Sonntag, 11. März 2012

Myrteza Mara: Tri poezi


PEIZAZH I VRARË


Pyje të shurdhër pa këngë,
Zogj të lodhur në fluturim,
Rè që kafshojnë me dhëmbë

Fjalë që pëlcasin si minë.


Anije të çara nga dallgët,
Dallgë të thyera në shkëmb,
Shkëmbinj pa lidhur plagët,

Qielli i grisur pa hënë!


Rrugë që rënkojnë dhimbje

Lëndina të etura për bar.

Tokë që ëndërron për lindje,
Mbi faqe lotë të patharë.



Yje që mbetën shtegëtimit,
Çerdhe jetime, pa zogj.

Trena që s’nisën udhëtimin
Udhëtarë që s’mbërritën dot.



Varre të hapur, pa emër,
Krisma të verbëra marin jetë.

Nëna që presin një letër,
Shtëpi të mbetura shterp.



Buzë që puthjet i harruan,
Sy që nuk shikojnë dritë.

Kope me qenë të tërbuar,
Ujqër sygjaktë në pritë.



Bukë e papjekur në furrë,
Furr i pangopur me zjarr.

Në mes të zjarrit jam unë,
Bashkë me peizazhin e vrarë.





  

LUTJE


 Fali mëkatarët,

 O Zot,
nuk janë si më parë,

 tani dinë ç’bëjnë!
Kryqëzimeve të verbër

 mos i shto shtyllat

se do vetëshpallen të gjthë martirë
dhe Ti s’bëhesh dot milion.

Do digjen ëngjëjt,
në vend të qirinjve të mëshirës,

duke u lutur
për shpirtrat e pandëshkuar,

 shemben kataraktet e dhimbjeve
nga turbinat e mallkimit!

Amin!

 ..............................​..

 Të lutem, Qielli im,
mundohu e zbrit,

ndonjëherë deri tek ne,

mos të na harrosh fytyrën:
Apostujt e tokës

nuk e bëjnë mirë detyrën!







‎7 MARSI

Mesazhe drite
mbi themelet e jetës,

në memorien e universit

Pemë Kujtese!


Mësuesit,

ambasadorë me kredenciale

në altarin e kulturës....
Viktimat e para

në turrën e ndezur të druve!


_____________________
Marrë nga ARENA në FB

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen