Montag, 16. April 2012
POEZI NGA RITA SALIHU
NË KOSHARE...
Sa e vështirë qenka Bacalok
Të jesh në Koshare pa Agimin e Salihun
Kur majave të lisave fluturojnë shqiponjat
Të nxitura nga fluturimi i tyre përtej oqeanesh
Përtej mjegullës shtrigë me sy të robërisë
Nuk do të vijnë as kësaj radhe, u thash
Kanë shkuar në bregun tjetër
Për të sjellë pak diell
Dhe pak bukuri për lulet e shkelura të dheut
Sa e vështirë qenka Bacalok
Të jesh në Koshare pa të rënët
S’të njohka njeri në mjegullën e rënë
Nga motet e mërzitura për mungesën e tyre
Sa e vështirë qenka Bacalok
Të jesh në Koshare pa trimat
Ku vetëm dy rrasa të vetmuara
Përpiqen ta përjetësojnë historinë
Tej pyllit të lirisë mos shkoni pa ne, më thanë
E një rrufe qëlloi lisat më të gjatë të bjeshkës
Që ruante kujtimet për ditën e flijimit
Sa e vështirë qenka Bacalok në Koshare
Të përballesh me dhimbjen
Dhe me harrimin e atyre që panë nga shpati
Si vdiset për dashurinë
Prishtinë, 18 prill
AFSHI
Me plagë në zemër
Me shpirtin e trazuar nga mllefi
Nisem për në brigjet e lashtësisë
Të gjej pak ngrohtësi pranë zjarrit të shenjtë
Të vatrës ku e lash loken të larë në lot
Ku shpirti më përtërihet
Duke prekur lashtësinë
Me degën e zemrës
Do të vij bregut të detit
Ta përtërijë ujin me lot
Si nënat e kërrusura nga pesha e vetmisë
Dhe në këmbë do ta kaloj oqeanin
Me fuqinë e gjysheve
Që dua të më bekojnë në altarin e kthimit
MALLI PËR TË KALUARËN
Kujtimi më vjen si ëndërr
Kur haje bukë misri me qumësht
Aty pranë krevatit të shtruar me kashtë
Këputur nga vetmia
Tash ndërgjegjja është përdhosur
S’të mjafton që ishe kurorë lulesh me fleta bari
S’të mjafton që ishe bar me fleta lulesh
Dëshira të është shndërruar
Në ndjenjë për pushtet
Për të pasur edhe qiell edhe diell vetën ti
Sa më merr malli për ata njerëz
Që dikur ngopeshin me një tramak misri
E laheshin në shiun e shpresës...
Po kalojnë ditët dhe ankthi
Nuk po zhduket
NDËSHKIMI
Kudo më rrethon bota plotë çmenduri
Dorën na jep për në bregun tjetër
Ku s’njoh njeri as perëndi
As yll të kuq as qiell të zi
Ku më njeh vetëm syri korb i zi
Ndërsa unë përpiqem të arrij
Në atdheun që quhet poezi
Ku ndjehem zot dhe perëndi
Pa yll të kuq nën qiellin e zymtë
Ku më shumë bie shi se fryn stuhi...
Po bares nëpër një botë
Që për shpirt e ka kobin
VIZION
Në kopshtin e pyllëzuar me pemë
Midis lulesh me fletë e ngjyra
Ti je më e bukura lule
Më e praruara degë
Në të cilën ngjitem
Për t’u ndjerë mirë
Fytyrën të gdhendur
Nga stuhitë e dimrave të gjatë
Më të gjatë se vetë jeta
Dukesh si një ikonë
Të pikturova me ngjyrën e syve të mi
Me aromën e dheut
E LODHUR
Ndihem e lodhur
Kur dua të kthehem
Në vatër kanë mbetur vetëm urnat
Të fikura nga lotët e nënës motrës
Të shndërruara në qyqe
E vetme
Mezi bëj hapin që më mashtron
Me shpirt të plagosur verbuar sysh
E njoh veten vetëm kur flas
Vetëm kur prek ballin flokët e thinjur
Ndihem e lodhur
Më shtrëngon ajri i natës së huaj
Fasadat e jashtme më mashtrojnë
E vetme në shtëpinë e nënës
Të lyer me baltën e dheut
Në shtratin e shtruar me kashtë
Shoh ëndrra ndjehem e lirë
Derisa shiu i mërgimit më kalb...
Ç’freskim pranë gurrave të fyellit të vendlindjes!
DHOMA E KUJTIMEVE
Më mungon Dhoma e Madhe pa kolltuk
Me shkëmba druri të vendlindjes
Me nga tri këmbë
Dhe gjyshi ulur pranë oxhakut
Duke gërshetuar penjtë
E kohës së mëkateve të mëdha
Që e vriste përditë, nga një kokë ia gërryente
Nuk di në atë dhomë a bënte ftohtë
Apo ishte frika që hynte e dilte nëpër ne
Përgatisnim qëndresën
E lash aty copën e shpirtit
Krenare të mbetem mbi atë shkëmb
Para se të më vrasë harrimi i pamëshirshëm
MOLLË E EGËR
Në tokën asnjanëse
E kam pasë mbëltuar
Një degë nga nëna
Një degë nga babai
Megjithatë në fushën e huaj
Mbeta Mollë e Egër
E pashartuar
VEND I LARGËT
Vendi i largët
Me sy të stolisur
Me flokë të blertë
Më mashtroi si një përrallë
Tashmë kur jam bërë gjyshe
Përralla nipërve nuk u tregoj
Lum ai që nuk u bë personazh
I përrallës që më mashtroi
_______________________
Për "Arena", Sylejman Aliu
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen