Sonntag, 17. März 2013

Namik Selmani: AMANETI I TAJAR GASHIT:


Amaneti i Tajar Gashit

 Duke ndjekur rrugën e arsimit shqip në Gostivar

 Nga NAMIK SELMANI

 Rruga e arsimit tonë kombëtar përherë i ka ngjarë një udhe ku udhëtari ka patur një etje të madhe e shpesh edhe të pashuar . Një etje ku krojet e diturisë kanë qënë me ujë të pakët. Ky mendim m’u përforcua edhe kur bëra një vizitë në shtëpinë e mësuesit veteran Mustafa Ismailin në Gostivar. Qante mësues Mustafai se i kishte ardhur në shtëpi një mik nga Shqipqria , nga Çamëria. Më tregonte librat që kishin shkruar për të.Isha me mësuesen Bukurie Gashi ( Iseini) që gjithashtu ishte edhe ajo vajza e një mësuesi të vjetër, ndër të parët e shqipes në Gostivar që quhej Tajar Gashi. U emocionova vërtet. Dhe i kërkova vetes një “ besë” të re. Duhej shkruar sa më shumë për këtë rrugë Ishte shumë më tepër se një detyrim për të shkruar qoftë edhe modestisht për këtë rrugë që nuk ka arsye përvjetorësh për t’i kujtuar, por që gjithmonë janë “ buka” e së ardhmes . Pse jo edhe guri ku ndahet kufiri i politikës në këtë shtet shumëetnik. Duke parë në disa arkiva fillimet e mësimit shqip në shkollat e Tetovës, Gostivarit të qytetve të tjera e të fshatrave shqiptarë në Maqedoni që dhe sheh disa foto të atyre viteve të bie në sy një lajm shumë krenare të nxënësve dhe mësuesve të atyre viteve. Ishin shkollat e para shqipe e në një foto t një shkolle të hapur në Tetovë një dorë e pastërvitur mirë kishte shkruar “E para shkollë shqipe në Tetovë”.
Emrat e shkollave kishin gdhendur atë histori të re që po shkruhej në qytetet e bjeshkët e Iliridës si “Liria” “Ismail Qemali” etj. Fëmije që në uniformën e tyre të parën kishin plisin. Bashkë me shkronjën shqipe që ata gdhendnin në fletët e bardha, kishin edhe pamjen krenare të plisit të bardhë, me të cilin kalonin në rrugët e Gostivarit, të |Tetovës, të Kumanovës, të Shupit.
Kjo pamje është një “ portë” kujtese për mësuesin e parë të zonës së Gostivarit Tajar Gashi.
Isha para pak kohësh në Gostivar. Në një qyet ku simbolika e librit, e llokumeve dhe e kënave të nuseve të ndiqte hap pas hapi. Jo më pak edhe jehona e tingujve të ansamblit të Gostivarit që akoma është i gjallë në skenë n e Maqedonisë, së Kosovës e në Ballkan e më gjërë.
Nuk do ta përfytëronim rrugën e jetës së Tahir Gashit po të mos flisinim sadopak për babain e tij Qazim Gashin. Qazimi, ndonese nuk kishte gjetur në Gostivarin e vogël një klimë shkronjëdashëse për shqipen e kishte gjetur mënyrën për të marrë sa më shumë arsim. Kishte shkuar larg deri në Stamboll për ta bërë këtë gjë duke bërë që më vonë të mos qëndronte në këtë qytet joshës por të vinte në strehën e tij . Arsimimi në gjuhën turke nuk e pengoi që ai të mësonte shqip shqiptarëve.
Shkollimi shumë i lartë që kishte, por edhe përkushtimi ndaj vëllezërve të tij shqiptarë bënë që ai të bëhej edhe kryetar i Gostivarit. Një gjë të tillë natyrisht nuk i shkonte për shtat pushtuesit dhe qeverisë turke. E kapin dhe e internojnë në qytetin e Shtipit ku edhe ndërron jetë në burg. Fëmijët e tij mbetën në përkujdesjen e bashkëshortes Ajshe, një grua shumë intiligjente një zonjë shumë e respektuar në qytet për devotshmërinë ndaj familjes së saj, miqve dhe dashamirëve. Kësaj radhe pra do ta merrte forcën nënë Aishja. Për të vazhduar atë rrjedhe jete që pati nisur Qazim gashi sidomos për edukimin e fëmijëve që kishte lënë ai pa baba. Një nga djetë që do të dërgonte në ved amanetin e baba Qazimit kësaj radhe do të ishte Tajari.
Tajar Gashi ka lindur ne 1915 ne Gostivar. Shkollimin fillor e ka mbaruar ne gjuhën turke në Mexhidijen e qytetit dhe pastaj vijon më tej. Më tej shkollimin e bën në gjuhën serbe.
Shteti shqiptar nuk mund të bëntë kaq shumë edhe për arsimin e trojeve amtare në Gostivar, Tetovë, Shkup në Kosovë. .
Nevojat e jetës e detyruan që të punonjte. Qysh i ri ai punësohet si çirak (nxënës) në punëtorinë e një rrobaqepësi serb, nga i cili e merr zejen për 3 vite radhazi. Punëtoria ka qenë shumë e frekuentuar dhe puna ka vajtur shumë mirë. Pas vdekjes së pronarit Tajar Gashi vazhdon punën si rrobaqepës. Ishte një gjë shumë positive se punëtoria ka qene vendtakimi i të rinjve intelektualë të qytetit. Kjo ndodhte se ishte pronë e një serbi e keqkuptimt ishin të pakta. Pas Luftës Nacional Çlirimtare, në Gostivar hapen shkollat e para shqipe me mësues të ardhur nga Shqiperia. Kombi shqitar pas lirisë që po fitonte (edhe pse po futej në një sistem politik jo perëndimor nisi betejën e nalafabetizmit.
Në shtëpinë e Tajar Gashit vendoset mësuesi Ahmet Pero. Jetoi mësues Ahmeti për disa kohë në këtë sntëpi pa paguar asnjë gjë për fjetjen e ushqimin. Nuk ishte vetëm mikpritja por edhe dashuria për dijen për shqipen që i bëri kaq bujar familjen e Tajar Gashit. Ky qëndrim e pati edhe një gjë të bukur. .Nën ndikimin e tij Tajar Gashi regjistrohet në shkollën Normale të Shkupit dhe si kursist mbaron shkollën për mësues dhe më vonë punësohet si mësues në fshatin Çegran në vitin 1951 ku ishin hapur shkollat e para shqipe. Pastaj disa vite punon në fshatrat Raven dhe Çajle deri në vitin 1957. Gjatë gjithë kohës deri sa ka vajtur dhe është kthyer në shtëpi nga puna, ka qenë nën përndjekjen e agjentëve të shtetit të ri jugosllav. Nga tregimet që ai u ka lënë si kujtim fëmijëve tregonte se mbasi ka filluar ora kanë qëndruar pranë dritareve të shkollës për të dëgjuar se mos po tregon tema patriotike nxënësve. Nga viti 1957 -1975 punoi në shkollën fillore “Petre Jovanoski” që sot quhet “Ismail Qemali” nga doli dhe në pension.

Vitet që kanë kaluar tani pas ndraes së tij nga jeta e kanë rrënjosur edhe më shumë nderimin për punën e bërë nga ai për arsimin shqip në zona pak a shumë të thella të Gostivarit. Virtytet e tij humane, patriotike dhe intelektuale ishin te njohura ne qytet dhe rrethine. Mbahen mend shumë kujtime që tregonin humanizmin e tij të jastëzakonshëm Shumë njerëz hallexhinj shpesh i rrëfeheshin dhe kërkonin ndihmë morale për zgjidhjen e problemeve të tyre. Ai që shumë i njohur edhe për ndërhyrjen dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve familjare te popullatës e sidomos për pajtim te gjaqevene qyteteve te ndryshme ne Maqedoni. Pajtimi gjaqeve ishte një akt fisnik që bëri mësues Tajari. Po ai nuk mund të rrënjoste nevojën e arsimimit të popullit pa e nisur nga familja e tij.
Si arsimdashës i flaktë edhe pse me të ardhura minimale arriti të arsimoje shtatë fëmijët e tij me shkollim te lartë.Vajzën e parë Asije Gashi, e dërgoi që të vazhdonte studimet në degën e mjekësisë. Kur mbaroi studimet ajo u bë mjeke pediatre me specializim te neuropediatrisë. Djalin e parë Alihajdar Gashi e bëri mjek ortoped që ka patur një karrierë shumë të suksesshme. Shirine Gashi u bë një albanaloge e shquar. Me kontributin e saj në arsim prej 42 vite ajo është ndër vajazat e para që theu edhe koceptet frenuese që vajza shqitare e Gostivarit kishte në pjesëmarrjen në aktivitete artistike me frymë kombëtare. Tani shijon vitet e pensionit dhe përpiqet që kujtimet e viteve t’i hedhë në letër për brezat më të rinj. Musa Qazimi psikolog, Zejnelabedini me studime të gjuhës angleze ndërsa dy vajzat më të vogla, Bukurija –ekonomiste dhe Vjollca si mësuese e gjuhës angleze. Këta fëmijë të shkolluar padyshim ishin amaneti i gjalë i Tajar Gashit. Sot ata japin kontribut secili ne fushën e vet.
Nga natyra nuk ishte materialist, por idealist, një rilindas i vërteë i gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Shpesh here thoshte: ”Pasuria me e madhe e njeriut është shkollimi prandaj unë jam i pasur, sepse arrita të ndërtoj shtatë pallate” (duke aluduar për fëmijet e e tij). Dhe kjo bëhej edhe duke vështirësuar jetesën e vet, sepse vetë jetonte në një shtëpi të vjetër me dy dhoma. Këto dhoma ishin shumë të frekuentuara nga miq dhe dashamirë.
I donte shumë natyren dhe lulet. Shetitjet jasht qytetit ishin të zakonshme për të. Ndër lulet më preferuara ka patur manushaqen prandaj vajzës së vogël ia vendos emrin Vjollcë.
Veç obligimeve të mësuesisë dhe pajtimit të gjaqeve ai me përkushtim i kryente edhe obligimet fetare. Ishte klerik bektashian në Teqenë e Gjakovës dhe Tetovës. Për hapjen ekësaj teqeje u bë edhe grevë urie meqë ishte marrë një vendim nga shteti për t’u mbyllur gjoja si pronë publike. Realizonte takime të shumta ditë për ditë me besimtarë dhe miq nga anembane botës. Mori pjesë në Kongresin Botëror Bektashian në Strazburg në vitin 1987. Kohën e lirë e kalonte duke lexuar gazeta dhe literaturë nga më të ndryshmet. Kishte zë shumë të bukur dhe shpesh inspirohej dhe ia niste këngës, qoftë asaj popullore qoftë edhe me përmbajtje fetare. Fliste mirë gjuhët shqipe, turke, serbokroate, maqedonase, frënge dhe osmanishte (turqishten e vjetër).
Natyra e tij e qetë, fytyra gjithmonë e buzëqeshur, fjalët e tij këshilluese edhe armikun më të madh e detyronin t’i nënshtrohej dhe ta shndërroje në mikun më të ngushtë. Gjenerata e gjenerata nxënësish të tij sot ende japin kontribut të shquar si mësues, mjekë, juristë, inxhinierë dhe shumë e shume profile të ndryshme.
Për jetën dhe veprimtarinë e tij ai mbante shënime në gjuhën persishte, të cilat sot janë në dorëshkrim dhe pritet që së shpejti të përkthehen në gjuhën shqipe.
Në përcjelljen e tij në shtëpine e amëshimit kanë marrë pjesë mbi 3000 persona duke treguar keshtu respektin e fundit për veprat e tij.
Kana kaluar disa vite nga kjo ndarje nga jeta po ai kujtohet në shumë mjedise arsimore njerëzore të Gostivarit, Tetovës e më gjërë. Të gjithë fëmijët e tij por edhe nxënësit që po rriteshin në sytë e tij, kujtojnë shpesh bisedat që bënin më të. Ishin biseda që kishin kaluar prej kohësh atë të prindit po të mësuesit. Përpara tyre ishte jo vetëm prindi, por edhe patrioti edhe rilindasi (shumë herë ai fliste edhe për gjuhëtarin nga rrethinat e Gostivarit Josof Bageri) edhe kleriku . Të gjithë bisedat ishin jo vetëm një lloj balsami për plagët e arsimit të pamjaftueshëm dhe të persekucioni nga sheti jugosllav, por edhe një lloj drite për të ardhmen, një lloj semafori ku fjala shqipe të mos kishte kurrë pengesë. E të gjitha këto ktheheshin në një amanet, në amanetin e gjallë e të paharruar të Tajar Gashit “Mos e harroni shqipen, bij, se kombi ynë nuk mund të ecë në rrugën e qytetërimit pa të. Amanet po ua lë. Amanet që edhe varri nuk do më tresë po nuk më dëgjuat!”

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen