do ta përfytëronim rrugën e jetës së Tahir Gashit po të mos flisinim sadopak për babain e tij Qazim Gashin. Qazimi, ndonese nuk kishte gjetur në Gostivarin e vogël një klimë shkronjëdashëse për shqipen e kishte gjetur mënyrën për të marrë sa më shumë arsim. Kishte shkuar larg deri në Stamboll për ta bërë këtë gjë duke bërë që më vonë të mos qëndronte në këtë qytet joshës por të vinte në strehën e tij . Arsimimi në gjuhën turke nuk e pengoi që ai të mësonte shqip shqiptarëve.
Shkollimi shumë i lartë që kishte, por edhe përkushtimi ndaj vëllezërve të tij shqiptarë bënë që ai të bëhej edhe kryetar i Gostivarit. Një gjë të tillë natyrisht nuk i shkonte për shtat pushtuesit dhe qeverisë turke. E kapin dhe e internojnë në qytetin e Shtipit ku edhe ndërron jetë në burg. Fëmijët e tij mbetën në përkujdesjen e bashkëshortes Ajshe, një grua shumë intiligjente një zonjë shumë e respektuar në qytet për devotshmërinë ndaj familjes së saj, miqve dhe dashamirëve. Kësaj radhe pra do ta merrte forcën nënë Aishja. Për të vazhduar atë rrjedhe jete që pati nisur Qazim gashi sidomos për edukimin e fëmijëve që kishte lënë ai pa baba. Një nga djetë që do të dërgonte në ved amanetin e baba Qazimit kësaj radhe do të ishte Tajari.
Tajar Gashi ka lindur ne 1915 ne Gostivar. Shkollimin fillor e ka mbaruar ne gjuhën turke në Mexhidijen e qytetit dhe pastaj vijon më tej. Më tej shkollimin e bën në gjuhën serbe.
Shteti shqiptar nuk mund të bëntë kaq shumë edhe për arsimin e trojeve amtare në Gostivar, Tetovë, Shkup në Kosovë. .
Nevojat e jetës e detyruan që të punonjte. Qysh i ri ai punësohet si çirak (nxënës) në punëtorinë e një rrobaqepësi serb, nga i cili e merr zejen për 3 vite radhazi. Punëtoria ka qenë shumë e frekuentuar dhe puna ka vajtur shumë mirë. Pas vdekjes së pronarit Tajar Gashi vazhdon punën si rrobaqepës. Ishte një gjë shumë positive se punëtoria ka qene vendtakimi i të rinjve intelektualë të qytetit. Kjo ndodhte se ishte pronë e një serbi e keqkuptimt ishin të pakta. Pas Luftës Nacional Çlirimtare, në Gostivar hapen shkollat e para shqipe me mësues të ardhur nga Shqiperia. Kombi shqitar pas lirisë që po fitonte (edhe pse po futej në një sistem politik jo perëndimor nisi betejën e nalafabetizmit.
Në shtëpinë e Tajar Gashit vendoset mësuesi Ahmet Pero. Jetoi mësues Ahmeti për disa kohë në këtë sntëpi pa paguar asnjë gjë për fjetjen e ushqimin. Nuk ishte vetëm mikpritja por edhe dashuria për dijen për shqipen që i bëri kaq bujar familjen e Tajar Gashit. Ky qëndrim e pati edhe një gjë të bukur. .Nën ndikimin e tij Tajar Gashi regjistrohet në shkollën Normale të Shkupit dhe si kursist mbaron shkollën për mësues dhe më vonë punësohet si mësues në fshatin Çegran në vitin 1951 ku ishin hapur shkollat e para shqipe. Pastaj disa vite punon në fshatrat Raven dhe Çajle deri në vitin 1957. Gjatë gjithë kohës deri sa ka vajtur dhe është kthyer në shtëpi nga puna, ka qenë nën përndjekjen e agjentëve të shtetit të ri jugosllav. Nga tregimet që ai u ka lënë si kujtim fëmijëve tregonte se mbasi ka filluar ora kanë qëndruar pranë dritareve të shkollës për të dëgjuar se mos po tregon tema patriotike nxënësve. Nga viti 1957 -1975 punoi në shkollën fillore “Petre Jovanoski” që sot quhet “Ismail Qemali” nga doli dhe në pension.

Vitet që kanë kaluar tani pas ndraes së tij nga jeta e kanë rrënjosur edhe më shumë nderimin për punën e bërë nga ai për arsimin shqip në zona pak a shumë të thella të Gostivarit. Virtytet e tij humane, patriotike dhe intelektuale ishin te njohura ne qytet dhe rrethine. Mbahen mend shumë kujtime që tregonin humanizmin e tij të jastëzakonshëm Shumë njerëz hallexhinj shpesh i rrëfeheshin dhe kërkonin ndihmë morale për zgjidhjen e problemeve të tyre. Ai që shumë i njohur edhe për ndërhyrjen dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve familjare te popullatës e sidomos për pajtim te gjaqevene qyteteve te ndryshme ne Maqedoni. Pajtimi gjaqeve ishte një akt fisnik që bëri mësues Tajari. Po ai nuk mund të rrënjoste nevojën e arsimimit të popullit pa e nisur nga familja e tij.
Si arsimdashës i flaktë edhe pse me të ardhura minimale arriti të arsimoje shtatë fëmijët e tij me shkollim te lartë.Vajzën e parë Asije Gashi, e dërgoi që të vazhdonte studimet në degën e mjekësisë. Kur mbaroi studimet ajo u bë mjeke pediatre me specializim te neuropediatrisë. Djalin e parë Alihajdar Gashi e bëri mjek ortoped që ka patur një karrierë shumë të suksesshme. Shirine Gashi u bë një albanaloge e shquar. Me kontributin e saj në arsim prej 42 vite ajo është ndër vajazat e para që theu edhe koceptet frenuese që vajza shqitare e Gostivarit kishte në pjesëmarrjen në aktivitete artistike me frymë kombëtare. Tani shijon vitet e pensionit dhe përpiqet që kujtimet e viteve t’i hedhë në letër për brezat më të rinj. Musa Qazimi psikolog, Zejnelabedini me studime të gjuhës angleze ndërsa dy vajzat më të vogla, Bukurija –ekonomiste dhe Vjollca si mësuese e gjuhës angleze. Këta fëmijë të shkolluar padyshim ishin amaneti i gjalë i Tajar Gashit. Sot ata japin kontribut secili ne fushën e vet.
Nga natyra nuk ishte materialist, por idealist, një rilindas i vërteë i gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Shpesh here thoshte: ”Pasuria me e madhe e njeriut është shkollimi prandaj unë jam i pasur, sepse arrita të ndërtoj shtatë pallate” (duke aluduar për fëmijet e e tij). Dhe kjo bëhej edhe duke vështirësuar jetesën e vet, sepse vetë jetonte në një shtëpi të vjetër me dy dhoma. Këto dhoma ishin shumë të frekuentuara nga miq dhe dashamirë.
I donte shumë natyren dhe lulet. Shetitjet jasht qytetit ishin të zakonshme për të. Ndër lulet më preferuara ka patur manushaqen prandaj vajzës së vogël ia vendos emrin Vjollcë.
Veç obligimeve të mësuesisë dhe pajtimit të gjaqeve ai me përkushtim i kryente edhe obligimet fetare. Ishte klerik bektashian në Teqenë e Gjakovës dhe Tetovës. Për hapjen ekësaj teqeje u bë edhe grevë urie meqë ishte marrë një vendim nga shteti për t’u mbyllur gjoja si pronë publike. Realizonte takime të shumta ditë për ditë me besimtarë dhe miq nga anembane botës. Mori pjesë në Kongresin Botëror Bektashian në Strazburg në vitin 1987. Kohën e lirë e kalonte duke lexuar gazeta dhe literaturë nga më të ndryshmet. Kishte zë shumë të bukur dhe shpesh inspirohej dhe ia niste këngës, qoftë asaj popullore qoftë edhe me përmbajtje fetare. Fliste mirë gjuhët shqipe, turke, serbokroate, maqedonase, frënge dhe osmanishte (turqishten e vjetër).
Natyra e tij e qetë, fytyra gjithmonë e buzëqeshur, fjalët e tij këshilluese edhe armikun më të madh e detyronin t’i nënshtrohej dhe ta shndërroje në mikun më të ngushtë. Gjenerata e gjenerata nxënësish të tij sot ende japin kontribut të shquar si mësues, mjekë, juristë, inxhinierë dhe shumë e shume profile të ndryshme.
Për jetën dhe veprimtarinë e tij ai mbante shënime në gjuhën persishte, të cilat sot janë në dorëshkrim dhe pritet që së shpejti të përkthehen në gjuhën shqipe.
Në përcjelljen e tij në shtëpine e amëshimit kanë marrë pjesë mbi 3000 persona duke treguar keshtu respektin e fundit për veprat e tij.
Kana kaluar disa vite nga kjo ndarje nga jeta po ai kujtohet në shumë mjedise arsimore njerëzore të Gostivarit, Tetovës e më gjërë. Të gjithë fëmijët e tij por edhe nxënësit që po rriteshin në sytë e tij, kujtojnë shpesh bisedat që bënin më të. Ishin biseda që kishin kaluar prej kohësh atë të prindit po të mësuesit. Përpara tyre ishte jo vetëm prindi, por edhe patrioti edhe rilindasi (shumë herë ai fliste edhe për gjuhëtarin nga rrethinat e Gostivarit Josof Bageri) edhe kleriku . Të gjithë bisedat ishin jo vetëm një lloj balsami për plagët e arsimit të pamjaftueshëm dhe të persekucioni nga sheti jugosllav, por edhe një lloj drite për të ardhmen, një lloj semafori ku fjala shqipe të mos kishte kurrë pengesë. E të gjitha këto ktheheshin në një amanet, në amanetin e gjallë e të paharruar të Tajar Gashit “Mos e harroni shqipen, bij, se kombi ynë nuk mund të ecë në rrugën e qytetërimit pa të. Amanet po ua lë. Amanet që edhe varri nuk do më tresë po nuk më dëgjuat!”

Namik Selmani: PORTAT E BASHKIMIT


PORTAT E BASHKIMIT

 Përtej një beslidhjeje të re gorare apo të ngjizur në Prizren e Prishtinë, në Krujë apo në Lezhë, në Tetovë apo Gostivar, në Gumenicë apo në Paramithi, në Tivar apo në Tuz duhet të bëjmë një beslidhje me veten që nesër të derdhim të gjithë energjitë për këtë BASHKIM

Nga NAMIK SELMANI

 Të rënda. Të admirueshme. Të shumëpritura. Të papritura. Të vështira për t’u hapur. Të domosdoshme. Të ëndërruara.Të kyçura pa e ditur e kush se ka çelësin e tyre. Të bukura. Të dhimbshme. Të misterta deri në kufinjtë e një magjie moderne Të…
Të tilla kanë qenë e janë ende këto Porta për kombin shqiptar. Aq më tepër për Çamërinë që gjithmonë e ka dashur një fjalë më të mirë, një dorë më shumë për të ecur përpara, një ëndërr më shumë për të realizuar. Aq më shumë në këtë 100-vjëor që sapo e lamë pas për të nisur një shekull tjetër Për këta shqipfolës sa të përvuajtur për këtë bashkim, po aq sa edhe në kërkim për “pajtimtarë“ klasikë e modernë për ta sjellë mes vedi në rastin më të parë.
Të paktën mesazhi i Bashkimit na dërgon para pesë shekujsh e gjysëm. Nuk ka rëndësi qyteti shqiptar ku ishin trupat, këmbët, veshët e sytë e atyre që e krijuan këtë ndodhi. Këtë bëmë klithmuese. Këtë fabul mendimtarësh. Bëhet fjala për kohën e Skënderbeut. Fabula e Shkopinjve të thyer e të pathyer në duart e djalit, në duart e princërve që hynin e dilnin kokëvarur në atë hapësirë të gurtë kalaje, në dritën e ca shandanëve që nuk shuheshin as ditën e as natën në labirintet e shkallëve e të kthinave, të sallave ku hynin e dilnin miq të largët të ardhur nga Evropa e Lindja, duket se tregohet në njëmijë e një mënyra në kohët moderne. Bash si anglezët, skocezët, francezët që, për të dhënë mesazhin të ardhmërisë së kombeve të tyre, marrin e japin në historitë e mitet e tyre jo vetëm 500 vjet më parë, por edhe shumë e shumë shekuj më thellë. A nuk u krijuan mesazhet filozofike hamletiane e makbethiane, të barazvlefshme edhe për dhjetra shekuj më vonë, nga kronika historike paksa të papërfillshme për kohën kur ato ndodhën??? A nuk ishin vetë fqinjët tanë shumëshekullorë që krijuan vetë mitin e Laookontit për t’u lakuar më vonë në të gjitha kancelaritë e në veprat artistike madhore të të gjithë gjuhëve?
Po të ishte në kohët moderne, mesazhi i Shkopinjve të (pa)thyeshëm në duart e një Mbreti shqiptarësh, do të ishte sensacioni më i madh i radhës për kamerat e mikrofonët e vendit e të botës, për faqet e para me korniza shumëngjyrëshe, për lajmet e para të rubrikave hapëse. Mund të ishte amaneti më i lakmueshëm i një babai për fëmijët e tij, në një shtrat të bardhë me jastëkë të lulëzuar me lulet e bjeshkës e të fushës, pasi ai të ikte nga kjo jetë. Mesazhi aspak i mosarritshëm për brezat e ardhshëm. Grushti i Shkopinjve të Bashkuar ishte e mbeti sa në një gojëdhënë fëminore dhe enciklopedike aq edhe në realitetin social, historik, politik (kur nisi të hidhte këmbë në këtë truall), sa në poezitë e në këngët e shoqëruara me çifteli e tupan, me lahutë e me ison e gjatë klithmuese për bashkim, aq dhe në poezitë e më të mençurve të këtij kombi. “…E t’gjithë si vllazën n’një besë bashkonju”-do të ligjëronte Vaso Pashë Shkodrani në thirrjen e tij si një “Marsejezë” të parakohshme për ne. “Myslimanë e të krishterë jemi keq /të ngrihemi që të tërë/djem e pleq”- do të thërriste kësaj radhe disa vite më vonë tashmë një bir Zagorie si Çajupi. Një Konicë mendjendritur do ta lakonte në formën e vet fabulën e Bashkimit mentar të shqiptarëve. E dimë. Kishte shumë folklorizëm në vargjet e tyre. Mungon i ashtuquajturi element modern i poezisë, i thirrjes, i kërkesës. U rrekën besimtarët e të gjithë feve shqiptare ta bënin atë bashkim të ëndërruar, por shpesh ato mbetën në hullitë e shkopinjve të vëna nga ata vetë apo nga të tjerët në rrotat e hapit të parë. Dikur do ta kishin radhën gjuhëtarët kur më 1908 do të mblidheshin në një qytet me një emër-simbol të vetmisë si Manastiri për të bashkuar shkronjat e një gjuhe për “të mirët e të mençurit breza të mëvonshëm të shqipes”. Dhe ia arritën, edhe pse në tavolinat e një Kongresi si ai i Alfabetit të 100 viteve më parë (një emër si Kongresi deri në atë kohë kishte pasur shijen e një thike pas shpine për këta shqipfolës të urtë) ca vinin nga Veriu i largët e ca nga Jugu. Duke patur në sy abetaret e fëmijëve shqiptarë të të gjithë kohërave që do të vinin. E flisnin aherë kur ende shqiptarët nuk kishin shtetin e tyre. Kur nuk kishin zgjidhur qoftë edhe në formalitet një vulë shteti, një kufi që do t’i bashkonte me evropianët e Evropës plakë. Të asaj Evrope që vetë njëmijë herë ishte bashkuar e njëmijë herë kishte divorcuar me vete, me kufinjtë e saj, me malet e saj, me flamujt e saj, madje edhe mes kombasve të një gjuhe prindërish e gjyshërish.
Kur ne deshëm që aq fisnikërisht të bashkonim trojet, zemrat tona që gjakonin shqip, vendet që frymonin shqip, që këndonin e uronin shqip, saktësisht 100 vjet më parë, ca zëra varrëtarësh, por edhe të gjallësh, klithmuan therësisht kur para Thikës së Gjakut të kufinjve u ndanë njerëzit e një gjuhe, të një gjaku, të një krushqie. Dhe iu gëzuam një 28 Nëntori ku flamuri mund të ngrihej i lirë në disa qytete, në disa brigje, në disa fusha, nga disa ballkone të vegjël shtëpishë, në një kohë që në troje të tjera si të Kosovës e të Çamërisë, ai duhet të futej ndër sepete, ndër këngë, në fund të dyshekëve të vegjël të djepeve të fëmijëve që lindnin e rriteshin më shpejt në këto objekte të lista mes penelave të bardha.
Ca pajtimtarë të huaj sërish herë me avionë të shpejtë, me zëra celularësh e me postën më moderne elektronike, kërkonin të na qetësonin (dhe të na qetësojnë ende) gjakrat e bëra ujë nga kjo thikëndarje kufinjsh, edhe pse në brendësi të qënies së tyre e kuptonin se çfarë po bënin

… Në këtë fillimshekulli të ri Bashkimi na ndjek sërish si një ëndërr, si një flutur që i largohet flakës së një llampe. Na ndjek shumë herë me fuqinë e harbimit. Si një agim që është harruar shpesh nga mjegulla e rënë në male e në gyka. Ca trarë doganash me shkronja të llojllojshme sërish na vënë gjerdhe të lartë me një fjalë të përbashkët para tyre: “SUS! SUS! Ende s’të ka ardhur radha të futesh në oborrin e hyjnorëve ëndërrues . Ende….!” Kërkojmë të na bashkohet kënga . Jo, bre burra, nuk lidhet kënga e nuk e ndalin dot doganat e vulat e pavëna në pasaporta biometrike e në ca karta identiteti të shkruar në dy gjuhë. Si në një këngë himnizuese ku nuk shkon harmonia pa një kthyes, pa një marrës të fortë pa një hedhës e ..pa një iso burrërore që i qëndron si flamur, që e mbështjell këngën si foshnjën edhe e rrit brenda disa minutash. E rrit atë dhe burrëron edhe më shumë këngëtarët. I hidhet këngës kjo iso si një jorgan që e ngroh, që e gjallon, që e përtërin. Sërish Portat e Bashkimit presin që të hapen. A i kemi përgatitur fëmijët për këtë prag tërë dritë? Të mos ndalemi përpara verbit të shurdhërimit e sëmundjes së syrit që nuk e gjen shpejt shtegun e udhës për ku jemi nisur.
Të besojmë ende te hapja. A nuk duhet të bëhemi në kohën e mundësinë e duhur Homerë të vonuar, që, në vend që t’i këndojmë luftrave të reja epikisht, t’i këndojmë paqes që po ndërtojmë ne e të tjerët? Bashkimi është marrëdhënie, është moralizim i demokracisë. Është aspiratë..
Përtej tokës e përtej gardhit të sinorit ku kemi një shtëpi e një kasollkë (në Jug i thonë edhe kalive), përtej qiellit që na është futur në sy brenda kufinjve të vendit ku lëvrijmë këmbët, duart, makinat, le të mbajmë mbi supe cazë më shumë idealizëm. Dëgjojmë ditëve e netëve me një kureshtje e me padurimin e të pambaruarit të kësaj retorike sidomos të politikanëve tanë që ia hedhin fajin njëri-tjetrit për rrugën tonë ende të drizuar, sikur të tjerët ( ata, kundërshtarët e tyre e politikë, por jo gjuhësorë, zakonorë e gjeografikë) e kanë fajin. Pa pasur guximin që në sy ta shohin të vërtetën e trishtë. Që të ecim më shpejt drejt një bote më të mirë. Jo vetëm të një bote e jete ku sofrës të mos i mungojë përditshmëria e mirëqënies, por edhe të një bashkimi të vlerave, të kulturës dikur të gjymtuar. Duket se fabula e Shkopinjve të (pa)thyeshëm do të na ndjekë pas për shumë kohë duke marrë me vete të gjithë epokën skënderbejane mbi supet e saj. Mos ka ardhur koha që të ngrejmë edhe ne pas 550 vjetësh një FABUL të re, pa patur nevojë që të marrim argatë të tjerë në Lëndinat, shpesh të gjëmbuara të historisë sonë të re.
Ta krijojmë ne, por edhe të na e thonë të tjerët pa patur droje se ata na kanë dhënë në duar një Fluger të prishur që na i tregon shumë gabueshëm drejtimin e erërave që sërish fort po fryjnë në këtë fillim shekulli me “një diell që pak po nxeh” në shumë ditë të jetës sonë. Po aq fort edhe po kërkojmë që t’i ndalim ato në furinë e së keqes.
Kur do të bëhemi të gjithë mirëpritës dhe duarhapës të këtyre Portave e në pragjet e tyre të ndajmë ëmbëlsirën e Festës për miqtë e vjetër e të rinj
Kur? Kur?

Freitag, 15. März 2013

Mihallaq Qilleri: NEVADA

 


N E V A D A

Unë të pashë përmes autostradës Treqind e Pesë,
Ashtu, shkretetirë fantastike si në agimin e formimit të Tokës,
Dhe me ngjau vetja si të isha në sipërfaqen e Hënës,
Pa jetë, pa gjelbërim, pa ujë, pa rrahje zemre,
Mes rrëkeve të shirave te rrallë që thaheshin aty për aty.

Unë të pashë, ashtu. bezhë, me hijet e mëdha të diellit,
Që nga Paqësori Oqean atje tej pas Californias,
Të ndriçonte majat e thepisura të maleve greminathyer,
Tektonikat shkatërruar kishin shtesëzimet e dikurshme,
Dimri nuk kishte kuptimin e stinës,
Por edhe pranvera asnjë kuptim nuk do kishte.

Unë të pashë përmes autostradës Treqind e Pesë
E vetmja arterie blu që i ngjante shpresës së endërrt,
Se ti nuk ke vdekur akoma tëresish si dashuri tokësore,
Dhe unë mund te shpresoj se Kanionet e Mëdha të aventurave,
Do të ringjallin çastin e vdekjes shpirtërore..

Unë të pashë përmes autostradës Treqind e Pesë..
Unë e pashë shpresën të gjarpëronte si aorte e shkretetirës.

-----------------------------------
Marrë nga "Arena" në FB