Dienstag, 27. März 2012

Libra të rinj: “Gjuhëshqipja të zonjërojë”

Miqtë e mi të mirë të penës, të gjuhës e të idealit të shqiptarizmës. Këto ditë doli nga shtypi libri im “Gjuhëshqipja të zonjërojë”. Është një botim me rastin e 100-vjetorit te Pavarësisë që përmban përvojën e punës sime në mësimdhënien e gjuhës e trajton problemet aktuale të gjuhës shqipe në të gjithë trojet tona amtare e në diasporë. Libri ka 210 faqe e është botuar nga shtëpia Botuese “ Vllamasi” Tiranë me ISBN 9769928145 296
Po ju përcjell një shkrim të mikut im Dr. Fejzulla Gjabri që është edhe redaktori i librit. Ai më autorizoi që t’ua postoj për të krijuar një ide paraparake deri në leximin e plotë të tij.
Ju falenderoj për mirëkuptimin tij, Mbarësi e sa më shumë suksese në krjimtarinë tuaj. Me respekt e mirënjohje Namik Selmani


Gjuha jonë sa e mirë!

Duke lexuar librin e shkrimtarit, mësuesit dhe studiuesit Namik Selmani “Gjuhëshqipja
të zonjërojë”

Nga Dr. Fejzulla Gjabri

Librat e autorit Namik Selmani përherë e më shumë më kanë tërhequr vemendjen si lexues, si mik, si gjuhëtar. E kam ndjerë këtë vemendje, gati të padurimtë edhe te lexuesit e të gjithë trojeve tona amtare. Ai është mësues, poet, tregimtar, publicist, studiues i folklorit, mësuesi i pasionuar, po aq sa është edhe një veprimtar i shquar i çështjes sonë kombëtare. Këtë e tregojnë edhe pjesëmarrjet e shumta të tij në disa antologji kombëtare me poezi, tregime, reportazhe, etj. ashtu si dhe shumë Çmime që ai ka marrë në vite. Dhe kjo vemendje që rritet, është jo vetëm meritë e temave shumë të larmishme që i trajtojnë 24 veprat e botuara, por edhe me atë frymë shumë të spikatur atdhetare e natyrisht me një cilësi shumë të lartë artistike të rrëfimit të tij. Ka kohë që e ndjek krijimtarinë e tij. Me respekt e me emocion. Vlerësoj punën dhe pasionin e tij. Pse jo edhe sakrificën që ai bën për shkronjëbërjen shqipe. Para tre vitesh m’u dha rasti që të redaktoj edhe librin e tij “Ujëvara e tingujve” që u botua në prag të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës. Një libër që ngrinte lart vlerat shpirtërore dhe artistike të kombit tonë.
Me një gjuhë shumë të ngrohtë, me një kulturë të lartë të rrëfimit, të një figuracioni që rrjedh shumë natyrshëm e me një origjinalitet shumë të spikatur ai jep që në fillim motivin qendror të librit të tij që s. thotë ai vjen, pas një pune mbi 35-vjeçare. “Një libër që merret me gjuhën e kombit tonë dhe problemet e saj, është e duhet të jetë i të gjithëve. Me pak të kaluar, por më shumë me të ardhmen e saj. Se ajo na bashkon, na jep identitet para botës së madhe ku shpesh vrapojmë herë si nevojtarë për të jetuar më mirë, herë si kureshtarë të ngazëllyer nga ajo që nuk e kemi parë kurrë, herë si të barabartë në kulturë e mençuri me të huajt, herë duke ndriçuar skenat e vendeve me talentin e jashtëzakonshëm, herë të futur në anonimatin e njerëzve që kërkojnë të jetojnë më mirë e të besojnë sinqerisht se jeta e nesërme do të jetë më e mirë, më e begatë, më e ngarkuar me mirësi me dashuri.”
Libri “Gjuhëshqipja të zonjërojë” që në titull është i veçantë. Ai është një kurorë e bukur dhe e respektuar jo vetëm në një 100-vjetorin e Pavarësisë, po edhe në vitet e tjera që do të vijnë. Se gjuha jonë amtare me traditën e saj dhe me të nesërmen e saj, me problematikën e mprehtë që ajo ka në ditët tona. Këtu në vendin amë, por edhe në shtetet ku ka shqiptarë. Madje edhe në diasporë ku ka shumë probleme. E parë me këtë kënd, do të thoja se ai i bën një nder të madh edhe kombit tonë. Se nuk mund të kuptosh historinë me krisma, me dëshmorë, me lavdinë dhe humbjet e saj pa folur për gjuhën që bashkon këtë komb. Dhe këtë Namiku e bën falë një përvoje dyzetvjeçare që të bën që të jesh tepër mirënjohës për të.

Mesazhi i këtij libri jepet që në parathënie me titullin “Një libër që na vlen të gjithëve.” Po, është e vërtetë. Këtë libër duhet ta kenë në duar nxënësit dhe mësuesët e shkollave të mesme, ta kenë pushtetarë të të gjithë niveleve për tërë ato detyra që iu takojnë atyre. Iu takon ta kenë dhe gazetarët e panumërt të këtij vendi që jo gjithmonë përdorin brumin e gjuhës të pastër, të bukur, të ngrohtë, me misionin e madh të përsosjes së saj e të atij modeli që duhet të përdorin njerëzit e thjeshtë. Do t’i duhet edhe shumë emigrantëve shqiptarë që jo gjithmonë mendojnë që të ruajnë gjuhën amtare për fëmijët e tyre. Është një protestë e hapur për dashakeqësinë që ekziston jo rallë në disa shtete për të njohur të drejtën e madhe dhe shumë njerëzore dhe administrative për përhapjen e gjuhës edhe te komuniteti shqiptar. Kapitulli i parë përmban problematikën e mprehtë që ka gjuha jonë sot. Ky autor e ka bërë këtë jo vetëm me shkrimet studimore, vëzhgimet, por edhe me gjini të rralla për publictikën aktuale. Mund të citojmë reportazhin shumë të goditur me vlera antologjike “Një Ballkan me shkronja shqipe” me mesazhet, me emocionet, me përkushtimin atdhetar. Ose edhe një tregim për një gjyq që bëhet për gjuhën shqipe ne Greqi.
Në këtë kapitull ai merret me problemet më të mprehta që ka sot gjuha jonë amtare, qoftë në mësimdhënien e saj në shkollat e mesme, të larta, qoftë edhe në atë mjedis jo mirëdashës që ka sot shoqëria shqiptare për të folur e në të shkruar, në zbatimin e standarteve më të mira. Flet për dhjetra e dhjetra fjalë të huaja që kanë pushtuar fjalorin e gjuhës sonë, edhe pse ato me një përkushtim të madh atdhetar mund të mënjanohen. Nuk është vetëm nostalgjik, po më shumë hedh sytë në të ardhmen. Këto ai i trajton edhe më konkretisht në shkrimin “Beteja që na kërkon në radhë të gjithëve”. Është një shqetësim që merr përmasat e një klithme të vërtetë për kohën që jetojmë me gjuhën “globalizëm”. Këtij problemi ai i kushton edhe një kapitull të veçantë ”Gjuha shqipe dhe globalizmi”. Përballë globalizmit ekonomik, monetar, politik, kulturor që kanë përfshirë jetën tonë ekonomike dhe shoqërore. Ai kundërshton me argumenta të sakta gjuhësore pasojat që globalizmi mund të ndikojë në humbjen e identitetit tonë kombëtar në lidhje me gjuhën tonë.
Këtij shkrimtari, studiuesi me sens të spikatur atdhetar nuk munf të mos shkruante për atë goditje dhe harresë që ka sot gjuha amtare në Greqi. Studimi shumë i gjatë dhe me argumenta të forta historike, gjuhësore, diplomatike, politike “Gjuha shqipe në Greqi përballë goditjes dhe harresës”, është një kontribut shumë i vyer i viteve të fundit në marrëdhëniet shqiptaro-greke që janë parë vetëm në diplomaci, politikë, histori dhe asnjëherë në këtë plan me një gjërësi dhe me një ndjeshmëri kaq të madhe dhe me pasoja jo pak të vogla në marrëdhëniet mes dy kombeve, sidomos në atë të problemit çam që akoma qëndron i pazgjidhur mes dy vendeve.
Me shumë interes lexohet shkrimi problemor “Portret i mësuesit në dy kohë”. Në sfondin e gjykimeve për mësuesin është edhe ai i mësuesit të gjuhës shqipe në të gjithë kategoritë e arsimit shqiptar. Jo gjithmonë këta mësues i shoqëron pasioni, për të mos thënë sakrifica që përmban në vetvete ky profesion kaq human dhe atdhetar që ka mësuesi i gjuhës. Pasojat i kemi pranë vetes. Një masë e madhe nxënësish e studentësh që nuk respektojnë as edhe normat më elementare të gjuhës tregon edhe pasojat e kësaj pune jo pasionante dhe profesionale të këtyrë mësuesve. Jo vetëm me shembullin e tij tërë përkushtim, por edhe ne një gjuhë shumë të qartë, ai na e sjell të gjithëve këtë shqetësim që nuk është thjesht për një gjë të rëndomtë, por për të ardhmen e kombit tonë në rilindjen e kulturës së tij. Përballë kësaj tradite që në shumë raste nuk përtërihet, ai vë modelin e frankofonisë. Edhe ky është një studim shumë interesant për publikun e gjërë shqipdashës.
Një debat libror me kryeministrin e vendit me titull “Politikat për librin janë pjesë e çështjes kombëtarë” autori hedh shumë mendime. Nga forma letrare ai zgjedh letërkëmbimin që po përdoret rrallë në letrat shqipe, po që është shumë i pëlqyeshëm për leximin dhe hedhjen e ideve. Është një prapavijë e fuqishme përvoja e tij si mësimdhënës, si shkrimtar, si studiues. Edhe pse është e shkruar përpara katër vitesh, me mendimet e autorit, ajo është më se aktuale edhe sot e kësaj dite. Nëse politikanët kanë kohë që hedhin idenë e një bashkim kombëtar, Namik Selmani mendon se Porta e parë e këtij bashkimi është ajo e kulturës dhe e gjuhës. “Përballë censurës së humnertë, përballë kufinjve të gardhuar dhimbshëm të së kaluarës, urgjentisht duhet të fitojmë kohën e humbur për të mos u fshehur si një kokë struci përpara idesë së Bashkimit kulturor, shpirtëror kombëtar, ashtu si po bëhet pak a shumë integrimi i muzikës, i sportit, i politikës, i ekonomisë”, thotë ndër të tjera Namiku në këtë letërkëmbim. Për realizimin e misionit të tij autori ka përdorur edhe gjininë e tregimit si janë “Ringjallja e Naim Frashërit në Kumanovë”, “Fara e diturisë” dhe “Drita që i dha dritë shkronjoore në Maqedoni”. Këto tregime të rralla në ndërtim dhe shumë emocionuese, lexohen me një frymë nga të gjithë lexuesit. Në to jepet mbijetesa shqiptare nëpërmjet gjuhës shqipe në trojet tona amtare, sidomos në Maqedoni, Preshevë dhe në diasporë nëpërmjet përvojës së shkollës shqipe në në një shtet të Amerikës.
Nuk mund të bësh sot moral për gjuhën amtare nëse nuk je vërtet modeli më i bukur, më i saktë, më i pagabueshëm. E pra, për ato dhjetra e qindra shkrime, mes tërë ato libra të botuara nga ai, janë zgjedhur disa shkrime. Një shkrim të bukur ka bërë për të autori mitrovicar Faslli Hajrizi. “Krijuesi i një kohe që ende nuk ka ardhur“ shkruan ndër të tjera studiuesi Gjokë Dabaj në vlerësimin që ai i bën librit me poezi “Pesha e qiellit të vendlindjes“ për të vazhduar më tej me një studim të mirëfilltë “Fjalorthi i një libri”. Janë dhjetra faqe libri që i bëjnë jehonë fjalëve të reja dhe të rrallëhasura që studiuesi Gjokë Dabaj ka gjetur në librin poetit Namik Selmani “Pesha e qiellit të vendlindjes“ që janë jo më pak se 260 të tilla. Dhe me të drejtë studiuesi Dabaj shkruan “Kur vetëm në një libër të autorit Namik Selmani mund të gjesh mbi 260 fjalë të reja, atëherë duhet të mendosh se çfarë kontributi gjuhësor ka dhe jep ky autor në 24 librat e botuara në vite me një leksik shumë të pasur.” Duke e parë librin “Gjuhëshqipja të zonjërojë” me atë larmi shkrimesh që ai paraqet nga forma e rrëfimit të tij shohim që të rrinë pranë njëri-tjetrit shkrimi problemor, studimor, tregimi, reportazhi poezia. Kjo gjë të jep përshtypjen se ke në duar një minienciklopedi pedagogjike që vlen për të gjithë palët e interesit, nëse do të shpreheshim me gjuhën e dobisë së tij. Një enciklopedi që i shërben të gjithëve sot e nesër.
Të mbetet në mendje gjatë, shumë gjatë, përfundimi që ai ka nxjerrë që në fillim të librit që të ndjek pas vestes. “Pushtuesit e huaj, armiqtë e të gjithë kohërave të këtij kombi, para se të na vrisnin fëmijët, nënat, të na digjnin ullinjtë, shtëpitë, oxhaqët, të mbjellat të parën gjë që bënë, ishte të ndëshkonin e të vrisnin njerëzit e dijes, përhapësit e shkronjave shqipe.” Pas këtyre pamjeve që janë larguar nga sytë tanë ka mbetur shumë herë trishtimi i mungesës së një gjuhe letrare, për të cilën sot e nesër duhet të themi të gjithë njëzëri: “Gjuha jonë sa e mirë!”
Kapitulli i fundit është një cikël poetik me titull “Gjuha jonë amtare dhe poezia” Po, duke ecur në gjurmët e traditës poetike të rilindasve dhe, më tej të periudhës së pavarësisë për t’i kënduar poetikisht gjuhës shqipe, ai na ka dhuruar një cikël shumë të bukur. Nuk është kurrfarë imitimi i poetëve tanë Naim Frashëri, Çajupi, Ndre Mjeda, Lasgush Poradeci, etj. Ai largohet folklorizmit poetic, me një metaforë të bukur, me një varg që krijohet mes klasikes dhe modernes. Poezitë e këtij cikli mund të mbushen me repertor letrar shumë mirë pasditet kulturore të shkollave të mesme dhe të studentëve me një kurorë të re të fjalës poetike. Kjo kurorë shumë herë i ka munguar e i mungon jetës kulturore të shkollave tona. Kjo është një arsye më shumë për ta përgëzuar autorin e këtij libri. Poezitë janë ndërtuar me detajet letrare Që në titujt e tyre si “Kalatë e gjuhës” “Në shkollën shqipe të Ankonës”, “O, sa mirë të jesh në Preshevë”, “Udhët e Josif Bagerit”, “Shkronjëzjarrtat shqipe në Nju Jork”, “Anës lumit të Vardarit”, “Babë Dudë Karbunarës”, “Kostandin Kristoforidhit”etj, shpaloset “gjeografia” e krijimeve poetike që përfshijnë mbarë kombin tone. Informacioni poetik për jetën e aktivitetin atdhetar të Josif Bagerit përjetohet në këto vargje: “Eja në Tiranë, a Prishtinë të rrokim sërish shqipen /Se malli fort na mrroli e na thinju, bash si filizi i prerë/ Le të hedhim lumnueshëm një valle shqiptare mes lugine/ E Kuvendin e madh të bëjmë në një odë, në Rekë. Edhe në një mjedis të zhurmshëm amerikan autori ka ditur të gjejë poezin e fjalës shqipe, të kombit shqiptar. Për këtë në shkollën shqipe të Nju Jorkut ai mediton poetikisht “Gjokskollitur vjen Naimi/Paska sjellë pranverë mes nesh/Lum kush zgjoka shqiptarizmin/Në një shkronjë që buzëqesh.//Vjen Kosova djeppërgjakur/Plagëndezur, lumturuar/O, ç’iu ndritkan sytë te pragu/ Kur sheh shqipen fjalëmjaltuar. Dhe më tej në një mjedis mbresor ai duket se jep një piskamë, një thirrje, mbase një kukamë që na bën të skuqemi të gjithë kur flasim për gjuhën tonë: “Dëgjoooooni!!???..Bie një zile shkollore! Për gjuhën shqipe bie. Një zile që edhe lotin e mallit dhe të dashurisë për pragjet e shkollave të nxjerr nga qerpiku i lodhur nga vitet….Bie si një këngë e pambaruar. ZILJA që të fton te GJUHËSHQIPJA, asnjëherë nuk duhet të mbarojë tringëllimën e saj.” Duket se bibliotekat shkollore kishin kohë që e prisnin një botim të tillë. Pa dashur të vë kurora për librat e botuar në vitet e fundit, do të thoja me shumë siguri që libri i autorit studiuesit, mësuesit, poetit, publicistit Namik Selmani “Gjuhëshqipja të zonjërojë“ i bën nder jo vetëm krijimtarisë së tij aq të suksesshme e të pasur, por edhe botimeve që janë bërë e do të bëhen me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, me mesazhin që ia kalojnë edhe shumë përvjetorëve të tjerë.

22 mars 2012

_______________________
Marrë nga "ARENA" në FB

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen