Samstag, 7. April 2012

Namik Selmani: JU FLET ÇAMËRIA!


Ju flet Çamëria!
 

Edhe nëse nuk e keni dëgjuar në ndonjë stacion televiziv apo radiofonik këtë shprehje, tashmë kemi kohë që e dëgjojmë thelle vetes. Me zë të lartë e mëe zë të butë si një fëshfërimë ullinjsh që vjen nga ai truall i malluar për ninulla këngësh e urime dasmash. Është një zë që artikulohet dukshëm pas viteve të demokracisë. Një kulm të këtij zëri e dëgjuam në ato ditë të qershorit të vitit 2007 në Qafën e Botës. Atje ku kufiri i Çamërisë është një hap larg. Një hedhje e një luleje te varret e rënë thellë palcës së tokës martire. E dëgjuat edhe ju këtë ZË? Kishin ardhur shpirtërat e gjyshërve atë ditë atje afër. Shumë afër. Sa një pëllëmbë njeriu. Sa një zgjatje krahu. E zëri i Çamërisë kishte thirrur atë ditë lulet më të freskëta.. Në vend të gjakut të gjyshërve apo të njerëzve të sakatuar 66 vjet më parë, ata kishin mbushur duart me lule. Me tufa e kurora . Por edhe me lotë. Se mund të qeshësh fort sa të kesh fuqi, por nuk mund të rrish të mos rrish pa qarë me pika të nxehta lotit kur ai buron nga zemra e kërkon një vend ku të dalë. Ndaj faljani lotin atij burri që fliste e qante për nënën e vdekur!. E të therur në sytë e tij. Ec e mbaji po deshe lotët diku në varrezat që ende sot janë të mbushura me ferra. Janë Varret e Xarrës. Një emër fatkeq që futet në analet e Çamërisë Aty, në atë vend, ku një obelisk i lartë sa një qiell do të ishte pak, shumë pak për të zbutur dhimbjen jo vetëm të atyre që janë aty, të fëmijëve por edhe të stërniprve. Aty ku Deti i Dhimbjes do t’ia kalonte edhe vetë Jonit.
Zëri i Çamërisë kishte thirrur atë ditë në sofër këngën e vallen çame. Këngët e trimave e këngët e dasmës. Si një zjarr furre që mund të ndizet po kaq shpejt edhe tani pas më se 6 dekadave jetë. E të pjekë kuleçet e dasmës së Kthimit. Një këngë e valle që nuk ka nevojë për solistë, por që të gjithë mund t’i kthenin gjokset e tyre në skenë vallesh si gjoksi legjendar i Osman Takës. Aty ku kufiri i Shqipërisë është një pëllëmbë larg nga toka tjetër came. Zëri kishte thirrur borzilokët me erë, me dafina dhe gjethet e ullirit duke i shkrirë me drithërimën e tramundanën e shpirtit çam. Atje ku djemtë e Partisë për Drejtësi dhe Integrim dhe Unitet për bashkëatdhetarët e tyre zërin e ri të Çamërisë, zërin e së nesërmes. Zëri isaj kishte thirrur në Odën e Mençurisë poetët e saj. Sa shumë poetë! Mos pyesni se ku janë shkruar e çfarë veprash poetike kanë bërë . Në një tribunë të improvizuar dilnin njëra pas tjetrës poetët e të gjithë moshave. Që nga fëmijët e deri te më të moshuarit . Ata që nuk dolën dot, folën me sytë e tyre të përlotur. Ishte një Festival i vërtetë Poezie. Pa kurora. Pa fitimtarë. Fitimtare ishte vetë Çamëria.

..Dikush tek mbahej pas bastunit të 85 viteve të tij, tha se Zëri i Çamërisë ishte një prag beteje dhe një Portë malli ku fjalët e gdhendura projektonin e ngrinin një Piedestal të lavdishëm të Mosharresës. Ky det diku aty pranë , iu jepte një mandile të kaltër për t’ua fshirë djersët e udhës së vaposur të qershorit. Ishte marshimi më i gjatë që ishte bërë ndonjëherë në këto 66 vjet. I një marshimi drejt një Rikthimi. Drejt një pragu ku dera është ende e mbyllur. Një homazh kujtimi e rahmeti për të ndarët nga kjo jetë pa e realizuar ëndrrën.

Ky Det sikur merrte me vete me mijëra puthje nënash, nusesh, vajzash, që dukeshin të gjitha si Vajza e Valëve. Vetëm me një ndryshim. Vajza nuk priste në në shkëmb sado lartë qoftë ai. Por ajo vetë donte të ecte bashkë me shkëmbin drejt trojeve të dashura, drejt luturvivë (punishteve të ullirit) te krojet e panumrta. Te djepet që kërkonin ninulla te reja. Nanat tërhiqnin pas vetes fëmijët e tyre. Ishin stërnipërit e stërmbesat . Ca mbesa tërhiqnin gjyshet gati të verbuara dhe të kërrusura nga vitet, ose si i thonë çamçe të glunjasura. Një nënë çame kishte sjellë aty të Qafa e Botës një bakllava dhe po e ndante bujarisht të gjithëve atyre që kishin kapërcyer aq rrugë për të ardhur aty. Kishin thirrur amanetet e padjegura për vitet e pragjet e mbushura me barin e harlisur 63-vjeçar. Pa na kishte ardhur aty, edhe Zëri i arsyes çame atë ditë. Zëri i një dite që kërkon me ngulm të nesërmen, të pasnesërmen, të……të drejtën për të vënë një lule si e gjithë bota që flet një fjalë me gojën që ia ka dhënë Zoti. Me të drejtën që ia kishte dhënë po Zoti. Me flamuj të kombit të tyre që prej shekujsh nuk mungoi në karsellat ( sepetet ) e tyre A dëgjuat ca zëra, more vëllezër, atë ditë qershori tek na gjëmonin në veshë ca sirena moderne??? Ishin zgjuar atë ditë të gjitha legjendat e thoshin se në to nuk kishte asnjë gjë të pavërtetë. Ishte Paramithia që ato ditë qershori të 44-s i thoshte Ferrit që të terratisej, të ikte nga vendi se do t’ia zinte vendin me atë tokë të djegur të mbushur me kufoma të pavarrosura burrash e grashë të futur nëpër katonjet e….Mos , O Zot!!!!! Ishte Parga që rilindëte sërish në zëra të lashtësisë. Ishte Dodona. Ishte Filati i diturisë. Ishte Arpica e mbushur tej e ndanë me ullin,. Të gjithë arpiciotët kudo që jetojnë në Shqipëri e në botë tregojnë njëzëri atë fjalë të urtë se, po qe se mund të ndodhte që të derdheshin fuçitë dhe enët e tjera të vajit të luturvive ( punishteve të vajit) të saj aherë duhet të ikte i turpëruar nga shtrati i tij i përjteshshëm vetë Joni për t’ia lënë vendin asaj rrjedhe të pafund.
E patë Gumenicën dhe Prevezën që kishte sjellë nga larg ca spiranca të arta dhe i kishte hedhur të sigurta në atë Det të vërtetë njerëzor nga e gjitha Shqipëria? Edhe nga Kosova që priste të nusëronte sërish me të tjerë krushq që nga viti 1913. I kishin hedhur këto spiranca të arta te Deti i Dashurisë. Te Deti i Luleve. Te Deti i Përqafimeve.
Koska kishte sjellë mjaltin e posrsanxjerrë nga hojet dhe pyeste :“Ç’ish jeni, more djelm? ”U lodhët, ju pastë nana? Ç’ish je , moj Nu? Po ti, more aga Refat? Mjaltosni pak buzët se jeni lodhur!” E dëgjuat atë që ishte nga Vërsela, Spatari, nga Vrohonai, nga Grikohori….. E dëgjuan edhe gazetarët vendas e të huaj. Në raportet e shërbimit atë ditë ishte vënë shumë litra karburant i harxhuar. Dhe askush nuk ishte ankuar. Shumë djersë në trupat e tyre , edhe pse kishin ca makina luksoze. Në një farë mënyre edhe ata ishin bërë pjesë e një kortezhi të madh, të stërmadh njerëzor në një kërkim paqësor të një të drejte të mohuar. Edhe ata do ta kenë harruar atë ditë statusin e tyre të të “pavarurit “, e kanë brohoritur, e kanë folur, e kanë protestuar., e kanë kuptuar se janë të gjithë shqiptarë të mire, se Çamëria duhet të ishte më afër tyre. “Po politikanët shqiptarë a e dëgjuan ?- thoshte njëri. “Po politikanët grekë ç’thonë ?”- thoshte tjetri, një burrë i moshuar. Dikush tha se kishte ardhur një çift i sapomartuar. Nipër të Dautit dhe Feridesë nga Grikohori dhe Arpica. Donin edhe ata që ta dëgjonin këtë zë. Edhe fëmijët e tyre që flinin në strehën e artë të amësisë dhe atësisë. Të merrnin edhe ca urime të tjera në Qafën e Botës.
Një invalid në një karrocë, i posazbritur nga një furgon e targa të Durrësit mbante një flamur në duar. Si ke ardhur këtu, o njeri ?!! Si? Mbante edhe një lule. Një lule e një urim. Thanë se ishte nipi i Salikos nga Paramithia që kishte mbetur i vrarë atë qeshor kur kishte vënë drapërin e parë të korrjes në grurin e pjekur. Po e kishte korrur drapëri i vdekjes.Atë që gjithë jetën kishte bërë fëmijë e kishte mbjellë grurë e ullinj.
….Një ar fisnikerie kishte rënë në sytë e të gjithëve. Një ar të tillë e kishte çdo sy njerëzor i atij vargani njerëzish që nuk i shihej fundi. Edhe i atyre që nuk mundën të vinin dot, por që më shpirt e me zemër ishin aty. Dhe u ngritën atë ditë ca gjumëtrazuar të lashtësisë e të së sotmes. U zgjua Pirrua, Bubulina, Dora D’Istria e Hsaan Tahsini, Abedin Dinua dhe Kolë Idromenoja.Faik Konica dhe Bila Xhaferri, Abaz Dojaka dhe Haxhi Murati….Na kishte ardhur jo si mik, por si zot shtëpie edhe Naim Frashëri, i prushëruar nga fjala çame, ose nga kjo gluhë e ngrohtë e Perëndive të dëguar në Çamëri. U zgjuan të gjithë zërat e nuk kishin nevojë për megafonë modernë sallash luksoze ku rrinë ca njerëz në kolltuke të kadifenjtë. Jo. Jo. Klithma e së nesërmes që lindëte nga e djeshmja që nuk mund të harrohej përcillej sa në një shtëpi në tjetrën. Sa në një zemër në tjetrën. Për të ardhur më tej në salla të parlamenteve shqiptarë, grekë, evropianë, amerikanë,…Në dyer redaksishë, në ekrane kompjuterash, në faqosjen e përherëshme të gazetave, në kronikat e përditshme të gazetave..në skena teatrosh e filmash, në ballina të pafund librash ku sado të mëdha të jenë numrat e fletëve të tyre, historia zulmëmadhe dhe po kaq e dhimbshme, përsëri mbetet ende e pambaruar, thuajse e virgjër. Në dyer gjykatash. Për të ardhur më ndryshe në 27 Qershorët e tjerë. Deri sa të zgjidhet problemi çam. Deri sa të themi se ky ishte Qershori i fundit për marshime të tilla. Është një zë që mban të fshehur shpresën dhe ëndrrën. Shpresën e dashurinë. Na mban të gjallë shpirtin e Mbijetesës. Ishte zëri i 20 000 vetëve që vinin nga të gjitha trojet ku flitet shqip. Nga Kosova dhe Amerika. Një zë i gjallë e asnjëherë i shuar në kohët moderne. Ja kaq apo edhe ca vetë më shumë kalonin kufirin e përgjakur në ato ditë qershori të 1944-s e 1945-s këtë kufi. Projektuesit menduan (sa keq!) se Çamëria mbaroi, u shua. Eeeeej vëllezër! A e dëgjuat zërin e ri të Çamërisë? Atë ditë të gjithë u bëmë spikerë të malluar e të talentuar duke folur të gjithë me një zë: “JU FLET ÇAMËRIA!” “Çamëria është gjallë ! Ajo rron e asnjë nuk mund të humbë historinë e saj , të kaluarën e saj e, aq më tepër të ardhmen e saj!”

_______________________
Marrë nga "ARENA" na FB
Mars 2012

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen