Mittwoch, 14. März 2012

Bexhet Asani: KËNGËT PËR DITËN E VERËS


‎1. KËNGËT PËR DITËN E VERËS


Dita e verës është festa e parë në stinën e pranverës. Dita e verës bie më 14 mars sipas kalendarit të ri ose më 1 mars sipas kalendarit të vjetër. Kjo festë zgjat dy ditë. Dita e parë quhet ,,arife”,kurse dita e dytë quhet ,,ditë vere” (në Strugë ,,verëzë”). Parapërgatitjet për ditën e verës në disa vende fillojnë më 12 mars. Kjo tregon se sa festë e hareshme ka qenë dhe është dita e verës. Me të drejtë Faik Konica pyet: ,,Ç’është dita e verës? Është dita në të cilën stërgjyshërit tanë,kur s’kish lindur edhe krishterimi,kremtonin bashkë me romakët dhe grekët e vjetër,perënditë e luleve,të shelgjeve. Kur shkrin dimri,kur qaset vera buzëqeshur,e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Botiçelit,zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë,shijon një qetësi,një lumturi të ëmbël. Në këtë gëzim,stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësi. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajmë dita e verës” (Konica,1911:111). Në Dibër dita e verës është riti më dominant dhe më i përhapur kalendarik si në qytet ashtu edhe në fshatra që manifestohen si me interesimin e popullatës ashtu edhe me pjesëmarrjen e madhe dhe se ka karakterin e një të kremteje të rëndësishme (Fetahu,2004:18).
Në mbrëmjen e 12 marsit,në regjionin e Strugës,zakonisht ndonjë grua e regjur,që i shkon për dore ,,shtie qiqra”,zë brumë,pasi të arrihet brumi gratë fqinje shkojnë të marrin brumë dhe me këtë ,,tharm” gatuajnë qahija dhe kuleçë. Qahijat dhe kuleçtë kanë formë të rrumbullakët me diametra të ndryshëm prej 15 deri 20 cm. Qahijat para se të piqen lyhen me vezë. Qahijat dhe kuleçët kanë shije të ëmbël. Këtë shije ua japin qiqrat. Në Novo Sellë të Sharrit në ato familje që kanë djalë të fejuar,bëjnë nga një kulaç buke,bukë vere dhe petulla (Osmani,1997:48). Ndërsa në Gurguricë të Tetovës ditën e verës gatuhet fli (Osmani,1997 :46), kurse në Derven të Shkupi verori. Në Tetovë të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët ziejnë vezë të pangjyrosura,por vende vende i ngjyrosin ato me lëvore të thata të qepës,kështu vezët marrin një ngjyrë të kuqërremtë. Përveç vezëve ziejnë edhe misër e gështenja. Në Sallarevë të Tetovës në të kaluarën,disa familje edhe sot,ziejnë nga një kazan me kokrra misri me hi (Osmani, 1997:47).
Në Derven të Shkupit me një apo më shumë vezë pajiset çdo anëtar i familjes,kurse ditën e diel në mbrëmje bëhet edhe ngjyrosja e tyre,e përshkruar me vizatime të figurave të larmishme gjeometrike (Murtezani,2001:50). Figurat gjeometrike nuk janë asgjë tjetër përpos dëshmi të rralla që nga kohët e mugëta të paganizmit.
Ditën e arifesë në disa vende quhet edhe dita e luleve-më 13 mars në Dibër (Fetahu,2004:19) kurse në fshatrat e Tetovës dhe Dervenit më 14 mars fëmijët,zgjohen pa lindur dielli. I marrin vezët e ziera dhe shkojnë për kukurakë,degë thane,dushku,dëllinje,lajthie,shelgu e lule tjera në pyjet e gështenjave,nëpër lëndina e kodrina. Duke mbledhur kukurakë, fëmijët vezët që i kanë marrë me vete i rrokullejnë duke thënë:,,për shëndetin e babës,nënës,vëllait,motrës” dhe për shëndetin e gjithë antërarëve të tjerë të familjes. Në Dibër më 13 mars këndohet:
O moj nouse mos bon potere,
Se nesër kimi ditë vere
Pa të shkojmë në mal për lule,
En të marrim nji voe pule.
O moj nousja lumja tëj,
Të ziem gështenja në kusëi,
O t’i zbrazim në koshare
Ta t’i bojmë kuluvare.
O moj nousja ëill e ‘an,
Në saba të shkojmë për than,
Pa të vimë ke shtëpeija
En të reim ke purustëija (Fetahu,2003:59).

Këndohet edhe kënga ,,Kukureku i rëj” duke i fërkuar sytë me kukurakë. Krahas namatisjes,në etnomjekësinë tonë kanë luajtur një rol të rëndësishëm barërat magjike,të cilat e merrnin forcën mrekullibërëse nga qeniet hyjnore (Papleka,1999:19). Edhe sot populli beson në forcën shëruese të kukurakut:
Kukurek i ri,
Romi sëit e zi,
Se na vjen vera,
Të na bie lule qera,
Kukurek i ri,
Romi sëit e zi
Kurxho mos m’i xhet,
Sot e njiçin vjet (Fetahu,2003:61).

Në Gurgurnicë,në këtë fshat malor të Tetovës,vajzat kur shkojnë për lule ditën e verës,shoqet e tyre i ftojnë me këto vargje:
Mblidhi,vasha
De shkojna te ,,Mrizat”
Kush nuk vjen,
I ngroshin mizat (Osmani,1997:46)

Pasi i mbledhim lulet të gëzuar fëmijët nisen për në shtëpi. Në qoftë se ndonjë lule u bie nga dora nuk e marrin më,sepse s’bën të mirret lulja e cila ka prekur tokën dhe të vihet në shtëpi. Lulet e degët e mbledhura i vënë nëpër birat e murit të shtëpisë,nëpër vrimat e rezeve të dyerve,zbukurohet oxhaku,quari i bagëtisë etj. Është pohuar p.sh. se te zbukurimet e shtëpive me degë të gjelbërta kemi relike kultesh paraagrare mbeturinë të kulteve të pyllit,nga koha kur njeriu gjente në të ushqimet e para (Haxhihasani, 1988:51). Në disa vende me lulet dhe degët e mbledhura sidomos me degët e thanës nëna i prek fëmijët me qëllim që të kenë shëndet e të bëhen të fortë si thana. Me këtë rast i shqipton vargjet:
U bofsh i fortë si thana,
Fërc’ e fërc.
U bofsh i fortë si shega
Fërc e fërc.
Aj ma vrëik se na erdh vera. (Fetahu,2003:61)

Ndër këngët e verës veçuam edhe një tekst poetik ku shihet se bujku dhe blegtori tregojnë një kujdes të madh ndaj kafshëve shtëpiake,ata me anë të tekstit ndjellin begati në shtëpitë e tyre në këtë ditë të shënuar:
Grunë,more grunë,
Duel vera,
Na bjegëroshin dhen edhe shqerra,
Dhen edhe shqerra bjegërojshin
Xhith verën tombël kërkojshin.(Osmani,1997:47)

Ditën e verës zonja e shtëpisë me lule e stolis edhe ftirin. Gjatë ritualit të zbukurimit të tundësit ajo këndon:
Ditën e luleve,dulëm me lulue,
Bashkë me shoqet dulëm me këndue,
Rrethin m’tejnit me ja mbarue.(Osmani,1993:38)

Ftiri tundet herët në mëngjes,ditën e verës,kur këndojnë zogjtë:
Bon guguçja gu,gu,gu!
Bon mutejni vu,vu,vu! (Osmani,1997:37)

Gruaja e uron tundësin që t’i japë sa më shumë gjalpë:
Toundu ftej,
U bofsh i bardhë,
Rejte kokën sa ni dardhë.(Osmani,1993:37)

Më 13 mars diten e arifesë në mbrëmje zonja e shtëpisë merr prej në kopsht një plis me bar. Plisin e vë te pragu i portës së shtëpisë. Mbi të hedh dhe ndez squfur (formula kimike S) ose bajga të thata. Në Novo Sellë të Sharrit edhe rreth e përqark vatrës vënë bajga të thata që shtëpia të ketë erë bajge. Besohet se tymi i tyre do ta mbrojë gjatë vitit shtëpinë nga magjitë e ndryshme (Osmani,1997:48). Ndërsa,në fshatrat e Tetovës ky rit bëhet ditën e verës e zonja e shtëpisë mbush shoshën me bajga dhe bën tymosjen në strehët e shtëpisë me besimin se gjatë vitit do të zhduken magjitë e ndryshme (Osmani,1997:43); në regjionin e Strugës besojnë se tymi i squfurit i zhduk,i shfaros ,,gojëmbyllurit”(kështu i quajnë gjarprinjtë dhe bollat). Për ,,gojëmbyllurit” te shqiptarët e Maqedonisë kemi edhe këto terma:,,gojëfarkoumi”, ,,qoftëlargu”, ,,bythëzinjtë”, ,,gojë gozhduarit”, ,,buzëkuq (tartabiqët)”, ,,të bekoumit” etj. Studiuesit pohojnë se të ndaluara për t’u zënë në gojë kanë qenë sidomos emrat e sëmundjeve (Papleka,1999: 16). Përveç sëmundjeve që nuk ua përmendin emrat,shqiptarët e Maqedonisë s’ua përmendin emrat edhe insekteve si:mizave, mushkonjave, pleshtave, sidomos bollave e gjarpërinjve dhe egërsirave,siç është ujku etj.
Që prej kohëve më të hershme në fshatrat e Strugës e kanë përdorë squfurin (në sasi të vogla) si mjet shfarosës (helmues). Squfuri përdoret edhe sot si mjet dezinfektues. Pasi digjet në një enë,zonja e shtëpisë tymos bahçen,shkon rreth shtëpisë nëpër dhoma të shtëpisë,në quar të kafshëve etj.,me qëllim që tymi i squfurit t’i mbytë ,,gojëmbyllurit” gjarpërinjtë e bollat. Ndërsa tymi i bajgave të thata besohet se i shfarosë insektet. Përveç riteve që kryhen në mënyra të ndryshme për zhdukjen e insekteve dhe gjallesave të dëmshme të cilat dilnin gjatë muajve të ngrohta të verës,është ruajtur deri në ditët tona në kujtesën e subjekteve një dialog poetik që zhvillohet midis vajzave dhe djemve që kthehen me lule dhe zonjës së shtëpisë. Dialogu poetik ,,Oj zonjë e shtëpisë” na del me disa variante,këtë dialog e gjejmë në fshatrat e Dervenit,në fshatin Frëngovë të Strugës dhe në Dibër. Dialogu i shënuar në Frëngovë është variant më i plotë:
Oj zonjë e shtëpisë?
Lepe!
Ku i ke bythëzinjtë?
Maleve,valëve,
Gurëve pashallarëve (Vinca,2006:23)

Dialogu i më sipërm, me të gjitha variantet që kemi pasur në disponim,nuk bëhet për të zhdukur insektet sezonale siç janë mizat dhe mushkonjat,por për shfarosjen e bythëzinjve”-pleshtave dhe morrave,e ,,buzëkuqve”-tartabiqve të cilët gjenden në të gjitha stinët e vitit; në fshatrat e Dervenit-gjyshja ose ndonjë plakë e familje; ,kurse në Brodec e zonja e shtëpisë herët në mëngjes sjell hithra dhe fier e me to shtron gjithë shtëpinë,që gjatë vitit të mos ketë pleshta në shtëpi (Osmani,1997:49). Besohet se vetëm gjatë ditëve të shënuara,gjatë festave të motmotit do t’i shfarosin pleshtat,morrat dhe insektet e tjera të dëmshme. Me zbulimin e lëndëve insektembytëse këto formula e veprime tani më janë lënë në harresë,ato ruhen vetëm në kujtesën e pleqve dhe të plakave.
Ditëve të shënuara si: ditën e verës,sulltan nevruzit,shëngjergjit dhe eremisë nuk duhet të qepet,sepse dalin ,,gojëmbyllurit”, ,,gojëfarkoumit”-gjarpërinjtë e bollat,s’duhet të preket sapun me dorë sepse dalin kërminjtë. Natën e verës më 13 mars kryhet edhe një rit tjetër:marrin një degë trëndafili,në Rogle ,,thanë qeni” një barishte në formë shiriti të kuq (Osmani,1997:44) kurse në fshatin Llërcë thanën e zezë (Osmani,1997:45) dega pasi të digjet e të marrë flakë ajo lëshon një lëng ngjyrë gështenje,me këtë lëng laget një pjesë e mashës,merret një vezë lyhet dhe u vihet nga një ,,damkë” fëmijëve në ballë një pikë ose një vijë vertikale prej te flokët deri në mesin e vetullave. Në të kaluarën damkë u vihej edhe pleqve te flokët pastaj e mbulonin me kapelë që të mos iu dukej,si dhe të gjithë anëtarët të tjerë të familjes. Ky rit,të cilin e shënova para njëzet vjetësh 1986 nga Uke Mumi në fshatin Zagraçan flet mjaft, sepse dita e verës nuk ka qenë vetëm festë e fëmijëve siç është sot por festë e çdo moshe të shqiptarëve të Maqedonisë. Damka vihet me qëllim që të mos i nxijë dhe mos i zë dielli gjatë verës,apo t’i ruajë nga sëmundjet e diellit. Në fshatin Rogle e vënë damkën që të mos i pickojnë mushkonjat (Osmani,1997:44) dhe që të mos i pickojnë gjarprinjtë.
Në qoftë se ndonjë pulë ka rënë klloçkë,ditën e arifesë do t’ia vënë vezët,duke shqiptuar emrat e disa fëmijëve të zhdërvjelltë. Pasi t’i kenë vënë vezët në furik,ato do të thonë tri herë këto fjalë namatisësh:,,Kup i vë kup të dalin zogat”. Në tekstet namatisëse mbizotëron parimi i magjisë mimetike i cili bazohet te ligji:,,E ngjashmja ndjell të ngjashmen”. (Papleka,1999:16).
Ditën e arifesë sinitari do t’i shpjerë rrobat nuses si dhuratë para dasmës. Nuses rroba i çojnë gjatë festave të motmotit si dhe gjatë festave religjioze. Në fshatin Rogle dhe në disa fshatra të tjerë të Tetovës në familjet që kanë të fejuar,vjehrra shkon dhe zbukuron vekun e nuses me lule,ajo dërgon te nusja edhe dhurata (Osmani,1997:44). Në mbrëmje nëna përgatit veroren me pe të kuq dhe të bardhë. Për veroren shqiptarët e Maqedonisë kanë disa emërtime si:martinkë, smirilesh, silmikeshë, verore,verojkë etj. Penjtë përdridhen dhe pasi të përdridhen në to vihen monedha të vjetra të shpuara. Veroren me monedha të vjetra fëmijët e varin në qafë. Kurse anëtarët e tjerë të familjes vënë martinkë në byzylyk të dorës me qëllim që dora mos pushojë së punuari gjatë verës. Martinkë vënë edhe te gisthi i madh i këmbës së djathtë që të mos pengohen e të rëzohen. Martinat mbahen tri ditë,një javë,në disa vende edhe deri ditën e shëngjergjit. Në Prilep dhe në Krushevë veroret nxirren ditën e Shëngjergjit (Ibrahimi,2003:30).
Por në të kaluarën martinkat janë hequr sa i kanë parë zogjtë shtegtarë, sepse me këtë rast në Cërnilishte këndojnë:
Dallnaishk-dallnaishk
moll e kuqe
na ni martink
nam ni kmaish.(Ibrahimi,2003:30)

Në Gostivar dhe në Tetovë silmikeshat mbahen deri ditën e shëngjergjit,kur herët në mëngjes,fshatarët shkojnë në burimin e rrjedhshëm të fshatit e,pasi i lajnë sytë,hedhin ujë pas shpine,hedhin dhe silmikeshat në ujë,duke bërtitur tri herë:silmikesha teposhtë,shëndeti tërmo” (Osmani,1987:35). Në regjionin e Strugës fëmijët porositen nga zonja e shtëpisë që t’i heqin martinkat posa t’i shohin zogjtë shtegtarë dhe t’i vënë në degë të trëndafilit.
Një rit të panjohur në vendet tjera te shqiptarët e Maqedonisë,ritin e gurit e ka shënuar Izaim Murtezani në Deven të Shkupit. Në këtë trevë një javë para ditës së verës të gjithë fëmijët e fshatrave të kësaj ane,të ndarë sipas lagjeve (mëhallave),dalin në vendet e tyre të caktuara për shënimin e kësaj feste dhe grumbullojnë gurët formë të vezës për t’i vendosur nëpër degët e thanave. Numri i gurëve të tubuar duhet të jetë në proporcion me numrin e anëtarëve të familjes ,por mund të merret ndonjë edhe më tepër,varësisht nga ajo se a ka ndonjë shtatzënë në kuadër të familjes,sepse edhe foshnja i palindur konsiderohet anëtar i barabartë i familjes (Murtezani,2001:53). Gurët nuk duhet të jenë dosido,gurë gëlqeror,por bëhet fjalë për gurë stralli të cilët janë shumë të fortë dhe gjatë fërkimit apo goditjes njëri me tjetrin,nxjerrin shkëndija zjarri. Pas qëndrimit njëjavor të këtyre gurëve nëpër degët e thanave,pikërisht në ditën e verës,ata sillen në shtëpi dhe gjatë natës pasuese çdo anëtar i familjes i nënshtrohet gjumit me një gur të vendosur në afërsi të kokës (Murtezani,2001:54). Ky rit kryhet për dy arsye; një besohet se çdo trup në natyrë ka shpirt dhe dy se thana është simbol i shëndetit,fortësisë dhe jetëgjatësisë.
Një rit mjaft të lashtë dhe të rrallë ka shënuar folkloristja Edibe Osmani për veroren me pe të zi e të bardhë. Një praktikë magjike shumë interesante dhe me interes. Fshati Gurgurnicë është malor. Banorët e tij merren me blegtori. E zonja e shtëpisë,nëntë ditë para ditës së verës,sa lind dielli,merr me vete dy lloj pejsh të leshtë,të zi e të bardhë. Para derës së stanit gërmon me dorë tokën. Bënë nëntë nyje në penjtë dhe ndërkohë thotë:
Da lidhi për xhonë (bagëtinë)
Mo m’i kaçën zharpijtë,bollat.
Da lidhi për cullet,
Mo m’i kaçin zharpijtë,bollat.
Da lidhi për xhonë,
Mo m’i hanë t’bekoumit.(Osmani,1997:46)

I mbulon dhe penjtë me tokë (Osmani,1997:46). Nëpërmjet të kësaj magjie zonja e shtëpisë e merr me të mirë perëndinë e vdekjes sepse ngjyra e zezë i referohet botës së nëndheshme e të errët,vdekjes (Papleka,1999:88). Kurse në Derven të Shkupit në mbrëmjen e ditës së verës,gjithashtu vazhdojnë ritet që kanë të bëjnë me qepjen e skilimireshit (nyje që qepet me pe të kuq në pjesën e poshtme të veshmbathjes së epërme) e që realizohet përmes formulës verbale magjike: Çepi gjojn e xharpnit ene bollës, çepi gjojn e ukit, çepi gjojn e dushmanit, etj.(Murtezani,2001:57). Kështu besohet se në këtë mënyrë pra përmes formulës magjike do t’i mbrojë gjatë tërë vitit,fëmijët dhe bagëtinë nga kafshët e dëmshme-ujku e ariu si dhe nga gjarprinjtë e bollat.
Ditën e verës gumëzhijnë rrugicat e fshatrave nga zërat onomatopeike të fëmijëve. Ata zgjohen shumë herët,nga ora katër ose pesë e mëngjesit,me vete marrin shporta. Në shportë çdonjëri ka nga një vezë që ia kanë vënë nënat e tyre,gjatë rrugës ato mbledhin karthje-dega dhe duke bërë ,,ciu,ciu,ciu” shkojnë shtëpi më shtëpi. Në fshatrat e Strugës bëjnë ciu, ciu, deri sa zonja e shtëpisë e çel derën. Në qoftë se fëmija ka harruar të marrë karthje-dega, zonja e shtëpisë ia kujton: ,,Ku i ke zogat?”. Fëmija me këtë rast nuk përgjigjet. Kthehet në oborr,merr ca karthje dhe hyn brenda,por kësaj radhe me ,,zoga”,me zogj. Degët i lënë te oxhaku,sot te dera e hyrjes së shtëpisë,pastaj zonja e shtëpisë i djeg me qëllim që vezët që i kanë vënë te klloçka,të çelin të gjitha ,,si prushi”. Në Gurgurnicë të Tetovës fëmijët e lutin zonjën e shtëpisë kështu:,,Oj xhixho dë m’apish nji voe?” ajo thotë:,,shko preki çerepët,dë t’ap voe”. Pastaj i uron:,,E gëzofshi ditën e verës!”(Osmani,1997:47). Zonja e shtëpisë fëmijëve u jep nga një vezë,mollë,sheqerka,gështenja,misër të zier etj. Fëmijët gëzohen më shumë ku për dhuratë marrin vezë. Në fshatrat e Strugës ditën e verës çdo fëmijë mund të mbledhë deri 200-300 vezë,sepse popullsia e fshatrave është shtuar dhe relativisht gjendjen ekonomike e kanë të mirë. Shkuarja e fëmijëve shtëpi më shtëpi është shenjë e pjellshmërisë. Në të kaluarën kujtojnë plakat,zonja e shtëpisë e porosiste fëmijën e zhvilluar dhe të zhdërvjelltë ditë më parë:,,Ti të vish i pari do të të japë veçkë (vezë)!”.
Besohej se ky djalë apo kjo vajzë do të sillte mbarësi e pjellshmëri të mbarë në atë shtëpi. Edhe në Sallarevë çdo familje në mëngjes shikonte kush do t’u vinte i pari për të uruar të kremten,djalë apo vajzë. Nëse ishte vajzë,nuk ia çelnin derën se përndryshe besohej se gjatë vitit thehen vorbat. Por,nëse të parën herë vinte djalë i veshur me rroba të bardha,besohej se atë vit shtëpia do të kishte të mira e përparim. Nëse nusja e asaj shtëpie ishte shtatzënë besohej se do të lindte djalë (Osmani,1997:47). Ditën e verës edhe të mëdhenjtë si dhe mysafirët gostiten me vezë të ziera. Në Bozovcë për ditën e verës vajzat këndojnë:
Dita e verës,sa e mejra kone,
Kofsh për nonën tonde,
Shkojm për ditë vere nëpër ara,
Kërkush sën na dale përpara.(Osmani,1997:49)

Ja një shembull nga Reka e Epërme ku vajzat këndojnë me daire,të cilat shprehin gëzimin e tyre për ardhjen e ditës së verës:
Era mori era,çi na erdh ditë vera,
Kemi,mori,kemi,gjemt për t’martuet,
Kemi,mori,kemi,nuse për t’palzuet (Osmani,1997:31)

Në disa vende dita e verës është festa më popullore e kryemotit në krahasim me festat tjera,ndërsa në disa vende kjo kremte po zbehet gjithnjë e më tepër. Në disa fshatra të komunës së Gostivarit dhe të Tetovës ritet e ditës së verës,në krahasim me ritet e shëngjergjit janë më të zbehta dhe po vijnë duke u zhdukur (Osmani,1997:35). Ja një këngë nga fshatrat Vrutok dhe Reçan të Gostivarit,ku me dyzimin e termit ,,Oj dita e verës” duket se e lutin ditën e verës që t’i thotë shëngjergjit të vijë sa më shpejtë,duket sheshit se kënga e favorizon ditën e shëngjergjit:
Oj dita e verës,oj dita e verës,
Thuj ditës shinxherxhit le na vije
Se dita e shinxherxhit o për hije.(Osmani,1993:36)

Kurse në fshatrat e Dervenit më karakteristike janë ritualët e ditës së verës se ato të shëngjergjit (Osmani,1997:35). Disa rite të ditës së verës janë të ngjashme me ritualet e festave tjera të motmotit. Dita e verës te shqiptarët e Maqedonisë ka qenë dhe është festë mjaft e përhapur pa marrë parasysh se në disa vende na paraqitet me disa rite të zbehta,ajo është një e kremte e hareshme e kryemotit e cila sjell begati,mbarësi e pjellori në çdo familje.
Kohë më parë në qytetin e Elbasanit e më vonë në Tiranë e në gjithë Shqipërinë dita e verës u shpall festë kombëtare-shtetërore. Në një varg të këngës ,,O ky dimni si shkoj simjet”e shënuar në Rekë të Epërme e që e gjejmë si variante edhe në Dibër thuhet:,,Kukurekun e kemi mbret”. Në të ardhmen dita e verës mbase mund të bëhet mbretëreshë e festave pagane të motmotit.
Populli ka krijuar këngë edhe për muajt e vitit,mirëpo me kalimin e kohës disa prej tyre deri në ditët tona kanë arritur në prozë apo edhe në formë të fjalëve të urta si p.sh. shiu në maj si peta në vaj. Nga një grusht gjer në gusht etj. Te shqiptarët e Maqedonisë në muajt e pranverës bëhet ngjitja e dhenve në mal. Kjo periudhë e ngjitjes së dhenve në mal,në popull është e njohur me emrin plakat. Plakat zakonisht zgjasin tri ditë,fillojnë më 12 prill dhe përfundojnë më 14 prill sipas kalendarit të ri. Sipas legjendës plaka ngjit në mal bagëtinë gjatë ditëve të ngrohta e të fundit të marsit,me arsye se tani marsi po shkon dhe s’ka forcë që të bëjë ftohtë:
Cic maleve
T’ja dhjes
Mjekrën martit
Kapërceti i ftoti. (Ibrahimi,2003:33)

Marsi hidhërohet nga kjo mospërfillje e plakës dhe e lut prillin që t’i japë nja tri ditë hua me qëllim që të hakmerret:
Or prill be vlla
Nam nja tre ditë ‘ua
Jem i treti vet
T’ja boj plakës
Si di vet!(Ibrahimi,2003:33)

Legjenda na tregon se nga të ftohtit dhe acari i tyre tri ditëve plaka bashkë me bagëtinë ngrinë në mal.


_______________________
Marrë nga SOFRA POETIKE në FB

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen