Donnerstag, 22. März 2012

Xheladin Mjeku: ZBËRTHIMI I JETËS


ZBËRTHIMI I JETËS

Nase Jani: “…ME DRITËRONË 1995-2010”, monografi, botim i autorit, 2011

Sa herë takon vepra të reja të firmosura nga Nase Jani, ndien nevojën për një frymëmarrje më të shlirshme në krijimin e mundësisë së përballimit me shkrimet e këtij krijuesi poliedrik, gjithnjë duke kthyer vëmendjen e lexuesit në fjalën dhe mendimin e tij poetik, letrar dhe filozofik. Vlerat e arritura në krijimtarinë e tij letrare, të prezantuar në mbi njëzet tituj të ndryshëm, në poezi, prozë, letërsi për fëmijë dhe monografi të ndryshme e bëjnë këtë autor të njohur për lexuesin e kudondodhur në hapsirat gjithëshqiptare gjithandej nëpër vende të ndryshme të botës, ku fryma shqiptare ndihet gjallë me aktivitetet dhe veprimtarinë e krijuesve letrar. Nase Jani shquhet edhe për aktivitetet e tij në lëmin e organizimit, përhapjes dhe kultivimit të vlerave letrare-kulturore të Klubit të Shkrimtarëve shqiptar në botë, anëtarët e të cilit, falë angazhimeve të këtij entuziasti të palodhur kanë arritur të shtrijnë aktivitetet e tyre edhe në kontinente të tjerë.


Dritëro Agolli – frymëzues aktiv i zhvillimeve kulturore

Në monografinë “…me Dritëron”, ku Dritëro Agolli është personazhi qendror, vjen në përvjetorin e tij të 80–të të lindjes, përmes të cilit paraqitet një veprimtari e shumëfisht nga rrjedhat e artit dhe kulturës, por edhe ngjarje tjera, madje edhe nga politika e historia, që i përkasin një periudhe të veçantë dhe shumë sensitive. Edhe kur shënon ngjarje ku nuk është i angazhuar drejtpërdrejtë Dritëroi, edhe atëherë kur ndonjë takim i autorit me kryepersonazhin, fryma e mesazhit të tij kushtimisht rrezaton dritë dhe fuqi në mbajtjen gjallë të aktiviteteve të ndryshme, që do t’i takojmë përgjatë gjithë librit, në më shumë se katërqind faqet e tij.
Zhvillime të nduarndurshme kulturore dhe politike të dekadës së fundit të shekullit të kaluar dhe fillimi i shekullit të ri ishin frymëzim i autorit që të sakrifikoj edhe lirinë e tij personale për të ndjekur nga afër çdo aktivitet kulturor dhe në të shumtën edhe të bashkëveproj apo të organizoj mjaft nga këto aktivitete, ndër të cilat veçohet formimi dhe udhëheqja e Klubit të Shkrimtarëve shqiptar të kudondodhur në botë “Drita”, me seli në Athinë, për të mbledhur rreth vetes numër të konsideruar krijuesish letrar, që jetojnë dhe veprojnë nëpër botë. Në vazhdën e aktiviteteve të këtilla një kontribut të mirë do ta ketë dhënë edhe prezenca fizike, apo edhe fryma prej këshilluesit dhe motivuesit të Dritëros, emri i të cilit kalkulon gjithë vullnetin krijues të autorit.
Kështu, Dritëro Agolli në gjithë kapitujt e kësaj monografie mbetet njëri ndër meritorët, fjala dhe mendimi i të cilit frymëzoi breza të rinjësh në ngritjen e vlerave të krijimtarisë së tyre. Ai sikur e zbërthen fillin e jetës në kohën më të vështirë të tranzicionit dhe zhvillimit demokratik të atdheut.


Exlibris i vlerave të patjetërsuara

Libri “…me Dritëron”, i ndërtuar në formë ditari, me prezantim të aktiviteteve tjera që e përfaqësojnë periudhën pesëmbëdhjetë vjeçare (1995-2010), të zhvillimeve të jetës kulturore, politike dhe shoqërore, gjithnjë në kontekstin e pikëpjekjes me jetën, takimet dhe aktivitetet e shkrimtarit të mirënjohur Dritëro Agollit. Kjo mënyrë e ndërtimit të këtij libri, që në brendësinë e tij takojmë edhe poezi, kujtime, publicistikë dhe ndër më të veçantat e këtij libri janë ëndrrat që i prezantohen lexuesit, ashtu si i përjeton autori, pa ndonjë ndryshim, pa marr mundimin t’i zbërthej ato, por gjithnjë në formën si i shfaqen atij, për të lënë mundësinë e mendimit dhe parafytyrimit të lexuesit, që të kuptoj ndonjë ngjashmëri me jetën, ngjarjet dhe parashikimet e ardhmërisë. Autori, krijohet bindja se ka investuar shumë mund dhe angazhime që të realizoj këtë formë të të hartuarit të kësaj monografie, duke u përkujdesur që të pikas gjithçka që e takon në përditshmërinë e kësaj periudhe, aq sa është rrumbullaksuar brenda kopertinave të librit. Periudha pesëmbëdhjetëvjeçare e përfshirjes së ngjarjeve, aktiviteteve dhe ndryshimeve politiko-shoqërore të atdheut paraqet një vlerë të pakontestueshme kulturore dhe historike. Aty takojmë emra krijuesish nga vendi, dhe mërgata, pastaj shumë emra krijuesish botërorë, që hartuesi i monografisë do t’i ketë takuar në data e përvjetorë të ndryshëm, për të sjellur kështu njohuri shumëdimensionale për lexuesin shqiptar. Derisa në rrjedhat kulturore në Shqipëri dhe vendet tjera përreth ku krijues shqiptar zhvillojnë aktivitetet e tyre, si: Ismai Kadare, Rexhep Qosja, Xhevahir Spahiun, Ali Podrimja, etj. të cilët janë të pranishëm në vargun e gjatë të zhvillimeve kulturore, një prezantim tjetër përgjatë gjithë monografisë e përshkojnë emra e ngjarje tjera, si përvjetor për Eçrem Çabejn, Vedat Kokonën, Gjergj Fishtën, Faik Konicën, Tajar Zavalanin, Naum Veqilharxhin, Jeronim De Radën, Petro Markon, Dhimitër Shuteriqin, Bekim Fehmiun, Ramadan Sokolin, artisten e madhe Violeta Manushi, Sulejman Pitarkën, Aristidh Kolja etj. Poashtu nuk i ikën nga kujtesa edhe ngjarjet tragjike, si vdekja e princeshes Dajana, Elvis Preslit, vdekja e Nënë Terezës dhe fjalimet ngushëlluese dhe mendimet për personalitetin e saj nga Bill Klintoni, Zhak Shiraku, etj. Shënime për përvjetor të personaliteteve kulturore dhe politike nga bota, ndër të cilët edhe Viktor Eftimiu, Henrik Hajne, pastaj përvjetori i vetëvrasjes së Sergej Eseninit, përvjetori i lindjes së Ernest Heminguejt, Janos Ricos, Emil Zolës, Alen Boske, e shumë emra tjerë që takojmë gjatë rrugëtimit kurioz nëpër këtë monografi, ndër të veçantat për nga forma e qasjes së ngjarjeve dhe strukturimit. Edhe ngjarjet e kampionateve sportive, të sportistëve të veçuar e deri te rrjedhimet historike, si Takimet politike për Kosovën në Rambuje, pastaj Pavarësia e saj, etj. Shënimi i daljes së revistës “Pelegrin” është një ngjarje e rëndësisë së veçantë, pastaj botimi i librave të autorëve të shumtë, që spikasin në data e ngjarje të rëndësishme, ku autori i monografisë nuk i lë anash, duke iu dhënë një vend në ngjarjet e shënuara.
Pasqyrimi i zhvillimeve historike, i manifetimeve e përvjetorëve të shumtë gjatë kësaj periudhe mbesin dëshmi e një kronologjie ngjarjesh, që mund të shërbejnë mirë për lexuesin e rëndomtë, studiuesin dhe kurreshtarin e arritjeve të botës kulturore dhe letrare, në veçanti. Një libër i këtillë shumëdimensional nga fusha e kulturës dhe publicistikës është pasuri e patjetërsueshme që bën të jetë i kërkuar për çdo moshë dhe çdo kohë, me interesime të këtyre sferave shoqëroro-kulturore.


Kollazhi i ngjarjeve mbetet arkivë e hapur

Kjo kronologji ngjarjesh në të gjitha sferat e jetës, vështirë se mund të takohet në ndonjë vend tjetër, si e kemi këtu, të përmbledhur me përkujdesje pothuajse fanatike, që mund të konsiderohet si një bibliotekë e veçantë, ku shpalosen arritje kulturore nga bota shqiptare. Por, në këtë shtrirje kohore nuk mbetet pa u vënë re edhe zhvillimet e shumta kulturore nga bota, shënime datash e ngjarjesh të rëndësishme, përshkrime për fytyra nga kultura dhe arti botëror.
Në përgjithësi një kollazh i këtillë gërshetimesh me ngjarje nga vendi dhe ato ndërkombëtare, paraqet një ndërlidhje të kulturave dhe aktiviteteve në këtë kontekst. Kjo e bën edhe më të vëmendshëm lexuesin, kur pa mund ia arrinë të gjej shumëçka nga këto zhvillime që japin mundësinë të kuptoj se sa kemi përafrime me zhvilimet në këto rrethana që ndodhej vendi atëbotë, përkundër rrjedhave politike që vështirësonin zhvillimet kulturore. Sipas dëshmive të kësaj monografie del se aktivitetet kulturore dhe letrare nuk kanë pushuar asnjëherë, por kanë bërë punën e vet prej vigjilence të stërholluar në shënimin, përcjelljen tek lexuesi dhe arkivimin e këtyre ngjarjeve që shënojnë këtë periudhë kohore prej mbi një dekadë e gjysmë.
Vërtetë këtu takojmë një zbërthim të jetës në rrafshin historik, politik dhe kulturor në kohën më të vështirë të tranzicionit dhe zhvillimit demokratik të atdheut që mbesin si arkivë e hapur për akcilin që synon të mësoj e trajtoj tema të reja nga këto ngjarje e zhvillime në botën shqiptare dhe më gjërë.


_____________________
Marrë nga ARENA në FB

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen