Freitag, 11. Januar 2013

Haziz Mehmeti: KUR DO KTHEHET DORUNTINA?




KUR DO KTHEHET DORUNTINA?

Lexuesi i Doruntinës e pret kthimin e saj, amaneti i Konstandinit mbeti var në ndërgjegjen e kohës. Ku do shkruhet fjala e jonë për vendlindjen, për lirinë, për diellin e ajrin, për dëshmorin, për dashurinë ndaj....

Në jetën e shumëvuajtur e të përmallur na duhej fjala, fjala e shkruar, fjala e thënë për jetën tonë këtu në mërgim dhe vendlindjen. Çdo rropatje në jetën tonë të mërgimtarit ishte dhe është e lidhur me jetën e vendlindjes, frymëmarrjen e saj për të dalë nga gjendja e rëndë që ishte. Dhe kjo, nuk është e lehtë, as dje e as sot.
Mërgimtarët patriot vepruan në të gjitha format në ndihmë vendlindjes. Edhe me fjalën e shkruar, informuese, krijuese e kritike, dashuri mbjellëse, gjithmonë në shërbim të njeriut tonë të thjeshtë e punëtor nga i cili buruan të gjitha arritjet në vorbullën e tragjikes sonë që lamë pas. Njëra nga lulet që shkëlqeu rreze shqiptare pa dyshim ishte revista për fëmijët në diasporë me emrin aq simbolit “Doruntina”. Ajo ishte pjesë e nxënësit, jetës së tij në ambientin ku asimilimi troket çdo minutë. Ishte pjesë e jetës së muratorit, kuzhinierit dhe gjithë familjes shqiptare. Doruntina ishte një dokument i veprimtarive kulturore në shkollat ku mësohet shqip. Dhe, më shumë se dokument, ishte porosi për dashurinë ndaj atdheut, kombit e jetës. Ishte porosi ndaj njerëzores dhe përballimin e atyre që sfidojnë atë. Ishte pjesë edukative e orës mësimore, ishte abetare e të gjitha klasave. Ishte transmetuese e fjalës së Rilindësve të ndritur, e shkencës, e dashurisë e respektit ndaj botës për rreth. Aty gjeje fjalët e Naimit, Veqilharxhit, Kristoforidhit, Jeronim De Radës, Elena Gjikës e patriotëve tjerë , të atyre që gjakun e dhuruan për bojë shkrimi të shkronjave shqipe. Andaj ato janë të shenjta për çdo shqiptar. Edhe Doruntina me mesazhet e saj madhore përmes pendëve të ndritura të kombit dje e sot. Aty zunë fill krijimet e para të filizave të rinj që tani janë penda të njohura edhe jashtë rrethit kombëtar. Ajo ishte dritarja e parë e hapur drejt universit njerëzor, kuptimit të jetës ashtu siç është e bukur dhe tekanjoze që vazhdimisht mbëltohet.
Doruntina lindi si një dritë e nevojshme që theu errësirën në hapësirat e jetës së mundimshme të mërgimtarit halleshumë. Aty ku asimilimi është përditshmëri që prekë veçan të rinjtë tanë, të cilët ushqehen nga duart e plasaritura e të njomura nga djersa e punës së mundimshme vetëm e vetëm që fëmija të ketë jetë me dinjitet të cilën nuk pati mundësi ta krijoj në vendin e lindjes.
Shpresa shekullore për liri u bë realitet me luftën heroike të vajzave e djemve tanë syshqiponjë. Ata kthyen dinjitetin dhe i dhanë kuptim jetës sonë. Doruntina ishte gjithmonë me shkrimin e saj në ballë të porosive madhore, Dashuria për Atdheun, mbi të gjitha, kryefjala e fjalëve. Doruntinës i duhej dora e vëllait që amanetin ta bëj realitet në rrugëtimin pas shtatë bjeshkës ku njeriu ynë u gjend. Ajo mbeti e izoluar si pasojë e huqeve tona naive e fanatike. Jo, thanë disa zyrtarë të Kohës së Vonuar, ne na duhet një revistë për diasporën, pa e përfillur rrugën e gjatë e të vështirë që kishte bërë Doruntina. Vitet rrodhën qe nga Berni i dymijë e tretës, kur u kërkua revistë për fëmijët jashtë atdheut. Por, nuk doli gjë, Doruntina e vazhdoi me sukses rrugëtimin nga amaneti për vatrën e pragun e saj të shenjtë. Pushtetarët e rinj nuk u treguan krejt të sinqertë me Doruntinën e as me lexuesit e saj, mërgimtarët e vegjël. Të ushqyer nga Gota e Kuqe e dëshirojnë verdiktin edhe mbi Doruntinën, ta sjellin atë në pragun e vatrës, por jo për çmallje por për orën e diktimit nga tregimi i vjetër. Ata, harruan se tregimi i vjetër nuk diktohet në kohën e re, kohë të cilën ata nuk kanë hap ta prekin.
Botuesi i Doruntinës, veprimtari e shkrimtari i mirënjohur Ragip Rama nuk u dorëzua. Edhe s’ka përse, derisa e kultivoi Doruntinë me krenarin e vëllait për fjalën amanet edhe atëherë kur ishte shumë vështirë. Kur fëmijët lexonin në ankthin e kthimit apo jo të babait në shtëpi. Atëherë kur Doruntina ishte abetare e vetme në diasporën e shumëvuajtur. Ministria e Diasporës nuk e pa rrugën e saj, ajo do një Doruntinë tjetër, në dorën e saj, ani pse pas shtatë bjeshkëve larg nga frymëmarrja e mërgimtarit. S’ka rëndësi kjo, ne do i shkruajmë tregimet nga zyra e re dhe karrigia e nxehtë e ministrisë për nxënësin e diasporës, për babin e nënën duar çarë e shpirt thyer. Ne e paguajmë dhe ne do e shkruajmë, thanë zyrtarët e rinj dhe vrapuan redaktor e kronist pas shtatë bjeshkës larg Doruntinës, larg lexuesit mall shumë. Ja, këta janë shpresa e progresit tonë për nesër, shpresa e atyre që dhanë çdo gjë për lirinë e shumëpritur. Shpresa e mbytjes së natës së kuqe që la gjurmë e vrragë gjithkund, mjerisht edhe në mentalitetin dhe qëndrimin e Patriotëve të Bardhë.
Lexuesi i Doruntinës e pret kthimin e saj, amaneti i Konstandinit mbeti var në ndërgjegjen e kohës. Ku do shkruhet fjala e jonë për vendlindjen, për lirinë, për diellin e ajrin, për dëshmorin, për dashurinë. Kujt do i themi urime 100 vjetori i Flamurit Kuqezi... Edhe ne dimë të shkruajmë zotërinj e ri të shpresave të lënduara. Edhe ne jemi pjesë qiellit shqiptar, edhe pse ju nuk e kuptoni këtë. Rruga e jonë këndej pas shtatë bjeshkëve ishte e vështirë, e vështirë edhe rruga e kthimit, zotërinj. Mos hidhni ferra rrugës së kthimit të Doruntinës. Ju nuk mund ta kuptoni, zotërinj Patriot të Vonuar, shqetësimin tonë. Ju duhet ta kuptoni, se shpresa e lexuesit nuk vdes derisa ekziston emri Doruntinë. Doruntina nuk shkruhet larg halleve të mërgimtarit pas shtatë bjeshkëve. Ato prekën aty ku frymon mërgimtari, në rrethin e botës së tij. Krijuesit të rinj mërgimtar i duhet dera e hapur e shprehjes, e hartimit të jetës drejt së ardhmes ashtu siç ai e ndien, pa imponim. U gëzuam qe do kemi ministrinë e diasporës, dhe vërtetë të diasporës, për ta ndihmuar kthimin e Doruntinës, plotësimin e fjalës e besës së dhënë. Lexuesi mërgimtar e meriton kthimin e Doruntinës, jo dëshpërimin.
 


 Haziri Mehmeti, Vjenë


_________________________
Solli për "ARENA", Izri Rexha

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen