DHE VEPRËN TËNDE
Lajmi për vdekjen tragjike të Adem
Berishës-Gjurgjevikut ishte dhimbje e papërshkruar
Mbrëmë biseduam miqësisht, e sot po
ngushëllohemi tepër dhimbshëm. Kjo është
e papërshkruar në këto çaste kur lajmi i kobshëm bie rrufeshëm në veshët
tanë dhe lëndon zemrat
e të gjithëve. Dhimbje kaq të madhe vështirë se kam përjetuar ndonjëherë dhe
kjo më bën të kuptoj se sa e paskam dashur dhe sa na paska dashur Ai neve, kur
ende pa i mbushur njëzetekatër orë nga paralajmërimi se do të takohemi në
Prishtinë, na erdhi ky lajm i kobshëm. Sikur kishte një parandjenjë që të
takohej me shokët dhe miqtë e tij për herë të fundit. Këtu po jap fjalët e
fundit të bisedës që kishim me të para përshëndetjes së mbrëmshme, që
fatkeqësisht paska qenë e fundit mes nesh:
“Nuk di
Xheladin, pasi do të jem nesër aty, ndoshta do të shkojmë pak edhe në LSHK,
duhet të bëj një kërkesë, një biografi
të shkurtër dhe nga tre libra të titujve të botuar, kështu më kthyen një përgjegje. Të shohim si
do të na premtojë koha”.
Dhe vërtetë nuk e paskam
ditur se është kaq kohë e shkurtër për tu takuar përsëri. E sot kur të prisnim
të na takoje atje në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare dhe Unversitare në
Prishtinë, ashtu si na premtove mbrëmë,
Ti paske marrur një rrugëtim tjetër për të mos u kthyer kurrë më në
mesin e miqëve, shokëve, dashamirëve dhe të gjithë atyre që i deshe e të deshën
me sinqeritetin prej vëllau, miku, kolegu e bashkëpunëtori të devotshëm. E
dhimbshme për të gjithë. Edhe familjes do ti mungosh përgjithmonë, por kur
kujtojnë veprat dhe punën tënde që ua le trashëgim kanë me çka të krenohen që të patën, si
djalë, vëlla, prind, pedagog e frymëzues për jetë e liri, që ishin idealet dhe
synimi yt përfundimisht. Veprat tua të dëshmuara na bëjnë të fortë edhe neve të gjithëve,
miq e dashamirës që të njohëm e bashkëvepruam për të gjallë. Të falënderojmë që
nuk na le duarthatë, derisa veprat e shkruara që kemi nga pena jote do të jenë
frymëzim që të kujtojmë e të përjetësojmë mesazhin që kishe në shpirt e
zemër. Patjetër do të “Përballemi” me
dhimbjen dhe do të mbesim të ngushëlluar me faktin se fjala jote ishte dhe
mbetet përgjithmonë udhërrëfyes i rrugës së ardhmërisë, dashurisë për jetë dhe
liri. Kjo na bën ta mundim dhimbjen e madhe që ka pllakosur në zemrat tona.
Kurrë nuk do ta besoja, se kaq shpejt do
të shkruaj këto fjalë ngushëlluese pas shkrimit tepër frymëzues dhe me kënaqësi
që bëra për librin tënd të fundit. Nuk e paskam ditur pse ngutej ta nxirrje në
dritë, por tashmë e kemi të njohur se paske pasur një detyrë tepër serioze që
ta përfundosh, për të përcjellur mesazhin tënd tek ne me dëshirën që ta
vazhdojmë tutje punën dhe detyrat që na presin në ngritjen e vlerave të lirisë
dhe ndërtimin e atdheut. Vërtetë ky mesazh na obligon dhe zotohemi se do të
ndjejmë obligim ndaj amanetit tënd. Sa
e rëndë të jap këtë shkrim ende pa e
marrur nga Ti ekzemplarin e librit tënd, por ndihem krenar që të njoha, u
takuam, biseduam e bashkëpunuam kaq ngushtë e vllazërisht.
Me dhembje të madhe them se ndarja jote
nga ne është humbje fizike, por vepra dhe shpirtëbardhësia jote do
të mbesin përgjithmonë në kujtesën tonë si mall i pashuar që obligon përfundimisht.
I lehtë të çoftë dheu i Kosovës që aq
shumë e deshe dhe ia kushtove një jetë të tërë duke i kënduar për lirinë e saj. Familjes dhe të gjithë atyre që të
njohën dhe të deshën, që ndiejnë dhembje dhe mungesën tënde, ju shpreh ngushëllimet e sinqerta me bindjen
se vepra dhe kujtimi për Ty do të jetë i
përjetshëm.
16.05.2012
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen