Dienstag, 8. Januar 2013

Poezi nga Isuf Hoxha



 Kafshoj mjegullën...

Edhe vargu sonte nuk më bindet,jo
Si hamshor kafshon vetëcensurën
Lum i rrëmbyeshëm sikur t’i kishin faj
Shemb shtratin bregut gurët mi thërrmon
Në këmbe të para ngrihet bëhet furtunë
Lodron grunajave kallirit grurin i shkund
Kot mundohem frerin t’ia vë në gojë
Mos të futet në ëndërr mos të bëjë plojë
Si vrimë e zeze çdo gjë merr me vete
S’pyet për shtet a pushtet,dreq a zota
E lash të lodhet të djersinë,dufin ta shfryje
Krifshat ia përkëdhela,ëmbël e pyeta ç’pate
U shkreh në vaj,në maternitet vdiq një foshnje
Hingëlluam të dy,ia dhamë vrapit atin shalova
Here fllad,herë cunam,pikë loti herë bulëz vese..

 


 

 Ç’farë i bëra vetes!


Një natë kur kuvendoja me hënën
E përgjëroja të behej pëllumb postier
Dashurisë platonike vargjet t’ia lexonte
Kafazin i lash hapur ëndrrës,ajo
Si vesë rrëshqiti drejt buzës më puthi,iku
Hapave të mi kalldrëmit trak e tuk
Loti me piklat e shit u bënë njësh
E zhuritur toka e dhimbja i përpinë
Si hije fëshfërime gjethesh me ndjek
Në jastëk vë kokën unë s’mund të prek
Malli behet notë në simfoninë e pritjes...
Lakuriq pres acarit të shpresës të vetmen fjalë...




 Mbijetojmë...


Në kopshtin e bebëzës sate
Dashuria ta shtroj pelerinën
Të vallëzojmë si dy engjëj
T’na magjeps violina e Paganinit.
Da Vinçi le të na lyen me bojëra
Do mbijetojmë furtunës në kohëra...
Syth ...
Në stivë të ndërgjegjes
Djeg arkivolin veseve
Krematoriumit i mbyll oxhakun
Mos t’ia helmon ajrin sythave
E lart.,larg urnën derdh eterit..
Në Degët e gjethuara virtytit
Pushon e këndon buzëqeshja!




 Puthjet tona...


Me puthjen tënde
Ngjitem Parmakëve
Drejt parajsës
Ulemi në fron
Ti Hera unë Zeusi
Epoka e dashurisë fillon
Evolucion në Olimp...





 Tymin e kam dëshmitar...


Trishtimit tim
Ia futa shkrepësen
Si cigarja u dogj
Pakon me derte
E shkërmoqa
Tymin kam dëshmitar
Tutje e hodha
Në koshin e plehrave
Krimbat të plasin...




 Kuvendim legjendash


Shpirtit të bjeshkës i hapa kraterin
Të derdh llavën e mirësisë
Me rrëshire pishe t’ju ndezi qirinjte
Përvojën mbledhur gjethesh lisi
Pergamene ruajtur maje lapsi
Se ndjeni aromën e bukës së valë
Është koha e drekës nga kush
Frike keni të mblidheni rreth sofrës
Nuses ia late pjatat e lugët në dorë
Erdha prej legjende atje po kthehem
Po ua lë besimin kohës varur në sqep...




 Kupa e fatit Tim


Në vreshtin e ëndrrave të mija
Ti je mushti i kokrrës së rrushit
Ti je fotoni i rrezes që më ngroh
Ti je vegim në bebëza që unë shoh
Ti je lulja ku dashuria ime magjepset
Ti je fërkemi,lumturia ndjek përjetësinë
Buza jote është verë ku unë dehem
Unë i dehur belbëzoj të duaaa...




 Në zemrën tënde


Dua të futem
Në labirintet
E zemrës sate
Të enden
Të bredh
Të qaj
Të qesh
Deri në vdekje
Mos ta gjej derën...





 Zgjedhje ekuacionesh


Dashurinë e fuqizova në kub,
Fatet e njerëzve me fuqinë-n!
Të ardhmen e Kombit e pështolla me elipsë,
Kometat e armiqve si drejtëza paralele
Mos të takohen trajektoreve!
Miqtë... u mundova t’i mbledh me plus,
Dhimbjet,vuajtjet,dështimet ...i pjesëtova!
Miqve gabimet,lakminë,mbyllja syrin i zbrisja,
Në integrale të enden,terrin me ushtarët e vet i lash!
Tërhoqa drejtëzën vura barazimin,
Ne ketë mjegull te panjohurash ,se gjeta veten
Me siguri mbeta i ngujuar, rrënjëve në rrënje katrore!




Isuf Hoxha i lindur me 12.02.1960 në Therandë. Rrjedh nga familje e mesme ekonomike , i edukuar në frymën kombëtare në odat tona. Për shkak të aktivitetit patriotik kundër regjimit Jugosllav ,burgoset dhe vuan dënimin në vitet 1983 -1986.I ndërpren studimet në Universitetin e Prishtinës në degët e matematikës dhe ekonomisë. Pas viteve ’90 punon si arkëtar i Këshillit të Financimit në Therandë për afro dy vite. Eshtë një ndër ideatorët e themelimit të degës se Shoqatës se Burgosurve Politik. Me poezi merret cysh nga ditët studenteske.Në dorëshkrim e ka librin e tij të parë me poezi.



Përgatiti: Seveme Fetiqi

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen