Razi Brahimi
Akuza për gurët e shahut që vërtiten
në skakierë pa kujtesë dhe pa ideal
(Letër përshëndetëse poetit Petraq Risto)
I dashur Petraq,
Do të kisha pasur dëshirë, siç është e natyrshme për një kritik, që mendimet e mia për veprën tënde të gjerë e vërtetë të rëndësishme për letërsinë e sotme shqiptare, t’i lexoje në faqet e ndonjë reviste a të ndonjë gazete. Por shtypi ynë letrar ka kohë që ka vdekur dhe nuk besoj se ka për t’u ringjallur aq shpejt sa ç’uron ti dhe e dëshirojmë të gjithë. Prandaj, po të drejtohem me këtë letër, në të cilën, vetëkuptohet, kanë për të munguar analizat e hollësishme (autorit këto nuk i hyjnë në punë), epitetet (miqësia e sinqertë epitetet nuk i duron), sikurse edhe ndonjë qortim, sepse dihet, është më e lehtë t’u thuash të tjerëve “ai është…”, se sa t’i thuash tjetrit: “ti je”.
Sidoqoftë, besomë, do të të flasë me zemër në dorë dhe me ndjenjën e përgjegjësisë (nuk them me kompetencën) e një njeriu, që e ka studiuar poezinë tonë kombëtare dhe ka ndjekur hap pas hapi zhvillimet e saj gjatë më se 60 vjetëve të shekullit të 20-të.
Ç’do të të thosha?
Në lashtësinë e hershme, një djalë i ri (disa, mbase) merrte për dore aedin plak e të verbër, që njihet me emrin Homer, dhe e shpinte fshat më fshat e qytet më qytet, ku poeti i parë i madh i njerëzimit mahniste dëgjuesit me ato mijëra vargje kushtuar heronjve të Trojës dhe peripecive të Odisesë.
Me mua ngjau ndryshe në këtë dhjetëvjeçar të parë të shekullit XXI. Në moshë të pleqërisë, një poet tanimë i shquar me emrin Petraq Risto, më mori për dore dhe më tha përzemërsisht: “Eja, plakush, kapërce gjerdhet e poezisë që ke njohur e ke studiuar dhe hidh një sy drejt horizontesh të rinj, ku po hedh shtat një poezi e re. Nuk ke për t’u zhgënjyer as me ç’kam sjell unë të freskët e timen, as me besimin se, të ndodhë ç’të ndodhë, poezia nuk ka mort, ose më mirë të themi, se vetëm fundi i njerëzimit ka për të qenë edhe fundi i saj”.
Të ndoqa pas nga libri në libër me gëzimin e atyre që u ngjiten lartësive nga duken hapësira të gjera, një reliev me fusha e male, kodra e rrëpira. Një peizazh mahnitës, që e mbart në vetvete lëndën e kujtesës historike e poetike, por nuk përsërit, nuk ngjason me modele të huajtura, të befason dhe të nxit të shikosh më tej. Është një botë, në të cilën pamjet janë vegimtare: sa të zë syri diçka, kjo ia lë vendin diçkaje tjetër, si në sekuenca filmike: të kujton ç’ke parë dhe, duke u zëvendësuar ajo vetë në vijimësi e në gjerësi me të tjerë vegime, të sajon imazhe dinamike të papërsëritshme të një bote, ku njeriu ndërton jetën dhe i hap varrin vetvetes. Është një botë dritëhijesh, në të cilën sa shkëlqen dielli dhe vezullojnë yjet, ia behin retë e zeza, që të errësojnë shikimin, apo ndodhesh i rrethuar prej grisë së amullisë, të indiferencës e të mërzisë. Është një botë, me të cilën me mjeshtërinë e një koloristi, përzihen ngjyrat dhe pikturohen tablo sa realiste, aq dhe surealiste, pothuajse asnjëherë të ngjashme me përfytyrimet parajsore biblike, apo me qëndisjet idilike të poetëve të çikërrimave intime e të psherëtimave netëve me hënë. Është një botë, në të cilën lënda dhe shpirti janë bërë një dhe duhet vëmendje e posaçme qëmtuesi të dallohet qartas ku mbaron pasqyrimi dhe ku nis reflektimi ndjesor. Ku kemi të bëjmë me njëmendësinë e jetës e të njeriut dhe ku merr shkas e hov mendimi i shqetësuar për fatet e njerëzimit. Ku mbaron uni i gjithkujt dhe i poetit vetë dhe ku nis të kallet në të, të vendoset, të zhvendoset, të mbivendoset, të fosilizohet e të shpërbëhet tharmi gjenotipik, ndërgjegjja apo dhe guaska shoqërore historike përmes të cilave është i detyruar të shfaqet e të vetëpohohet në jetë individi, si në lektisje dashurie, në këngë e në vaj, në punë e në luftë, edhe në fluturimet kozmike e në ambiciet për pushtimin e gjithësisë.
E, pra, në këtë univers poetik, unë të gjeta, ty, i dashur Petraq, minator që rrëmon thellësive për të nxjerrë mineral, sitës që shqit lëndën inerte dhe veçon thërrmijat vezulluese të lëndës poetike, shkrirës e përpunues, që di edhe të paraqes cilësitë e vetë mineralit, edhe të derdh me të figura të një poezie, në mos të përsosur (përsosmëri nuk ka, thua ti), po, pa asnjë diskutim, të frymëzuar dhe tronditëse.
Ç’ndjeva duke të lexuar?
Të të them të drejtën, para së gjithash, befasi. Pastaj – mahnitje.
Që të shpjegohem më lehtësisht, po bëj përsëri një përqasje:
Siç e di, kur vendosa të të shkruaj këtë letër, ka dy javë që, mëngjes e mbrëmje, ndjekim me shqetësim e dhembje përmbytjen që ka ndodhur në Veri-Perëndim të Shqipërisë prej hapjes së portave të shkarkimit të ujit në kaskadat e hidrocentraleve mbi lumin e Drinit, kur me ç’thonë specialistët, me arritjen e niveleve maksimale të prurjeve ujore në liqene, mund të vihen në punë të gjitha turbinat e prodhimit të energjisë elektrike, në qoftë se situatat hidrike menaxhohen me mençuri.
Kështu, mendoj, se ka ndodhur edhe me veprimtarinë tënde krijuese. Diçka kam lexuar prej teje edhe para viteve ’90 të shekullit të kaluar, por – vetëm kaq. Prandaj unë (dhe sikurse unë, besoj, edhe të tjerë) s’mund të mos befasohesha prej prurjes së pasur e cilësore në krijimtarinë tënde poetike dhe në poezinë shqiptare në përgjithësi në kapërcyellin e dy shekujve, gjë që nuk është as rastësi, as mrekulli, në vetëm, siç propagandohet rëndom, fryt i ndryshimeve të klimës shoqërore e politike prej kalimit nga socializmi në një periudhë tranzicioni drejt kapitalizmit.
Poezinë e të gjitha ngjyrimeve e përmban jeta, por vepra poetike, universet poetike, janë krijime të poetëve, të cilët nuk mund të kenë intensitet krijimtarie, të thonë një fjalë të re, të ngjiten majave të larta dhe të zënë pozicione pararojë, në qoftë se më parë nuk kanë akumuluar aq sa, në kohën e përshtatshme, (të gjykuar si e përshtatshme nga vetë ata), të “venë në lëvizje turbinat” e të prodhojnë dritë.
Akumulimet, jo për të bërë teori, po nisur kurdoherë prej krijimeve të përfshira në vëllimet “Lojë shahu në shekullin XXI”, “Engjëlli me virus H5NI”, “Hallelulja!”, “Lexuesi i buzëve: ar+sy+eja”, “Apo – ka – lypsi”, kanë qenë trefarëshe: akumulime jetësorë (vëzhgime, vrojtime, mbresa, përjetime dhe ndjenja e mendime të prejardhura syresh); akumulime kulturore (traditë, përvoja krijuese vendesh e personalitetesh, përthithje, gjykime për to dhe distancime); akumulim i vetvetishëm, i vazhdueshëm dhe i vetëdijshëm ngjyrash dhe mjetesh të shprehjes poetike, përpunuar e pasuruar në punë e sipër përshtat këndvështrimit vetjak – shoqëror (jo shoqëror – vetjak) të botës, të jetës, të njeriut, mënyrës vetjake të përthyerjes poetike të realitetit objektiv e subjektiv e të përzgjedhjes së formës së komunikimit me lexuesin. E quaj meritë të padiskutueshme tënden, që kur e pe se liqeni arriti kuotën optimale dhe rrethanat favorizonin, vure në punë turbinat dhe vërshuan vrullshëm shkëndijimet e një talenti gjer më parë të vetëpërmbajtur, ndoshta dhe ende të papërgatitur plotësisht që të thotë fjalën e vet.
Kur them “u befasova”, nuk më vjen turp të jem autokritik, sepse kritika nga vetë natyra e saj, po edhe për shkaqe subjektive e konformizmi, është konservatore dhe, shpesh, paragjykuese. Konservatore, sepse, sikurse kultura në përgjithësi, edhe kritika, sado e prirë të jetë të zbulojë e të stimulojë risinë, bazë nisje ka arritjet e deridikurshme, qofshin këto edhe të një dekade, apo të një viti më parë. Si vlerësuese, kritika vjen pas krijimtarisë letrare e artistike. Vetëm kur arrin të zbulojë në të sotmen embrione të së ardhmes dhe i shpall këto si prirje që duhet ndjekur, ajo edhe mund të paraprijë. Paragjykuese, sepse kritikët (edhe unë si një prej tyre), duke vlerësuar kontribute shkrimtarësh e artistësh të kohës, prej tyre i presim “veprat e mëdha” dhe novacionet e guximshme.
Por, ja që nuk ngjan kështu. Piktori francez Ezhen Delakrua konstatonte në kohën e vet, se çdo 25 vjet në art ndodhin ndryshime. Kishte të drejtë, edhe pse nuk e kuptonte se në çdo 25 vjet vjen në jetë një brez i ri, i cili kërkon e tenton të bëjë ndryshime jo vetëm në art, po në të gjitha fushat e jetës shoqërore, i papajtueshëm me “forcën inerte” të traditës, me amullinë dhe me tendencat frenuese, apo prapavajtëse. Këto ndryshime bëhen më imperative në art e në letërsi, kur njëherësh me ndërrimin e brezave, ndodhin edhe kthesa, ose përmbysje historike, që i shtrojnë për së pari shumë prej çështjeve që më parë dukeshin të qarta e të mirëtrajtuara.
Më 1990 ne, në Shqipëri, por edhe qytetarët e të gjithë shteteve të Bashkimit Sovjetik e të Europës Lindore, që nuk i kishim mbajtur parasysh akumulimet dhe prurjet e disa brezave, u bëmë shkaktar të një përmbytjeje, që u shkaktojë rrufë, teshtima dhe gjendje gripale shumë prej atyre, të cilët kritika i kishte hipur në piedestal për merita të qena e të paqena, me besimin se do të ishin po këta, që do ta tërhiqnin drejt lartësish të reja qerren e letërsisë, rrotat e së cilës kishin ngecur në baltë.
Po ç’ngjau?
Ndërsa në vitet ’60 erdhën në letërsi e në arte talente që u ngjitën drejt hapësirash e lartësish të papara gjer atëherë, pas vitit 1990 zgalemët e poezisë u shndërruan, si me magji, ose në kafshë ripërtypëse, ose në fabrikues e tregtues të një “neoekzotike” antikomuniste, ose në autorë paskuilash, në të cilën vendin e heronjve e zë heroina – droga e parapëlqyer e kohës, si në kuptimin real, edhe në kuptimin figurativ të fjalës. Kështu, një talent i lindur dhe një mjeshtër i shquar i fjalës shqipe, si Kadareja, ka shkruar shumë gjatë këtyre 20 vjetëve dhe po kaq shumë ka botuar e zhurmuar brenda e jashtë Shqipërisë, por një vepër tjetër me freskinë, vezullimet mahnitëse, përfytyrimet poetike dhe bukurinë e kompozimit e të stilit si “Kronikë në gur”, as e ka shkruar dhe as do të mund ta shkruaj më, jo ngaqë i kanë shterruar mundësitë krijuese, por, para së gjithash, sepse ka harruar që guri rëndon në vendin e vet. Shkrimtar, poet, artist i vërtetë me prirje risore është ai që i përket vendit të vet dhe guxon të përballet me problemet më shqetësuese të kohës së vet si në veçanësi, edhe në rrekjen për ta përfshirë të veçantën tek e përgjithshmja, për ta universalizuar atë me po atë ndjenjë mbarënjerëzore që di të përzgjedhë e të përbashkojë në imazhe poetikë të gjitha thërrmijat e shumë veçanësive të qenies, ekzistencës dhe shfaqjeve njerëzore.
Thënë ndryshe: në kapërcyellin e dy shekujve, kur njerëzimi përjeton tragjizmin e një periudhe ndër më paradoksalet, pa fitimtarë e të mundur të përjetshëm, siç trumbetojnë propagandistë të rëndomtë e vulgarë, nuk ka qenë befasi sjellja në letërsi e ndihmesës së poetit Petraq Risto. Befasi e lumtur ka qenë njohja jonë me të, me këtë “self made men” në përmasa, cilësi, veçori e vlera që nuk ia kishim njohur më parë dhe, pse të mos e themi shkoqur, që mbase i kishim pritur prej dikujt tjetër e jo prej tij.
Kam qenë dhe i përmbahem mendimit se letërsia është dukuri shoqërore dhe shkrimtari – qenie dhe misionar i ndërgjegjshëm shoqëror, pjellë e epokës, në të cilën lind, formohet e krijon. Por me këtë pohim nuk kam mohuar dhe as kam pse mohoj se në çdo rast, shkrimtari dhe artisti, më shumë se çdo mendimtar e çdo veprimtar tjetër shoqëror, është një “self made men”, një personalitet, i cili mbështetur në dhunti natyrore dhe në punë, krijon vetveten dora-dorës me krijimin e veprave që mbajnë nënshkrimin e tij. Prandaj “befasia” e shkaktuar prej vëllimeve poetike “Lojë shahu në shekullin XXI” dhe “Engjëlli me virus H5NI” e kapërceu sakaq skepticizmin e konservatorizmit e të paragjykimeve dhe u shndërrua në mahnitje, në gëzimin që mund të shkaktojë vetëm dashuria me shikimin e parë, vetëm takimi me një poet, që po të përsërisim dy vargje të Dhimitër Shuteriqit “mendjes edhe zemrës nuk u flet me po ato fjalë e me po ato fjali”.
Të përshëndes, i dashur Petraq, për këtë arritje tënden, po dhe për gëzimin dhe shqetësimet që na shkaktojnë vargjet e tua!
Poezia shqiptare në kohën kur panë dritë krijimet e tua të reja, përjetonte ngërçin mbarëkombëtar e mbarëshoqëror të fundshekullit të 20-të dhe nuk do ta teproja po të thosha se ishte stepur e ishte mekur, siç stepen e meken njerëzit prej goditjes së rrufesë dhe prej shpërthimit të shtrëngatës, të cilat vënë përpara gjithçka, sjellin pështjellim e kaos përmasash përpirëse, duke e bërë thuajse të pamundur që të mendohet, pa le më të krijohet. Të vazhdohej si më parë ishte e pamundur, si për shkaqe objektive (trysni e egër realiteti, politike e rrugaçërie), edhe për shkaqe subjektive letrare e jashtëletrare.
Gjatë 45 vjetësh (1945-1990) poetët, - vjershëtarët, më mirë të themi, - po për shkaqe objektive e subjektive, të organizimit të jetës letrare dhe të koncepteve ideoartistikë, të centralizimit shtetëror të botimeve e të kërkesave të kohës të reflektuara në ndërgjegjen e krijuesve, në frymën dhe formën e veprave të tyre, poezia, parë në vija të përgjithshme, kaloi natyrshëm stade zhvillimi cilësor në përmbajtje dhe në formë, siç pati po aq natyrshëm edhe lartësim të nivelit kulturor të lexuesve, një afrim thuajse masiv të rinisë me krijimtarinë poetike, përpunim të shijeve artistike dhe rritje e paravajtje të kërkesave të tyre ndaj letërsisë e arteve në përgjithësi, ndaj poezisë veçanërisht.
Deri në fillim të viteve ’60, në poezinë shqiptare zotëron ndjenja e fitores, entuziazmi i fitimtarëve të LANÇ, fryma mobilizuese dhe sulmuese e masave të hedhura nga lufta në punë për ndërtimin e vendit dhe të një shoqërie bazuar në idealet e solidaritetit e të barazisë. Fillimisht kjo poezi ka qenë vazhdim i traditës së letërsisë realiste revolucionare të viteve ’30 dhe i prirjeve të asaj kohe për të thyer kornizat e tradicionalizmit, për t’iu bashkuar rrjedhave të poezisë bashkëkohore, për një qëndrim të ri edhe ndaj formës, mjeteve shprehës, gjuhës etj.
Por, sidomos pas Konferencës III të Lidhjes së Shkrimtarëve (1949), poetët, ca nën ndikim teorizimesh të ngurta mbi karakterin kombëtar e popullor, ca të ngatërruar vetë e në mes tyre, në emër të “përmbajtjes së shëndoshë ideologjike”, ranë faktikisht në formalizëm, duke u shndërruar në qëndisës vargjesh shtatanikë, që edhe kur të kënaqnin veshin me tingëllimin e tyre, harroheshin që të nesërmen e botimit. Po kështu, në emër të karakterit kombëtar e popullor u kalua në provincializëm, në tradicionalizëm, në folklorizëm dhe, disa herë, edhe në përgjunjie para mendësish zakonore të perënduara.
Në vitet ’60, që në fillim të atij dhjetëvjeçari, u rivlerësua dhe u rimor tradita letrare e viteve ’30, sigurisht e pasuruar dhe e përpunuar në sens pozitiv, përshtat niveleve të reja të zhvillimit shoqëror e kulturor të shkrimtarëve, të kritikës e të lexuesve. Arritjet qenë mbresëlënëse: u profilizuan individualitete të shquara poetësh, u shkruan vepra të rëndësishme, nisi një periudhë përtëritjeje dhe rendjeje përpara, sinkronizuar e sintonuar me gjallërimin e mbarë jetës së vendit, me zhvillimin ekonomik, me përparimet në lëmin e arsimit e të kulturës, me pjesëmarrjen më vepruese e më të vetëdijshme të masave popullore në jetën e vendit. Poetët, erdhi koha edhe në Shqipëri, të ndihen të dashur e të nderuar nga një masë e gjerë lexuesish të arsimuar dhe me kulturë e shije letrare e artistike të gjëra e të përpunuara. Pikërisht në këtë dhjetëvjeçar mund të them, se poezia shqiptare hyri denjësisht në rrjedhat e poezisë bashkëkohore, duke ruajtur veçanësi kryesisht në përmbajtje, po edhe në ngjyrime e në gjuhën poetike.
Ndryshe prej poezisë së periudhës së mëparshme, poezia e viteve ’60 tentoi të rrokte tema të mëdha të kohës, të hedhë shikimin në largësi e në lartësi më të mëdha, të ngërthejë në vetvete dinamikën e jetës, kontradikta e kontraste, të forcojë tendenciozitetin jashtë shablonesh e standardesh të diktuara, të zgjojë mendimin e lexuesve dhe t’u bëjë thirrje për qëndrime sa më aktive në jetë.
Nga fundi i viteve ’70 dhe fillimi i viteve ’80, një brez i ri poetësh, krijimtaria e të cilëve u ndërpre prej kthesës së vitit 1990, po hynte në letërsi me një fizionomi të vetën, pa bujën e paraardhësve të viteve ’60, po me një kredo të re jo vetëm letrare. Kryesisht në vjersha të shkurtra, në vargje të një rregullsie pothuajse klasike, zhveshur prej panegjerizmit të viteve ’50 dhe kombativitetit të viteve ’60, këta poetë synuan dimensionin e thellësisë, të depërtimit në shpirtin e bashkëkohësit për të kuptuar e përsiatur lidhur me raportet e individit me shoqërinë, të realitetit me idealet, për të hedhur dritë në çështje ekzistenciale si: kush jemi, nga vijmë, ku shkojmë, pa pretenduar se dinë gjithçka, pa synuar të jenë “flamurtarë” e “tribunarë”, pa thirrje patetike, e gjithë krijimtaria e tyre, thënë figurshëm, i ngjante një pyetjeje retorike, prapa së cilës fshihej kërkesa për ndryshim, ndihej domosdoshmëria për ndryshime.
Nuk besoj të të kem mërzitur me këtë parantezë, që gjithsesi është e mangët, sepse është e pamundur të përfshihet në karakterizime të përgjithshme gjithë larmia e arritjeve dhe e prirjeve të letërsisë, qoftë dhe në periudha relativisht të shkurtra. Por, nëse e quajta të arsyeshme ta bëj këtë gjë, kjo ndodhi ngaqë, duke u përballur me vëllimet e tua poetike, më tepër se vazhdimësia, më la mbresë shkëputja e guximshme, jo si mohim, po si një nevojë e brendshme që më duket se ke ndier në fillim të viteve ’90, si një akumulim, i cili nuk mund të përmbahej më, si ndërgjegjësim se kishte ardhur koha e qenë krijuar rrethanat, jo për një syth, po për një kapërcyell të ri në historinë e poezisë sonë kombëtare, për një zë të ri sa të ingranuar, aq dhe të veçantë në rrjedhat e poezisë bashkëkohore.
Ndërsa autorë të tjerë heshtën, u konformuan fët e fët me rrethanat e reja, duke mohuar pjesërisht ose tërësisht vetveten, vazhduan me mefshtësi ekzistenciale të lërojnë cektas, duke u vërtitur në një rreth të kufizuar motivesh të vjetra veshur me kostume moderniste të blera në dyqane sendesh të dalë mode, anatemojnë, tendenciojnë si antikomunistë kundër komunistëve tendenciozë, vajtojnë ose hiqen si engjëj, edhe pse janë mbartës të virusit H5NI, shkurt në këtë peizazh pa relieve, në të cilin sundon grija e mungesës së mendimit të gjallë, e ndjenjave të fuqishme dhe e shqetësimeve të mëdha të epokës, pra, në këtë atmosferë dhe në këtë hapësirë të poezisë në krizë motivimi e vlerash, ti e ndjeve veten të përgatitur dhe more guximin e nismëtarit të një përtëritjeje, duke lënë të kuptohet, se poetë të vërtetë nuk janë ata që hiqen zvarrë, po ata që, të zhytur në oqeanin e epokës, nxjerrin në sipërfaqe ç’fshihet thellësive e shtjellave të historisë, të përditshmërisë e të shpirtit njerëzor dhe u japin në dorë lexuesve vepra që mbajnë vulën e kësaj epoke ngërthyer në antagonizma, kontradikta e dilema tragjike. Ti nuk pozon, nuk rreh të profetizosh, madje as të le përshtypjen se u vë vulën disa të vërtetave të amshuara, si ato që përmbahen në shkrime e ligjërata apologjetësh e propagandistësh të epokës moderne a postmoderne të globalizmit. Duke lexuar vjershat e poemat e tua e duke menduar për ty, m’u kujtuan vargjet e Majakovskit: Mendoj/se ai,/ që ka të qartë çdo gjë në botë,/nuk ka fare mend në kokë.
Ajo që zbulove ti në perëndim të shekullit të 20-të dhe që kam gjetur e kam çmuar unë të mishëruar në poezinë tënde, si themel të themeleve të risisë e të të gjitha vlerave, ka qenë jo aq një mënyrë e re të shkruari, as ndonjë teknikë e re vargëzimi, po një këndvështrim i ri i jetës në përthyerjet e saj poetike, një botëvështrim vetjak e njëherësh thellësisht njerëzor, shoqëror e kombëtar i dukurive dhe proceseve të epokës, a më mirë të them, i udhëkryqeve që e karakterizojnë këtë epokë, në të cilën, siç kam vërejtur dhe herë tjetër, njerëzimit të shokuar prej dilemash mijëra herë më tronditëse se dilemat hamletiane, i duhet të zgjedhë: “të rrojë apo të mos rrojë”, të vazhdojë ta bëjë historinë me koka të prera, me armiqësi e luftëra, me dhunime e përdhunime të natyrës e të vetë qenies njerëzore të tjetërsuar e të përçudnuar, apo t’u japë fund perversiteteve e krimeve të marrëzishme në emër të një të ardhmeje, në të cilën kushdo të gëzojë jetën e vet, pa ua mohuar, penguar e kufizuar këtë të drejtë gjithë të tjerëve.
Në vargjet e vjershave e të poemave je konkretisht ti, njëri prej gjashtë miliardë njerëzish, që çajnë oqeanin e jetës në të njëjtën anije, që rrahin të qëmtojnë prej të tjerëve thërrmia të vërtetash që pluskojnë shpërndarë në të katër anët e Dheut, në miliarda jetë njerëzore. Është njeriu që i do dhe mundohet t’i kuptojë të tjerët, përjetimet, marramendjet, aspiratat, gënjimet e zhgënjimet e tyre dhe t’ua shtrojë në tryezë në formën e një ndërgjegjeje poetike, të një pikëpyetjeje shoqëruar nga pikëçuditëse. Je bashkëkohësi i miliarda njerëzve, të cilët më tepër se në arkiva e në biblioteka, ruajnë në kujtesën e tyre, si pjesë të qenies së vet, ëndrra e zhgjëndrra të mahnitshme, kobe e tmerre, kanosje që u rrinë mbi koka si shpatë Damokleu, mendime të ndritura dhe çmenduri sundimtarësh të botës, obskurantësh e fantazistësh, luftëra shtetesh e sistemesh – të gjitha derdhur e ngjeshur në qenie konkrete njerëzish brenda kufijve të ngushtë të ekzistencës së tyre, në vetvete tragjike, që bëhet edhe më tragjike prej rrethanash historike, domethënë njerëzore. Je shqiptari, pjesëtar e përfaqësues i një kombi të vogël që u ka bërë ballë rrebesheve të historisë dhe ka mbijetuar, një prej atyre që nga majat e maleve, sikurse nga lartësitë historike, hedh sytë në botën e madhe, jo për ta pushtuar, po për ta përqafuar e për t’u integruar në të, me dëshirën që ta thotë edhe ai fjalën e vet, me shpresën se ka për të ardhur një ditë që edhe fjala e “të vegjëlve” të dëgjohet, edhe jeta, liria dhe dinjiteti i tyre të respektohen.
Kemi qenë mësuar të pandehim, se nuk sheh syri, po sheh mendja, kur, ja, vjen ti dhe na tregon, se sytë janë dritaret nga bota depërton në qenien tonë, prandaj duhet ta “çlirojmë” shikimin prej perdeve të paramendimeve e të paragjykimeve, ta shikojmë botën ashtu siç është, ta përthyejmë në vetëdijen tonë sa më kthjellët dhe, vetëm mbi këtë bazë, të sajojmë imazhe hipotetike të saj, qoftë me anë arsyetimesh, qoftë me anë figurash poetike.
Si njeri, që ka lindur e është formuar në socializëm, që ka përjetuar kthesën historike drejt kapitalizmit dhe ka mundur të njohë drejtpërdrejtë vende të zhvilluara industriale të botës së sotme, ideologji e doktrina politike të ndryshme e të kundërta, kultura të ndryshme, rryma të ndryshme arti, poetë të profileve nga më klasiket, deri te më ekstravagantët, nacionalizmin e ngushtë izolacionist dhe kozmopolitizmin prej molusqesh, ti pate aftësinë t’i fokusojë të gjitha këto në një ngjizje poetike origjinale të vërtetash dhe figurash, të cilat, të marra së bashku, në përfytyrimin tim, përbëjnë një metaforë të madhe reflektuar në copëza pasqyre me forma e ngjyrime të larmishme, ku ndihet e njëjta ndërgjegje dhe e njëjta dorë mjeshtri. Këtu, në formësim mbresash, përjetimesh, ndjenjash e mendimesh, nis poezia dhe cilësitë e meritat e njeriut shndërrohen në cilësi e merita artisti, në vlera artistike.
Për mua poeti Petraq Risto, që të shprehem në vetën e tretë, është, mbi të gjitha, një ndër reflektuesit më të sinqertë e më të gjaktë të tragjizmit të epokës sonë hemafrodite, e cila, dehur në delire euforie, bën sikur harron nga vjen e kush është, pa ditur ku shkon dhe pa e vrarë mendjen që, duke u droguar, po shkruan, po ve në skenë dhe po interpreton tragjedinë më të kobshme.
Sigurisht pasqyrimi i tragjizmit të epokës sonë në letërsi nuk është dukuri e re, as meritë e ndonjë shkrimtari të vetëm. Tragjikja është bërë dukuri e përbotshme dhe, e pohojnë ose jo, të gjithë njerëzit janë ndërgjegjësuar për këtë gjë. Nuk bëhet fjalë më për “fatin tragjik” të forcave përparimdashëse të ngritura para kohe kundër rendeve, mendësive e zakoneve sunduese, të cilave po u perëndon ylli, siç e gjejmë të pasqyruar te tragjedianët e lashtësisë, apo te Shekspiri, as për “pikëllimin botëror” të romantikëve, apo pesimizmin vanitoz të dekadentëve, por për një akt ndër më tragjikët e historisë së gjithë njerëzimit, që ka skenë të gjithë Botën, autorë dhe aktorë – të gjithë njerëzit. Ky tragjizëm global, pa rënë në pozitat e atyre që spostojnë vëmendjen nga shkaqet historike e nga shkaktarët e vërtetë dhe fajësojnë papërgjegjshmërinë e çmendurinë e njeriut në përgjithësi, vështirë të shfajësojë kënd prej fajeve e përgjegjësive, zor se mund të përjashtojë kënd prej pasojave. Në tabelën e shahut, që t’i referohem njërës prej poemave të tua, gurët e bardhë të njeridashjes e të optimizmit, që ose janë historike ose, përndryshe, mbeten fiksione imagjinare, janë përballë gurëve të zinj, që paralajmërojnë konflikte tragjikë, në të cilat palët përzihen në fushë me etje gllabëruese, pa menduar se kushdo qoftë “fitimtari”, pas ndeshjes, fusha ka për të mbetur e shkretë. Thelbi tragjik i epokës sonë, nëse tragjizmin e shikojmë jo si një nocion abstrakt, po si diçka që ka hyrë e përmbahet në çdo jetë njeriu të veçantë, qëndron pikërisht në faktin se njerëzit vazhdojnë të mbeten gurë shahu, jo më në dorën e forcave të verbra të natyrës, apo të perëndive imagjinare, po në dorën e “forcave të verbra” të një sistemi, në themelet e të cilit është vënë etja për superfitime me çdo çmim dhe mendimi çnjerëzor i mbretit, që thoshte me cinizmin e një sadisti: “Pas meje, le të përmbyset Bota!”.
Në këtë kontekst u jap rëndësi të posaçme vargjeve: Ndjej dhembje./ Jam guri që goditi trupin e profetit. Nuk ka alibi që të na shpëtojë prej këtij faji, që të fshehë këtë krim. Brenda ose jashtë sistemit, pro ose kundër këtij sistemi, veprues ose mosveprues, secili prej nesh, i ndërgjegjshëm ose jo, jemi gurë që kemi goditur dhe vazhdojmë të godasim “trupin e profetit”, gjithçka që përfaqëson jetën dhe të ardhmen tonë, historinë dhe ardhmërinë e njerëzimit. Jemi guri. Po, cila është dora? Pse të jemi gur dhe jo dorë? Pse njeriu ndihet aq pa dinjitet dhe aq i pafuqishëm sa të bëhet gur në dorën që “godet trupin e profetit”? Vetëm në dy fjalë (“Ndiej dhembje”) më duket se ti ke dhënë esencën e gjendjes tragjike të njeriut të epokës sonë: pranimin e fajit për të bërat e të pabërat e veta, nga njëra anë, dhe dhembjen që shkakton ndjenja e pafuqisë për t’u dalë përpara katastrofave dhe e shtrëngesave ekzistenciale, të cilat e detyrojnë të veprojnë përkundër çdo logjike e çdo aspirate të vërtetë njerëzore, nga ana tjetër.
Në poemat dhe vjershat e tua, si asnjëherë më parë në poezinë shqiptare, (rrallë dhe në poezinë botërore), njeriu – gur shahu, jo në duar të fatit e të perëndive, po të 0,1% të llojit të vet, pa ditur si do t’i vejë filli lojës dhe atij vetë, kundrohet si bërthama e tragjedisë botërore, si ai top bore, që edhe prej një krisme të vetme, rrokulliset (vdes urie, mbaron prej sëmundjesh, vritet dhe vret, vetëvritet, degradon shpirtërisht e moralisht), merr me vete një masë gjithnjë më të madhe bore, gjersa shndërrohet në ortek, që duke shkatërruar gjithçka gjen përpara, bie në humnerë, shkatërrohet e thërrmohet edhe vetë. Përndryshe, po te kjo “bërthamë” imcake, si në një pikë vese a në një pikë loti, përthyhen të gjitha përflakjet globale, rrezatojnë të gjithë Çernobilët e Hiroshimat, shkaktojnë drithma të gjitha luftërat, tsunamet, tornadot, përmbytjet, ndihet njelmësia dhe hidhësia e deteve të mjerimit dhe e të gjithë barishteve helmuese, që vetë njeriu ka kultivuar (realisht e figurativisht) për të keqen e vet, në dobi pikërisht të atij 0,1 përqindëshi që, për ironi, sundon botën dhe bën tregti me jetën e vdekjen e miliardave, me vetë ekzistencën e jetës në Tokë, ku jemi paracaktuar të rrojmë tok.
E njëjta gjë ndodh me kombet, në mes të cilëve, duke kapërcyer qoftë edhe figurativisht, (poezia këtu ka epërsi paraprijëse ndaj shkencës, filozofisë, politikës), gjerdhet reale e artificiale të veçanësive në formimin shpirtëror, në histori e në kulturë, por edhe të sistemeve shoqërore – shkaktarë konfliktesh e zgjidhjesh tragjike, ti, me të drejtë, nuk gjen “fajtorë të pafajshëm”, viktima të pa inkriminuara, alibi prapa të cilave të mund të fshihet “krimi” i veprimit ose mosveprimit. Ti, në një këndvështrim vetjak poetik, e ke lirinë në gjak e në bebëzën e syrit, por nuk thur ode për të, nuk nënvleftëson e nuk mbivlerëson asgjë të arritur gjatë shtegtimit drejt lirisë, je vetë shpirtërisht i lirë dhe grish lexuesit të priren përjetësisht drejt lirisë, pa harruar, se në kohën tonë “liria” vjen erë muti dhe nuk mund të arrihet e të gëzohet prej atyre, që duke mbuluar kokën me jorgan ëndërrojnë për këtë “liri”. Ti nxjerr energji prej thellësive të historisë, ndez zjarre frymëzues prej përjetimesh e iluzionesh të kohës, flladit e përkëdhel hera-herës, hedh sytë tej horizontesh të rinj, kurdoherë me ndjesinë e njërit prej njerëzve vizionarë, që kurrsesi nuk hiqen profetë, kurrë nuk mendojnë se poezia dhe poetët do të shpëtojnë botën, por edhe që ndiejnë mbi shpinë peshën e halleve që na bëjnë palmuç, brengën njerëzore, kombëtare e të çdo të përkohshme të kësaj Toke, përgjegjësinë e çdo njeriu të vetëdijshëm për të sotmen e të ardhmen e njerëzimit. Je poet i kohës, prandaj poezia jote përmban tharmin e të ardhmes, të prirjes drejt saj në jetë e në letërsi.
Poezia jote është e mbrujtur me lëndën e nxjerrë prej dukurish, mendimesh e ndjenjash të kohës, për të shkuarën dhe ardhmërinë, për bukurinë dhe ashpërsinë e jetës, në të cilën, si në një shtjellë vigane vijnë rrotull, përplasen, veçohen e bashkohen gaz e helme, dashuri dhe urrejtje, forcë e dobësi, vullnet e plogështi, lektisje të dashuruarish dhe rënkimet e atyre që vriten në luftëra apo vdesin urie e sëmundjesh, klithma të vdekurish, që ti i ngre nga varri për të dëshmuar dhe lebeti të gjallësh të privuar prej të drejtës për të gëzuar jetën. Shpërndahen prej vargjeve të tua ngjyra, vezullime dritash, tinguj herë gazmorë, herë funebër, aromë bari, lulesh, buzësh e trupi, vegime lumturie, por edhe këto me zanafillë në të njëjtën shtjellë, si pjesë të mozaikut gjigand me sfond të përgjithshëm tragjik.
Kam lexuar të gjitha vlerësimet e merituara që u janë bërë vëllimeve të tua poetikë dhe, siç mund ta vesh re, ndaj me admiruesit e tu të njëjtat konsiderata. Veçse më duket se ka vend për të çuar më tej e për të kthjelluar më tepër mendimin për zanafillën e prirjes tënde poetike (a thua është vërtet Artur Remboja “cytësi” i parë dhe më i rëndësishmi?) dhe për karakterin modern apo dhe postmodern të kësaj prirjeje.
Bukur është thënë: meritë e madhe jotja, gjithnjë brenda arsyetimeve për këndvështrimin që ke zgjedhur, është universalizimi i shqiptares dhe shqiptarizimi i universales, gjë nuk e hasim në asnjërin prej poetëve tanë të mëparshëm, po as në shkrimtarë bashkëkohës, qofshin këta dhe të përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës.
Nuk i trembem të qenit kategorik kur bëj këtë pohim, as mendoj se kanë munguar përpjekje dhe vepra, të cilat kanë tentuar të kapërcejnë provincializmin, pa rënë në kozmopolitizëm dhe në atë farë ekzotizmi jashtëqitësish që rrahin të bëjnë emër e të nxjerrin fitime, duke “çuditur” botën me “hynere e mynxyra” shqiptare, të qena e të paqena. Kam bindjen se një poet si ti, në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të 20-të, nuk ka lindur rastësisht e nën efekt ndikimesh të jashtme, të traditës apo të kohës, letrare apo jashtëletrare. Nga filiz i njomë, ti u bëre lis, sepse i kishe rrënjët në truallin amtar, nga more gjallëri e bëre hije, nga thithe energji që “të sulmoje qiellin”, gjë që nuk mund të pritej prej atyre, që veshur me rrobat e të vdekurve të Europës, hiqeshin modernë dhe u bëjnë iso trilluesve të legjendës së neveritshme mbi “shqiptarët me bisht”. Në poezinë tënde tragjedia shqiptare e viteve 1991-1992 dhe 1997-1998, sado e paspecifikuar në kohë, është pjesë dhe shfaqje e tragjizmit të epokës, siç është tragjedia që po përjeton aktualisht njerëzimi, po aq shqiptare, sa edhe europiane, amerikane, aziatike apo afrikane.
Dinjiteti kombëtar dhe ndjenja universale e humanizmit, shkrihen në vargjet e tua si dëshmi artistike e unitetit dhe e kundërtive në kapërcim e sipër në mes të internacionalizmit e atdhedashurisë, në mes veçorive kombëtare dhe ndërkombëtarizimit si proces historik objektiv, në mes prirjeve integruese, të cilat nuk mund të jenë të njëkahshme, dhe kontributeve që i sjell çdo komb njerëzimit e kulturës botërore.
Në malet e Shqipërisë, apo në avenytë e Amerikës, në kullat shqiptare, apo magjepsur prej Kullës Ejfel të Parisit, në luftë, në punë e në aspirata, i vrarë në beteja, apo i shndërruar në bar e lule përmbi varre, në lektisje dashurie, apo në klithma tragjike, në gjithçka shqiptari i poezisë tënde, domethënë ti vetë si shqiptar, jo vetëm nuk shfaq shenja të ndonjë ndjenje inferioriteti ndaj të tjerëve, siç e gjejmë tek ata që i kanë në majë të gjuhës shprehjet: “ah, ne shqiptarët e prapambetur”, “ah, ne, ballkanasit e egjër”, “ah, ne të përmbyturit në orientalizëm”, por, përkundrazi, fton çiltërsisht këdo e kudo në një lojë shahu, që uron të mos përfundojë me gjak.
Frushkullon në vargje epërsia morale e njeriut – shqiptar, e shqiptarit – njeri, neveria ndaj detit të pshurrur prej civilizimit, brenga e të papërfillurit dhe e atij që nga pafuqia e detyrojnë të hiqet zvarrë, dhembja therëse kur shikon atdheun të shtrirë “kufomë” në shtratin e Europës, ku duam të integrohemi, zemërimi që shqiptarit i është ftohur shpirti i revoltës dhe në vesh i kanë vënë dyllë, që të mos dëgjojë kujën e nënave, klithmat e foshnjave, krismat e armëve, tamburet dhe trumbetat e mashtruesve. Prandaj poezia jote, siç ka nisur të dëgjohet e të çmohet në disa vende, mendoj, se do të mirëpritej kudo, jo si një lule vendesh ekzotike, po si një produkt dhe si një vlerë e poezisë në vetvete, si vepër e një autori, që duke qenë thellësisht kombëtar e njerëzor, është në gjithçka vetvetja.
Ja pse, megjithëse e kam njohur kaherë Artur Rembon, kam lexuar për jetën e tij dhe kam folur për të para viteve ’90, megjithëse edhe ndonjë përqasje nuk e përjashtoj, them se nuk ka qenë Remboja as pikënisja, as “modeli” i poezisë tënde, në të cilën, në se do të merresha me përqasje, nuk do të qe e vështirë të sillja ndër mend jo pak poetë të shquar të kohëve të shkuara, jo pak reflekse të traditës poetike popullore, sidomos ato ngjyrime të veçanta, të cilat burojnë e marrin jetë vetiu në truallin historik e kulturor të popullit tonë, i cili, sa ç’është i begatë në traditë, po aq ruan e do të ruaj energji përtëritëse, tharm risor dhe mundësi shfaqjesh ndër më vetjaket.
Mua më duket se termat: modern, postmodern, neopostmodern etj. janë konvencionale dhe mund të kenë kuptim vetëm në kontekste të përcaktuar kohore. Moderniteti (bashkëkohësia) nuk është, siç lihet të kuptohet ndonjëherë, veçori e shekullit të ‘20-të, e arteve dhe e letërsisë së këtij shekulli. Moderniteti është karakteristikë e çdo epoke, e arteve dhe e letërsisë së çdo shekulli, madje, edhe e kohëve kur shkruhej në pllaka argjile, në lëkurë e në papiruse. Kjo prirje e përjetshme modernizimi, domethënë për pasqyrim në përmbajtje e në formë të problematikës, të shijeve e të idealeve të një kohe të caktuar, është elementi dinamik perspektiv i historisë së arteve e të letërsisë, sepse vjen një kohë, siç lexojmë në një prej vjershave të tua, që “fjala plaket” dhe në “arkivol fjalësh” futet, duke u ruajtur si relikte dhe duke u përdorur si humus për lulëzime të reja. Në se termat: modern, postmodern, modernist i përdorim si elementë të një gjuhe të sofistikuar të teorisë e të kritikës, atëherë, mua më duket, se patjetër do të na duhej t’i përfshinim në kontekste të përcaktuara kohore, konceptuale dhe të veçanësisë artistike. Përndryshe, këto terma, ose nuk thonë gjë, ose përdoren si “mjet komod” për të fshehur pamundësinë (paaftësinë, disa herë) e analizave, përcaktimeve e vlerësimeve të sakta të dukurive e të veprave të veçanta. Ose, së fundi, janë një ngatërrim herë i qëllimshëm, herë jo aq i vetëdijshëm i modernes, në kuptimin e vërtetë të fjalës, me shfaqje kapriçioze të modës, me çdo ekstravagancë.
Nuk po të bëj teori as në këtë rast. Ajo që dua të them është, se poezia jote ka freskinë e një krijimtarie të dhjetëvjeçarit të parë të shekullit XXI dhe tek ti (e tek të tjerë, ndoshta) ka për ta ruajtur këtë freski për një kohë relativisht të gjatë. Për aq kohë sa njerëzimi t’i shpëtoi ngërçit që e ka mbërthyer, për aq kohë sa do të mbeten në rend të ditës problemet e unitetit e të kontradiktave në mes prirjeve integruese dhe qëndresës së veçanësive kombëtare, për aq kohë sa poeti do të jetë plagë përballë gënjeshtrës e mashtrimit të ngritur në sistem.
Kjo poezi është e kohës, kur, si në një paradoksi, hapësirat janë zgjeruar dhe Bota është “zvogëluar”, shpejtësia dhe dendësia e informacionit po tentojnë të konkurrojnë me shpejtësinë e mendimit dhe t’u afrohen kufijve të imagjinatës, kur njeriu – prodhues e përdorues teknikash e teknologjish të sofistikuara, po shndërrohet në skllav e viktimë e sajimeve të veta. Kur globi mund të përshkohet brenda 24 orësh, kur Hëna dhe planetët e Sistemit Diellor, e kanë humbur magjinë e shkëlqimeve të dikurshme poetike dhe janë kthyer në objekte gjurmimesh shkencore, kur ka që pandehin se tanimë mund të depërtojnë në çdo mister të universit dhe vetë mendimi njerëzor po bëhet dora dorës “kozmik”.
Në këtë kahje që ka marrë zhvillimi dhe në raportet që janë krijuar në mes përparimeve shkencorë, teknikë e teknologjikë, si për shkak njëanshmërish diktuar prej etjes për superfitime, preokupimit për përsosjen e armatimeve dhe fuqisë shkatërruese të tyre, strategjisë së 0,1% dhe ujdive brenda tij, Toka sa vjen e shkretohet dhe njerëzimi, pasi gjymton e përdhunon përbindshëm natyrën, siç ndodhte të gjymtohej e të përdhunohej nëna prej të birit në epoka parahistorike, po shkon drejt vetasgjësimit, ndonëse ëndërrohet që prej 0,1-shit dikush t’i shpëtojë kataklizmës, t’i qepet ndonjë anieje kozmike e të mbijetojë në Mars a në ndonjë planet tjetër, ku patjetër do t’ia nisë nga e para çmendurisë kriminale prej sundimtari të universit.
Në këto rrethana, shkaqet e pasojat e të cilave janë brumi me të cilin ti ke gatuar poezinë, poezia, të cilës i është hequr aureola prej shndërrimit në mall tregu dhe i është tejkufizuar përhapja prej mjetesh të tjerë të komunikimit, që e kthejnë njeriun në konsumator masiv kontributesh intelektuale e surrogatosh të kulturës shpirtërore, sikurse në veprën tënde, po jep shenja të një ngulmimi titanik vetëmbrojtës, vetëpohues, duke rrahur të japë prova si për domosdoshmërinë e saj (jeta e ka poezinë në vetvete), edhe për mundësitë potenciale që t’u përgjigjet sfidave të kohës me natyrën, mënyrat dhe mjetet shprehës të saj, në një kombinim organik të këndvështrimit, të mënyrës së pasqyrimit dhe të teknikave e të mjeteve të shprehjes poetike.
Kur flasim për përmbajtjen nga pozita realiste, ne kemi parasysh dhe përpiqemi të marrim vesh, sa është i pushtuar poeti a shkrimtari në përgjithësi nga e vërteta, që ekziston jashtë e pavarësisht prej tij (përmbajtja reale) dhe sa qëndrimet ideoemocionale të tij përkojnë me prirjet bashkëkohore e të pritshme të zhvillimeve në një ndërthurje të anëve objektive e subjektive, vetiake e shoqërore (brendia ideore). Dhe, po të pranojmë se të dyja këto anë të përmbajtjes, në fund të fundit, janë të dhëna, atëherë vetëkuptohet, që meritat dhe vlerat e një autori do t’i kërkojmë e kemi për t’i gjetur kryesisht në zgjedhjen dhe përpunimin e formës, me anën e së cilës mbartet e përcillet përmbajtja.
Nga sa kam mundur të konstatoj prej leximit të letërsisë bashkëkohore (besoj të mos jem gabuar) sot përdoret gjerësisht si në poezi, edhe në prozë mënyra metaforike e pasqyrimit artistik, që në poezi shoqërohet e plotësohet edhe me asociacione metaforike si mjete stilistike. Edhe poezia jote është fund e krye metaforike, qoftë si mënyrë pasqyrimi, qoftë me pasurinë e asociacioneve metaforike, që e bëjnë atë edhe më interesante e më origjinale. Në se këtë zgjedhje dhe këtë sendërtim artistik e quaj meritë dhe jo thjesht një parapëlqim, këtë e bëj, sepse kam përshtypjen, që marrëdhëniet njerëzore në kohën tonë janë zgjeruar e ndërlikuar aq shumë, sa e kanë zhvleftësuar, pa e përjashtuar, mënyrën sinekdotike të pasqyrimit, domethënë të pasqyrimeve të të përgjithshmes përmes të veçantës, të tipit përmes karaktereve etj. Po kështu, sado e bukur dhe me vlerë në disa raste e drejtime, edhe mënyra e pasqyrimit poetik të mbresave, përjetimeve, ndjenjave e ideve në format “adekuate” (quasi adekuate), po ndeshet gjithnjë më rrallë dhe gjithnjë më shpesh po përdoret prej poetësh, që u qëndrojnë besnikë traditave, u kushtohen motiveve intime, apo shkruajnë tekste këngësh e baladash.
E ke thënë fort bukur ti vetë, kur shkruan:
“Poetit i lejohet të luajë, madje t’i përdorë metaforat si armë, por jo si një artilieri që godet papushim në një shkretëtirë, ku nuk ka asnjë të plagosur nga dhembja dhe dashuria…
I bindur nga urdhrat e rastësive, duke qenë mbret i çastit, por edhe okult i të ardhmes, poeti shpesh arrin të kap thelbin, qoftë edhe kur ky vërtitet në ajër si shenjë, si klimë revolte, si zhgënjim apo frikë kolektive. I ndodhur mes impulseve të dy sistemeve, poeti kupton të vërtetat lakuriqe, kupton se pulsi i tij ka rrahje tjetër, përpiqet të bashkojë me naivitet ritmet e dy sistemeve, apo të krijojë një sistem të tretë apo të katërt, ta krijojë vetëm në mënyrë paqësore, pa luftë, pa gjak të kuq, po vetëm me gjakun blu, apo të blertë, apo të bardhë të metaforave”.
E citova këtë paragraf nga parathënia e vëllimit “Hallelulja”, sepse në të, ndryshe prej deklarimesh doktrinare e teorike të “manifesteve poetikë”, që mbeten formulime të ngurta, të pajeta, gjeta përgjithësim përvoje krijuese, ndërgjegje qytetari e poeti, që formën dhe mjetet e shprehjes artistike i shikon dhe i përdor si armë që “shkaktojnë plagë dhembjeje e dashurie”, jo si zbukurime të jashtme e stoli, po si mjete që i japin mundësi të përfshijë në njësi poetike hapësira të gjëra dhe marrëdhënie të ndërlikuara reale e virtuale, pikën e lotit dhe galaktikat, psherëtimën e dashurisë dhe lebetinë e njerëzimit mbarë, jehonat e shekujve dhe cicërimat e zogjve, gënjimet dhe zhgënjimet, vrazhdësinë dhe brishtësinë.
Metaforizmi si mënyrë pasqyrimi dhe asosacionet metaforike kanë dhënë mundësi të përfshihen në tërësi poetike dinamike, me tendencë shtrirjeje përtej motiveve që i kanë frymëzuar, të brishtësisë lirike me reflekse tronditëse gjendjesh dramatike e tragjike, të përgjërimeve ndaj çdo gjëje të bukur e joshëse të botës e të jetës me fshikullimin satirik, me ironinë e mençur e therëse, me talljen e përqeshjen hera-herës. Në universin tënd poetik, ngjizen me të vërtetat lakuriqe dhe me faktet e vrazhdët të realitetit edhe iluzionet e përfytyrimet imagjinare, të cilat janë, gjithashtu, burim poezie, kur, përmes tyre, tentohet rrokja e thelbit të ndonjë dukurie apo, përkundër mohimesh të kohës, vjen një çast që i nxjerr përsëri në dritë, jo më si iluzione të bukura, po si prirje të vetë realitetit. Po kaq mbresëlënëse dhe provokuese janë kontrastimet si në imazhe, edhe brenda një vargu, në të cilin ndodh të ravgojnë pranë e pranë sublimja e makabrja, mendimi thellësisht humanitar dhe akuza e tmerrshme për gurët e shahut që vërtiten në skakierë pa kujtesë dhe pa ideal.
Me pak fjalë, metafora për ty nuk është guaskë që mbështjell mendimin, nuk është tjetërsim dhe hermetizëm. Metafora i ka dhënë poezisë tënde gjerësi mendimi e pasqyrimi, gjallëri të brendshme dhe mundësi që, siç shkruante dikur Migjeni, “në një pikë vesë të pasqyrohet jeta”. Pra, kemi një risim të vetë mënyrës metaforike të pasqyrimit në krijime poetike në thelbin e tyre realist dhe, do të thosha, tendenciozë në kuptimin më të mirë përparimtar të fjalës.
Vlerat konkrete janë edhe më të shumta, aq të shumta, sa me to mund të bëhej një antologji krijimesh të denja për të qëndruar përkrah veprës së çdo poeti të shquar të traditës, apo të kohëve moderne. Por, edhe pa i përmendur këto një për një, me gjithë ç’u përpoqa të parashtroj lirshëm në këtë letër, kuptohet se jam vënë në radhën e admiruesve të talentit tënd dhe të gjithë atyre që kanë zbuluar e kanë çmuar në vëllimet e tua poetike shkëndijime të shpirtit tonë kombëtar të sotëm, përthyerje të tragjizmit, majave e humnerave të epokës së sotme.
Një autor që të përfshin në shtjellat e krijimtarisë së vet, të bën të mendosh dhe të gjesh në vargjet e tij diçka nga vetvetja, nga shqetësimet e ëndërrimet e tua, është vërtet poet. Kurse ai autor, që përveç kësaj, duke e lexuar, të shtyn të mendosh për poezinë dhe për problemet e saj, është një individualitet i spikatur. Është një novator.
Të faleminderit për kënaqësinë që më ke dhënë dhe shkasin që t’u kthehem përsiatjeve për poezinë!
Të përshëndes përzemërsisht për arritjet e dukshme në poezi, për vrullin dhe begatinë e fryteve të krijimtarisë tënde në këtë dhjetëvjeçar të parë të shekullit XXI.
Të uroj të tjera suksese në rendjen drejt majave më të larta të artit poetik!.
Marrë nga "Sofra poetike" në FB
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen