Dienstag, 6. November 2012

Dan Kosumi: NUK DUAM KUFIJ


Sa herë na ndanë e bënë copa-copa,
por trungun s’na e prenë dot, jo,
se të thella i patëm rrënjët në lëmin e gjakut,
që ne me dashuri i themi “nënë”.

Sa herë për ne, prenë e qepën harta,
makete, xhaketa e flamuj.

Askush nuk na pyeti se kush jemi,
nga vijmë dhe a jemi shumë,
emrin siç deshën na e lanë:
Shiftar,
Arnaut,
Alban...
Ata ngritën mure mes nesh,
zemrën labirint na e bënë.
Diellit, shiut të imtë të lirisë, iu bënë ombrellë,
për ne deshën vetëm stuhitë,
dhe na i nisën kohë pas kohe.

E kështu u shkrua historia…

Ne,
larg,
në dhè të huaj
e sytë e lokes mëmë verbohen prej mallit të birit
e loti derdhet pafajshëm faqeve…

Përtej mureve në të katër anët,
hidhet shikimi i saj për bijtë e ikur,
asnjë lajm,
as dje,
as sot,
as nesër…

Si në dy këmbë urash të pafundme gjeografikisht kemi mbetur,
pa motrën, pa vëllanë, pa bijën, pa birin.

Jemi larg, pa njëri-tjetrin,
pa lulet që çelin në pranverën tonë,
pa vesën e mëngjeseve shqiptare….

S’dimë
a jemi gjallë apo vdekur,
veç natën,
natën na takohen shpirtrat,
ata që s’i ndan dot kush.

Por vjen një ditë

që valët furishëm shpërthejnë,
pasi zemra s’i duron dot muret, as barrierat,
ajo do lirinë, ajo do paqen,
ajo do dheun e ëmbël të mëmëdheut.
Pakkush e di ç’na sëmboi në shpirt kaq vite,
deri në mallkim të ditës së të qarës së parë.

dhe vjen një ditë…

që mallkimi kthehet ndër ata
e shemb malet e bjeshkët mizore,
muret hiqen nga vetë ata që na i vunë.

Bijtë e shqipes, si kurrë më parë,
krenarë e ballëlartë.

Ne nuk duam kufij,
shqiptarë na thonë anekënd,
ne jemi bijtë e nënës së madhe, Shqipëri.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen