Samstag, 14. April 2012

Namik Selmani: Hallall buka, vëllëzër të mirë!


Hallall buka, vëllëzër të mirë!

 Tregim nga Namik Selmani

Xhamia ishte mbushur plot e përplot. Për herë të parë në pjesën e poshtme të xhamisë dhe në atë sipërme ku rrinin motrat myslimane, kishte edhe disa me besimtarë të rinj, për atë xhami që Berati e quante ndryshe Xhamia e Sahatit. Besimtarët e rinj ishin njerëz të ardhur nga larg, nga Çamëria. Plakat çame mbanin në duar ca bohçe të mbushura me rroba trupi dhe ca fëmijë që shikonin syngulur këdo që hynte dhe dlkte në atë shtëpi të Zotit. Qani pa e ditur se ku shin e se po prisnin pak qetësinë e faljes së besimtarëve të qytetit. Burrat gjenin pak kohë që të dilnin jasht për të ndërruar kutinë e duhanit e, duke e dredhur cigaren një nga një, i thithnin ngadalë dhe mendueshëm . Të gjithë ato ditë të vështira që sapo kishin kaluar në tokën e tyre, i vinin në mendje të gjalla. Kishin ardhur nga shumë fshatra të Çamërisë, nga Arpica, nga Margëllëçi, nga Globoçari, Kurtesi. Grupe-grupe sipas fiseve. Çdo grup përbëhej me nga dy tre vëllezër. Nuk i bënin dot bisedat për ata që i mungonin. Nga ai tmerr që kishin parë para pak ditësh, akona nuk e kishin marrë veten. Heshtnin. Vetëm Zoti mund të kuptonte atë jetë të dytë.
Në ato dy namaze që kishin bërë në Xhaminë e Sahatit, si e quanin atë xhami në qendër të lagjes Çelepias të Beratit, ishin lutur për shpirtërat e atyre që i kishin lënë pa varr në atë tokë që s’dihej se kur do ta shkoni përsëri. Lagjja ku po banonin ato, ishte ndër lagjet më të mëdha në besimin islam dhe më të moshuarit e kësaj lagjeje tregonin mjaft ngjarje të tilla. Po t’i numuroje ata muhaxhirë të ardhur nga larg rrugë e pa rrugë bëheshin rreth 50 vetë, pleq, gra fëmijë.
Myftiu Qani Efendiu nuk kishte parë kurrë në jetën e tij njerëz kaq fatkeqë. Dhe kishin të njëjtën gjuhë së bashku. Dhe kishin të njëjtin besim fetar së bashku. Dhe kishin këtë dashri për tokën e atdheut së bashku. Këtë do t’ia thoshte për vite e vite me radhë djemve të tij, njerëzve, xhematit që vinte në çdo ditë në atë xhami kaq të vjetër apo edhe në atë të Xhamisë Mbret që ishte në qendër të qytetit të Beratit ku falnin herë pas here namaze të xhumasë. Pasi mbaroi namazi i të xhumasë së atij korriku të mxehtë i tha një burri që rrinte pak më i veçuar se të tjerët, edhe pse familja e vet dhe e të vëllait ishin fare pranë.
-O Resul , i thuaj vëllait me familjen e tij dhe ejani në shtëpinë time. Nuk është larg. Atë që na ka dhënë zoti do ta ndajmë së bashku.
-Zoti ta bëftë dritë, more vëlla, - i tha Resuli dhe pas pak u nisën njëri pas tjetrit te shtëpia e Qani Efendiut, si i thonin Qani Civesë në Berat e në rrethina të afërta të këtij qyteti.
Shtëpia e tij ishte në një rrugicë të ngushtë, nga ato që në Berat i gjen shpesh në Mangalem, në Kala, në Goricë. Ishte nga ato shtëpi dykatëshe që i gjen shumë shpesh në tërë qytetin që tregon në të njëjtën kohë edhe traditat shumë të vjetra të ndëtimeve qytetare. Pasi hëngrën drake, pushuan pak. Atë natë qëndruan deri vonë. Resuli dhe Ismaili këta dy vëllezër që kishin një moshë rreth 10 vjet larg njëri tjetrit, i tregonin Qani Efendiut për xhamitë që ishin prishur të parat nga ai sulm i egër që bënin ndaj tyre ata që kishin vendosur që e gjithë popullsia myslimane e Çamërisë duhet të dëbohej patjetër nga shtëpitë e tyre, nga xhamitë ku kishin falur namazet ata vetë, baballarët, gjyshërit e tyre…
Vona ranë të flinin. Familja e Qani Efendiut u ngushtua dhe kjo nuk ishte për një natë, Berati, ashtu si edhe shumë qytete të atyre viteve, porsa kishte dalë nga lufta dhe gjëja e parë që kërkohej në shtëpi, në rrugë, ishte buka, kripa dhe vajguri. Në rrugicat e qytetit shumë herë shfaqeshin edhe njerëz që merrnin për krahu kundërshtarët e parë të sistemit që po niste qeverisjen për t’i gjykuar me të drejtë e pa të drejtë.
…Mëngjesi i asaj dite korriku erdhi shpejt. Edhe pse ishin zgjuar nga gjumi të dy familjeve came, iu kishte bërë përshtypje pastërtia e rrobave dhe aroma e borzilokut apo e luleve të tjera që kishin marrë rrobat, dyshekët, jastëkët, çarçafët..
Të dy katet njerëzore nuk e kishin bërë të qetë gjumin e asaj nate të shkurtër.
Resuli dhe Ismaili zbritën në katin e parë ku Qani Efendiu, pasi kishte falur namazin e mëngjesit, i priste për të pirë kafenë. Mund ta pinin edhe në ndinjë han nga ato që ishin hapur në qytet, po ajo kafe e parë sikur ishte më e ëmbël, më e bekuar se të tjerat që mund të pinin në klub. Zonja e shtëpisë u ngjit lart dhe dërgoi mëngjesin për të ngrënë gratë dhë fëmijët që, më në fund kishin gjetur qetësinë në një kulm çatie.
-Selam alejkum, Qani Efendi, -foli I pari Resuli, duke vënë dhe dorën në krahun e majtë të gjoksit, ku ishte zemra.
-Selam alejkum,–e vazhdoi edhe Ismaili, duke bërë ritin e vëllait të tij.
-Alejkum Selam.-ua ktheu përshëndetjen i zoti i shtëpisë.
Biseda vazhdoi me pyetjet për shëndetin, për kohën. Akoma burrat nuk kishin ardhur në formë për të rrëfyer ato që mund t’ia tregonin vetëm dërrasës së varrit, asaj dite që vetëm zoti e dinte se kur do të vinte.
Ndërruan edhe kutitë e duhanit duke dredhur mendueshëm cigaret. Pas pak minutash me një ton paksa ceremonial që nuk ishte vështirë ta dalloje që në hyrje, në ballin e ngritur, paksa më shumë se në bisedat e tjera Resuli tha:
-Vëlla Qani, na e bëj hallall bukën që na dhe mbrëmë dhe sot në këtë ditë të bekuar të zotit që na gjeti bashkë. Na e bëj hallall edhe jastëkun ku vumë kokën.
-Ç’po thoni kështu vëllezër, -iu drejtua me shumë mirësjellje i zoti i shtëpisë.- Zoti ua bëftë edhe më të lehtë dhimbjen.
Pasi e mbaroi këtë falenderim, e mori fjalën Ismaili për t’i dhënë të zotit të shtëpisë që të kuptonte se ato që do të thuheshin pas pak ishin fjalë të miratuara nga të dy, por edhe nga familjet që prisnin lart, në katin e dytë për të vazhduar jetën, për të ndërtuar të ardhmen.
Sërish një bisedë me një qetësi ku nuk ishte e vështirë të dalloje një bashkim zemrash, një lidhje të fortë njerëzore që buronte hga besimi, nga dashuria shumë njerëzore për të bashkuar edhe dhimbjet, edhe dashuritë.
-Zoti ta shpërbleftë me mbarësi tek fëmijët tuaj! Do të donim që t’u kërkonim diçka prej teje e zoti ta bëftë mbarë që të na e realizosh.
Qani Efendiu ngriti pak më shumë kokën e nisi kryqëzimet e syve me Resulin dhe Ismailin. Vonë, shumë vonë, ai do t’ua tregonte këtë çst të vështirë djemve dhe miqve shumë të ngioshtë të tij. Ndoshta ishte i vetmi gjynah që kishte bërë. Menjëherë i shkoi në mendje një mendim i keq. “Moos, o Zot! Ç’ ‘kërkojnë më shumë këta njerëz? U dhashë bukë. U dhashë një kat të tërë për të strehuar fëmijët, veten, po çfarë kërkojnë më shumë?“ Vazhdonte edhe më tej të meditonte jo dhe aq mirë për këta vëllezër me familjet e tyre. Nuk ua tha atyre, as atëherë e deri në ditën e fundit të vajtjes për në ahiret. Miqësia e tyre vazhdoi edhe më shumë në vite të tjerë. Një ditë, pas shumë vitesh kur fëmijët e tij u rritën e kuptonin se ç‘po ndodhte në jetë, ia tregoi edhe për të shlyer aq sa mundej gjynahun që kishte bërë duke menduar keq për këta vëllezër çamë, të ardhur nga Çamëria e largët buzë Jonit, nga troje që i kishte bekuar zoti me begati, me mbarësi…..
- Ne hëngrëm mbrëmë darkë, - sikur ia ndërpreu mendimet Resuli,- e sot zonja juaj dërgoi lart bukën e mëngjesit. Qofsh me nder edhe te fëmijët e fëmijëve të tu! Po ne do t’u kërkonim juve që të na jepni ne të dyve dhe dy djemve që janë lart vegla pune, kazma , lopata, drapërin, kosa. Vegla të jenë. Na vjen turp që të hamë bukë pa djersën e ballit tonë. Na e bëj këtë ndër vëlla! Të lutemi! Mos na turpëro! Ne nuk mund të hamë në mbrëmjen e kësaj dite që sapo ka nisur pa na e bërë hallall djersa jonë. E dimë se ju mund të na e bëni hallall, po mbarësia e sofrës nuk është vetëm e bujaria juaj, por është në fillim te djersa e njeriut.
Nuk mund të flisnin më shumë. Qani Efendiu e kuptoi se çfarë po kërkonin, ashtu si kuptoi se edhe ai kishte bërë gabimin më të madh të jetës së tij që kishte menduar keq për këta vëllezër nevojtarë, të drobitur që iu ishin djegur shtëpia, arat, pragjet e xhamitë ku faleshin në namazet e mëngjesit e të mbrëmjeve.
Nuk donte të bisedonte më për të kundërshtuar këtë kërkesë të tyre. Jo, ata ishin njerëz shumë, shumë të mirë. Ata po flisnin me gjuhën e zemrës.
Të dy burrat u ngjitën prapë lart ku ishin fëmijët e gratë. Po prisnin që Qani Efendiu t’u sillte nga një vegël e t’u tregonte se ku duhet të punonin që në mëngjes. Në dhomë gratë kishin ngritur dyshekët, jorganët e të gjithë flisnin me zë të ulët për të mos shqetësuar edhe të zotët e shtëpisë që ishin vetëm pak shkalë posje tyre. Ata kishin nisur ritmin e ditës së punës e të jetës.
Qani Efendiu u vesh dhe doli në rrugicë. Të gjithë i njihte një nga një familjarët e tyre, që nga më të moshuarit e deri te fëmijët. Në dasma kishte uruar me gjuhën e shpirtit e me mbarësinë e zotit. Në ndarjen nga jeta, u kishte shkuar të gjithëve dhe ua kishte bërë edhe më të fortë zemrën që dobësohet në ditë të tilla, por sot…. Sot ai po bëhej një kërkues i çuditshëm . Fytyrat e njerëzve të rrugicës të gjithë të fesë islame po çuditshin jo dhe aq shumë për pamjen e tij, por më shumë për kërkesën e tij. Ai po iu kërkonte atyre nga një vegël pune për vëllezërit çamë. Mblodhi disa prej tyre dhe erdhi në shtëpi. U gjet edhe puna që do të bënin ata. Në namazin e drekës dhe të mbrëmjes të gjithë burrat u bashkuan prapë në xhami. U falën së bashku.
Ishte një ditë e re që po lindëte. Një ditë e re me urimin e jetës së re që po riniste kësaj radhe mes vëllezërve të gjakut, të gjuhës, të besimit te Zoti.
Në hapat që hidhte kishte kërkesën lutëse të vëllezërve të Çamërisë Ata donin të punonin e të jetonin vetëm me djersën e ballit të tyre.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen