Sonntag, 31. März 2013

IRENA GJONI NË "MARATONA POETIKE E SARAJEVËS"


POETJA DHE STUDIUESJA DR. IRENA GJONI PERFAQËSON SHQIPËRINË NË MARATONËN POETIKE NË SARAJEVË

Prej datës 20 deri më 22 mars u zhvillua Maratona Poetike e Sarajevës. Kjo Maratonë ishte në kuadrin e festivalit ndërkombëtar disa mujor “Sarajevska zima” (Dimri në Sarajevë) në disa fusha të artit si: kinematografi, pikturë, muzikë, balet etj.. Organizatorët e saj Ibrahim Spahiç, drejtor i festivalit dhe Sabahudin Haxhialiç, poet dhe botues i “DIOGEN pro kultura magazine”, për mbylljen bukur dhe në mënyrë simbolike të kësaj ndërmarrjeje kulturore prestigjioze, kishin zgjedhur “Maratonën poetike”. Finalja poetike ishte në ditënatën 21 mars duke u gdhirë data 22 e cila vinte në ditën botërore të poezisë. Për më tepër, përkonte me ekuinoksin e pranverës e në mënyrë sinjifikative tregonte ditën e fundit të dimrit e ditën e parë të pranverës (festën e Harmonisë) që një stinë mbyllej me poezinë dhe riniste tjetra po me të.
Poetja dhe studiuesja Dr. Irena Gjoni nga Saranda, ishte e vetmja poete që përfaqësonte Shqipërinë mes pjesëmarrësve prej rreth 20 shteteve, ku mund të përmendim: Bosnje –Hercegovina, SH B A, Zvisër, Poloni, Kosovë, Slloveni, Itali, Marok, Rumani, Turqi, Serbi, Austri etj.. Poetja Gjoni vinte pas shumë prezantimeve të tjera në Ballkan dhe Evropë, ku ka fituar çmime të para dhe ku poezia e saj ka spikatur për gjetjet origjinale e frymën e një poezie sa moderne, aq edhe kombëtare. Poezia e saj është bërë pjesë e shumë antologjive të rëndësishme të poezisë shqiptare.
Poeti tjetër shqipfolës në këtë Maratonë poetike, ishte Mexhid Mehmeti, që përfaqësonte shtetin e Kosovës. Edhe pse ende nuk është njohur prej Bosnje – Hercegovinës, njohja përmes artit e poezisë i pararend çdo njohjeje politike dhe është shumë e rëndësishme. Për më tepër ku mbulimi mediatik i këtij aktiviteti ishte prej shumë mediave të rëndësishme të Bosnje – Hercegovinës dhe të shumë prej mediave të vendeve pjesëmarrëse. Kjo Maratonë poetike ishte e njohur prej pothuajse të gjithë shteteve e kryesisht Ministrive të Kulturës të vendeve respektive.
Një prej momenteve më të rëndësishme dhe të veçanta të poetes shqiptarë, pjesëmarrëse në këtë aktivitet prestigjioz letrar në Sarajevë, ishte pritja nga ambasadori i Shqipërisë zoti Flamur Gashi në ambientet e Ambasadës shqiptare më datën 20 mars. Të ndjerë komod në mikpritjen e tij dhe të stafit të ambasadës, ishte ky një vlerësim për kulturën dhe poezinë shqiptare të prezantuar në Sarajevë. Në këtë kuadër, ku siç u shpreh zoti Gashi: “Secili në punën e tij, në profesionin e tij, kur del jashtë Shqipërie, harrohet që është nga Saranda, nga Peja, apo Prishtina. Ata janë përfaqësues të Shqipërisë dhe duhet të prezantojnë vendin e tyre në mënyrën më të mirë dhe dinjitoze. Gjithmonë në shërbim të kombit shqiptar.”
Data 20 mars vijoi më tej me vizita në vende të rëndësishme të objekteve historike e kulturore në Sarajevë dhe për t’u përmbyllur në mbrëmje me shfaqjen e baletit në “Bosanski kulturni centar”.
Maratona poetike kulmoi në ditënatën 21 dhe 22 mars me leximin e poezive të autorëve pjesëmarrës në këtë ditë botërore të poezisë. Poezia shqipe u prezantua në mënyrë dinjitoze nga poetja Irena Gjoni, e cila u paraqit në këtë Maratonë edhe me një libër të sajin “Poetry”, që vinte pas botimit të katër librave të mëparshëm: “Tatuazh në shpirt të detit” poezi 2003, “Marrëdhënie të miteve dhe kulteve të Bregdetit Jonian me ato ndërkufitare” studimor 2008, “Gjysma dashurish” vëllim me fiksione 2010, “Maja malesh e magmë jonike” poezi 2011 . “Poetry” ishte realizuar në shtatë gjuhë: në shqip, në anglisht, frëngjisht, kroatisht, rumanisht, greqisht dhe turqisht. “Ishte kënaqësi – shprehet poetja dhe studiuesja Dr. Irena Gjoni, - të bëje që poezia shqipe të përcillej në këto gjuhë prej miqve poetë pjesëmarrës, që ata vetë të recitonin në gjuhën e tyre poezinë shqipe, duke qenë poezitë që u përcollën në më shumë gjuhë për të pranishmit”. Për vetë interesin e madh që pati poezia e Irena Gjonit, z. Sabahudin Haxhialiç shprehet: “Humnerë e dashurisë. Në kërkim të përgjigjeve, ajo krijon histori. Në kërkim të historisë, ajo krijon mendime. Në kërkim të mendimeve, ajo krijon imazhe. Shpirtin e poezisë ose poezinë e shpirtit. Më konfuzon Irena së bashku me natyrën. Poezia e saj dhe e jona. Kjo ishte dhe arsyeja që poezitë e Irena Gjonit u botuan tek revista kulturore “DIOGEN pro kultura magazine” në një cikël të plotë”. Krahas kësaj reviste, në maratonën poetike u prezantua edhe antologjia e poetëve pjesëmarrës me nga pesë poezi në gjuhën angleze.
Maratona poetike e zhvilluar në Sarajevë, konfirmoi edhe një herë që poezia nuk njeh kufij dhe që aktivitete të kësaj natyre janë mënyra më e mirë për globalizimin kulturor.


 AUTOPORTRET

Ngjitur shtyllave të rrugëve…

- Si në kohët e lashta,
lajmërimet e vdekjeve, - pëshpëris.

(Ej, bukuroshe, kjo erë vjeshte
ta zhbën nocionin kohë?)

Fletës së letrës,
në këmbë i ka ngelur vetëm një gisht.
I mjafton balerinës virtuoze
për vallëzimin e vdekjes
nën ritmin e erës.

Fryma pikëlon çikë e nga një çikë:

Ekspozitë...fotografike,
Modele...- Biondia...e...Detit,
Fo...to...graf...-me...ndjet... ...e... ...
a...dh...u...r...u...e...s...v...e...
...t...ë... ...s...a...j...

Shpirti fluturon
rrathëve të ferrit - rrugicave vjeshtake,
Për t’u bastarduar
Nënkëmbëve të kushedi kujt.
Fotograf - Mendjet e adhuruesve të saj.
E fiksuar fotografive nga mendjet
në çastet më fatlume a fatkeqe
sjellë adhuruesve të saj:

Një dilemë e rrënjosur në përjetësi,
hënë njëzetekatërshe që ha e rilind vetveten,
ëndërrim flakërues qiellit
që turfullon si kalë i harbuar,

melankoli e muzgut,
demon i zbutur e hiç në krijim fytyrash,
prekje e realitetit me shqisat e të verbrit,
një psherëtimë galaktike,
një jehonë e saj në shpellat Ciklopike,

dashuri e mallkuar në mëkate epshi,
perlë princesash e nimfë e pavdekshme,
mallkim i vendosur në altar martese,
mjegull e djegur në hapësirë të plakur,
tradhëti shkretëtire në oaze makthesh,
Një vetull perfekte në ironi të dashurisë,
e vjedhur një fije floku e verdhë
e mbajtur fatsjellës,
një arkivol sysh - guackë perle kënaqësi,
një buzëqeshje vrasëse pa pagesë,

buzë të kopjuara me karbon të kuq buzësh
për t’u risjellë pranë netëve ogurzeza,
një gjoks ngacmues, përtej dekoldeve
dhe bluzave të ngushta,
mantel të kuq gëzofësh - mburojë shigjetash,

një lot i zi,
përzier me helmin e dhimbjes e rimelit,
duar të sikletshme
përherë në mbajtje të shanseve,
engjëll misteresh i dalë prej ferrmendjeve,
një lot shumëngjyrësh i theksuar nga koha,
imazh i rilindur prej hirit që predikon,
tatuazh në shpirt të detit.

Ëndrra të mëdhaja,
pa ditur ditën e lindjes e vdekjes,
mendje në lojëra fantazie,
hipnotizuese për të tjerë...
E gjitha e ndarë
në një labirinth mendjesh,
e ngelur në të njëjtin vend,
e ngelur në të njëjtën moshë,
e gjendur në të njëjtën bukuri Beatriçase...

Ekspozitë e parë me shpirt të rrënuar,
e paçuar gjer në fund,
e trembur nga bukuria e dikurshme,
nga adhuruesit e shumtë gati mitikë,
nga ëndrrat të ëndërruara dikur fatlume.

Me shëmtimin krijuar prej zhgënjimit,
me çmendurinë prapë pinjoll të zhgënjimit,
eci rrugëve duke mbledhur
gjethet e vjeshtës,
me përfytyrime - fotografitë
e mendjeve të adhuruesve,
pa i parë,
vetëm duke iu trembur
bastardimit nga nënkëmbët
e kushedi kujt...

Ende vazhdoj të eci
duke mbledhur gjethet e vjeshtës…


Marrë nga Gazeta NACIONAL

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen