Montag, 25. Juni 2012

Namik Selmani: Madhështia e goditjes së një dalte artisti


Madhështia e goditjes së një dalte artisti…

Më tepër se një homazh kujtese për Artistin e Kombit Asim Lokaj

Një nga emrat që mund t’i vëmë Kosovës së ditë që po jetojmë do të ishte edhe “Kosova e librave”. Është rritur bukur shumë numri librave të botuar, po jo dhe aq shumë numri i lexuesve. Ka një numër gati të pallogaritshëm të ballinave të librave deri edhe te ato me lidhje speciale, madje edhe me një tirazh shumë ta lakmuar edhe për letërshkruesët e Evropës. Po shtohen çdo ditë librat e shkruar në Prishtinë, në Prizren, në Mitrovicën gjumëshqetësuar, në Pejë e Gjakovë. Jo pak shkrimtarë, ish luftëtarë të UÇK-së vrapojnë në shtigjet shkronjore kujtimesh. Poetë që ende ëndërrojnë një Kosovë më të mirë, më ndjellamirë për brezat, shtojnë vargjet..
E shumë prej tyre që kaherë prej shumë vitesh i kam edhe unë miq të mirë të tryezave, të fjalëbukurave të librave të përbashkët, vijnë brof sa ora që të botojnë në Tiranë , të promovojnë librat e tyre në Durrës, Vlorë, Sarandë…Duket se Mjeshtërit e tipografisë dixhitale të Kosovës, libraritë ende të pakta të Kosovës nuk e kishin bërë mirë llogari këtë URI shkronajsh që do t’i jepnin jetë këtyre librave. Herë të brishtë.. Herë tërë dramë. Herë të pabesueshmenë fabulat e shfaqura. Herë ëndërrore deri në të pabesueshmërinë e saj. Shumë herë me gabime të shumta drejtshkrimore. Herë përkëdhelese për atë që hedhin në fletë.. Herë tollovitëse.
E të hysh në këtë shejmejdan libror ( kurrsesi si ai i Gjergjit) duket se pesha e papeshuar e së ardhmes së librit që ti hedh një ditë në duart e miqve, në shitoret e pakta të librit në Prishtinë e në Tiranë, duhet matur shumë e shumë në Peshoren e Mençurisë.
Duket se në urinë librore shqipe, të sjellë nga Gardiani-pushtues serb, etja e Kosovës
ishte më e pangopura, më vrastarja për kohën kur mungonte liria e shprehjes. Në atë kohë kur u ngjiz artsiti Asim , ëndrra e një arti të vërtetë guximtar që ishte shumë herë më i fortë se pushkët e luftëtarëve dhe gjylet e topave.
Edhe një mjeshtër të hekurit që takuam në Prizren diku, në një nga objektet historikë të këtij qyteti, e ndjente aq shumë brendshmi këtë etje, aq sa na tha se kishte parë në vitet e vështirë të Kosovës aq sa për të shkruar sa e sa romane.

Por, duke radhitur radhët kompjuterike e duke vënë pranë tyre fotot në librin për Artistin Mjeshtër Asim Lokaj nga Deçani e Prishtina, mendoj se do të duhej që të botonim edhe më shuë libra për atë FRYMËN që përcolli ai në të gjithë dekadat e jetes dhe në dekadat e krijimtarisë. Një FRYMË që na kishte munguar aq fort në artin e Kosovës. Në atë rrënjëzim të fisit Loka (ose vokshian, si e kishin ata vetëm para dy grezash) një frymë rilindjeje jo vetëm në moralin e tavolionave, por edhe në në ART, edhe në ARSIM.
Libra të tillë natyrisht ngjizen natyrshëm nga një histori vitesh që iu japin atyre trishtinin e humbjes së parakohshme njerëzore, por edhe me një krenari kombëtare. Të dyja këto argumenta të shkrirë në mënyrë të natyrshme ngjizim edhe obligim për të gdhendur përtej modestisë, atë që kemi kaluar, që kemi prekur, që kemi gatuar me dashurinë me sakrificat më të mëdha.
Pa dyshim bibliotekat shqipfolëse në Kosovë, Maqedoni e në shtetin amë, duhet të gjejnë më shumë pika takimi librore për të bashkuar jo vetëm këngët, dashuritë, dhimbjet, shitoret e mallrave që duam po edhe SIMBOLIKËN E DALTËS., që fort bukur mne shumë pasion e përkushtim na e ka dhënë edhe Asim Lokaj në veprat e tij.

Dalta e tij është faustiane në këmbënguljen e treguar për qëllimin e lartë që ka patur.
Është shekspiriane në thellësinë e shpirtërave të karaktereve në veprat të bëra, por, mbi të gjitha këto, është shqiptarizmi dhe universializmi në atë që kemi bërë mes viteve, kur kishim kaq ëndrra lirie. Dhe tani kur kemi kaq ëndrra që na i jep PAQJA.
E pra, përtej goditjeve të ndërprera të një dalte si ajo që prekëm dhimbshëm në botën e karaktereve artistikë të Asim Lokaj, ishte edhe sfida në emër të MONUMENTALIZMIT të historisë së kombit tonë
Në vende të ndryshme shumë skulptorë janë marrë në shumë raste me mitet e kombeve të tyre. Me engjëjt e flatruar e perënditë. Me mermerimin e mureve. Me…E për to kanë ngrysur vite ndoshta edhe në disa vende të vetmuar. Po FRYMA e artistit të këtij shqiptari të mirë të jetëtragjiktë ishte dhe mbetet padyshim FRYMA e rezistencës sonë. E një arti të rezistencës që bëhej në vende apo edhe studio ku mungonte klithshëm drita, zjarri i mangallit, buka e shtruar, mungonin gurët që duhet të vinin nga larg me mundimin sizifian. Jashtë, në pragjet e Kosovës kishte luftë, kishte njerëz të vrarë, fëmijë të gjymtuar, shkronja shqipe të trembura ballë egërsisë së fqinjëve. Aaah, kishte me shumicë një tymim të cigareve, gati të pashuara me një pipë karakteristike, kishte shumë të ardhme, pasion, forcë, mistizimëm dhe idealizëm që mund ta viktimizonte edhe kur ishte gjallë po edhe në pasjetën e tij.
Le ta përcjellim miqësisht krenarisht, dhimbshëm këtë art. Me sa më pak pengje njerëzorë artistikë. Se asnjë jetë njerëzore, madje as edhe një vepër artistike e përkryer e bërë nga artistë shumëgjuhësh, nuk mund të ketë paskohën e saj te lavdishme pa pengjet e mungesës së një shkronje, të një dalte të pahedhur, të një peneli të pangjyrosur, të një fotoje të pavënë në haësirat e një libri, të një dashurie të pathënë, të një hapi të pahedhur. të..
Ai, Asim Lokaj, krijoi pa dyshim një art elitar në Kosovën e luftës që jetoi kështu edhe në atë të pasluftës, në Kosovën e mbushur me aq ëndrra dhe dëshira për mbijetesën edhte të artit të saj, të ballafaqimit të saj edhe me kombe me jetë më të qetë. Fryma e Monumentalitetit të veprës “Beslidhja” së Asim Lokaj do ta kishi zili edhe shumë kombe për atë frymë bashkimi. Ajo u kthye në një frymë tjetër të ndërtimit të një kujtese të mermertë për heronjtë e saj.
SIMBOLIKA e DALTËS së Asim Lokaj na grish që të bëhemi sa më mire, sa më shpejt edhe e ardhmja e artit shqiptar. Diku, brenda idealizmit dhe madhështisë së artit lokian, por (shpresojmë se këtë FRYMË do ta mbajë edhe i gjithë ky libër-homazh) më sillet Brenda rrëfimit tim një gojëdhënë që lidhet me ndërtimin e një xhamie që bëhej në Prizren para gati 500 vitesh më parë.
…Në një nga ditet e punës së madhe e plot dashuri për këtë objekt që po bëhej në mes të qytetit që më vonë do të merrte edhe emërtimin “Meka e Ballkanit”, arkitekti po ndiqte punimet në çdo sektor ku bëhej puna. Diku, në një qoshe muri të xhamisë, ishte një Mjeshtër që vinte me përsosmëri çdo gur. Në momentin që po kalonte arkitekti, ai vendoste në mur gurët e skalitur bukur mirë nga të tjerë poshte po duke e latuar edhe ai vetë. Për çudi, ai nuk e hodhi në mur një gur të ngritur, por e la sërish në skelë.
-Pse nuk e hodhe në mur gurin, Mjeshtër?- e kishte pyetur arkitekti.
Me një fytyrëskuqje që është vetëm e mjeshtërve të vërtetë që nuk bëjnë asnjëherë marrëveshje me të Keqen, ai i thotë tepër sinqerisht, me një fajësi të pafajshme:
-Jam lodhur shumë e nuk po di se a vihet mirë në vendin e duhur.
E njihte nga afër këtë mjeshtër arkitekti për punë shumë cilësore, po nuk kishte pasur mundësi që ta njihte për një mençuri të paskajshme të tij

Kaq duhej. Arkitekti po kuptonte se xhamia po bëhej me njerëz të lodhur e mundet që kjo të ndikonte në cilësinë e punimeve. Ndoshta asnjë si ky Mjeshtër, nuk kishte guximin që të thoshte një gjë të tillë. Kur ishte i lodhur kaq shumë ky Mjeshtër, po ata që bënin punë të rënda në sektorë të tjerë të punimeve, shtruesit e dyshemesë, mjeshtërit e minares së lartë, skulptorët e mureve, piktorët e afreskeve, latuesit e gurëve?????!!!
Atëherë ai dha urdhër që të gjithë të shkonin për të bërë një punë me një kërkesë pak më të ulët në procese të ndryshme si ishte një hamam popullor. Dhe rierdhën aty vetëm pas disa muajsh kur “u shlodhën” nga puna e bërë.
Nuk është aspak çudi që analiza e krijimtarisë së tij monumentale, të Asim Lokaj, kujtimet për të, poezitë për të, dalja në dritë e çdo vlerësimi që i bëhet atij pas kësaj heshtjeje prej një dekade, padyshim i ngjan fytyrëskuqjes së Mjeshtrit të Gurit në Prizren. Për të shkruar për të, duhet të kesh fytyrëskuqjen e Mjeshtrit të Gurëve të Fjalës së Mençur. Madhështia kaq e spikatur e skulpturimit të Asimit, e skenografisë dhe idetë bukur të guximshme të këtij artisti kombëar do të donim të ishte edhe në çdo fjalë tonën.
Ai ishte dhe mbeti për shumë vite padrejtësisht paksa i harruar, edhe pse mesazhi i veprës ishte e mbetet dukshmë në në misionin artistik dhe atdhetar bash si Bankua e legjendës. Si ai Banko që nxorri nga gjoksi zemrën për të ndriçuar rrugën e njerëzve në një pyll të dendur sa bëhej edhe natë në mes të ditës. Atëherë, kur ata dolën nga pylli e duhet që ta falenderonin për sakfricën, ta merrnin në krah për të shkuar drejt lirisë, drejt DRITËS ta përqafonin si mik, ikën të dehur nga rrezatimi i dritës së lirisë. Dhe ai mbeti aty në mes të livadhit duke numëruar rrahjet e zemrës së gjoksit të hapur e të përgjakur që po e mbante në duar…..
Dalta e Asim Lokaj mund të quhet fare mirë edhe “Dalta e lirisë”. Ai monumentalizëm, ato figura që ushqyen artin e tij e i dhanë kombit shqiptar lirinë e munguar, ishte pjesa e identitetit të tij krijues. Po ky identitet i ushqyer brenda LIRISË ishte edhe brenda fjalës së tij, brenda shprehjes se ai rrezatonte si askush tjeteër LIRINË.
Jo më kot ai i thoshte një miku të tij se shumë shpejt (ai nuk arriti dot) do të bënte një Monunment ndryshe të Adem Jasharit. E, nëse shteti i Kosovës nuk do ta financonte qoftë edhe me pak të ardhura, ai do të shiste shtëpinë e tij për ta bërë realitet ëndrrën e jetësimit të Heroit të Kosovës. Një shprehje nga më idealiste për kohën tonë dhe shumë më e gjërë se fjala “Liri” që sot lakohet në salla, në sheshe, në libra. Ai ishte Maratonomaku i lirisë së Kosovës e të kombit, i asaj lirie që sot po mundohemi ta prekim.
Me shprehjen e tij të vënë në shkrimin e një miku artist shumë të ngushtë të tij ai do të linte një ditë daltën e do të shkonte në luftë: “U lëkund diçka në mua. Një zë i fuqishëm nga brenda urdhëronte që ta lija daltën dhe të rrëmbeja pushkën” Jooo, ai nuk e la daltën, po me një daltë të re nisi, bashkë me një komb liridashës, që të daltone lirinë që do të vinte në Kosovë.
E një urim të veçantë do të bënim për veprën e paharruar të Asim Lokaj: “Mos u ndryshktë kurrë në Kosovë e në shqiptari dalta që gdhendi Dora dhe Shpirti i pavdekshëm i Asim Lokaj!”

Prishtinë, DEÇAN, Tiranë, qershor, 2012

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen