Sonntag, 1. April 2012

Venka CAPA, - Poetja që prek me frymë…

Bisedoi: Raimonda MOISIU

“Poezia ishte melhem i plagëve të mia, ishte shërim i shpirtit të plagosur nga fati i jetës”

Ajo dashuron cdo gjë; kafshët, zogjtë, lulet, natyrën, muzikën, historinë, miqësinë edhe jetën, i sheh si burim frymëzimi si imazhet e një ëndrre , dhe “dorëpërdore”, me to, së bashku ecin në udhët e jetës. Poetja e dhimbjes dhe e dashurisë njerëzore Venka CAPA, ndonëse vjen nga komuniteti me aftësi të kufizuara, ajo ecën me shpejtësinë e erës dhe prek me frymë realitetin, sfidon varfërinë shpirtërore dhe fizike, shpreh ndjenjat e saj, kërkon humanizëm, ëmbëlsi ,ngrohtësi nga shoqëria, për këtë shtresë të shoqërisë, ajo nëpërmjet penës së saj poetike bën apel për të qënë të barabartë mes të barabartëve.
”Atë që nuk e bën politika për shtresën tonë e bën Shpirti i Madh i Poetit”-shprehet Venka, Kujtoj me respekt e dashuri takimin tonë për të disatën herë në Tiranë e disa aktivitete poetike. Është fat dhe kënaqësi e vecantë të takohesh e njohësh nga afër këtë poete me shpirt të madh e sy të kaltër, si thellësia e detit, expresivë, që tregojnë se brenda tyre dhe shpirtit të poetes Venka CAPA, ka dritë, frymëzim, besim, përkushtim, shpresë, sinqeritet, botë e jetë!! Në këtë bisedë të ngrohtë si dy mike e kolege, Venka na rrëfen shpirtin e saj, kush janë dashuritë , sfidat dhe brengat e saj, cfarë e shtyhu nga veterinere të bëhet poete, e cila mes të tjerave nuk ngurron të thotë raportin e saj që ka me poezinë : “Poezia ishte melhem i plagëve të mia, ishte shërim i shpirtit të plagosur nga fati i jetës”


-Kam lexuar recensën tepër speciale dhe domethënëse të kritikut e studiuesit Prend Buzhala për vëllimin tuaj poetik “Unë prek me frymë”. Përpos urimeve për këtë libër dëshirojmë të dimë se si jeni ndjerë për këtë recensë kaq dinjitoze e profesionale?

--Së pari, do t’ju përshëndetja dhe do t’ju falënderojë për intervistën tuaj. Unë, shpesh ju kam ndjekur e ju kam admiruar për punën që keni bërë, duke lexuar tek intervistuesit, gjëra të veçanta e të dobishme, duke transmetuar edhe mesazhe pozitive e inkurajuese. Sa për pyetjen që më bëni më sipër, unë z Prend Buzhala e vlerësoj për inteligjencën e tij kulturore, për mendimin kritikë. Kritika e tij letrare është vlerësim, është pesha e një krijimi shpirtëror, është bota e vlerave artistike, është filozofia e artit. Ka njerëz të tillë poet e shkrimtarë, inkurajues të talenteve të reja. Me punën e tij pasionante si studiues, ka ditur të inkurajoj duke ngulmuar në evidentimin e vlerave kulturore tek brezat... Mendimi i i tij mbi kritikën letrare të librit tim, më futi në labirintet e fjalës së bukur, në një botë magjike të jetës letrare.

-Çfarë ju shtyu ta titulloni librin tuaj, me këtë titull?
--Tek unë vargjet dalin nga shpirti, natyrshëm, ashtu siç del fryma ime, që më mban jetën. Poezia është vetë jeta që më jep kjo frymë, pra gjithçka shkruaj, e shpreh me ndjenjë dhe e prek me frymë.


-Cilat kanë qenë përfytyrimet më të hershme, se një ditë, do të bëheshit nga veterinere - poete? Kush ka qenë dashuria tuaj e parë e lidhja juaj me artin poetik?

--Tek unë flinte ëndrra për t’u bërë një ditë, poete. Duhej të kalonte kohë që ta realizoja këtë ëndërr,por që, të jesh poete, duhet të jesh një njeri me shpirt të ndjeshëm. Hapësira e poetit (tes), duhet të plazmodet me hapësirën e shpirtit, ndërsa, veterinaria për mua u bë e arritshme vetëm atëherë, kur e preka me dorë, kur punoja praktikën te stallat, kur ndjeja aromën e silazhit, kur ndjeva ngjyrën e kësaj jete veterinare, kur ndjeva ilaçin që i jepja kafshëve, në shikimin e tyre drejt e në sy, në gjuhën e syve të shpirtit të tyre. Megjithëse, diçka tek unë ishte e vetëdijshme, se nuk do isha gjatë në atë vend. Në çantën që unë mbaja me vete, romani ishte libri që nuk ndahej, fletorja e shënimeve të ditës, e pa ndarë...

Çdo gjë që njeriu mëson në jetë, duhet bërë për të jetuar... E kjo, është e natyrshme. Në jetën time kishte shumë dilema. Në ato raste, më duhej të isha shumë e fortë, të duroja e ta përballoja me guxim këtë fat, duke e parë drejt në sy. Stuhitë e jetës nuk sfidojnë magjinë që mban të fshehur qenia njerëzore, ku rrinë strukur... Kjo thjesht, jo për të mbijetuar, por për tu realizuar në vetvete, ëndrrën. Dashuria ime e parë, ka qenë arti, letërsia, romanet, poezitë, filmat, muzika, psikologjia. Esenini, poeti im i dashur, Kadareja, Agolli, Migjeni, Podrimja, Poradeci, Neruda, Reshpja, Haki Stermilli, e shumë të tjerë. Lidhja ime me poezinë është e hershme, që në fëmijëri. Në shkollën e mesmen, kam guxua të shkruaj poezitë e para.

“Kur një derë e lumturisë mbyllet, një tjetër hapet, por neve, shpesh na ndodh të shohim aq shumë dyer të mbyllura, sa që, nuk arrijmë të vështrojmë tjetrën që hapet për ne”, ka thënë e madhja Helen Keller.


-Kush ka ndikuar në mënyrë të veçantë që ju inkurajuar për të studiuar, për veterineri?

--Unë vija nga një familje e thjeshtë punëtore, por të paktën, mora një degë shkolle me u integruar si gjithë të tjerët. Por, t’ju them të drejtën, vështirësitë fizike ishin të atilla, që s' mund ta vazhdoja shkollën, pasi, isha shumë larg, dhe, për mua, ishte një stërmundim...nuk e përballoja dot. Mirëpo, unë edhe përkundër kësaj gjendjeje, asnjëherë s’jam penduar për diçka, nëse ka qenë e mirë, ka mbetur kujtim … e, në të kundërt, ka qenë për mua një mësim. Kështu ishin kushtet e jetës sime dhe që ndikuan tek unë, të mos e vazhdoja më tutje shkollimin. Pra, kushtet fizike kanë ndikuar në mua. Dhe, në këtë aspekt, ju them se jeta është si një piano: Butonat e bardhë, janë momentet e lumtura dhe butonat e zinj, janë ato të trishtuara. Por, mos harrojmë që u përdorën të gjithë butonat, për të krijuar një muzikë të ëmbël që quhet “JETË”... E pra, kjo jetë çfarë s’e zgjedha vetë, ka qenë vetvetja ime, gjë që nuk ka qenë e lehtë për mua. Më e vështirë do ishte, nëse do bëja atë, çka të tjerët do donin të bëja për ta. Nga gjithë kjo që ju them, aventura e jetës është për të mësuar.

Po ju citoj disa thënie të Willi am Arthur Ward: “Qëllimi i jetës është për t’u rritur. Natyra e jetës është për të ndryshuar. Sfida e jetës është për të kapërcyer çdo gjë që na dalin përpara jetës sonë të përditshmërisë... Thelbi i jetës është për t'u kujdesur. Mundësia e jetës është për të shërbyer. Sekreti i jetës është për të guxuar. Erëza e jetës është për të ndihmuar. Bukuria e jetës është për të dhënë. Gëzimi i jetës është të duash”, që unë i kam pasur udhërrëfyese në jetën time.


-Çfarë iu ka pëlqyer të lexonit në adoleshencën tuaj?

--Në adoleshencën time shpesh lexoja letërsi artistike, libra të verdhë, i thoshim atëherë. E kur i gjenim librat midis miqve, i ruanim ato si sytë e ballit, ia jepnim fshehtas shokut, shoqeve. Ndër librat e shumtë, kam lexuar edhe libra të filozofëve të mëdhenj, të cilët, më kanë impresionuar dhe më kanë futur në një botë romantike, dhe, që tani, nuk heq dorë nga leximi. Ato ishin edhe një shtytës që unë tani edhe shkruaj poezi. Çdo herë kur meditoj, librat filozofikë dhe librat e artistikë, më frymëzojnë dhe atëherë, marr lapsin e shkruaj...


-Cilat janë shprehitë tuaja kur meditoni apo shkruani? Dëgjoni muzikë apo dëshironi qetësi?

--Kur shkruaj e mendoj gjatë në vetvete. Së pari, në shpirt shpërthen një diçka e veçantë, diçka e mefshtë, ndërsa ndjenja mbushet përplot me të gatuarën e një burimi poetik, ndërsa në shpirt, nis e grumbulluara dhimbje. Pastaj, në shpirt vjen çasti më i frymëzuar, që kur ulem, nuk shkëputem dot. Më vjen sikur edhe të me hahet buka, edhe të më flihet. Nuk fle deri sa ta realizoj qëllimin. Jo vetëm në këto çaste, që shkruaj, por shpesh më ka ndodhur të shkruaj edhe me muzikë, apo me zërin e televizorit ndezur. Edhe pse zhurma më ka shqetësuar, unë kam vazhduar të qëndis poezinë. Nuk jam ngritur. Më ka qëlluar të kem edhe spunto, nga një emocion i çastit. Më ka qëlluar edhe të më dal gjumi e të shkruaj edhe në errësirë, të lexoja varg mbi varg, dhe të nesërmen edhe nga një takim i rastit të shkruaj, nga një bisedë e këndshme midis miqve, po ashtu. Nga një dashuri platonike apo universale, etj.etj.

-Çfarë është një “muzë”, për ju? Është aftësi gjenetike sipas mendimit tuaj?

Muza, është magjistare e këndshme, shtysa kryesore në krijim, e për fat e kam provuar këtë ndjesi. Por mendimi im është se është edhe aftësia gjenetike e njeriut ku brenda të cilit, lind me një aftësi, por dikujt i jepet mundësia me e zbulua, apo edhe me e humb gjatë jetës...

-Zhanrin e poezisë “e bëtë ju që të vinte te ju” apo është preferenca tuaj? Cilat janë elementët thelbësorë të tij? Dhe a ka lidhje veterinaria me poezinë?

--Aty ku ekziston dëshira, gjithmonë do të gjendet mënyra...! Poezia ka lindur, me mua. Është në preferencat e mia më të dashura. Unë poezinë e gjeta tek vetja. Nuk m’u ka dash ta kërkoja, ajo ishte te unë e gjallë, e hapur si vet dhimbja që ishte e dukshme. Poezia ishte melhem i plagëve të mia, ishte shërim i shpirtit të plagosur nga fati i jetës, është dashuria e vetme, e besueshme, e sigurt, ku unë nisa të zbrazem e digjem në pasionet e mia, të zjarrta dashurore. Poezia ka lidhje me çdo gjë. Është vetë shpirti i gjallë i njeriut, brenda çdo gjallese. Poezia për njeriun, nuk është ushqim për barkun, por dritë e ushqim për shpirtin e fisnikëri ndjenjash, që shpërthejnë në natyrë, në hapësirë të hapur, tek njeriu.

-Cila është sfida për të shkruar një poezi?
--Unë nuk e quaj sfidë, e quaj punë, detyrë, e kënaqësi në fund. Poezia është privilegj e dhunti e jetës së njeriut, është një dhunti shpirtrash, ku shpesh poetët janë tragjedi dëshirash, të parealizuara.

-Cilat janë shprehitë tuaja të të shkruarit, p.sh., shkruani çdo ditë, përdorni kompjuterin, apo shkruani me dorë? Dëgjoni muzikë apo dëshironi qetësi kur shkruani?
--Nga përvoja mësova se jeta kalon përmes një filli të hollë peri, për jetëgjatësinë e të cilit...duhet të dish të mbash drejtpeshimin..! Më parë përdorja letrën, sot fal shkencës kompjuterike shkruaj me kompjuter, ku më lehtëson punën në heqjen e një fjale e zëvendësimin e saj, me të tjera. Shkruaj në të dyja rastet, shkruaj edhe kur bie shi, edhe kur lozin nipërit në dhomën time te leximit. Kur jam në botën time, jam aty, varet nga momenti... Nata më pëlqen me qetësin e saj, shpesh shkruaj me qetësin e natës, ku vetëm e lehura e një qeni të largët dëgjohet, apo troku i një kali, zhurma e një makine që kalon fluturim, në qetësin e natës.

-Poezitë tuaja janë të një kalibri artistik të admirueshëm. E ndjeni reagimin e lexuesve dhe çfarë sekreti ka Venka, që e ka bërë për një audiencë të gjerë lexuesish e dashamirës të poezisë?
--Po e kam ndjerë këtë, e sinqerisht më kanë nxitur, por me një obligim në vetvete, për një justifikim të plotë. Poezitë e mia janë poezi me dhimbje, ku shpesh më kanë quajtur poetja e dhimbjeve. Sekreti im qëndron në faktin që unë e dua njeriun e kulturën e tij. Ndjej respekt për të gjithë ata, që shkruajnë. Të shkruash do të thotë të kesh edhe një edukatë njerëzore. Kjo, lidhja e teknologjisë më ka dhënë shansin, të njoh njerëz me vlera në fushën e letërsisë, arsimit, edukimit, e duke pas, këtë mundësi fizike tek këta njerëz, dallohen me aftësinë e tyre shpirtërore kulturore, ashtu si dallohet dhimbja ime. “Libri i mirë është pikërisht një lloj bisede me një të mençur. Lexuesi mëson nga ai shumë gjëra të ndjeshme, aftësohet për të njohur realitetin dhe për të kuptuar jetën”, ka thënë Tolstoi!

-Poezia tuaj sipas redaktores të librit”Unë prek me frymë”, Fatime Kulli, -“tingëllon jo vetëm si një këngë dhimbjeje, por pasqyrohet me një larmishmëri gjendjesh poetike, jetësore, ku meditimi dhe imazhet poetik krijojnë struktura emocionale.” Përveç talentit që është merita juaj, kujt ia dedikoni arritjet?
--E vërtet është. Me anë të poezive kam dash të transmetoj mesazhin jetësor brenda së cilës jeton e flenë poezia, në zemrën time, ku jeta është e bukur e duhet jetuar edhe me këto mundësi e aftësi fare janë. Jeta është si oqean ku lundron anija. E anija jone duhet te lundroj me dallgët, të luftoj me stuhitë e saj. Jetën nuk e kam marrë si një problem për t'u zgjidhur, por një mister për t'u jetuar në formën e saj, ashtu si të vjen ...Dhimbjen e kam përdorur për të sfiduar mendimin e keq ...Mendimi e bën njeriun të mençur...Mençuria e bën jetën të lehtë....Çdo njeri ka një botë me vete edhe të paktën një histori për të treguar që ia vlen ta dëgjosh. Ndaj, i dua librat edhe i admiroj shkrimtarët. Sepse librat, janë dyert e hapura në botën e brendshme dhe në boten e jashtme. E shkrimtaret, kanë guximin ta thonë haptas fjalën e tyre dhe të derdhë dhimbjen e tyre shpirtërore në botën e brendshme dhe botën e jashtme. Natyrisht duke përfshirë edhe ato historitë e tyre që ia vlen, t’i dëgjosh, t’i paraqesin një botë të tërë. Adm S~B Kam mësuar të dëgjoj fjalët tallëse të njerëzve, dhe te mbyll njërin vesh. Kam mësuar të shikoj padrejtësitë që bëhen, dhe të mbyll njërin sy. Kam mësuar të dëgjoj fjalët e “mençura” të mendjemëdhenjve, dhe të bie dakord me ta. Kam mësuar të duroj edhe thika mbas shpine, dhe të mos ankohem. Kam mësuar edhe të dalloj një mik, apo mikeshë që të thotë një “Si je?” me zemër. Të gjitha i kam mësuar nga jeta. Të mirën edhe të keqen. Dhe ajo, që jeta më mësoi të urrej më tepër, është "buzëqeshja e shtirur". Jam më e lumtur kur dikush më sheh me inat se sa kur dikush buzëqesh (i) e shtirur. Jam më e lumtur, kur kuptoj që kam armiq, se sa kur kuptoj që ata (ato) që njoh, janë veç maskat e radhës. Jam shumë më e lumtur kur dikush më godet me një shpullë ballë-përballë, se sa një thikë mbas shpine! Luftoj për Veten, eci përpara, kurrë nuk ndalem, forcën e shpirtit askujt nuk ia fali... Eci e vazhdoj drejtimin tim, nëse pengohem diku, çohem përsëri në këmbë, askujt mëshirë nuk i kërkoj. Nëse dikush më lëndon për të nuk mundohem, luftoj për jetën është shumë e bukur, kurrë nuk e vras mendjen, se do ngelem e humbur!...kurrë nuk e vras mendjen për rrobe, nuk ndryshoj gjendjen... fytyrën e mbaje të qeshur....dhe pse kam dhimbje...kaloje heshtur... Dhe, nëpërmjet internetit lexova këtë poete, lexova poezinë e saj të veçantë, për guximin e madh në të shkruar, lexova civin e një ditë, kërkova ta njoh nga afër, e vlerësoja nga larg. Takimi me të ishte i prerë, i qartë e kaq. Më grishte diçka, që s’mund të hyja në botën e saj të brendshme, ishte e rreptë, e fortë si grua. Por ia lexova shpirtin, e kështu ngelem aty të dyja, duke thënë shprehjen tonë të zakonshme, ajo mua, “Më je bërë e keqja e domosdoshme! ”. Interesante, se edhe unë ashtu mendoja për të. Unë ia dedikoj meritat, mamasë time. Kam dash ta plotësoj në dhimbjen që mbante në fshehtësinë e saj, në heshtjen e saj, në mençurin e saj, që nuk përkulej para dhimbjeve e vështirësive të jetës.

Meritë ka edhe redaktorja e librit tim të dytë. Në Vushtrri, në takimin e përvitshëm të poeteshave, jam përfaqësuar me një poezi, “Jam grua” me të cilën mora edhe një vlerësim të rëndësishëm për mua. Aty jam ndjerë e plotësuar, duke më dhënë çmimi special nga MASH.

-Sa iu ndihmon angazhimi profesional në kultivimin e pasionit tuaj për letërsinë?
--Angazhimi im varet se ku e shfrytëzoj, angazhimi im mbetet pasioni që kam. E nëse, më "vdes dëshira" për pasionin, besoj se do vdes edhe shpirti krijues. Përndryshe, nuk do dorëzohem kurrë për të ndjekur ëndrrat e mia... Asgjë nuk është e pamundur atë që dëshiroj vërtet me zemër. Unë kam atë që kam ëndërruar gjithë jetës, besoj në atë që meritoj..

-Ju i kini kushtuar vargje të larmishme jo vetëm botës së delikatesës femërore, por edhe dhimbjes, dashurisë, mallit brengës, natyrës, njerëzve, vendlindjes, traditave dhe raporteve njerëzore të së përditshmes, të përmbledhura në dy vëllime poetike “Unë prek me frymë”, dhe “Për pak lumturi ”, Cili është “çelësi sekret” që ju mbartni në muzën tuaj?
--Po kam prekur çdo moment të jetës, sipas pozicionit, sipas mundësisë sime të përshtatjes...Kam jetuar me vendlindjen time në moshë të vogël, kam provuar mallin larg familjes, jam rritur me tradita e zakone të krahinës time nga vij nga Golloborda e bukur, e dashur, me njerëz shumë punëtor, shumë fisnik që jetojnë me djersën e ballit , me duart me kallo, duke ndërtuar vepra, në gjithë Shqipërinë. Unë kam bërë pak, ndjej obligim, boshllëk në shpirt për atë zonë. Ndjej nostalgji për ata njerëz të urtë e punëtorë, që kanë një zakon: kur i lindte djalë familjes, poshtë jastëkut i vinin mistrinë që të bëheshin mjeshtra, në zanatin e ndërtimit. Këta janë mjeshtrit dibranë, për të cilët ka shkruar edhe Noli. “Njerëz të zgjuar me lezet, që i gjen në çdo anë, që të bëjnë hallvë e salep. Këto janë mjeshtrit Dibranë…..Muza ime është “muzë magjistare “, çelës sekret që e gjen veç një gjë të bukur, që quhet “sukses”.


-A e keni provuar të shkruani në gjininë e prozës??

--Po kam shkruar, kam guxuar, por më mirë ndjehem në poezi, me prozën hapem shumë. Megjithëse, thonë që poezia është më e vështirë, unë ndjehem mirë këtu.

-Ju vini nga një shtresë e shoqërisë “me aftësi të kufizuara”. Cilat janë sfidat më të mëdha për ju në lëvizjen feministe si poete, por edhe apeli juaj për shoqërinë shqiptare, ndaj kësaj shtrese të shoqërisë?
-- E vërtet, unë vij nga kjo shtresë, duhet punuar më shumë, kanë lëviz disa gjëra, por duhet akoma. Jemi të zhgënjyer, jemi pjesë e kësaj shoqërie, duhet të jemi me të drejta të barabarta, duhet të kemi liri veprimi në të gjitha instancat, si të gjithë të tjerët nëpër botë, të përfaqësohemi kudo, pa na mëshiruar, pa na paragjykuar, duke e dhënë kontributin tonë me aftësitë tona, që edhe ne, të jemi me të drejta të barabarta në mes të barabartëve. Për këtë temë, kam shumë për të folur, për këtë kategori njerëzish!. Është e vërtetë, unë gjatë kësaj kohe kam qenë pjesë e shoqërisë civile, në grupin e aftësisë së kufizuar. Përshtypja ime dhe e kujtdo, është se kjo lëvizje është kaotike, e prirur drejt një grupi të vogël njerëzish që nuk kanë kauzë, por vetëm prirje ndaj pjesës materiale, pra drejt parasë, një lëvizje që përjashton njeri-tjetrin, ku nxjerrin kokën, vetëm interesa vulgare. Kohet e fundit në Shqipëri ka filluar një lëvizje politike e personave me aftësi të kufizuar: Partia Personat me Aftësi të Kufizuar-PPAK. Kjo parti ka marrë pjesë në një palë zgjedhje, jo e plotë në territorin e Shqipërisë, ka fituar disa këshilltarë. Është një grup personash me aftësi të kufizuara, njerëz të thjeshtë që i përkasin grupeve të ndryshme, të personave me aftësi të kufizuar, që priren drejt dy objektivave kryesore:

Së pari: PPAK t’i delegojnë vetë problemet e tyre, pra, të jenë pjesë e vendimmarrjes politike, pjesë e bërjes dhe zgjidhjes.

Së dyti: brenda tyre ka kontingjente të mjaftueshme intelektuale që mund të japin kontribut për çështjen e tyre, por edhe për probleme të shoqërisë. Së treti: edhe ky grup sipas Kushtetutës, ka të drejtë të zgjedhë edhe të zgjidhet. Janë një kontingjent prej 150 mijë personash, të moshave e kategorive të ndryshme. Në media, në opinionin shoqëror flitet pak për çështjen e aftësisë së kufizuar, e kush më mirë se ne, mund ta ngremë zërin, të lëvizë me njeri-tjetrin. Kështu, mua ky grup politik më ka bërë ftesë dhe kam pranuar, për të qenë pjesë e këtij projekti të madh, ku do të përfshinte rolin e femrës dhe çështjen e aftësisë së kufizuar, pa harruar asnjëherë angazhimin tim pasionant, të merrem me letërsi.

-Keni qenë e suksesshme këtë vit si poete, keni promovuar libra dhe vlerësuar, duke gëzuar kështu edhe admirimin nga lexuesit e shumtë?A jeni habitur kur ju kanë vlerësuar? Si ju bën të ndiheni kjo gjë si autore femër?
--Po, jam ndjerë mirë. Kam provuar kënaqësinë e të ndjerit poete, në mesin e poetëve. Kam prekur ëndrrën time, kam prekur skenën, kam lexuar poezinë me shpirt, në publik artistësh. Jam e plotësuar, sinqerisht, kam bërë të marr duartrokitje të gjata nga salla, jashtë sallës kam ndjerë publikun të më falënderojnë, të më prekin, të më japin forcë, të dal në foto, të jap autografe, të marr kënaqeshin e të qenurit femër e suksesshme. Mrekullinë e kam shijuar shumë, kur kam marr çmim special në Festivalin Mbarëkombëtar të Poezisë, që u zhvillua në Qershor të 2011, në Vushtrri.

-Cilat janë projektet tuaj në të ardhmen?
--Të punojë, të krijojë e të marr pjesë me krijimet e përzgjedhura në antologji, të bëj një libër të tretë, që mos t’i ndahem numrit tre, mbasi e kam si numër shoqërues në jetën time.

-Cilat janë drejtimet dhe objektivat interesante për të ardhmen?

--Dikur shkruaja me rimë, e vështirë ishte, por tani kam kaluar në mendim të lirë. Jam vonë në kohë, kam një dëshirë e një etje për të shkruar e lexuar si në adoleshence, habitem me veten,sikur të mundja të kthehesha në kohë, do vazhdoja shkollën, e s'do leja libër pa lexuar. Iu jam borxhlie librave që s'mundem me i lexuar në kohë... Jam e lodhur nga jeta, ajo vrapon shpejt e nuk e arrijmë dot...

-Çfarë dëshiron të ndash me kolegët dhe audiencën e lexuesve që janë duke e lexuar këtë intervistë?

--Ajo që dua të them, nuk është thjesht një recetë sociale për më shumë harmoni dhe integrim mes njerëzve. Në fakt, ajo është një thirrje për secilin prej nesh, që të zhvishemi nga egoizmi dhe strofka ku jemi strukur, për të marrë pjesë në hallet dhe shqetësimet e të tjerëve. Diçka e tillë, do ua dyfishojë gëzimin në kohë gëzimi dhe do ua përgjysmojë hidhërimin në ditë hidhërimi. Përveç kësaj, pjesëmarrja në hallet dhe gëzimet e të tjerëve, lë efekt edhe tek ne, pasi na zhvesh nga paragjykimet, nga egoizmi dhe na bën persona të dashur. Madje, na bën më të lumtur se sa jemi.
Është më se e sigurt, se Miltoni ka shkruar poezi shumë të mira për shkak se ishte i verbër dhe që Betoveni ndoshta nuk do ta kishte krijuar atë muzikë të shkëlqyeshme po të mos ishte i shurdhër. Po të mos ishte aq fatkeq në jetë, ndoshta Gajkovski nuk do ta kishte kompozuar kurrë kryeveprën e tij “Simfonia patetike”. Tolstoj dhe Dostojevski po të mos kishin vuajtur aq shumë, me siguri, nuk do të mund t’ i shkruanin veprat e veta të pa vdekshme. Helen Kelleri Arriti fame botërore vetëm pse ishte e verbër dhe e shurdhur... Jeta është përzgjedhje, njerëzit aludojnë, koha të këshillon!

-Mesazh për botën hyjnore të artit?
Arti është botë ku takohet bota shumëngjyrshe... Arti ka tinguj, arti ka pamje të bukur, arti ka atë që e donë artin deri në pafundësi.
Arti ka edhe lot, arti ka edhe buzëqeshje, arti ka edhe filozofi të bukura.
Arti ka dhimbje, sepse dhimbja krijon artin n' mes lotëve të buzës së stërqeshur ëmbëlsisht!
Megjithatë, mendoj se sa ma shumë të lexoj, ndjenjat mbushen me dashuri për të shkruar. Sepse, me anë të të shkruarit, edhe kur je ndoshta ndonjëherë në pikëllime që vet koha të imponon, pa pasur dëshirë, shpreh atë që ke në zemër dhe pastaj e qetë në hapësirë të hapur në natyrë. Leximi është arma ma e fortë për t’i luftuar dukuritë negative, apo pozitive në shoqëri, në natyrë dhe njëherazi, të shkruarit qoftë përmes poezisë, prozës, tregimit apo diç tjetër zhanër që i përket letërsisë. unë jam ndjerë mirë në hallin tim, veç me artin hyjnor poetik.

Jam e lumtur që ia arrita qëllimit, që të jem pjesë e intervistave të tua, znj. Raimonda!

Ju Faleminderit edhe Juve!


________________________________
Marrë nga FJALAELIRE

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen