Me rastin e 70-vjetorit të lindjes së poetit
Nga Iliaz Bobaj
‘’Të gjithë kemi harruar të qajmë,
M’i vodhën lotët,
Njerëzit e tokës sime’’.
Ndoshta mund të jetë edhe kështu siç thotë poeti Arqile Gjata.Në këto kohë të trazuara,ku vuajtja dhe stresi janë dukuri të përgjithshme,të rënduara deri në lodhje,ndoshta loti nuk bën më efekt.Dhe poeti e ka lënë mënjanë të qarën.E ka harruar atë.
Veç nuk ka harruar të këndojë.
Poeti Arqile Gjata di të këndojë bukur me artin e tij poetik.
Pasi ka mbledhur dhe ka përpunuar në laboratorin e tij krijues për një kohë të gjatë,më në fund ka shpërthyer me disa libra,njeri më i bukur se tjetri,ku ndjehet vibrimi i tij i ndjeshëm poetik,i cili i ngjan vibrimit të një flete nën frymën e flladit të lehtë.
Poezia,tepër delikate,por e llastuar hijshëm prej tij,ka një portret tepër tërheqës.
Askund më tepër se në poezi nuk mund ta gjesh të plotë dhe të gjallë,shpirtin e këtij poeti të mirëpritur veçanërisht vitet e fundit.
Në letërsi nuk vendosin vitet.Vendosin vlerat. Nuk ka rëndësi se kur vjen dhe kur ikën.As mosha,as mënyra e ardhjes.
Autor i 7 librave me poezi,ai ka plotësisht të drejtën t’i thotë vetes poet,kurse ne miqtë e tij poetë,kemi nderin ta vlerësojmë veprën e tij letrare dhe kontributin e tij letrar,për prurjet e tij plot freski dhe finesë.Ky krijues i palodhur,përherë kërkues i fjalës së bukur,i formës së hijshme dhe i brendisë së ndjerë,nuk e ka lëshuar asnjëherë penën nga dora.E them me çiltërsi:e admiroj për punën e tij të palodhur,për këmbënguljen,durimin,pasionin e tij të madh,me të cilin ai ka thyer kohën dhe vitet,duke i kthyer ata në vite pune krijuese plot rendiment.
I ngrohtë dhe meditativ,i brishtë dhe fluror,i prekshëm deri në detajet më të imët,me një vërtetësi prekëse dhe ndjesi të natyrshme,ai pikturon lirshëm me fjalën e tij të dlirë një poezi që të hyn në shpirt,të shlodh e të kulturon,por që të vë në mendim,duke të tërhequr në oazet e saj plot freski.
‘’Jam i dashuruari i tingujve
Të poezisë !
I ngjaj elektroneve të padukshme,
Nga loti i fjalës drithërohem....’’
Ai hyn në botën e shpirtit,lirshëm,ashtu siç hyn një njeri në shtëpinë e vet,pa trokitje të panevojshme,pa stanjacione poetike,që do të të lodhnin me pritjen e tyre dhe pasi lë aty mesazhet më fisnikë,të cilët veçse do ta fisnikëronin më tej shoqërinë njerëzore,si një krijues i vërtetë e plot hir poetik,del andej po kaq natyrshëm,pa bujë,pa tamtame poetikë,ashtu siç hyri.Me një thjeshtësi të admirueshme.Të duket sikur poeti hyn në një vend të shenjtë,në të cilin,pasi përkulet me nderim,duke lënë njëherësh edhe urimin e tij,del prej andej më i fisnikëruar se më parë:
‘’I neveritshëm suksesi,
Karikaturë e pështirë që të tradhëton,
Kush ndjen dhimbje.
Dehur nga humbja e përfoljes,
Si gur i ftohtë,
Përsëri dhimbja dëfrehet me suksesin.
Rritur nëpër gjethe
2
Ushqyer me të kokrrat e lotëve,
Ndodh...
Ndonjë fluturak guxon t’i thotë:
‘’Eja,
Fluturo me mua !
Të mos lagesh nga shirat
E suksesit
Dhe i vdekur të ngrohesh
Në dëshirat e lexuesit hirplotë’’.
I tillë është poeti edhe kur mediton para mbesës së tij,e cila sapo ka filluar të hedhë hapat e parë në jetë.Në këtë rast poezia e tij ka një fluiditet prej ikone.
‘’Si një kukull e pikturuar,
Dhuruar për mua,
Vjen rrotull nëpër shtëpi,
Mbesa ime,Maria.
Kur më thotë shpeshherë,
‘’dua mele,babo’’,
Me dy doçkat
Qafës harkuar,
Atëhere,m besoni,
Jam duke fluturuar’’.
Me një natyrshmëri të tillë të admirueshme hyn dhe mediton ai edhe në mjediset e natyrës,ku Vlora e tij dhe deti që i lag buzët e bregut të saj,mbeten dobësia e tij e përjetshme.Aq më mirë që i shpërfaq këto dobësi.Në këtë mënyrë ai bëhet edhe më i bukur,më tërheqës,më poetik,më bindës.Kur shpërfaq dobësi të tilla,njeriu bëhet më bindës.Më i vërtetë.Aq më tepër poeti.Në këto raste poeti Gjata derdh mbi varg të gjithë koloritin e tij poetik.Deri në dhimbje.Në një gërryerje të brendëshme,ku mungesa e qytetit tënd dhe e njerëzve të tu të dashur ka ngritur folëzën e vet.Me dashuri të pamatshme,por pa rënë në rrjedhën e saj të rrëmbyeshme,duke ruajtur sensin dhe masën e rrjedhshmërisë artistike.
‘’Kur ika nga Vlora,
E kyça detin në gjoksin tim,
Të mos dëgjoheshin jashtë meje rënkimet.
Kur më merr malli për të,
Shtrydh gjoksin t’ia dëgjoj
Këngët e fëmijërisë’’.
* * *
Është e rëndësishme të theksohet në këtë takim poetik,se poezia e Arqile Gjatës ka një hapësirë poetike të admirueshme,gjë që i zgjeron asaj hapësirat e lëvrimit të saj,ku rrjedhimisht edhe gjurmët që lë kjo poezi kanë një gjeografi më të pasur.Poetit i lënë mbresa të thella ngjarjet e mëdha,ato që kanë hyrë në historinë e botës dhe të kombit tonë dhe që duhen trajtuar si të tilla edhe në letërsi.Poeti nuk mund të jetë jashtë këtyre ngjarjeve,aq më tepër që ai e ka detyrë t’i përjetësojë ato me artin e tij të fjalës.
Le të flasë kush të dojë për një letërsi të kulluar,le të sjellë edhe argumente për të argumentuar një mendim të tillë,faktet e sjella nga letërsia botërore dhe nga letërsia jonë kombëtare,kanë treguar dhe tregojnë se letërsia nuk mund të jetë e tillë veçse në mendjen e ndokujt,që i pëlqen ky mendim.Poeti nuk i harron as buzët e atdheut të tij,që,siç shprehet ai ‘’qeshin rrallë’’,as heronjtë e kombit të vet.Përkulet para tyre me
3
nderim,duke u blatuar një buqetë poetike.Harresa të tilla janë me pasoja,pasi njeriu që nuk e nderon historinë e kombit të vet,e harron atë.
Për poetin një harresë e tillë do të rëndonte edhe më tepër.
Si mund të qëndrojë poeti jashtë ngjarjeve në Kosovë,pavarësia e së cilës e përmasoi kombin tonë,e pse jo,edhe e rilindi atë,si ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme pas Pavarësisë sonë Kombëtare,100-vjetorin e së cilës e festojmë këtë vit ?
Shpërthimi i poetit është krejt i natyrshëm,si një njeri që flet për kombin e vet.Lirshëm,pasi flet për veten e vet,si një pjesëz e këtij kombi.
Por me art,jo me parulla standarte:
‘’Në natën e bardhë,
Me jehonë zbret së lari
I shenjti lis,
Adem Jashari !
U çelën portat e festës...
Për të kuvenduar me etërit,
Ai,
Nga zemra e maleve hapon drejt kullës,
ku ende është i varur qielli i vranur’’.
* * *
Sivjet miku ynë,poeti Arqile Gjata feston 70-vjetorin e tij.Për këtë 70-vjetor,të cilin po e festojmë së bashku sot,ai na ofron veprën e tij letrare,ku poezia është ‘’nusja’’ fustanbardhë dhe sykaltër e kësaj feste.Kështu i pëlqen Arqilesë të pikturojë atë.
Unë besoj se ai nuk do ta lëshojë kurrë nga dora penelin e tij poetik.Derisa të ketë frymë.Ai nuk mund të jetojë ndryshe.
Ja se si thotë në një poezi: ‘’Jetë,
Akoma nuk ka rënë nata
për mua.
Të dua jetë,
Do të t’mbaj shtrënguar,
Ashtu si je !’’.
Ne,me siguri do të mblidhemi sërish për të.Për të shijuar poezinë e tij të dlirë.
Por deri atëhere kemi kohë.
Sot,në këtë festë të paharruar për atë dhe për ne,edhe pse nuk munda të jem pranë mikut tim,urimi im vëllazëror,është aty:
‘’GËZUAR 70-VJETORIN E LINDJES,POET DHE MIK I NDERUAR,ARQILE GJATA !
GËZIME DHE LUMTURI NË FAMILJE !
DHE SUKSESE TË MËTEJSHME NË KRIJIMTARINË TUAJ LETRARE !’’.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen