Montag, 12. November 2012

Daniel Gazulli: NGA POEZIA BOTËRORE


RABINDRANATH TAGORE

 
MOS U LIGSHTO
 
 
Mos u ligshto, mbaju fort,
e do të fitosh.
Nata po iken:
guxim, mos u ligshto.
Shiko, në ball të lindjes,
përmes pëlhurës së pyllit
nalt
asht ngritë ylli i mëngjesit.
Guxim, mos u ligshto.
 
 
Janë bijë të natës, që në errsinë shtegtojnë
dëshprimi, dembelia, dyshimi:
ata, të pasigurtë, nuk janë
bijë të agimit.
Vrapo, nga errsina dil;
shiko, tej hidh vështrimin,
qielli po çelet.
Guxim, mos u ligshto.
 
 
 
 
 
 
 
GIUSEPPE UNGARETTI

 
Poezitë e luftës

 
ROJË

Maja Katër, me 23 dhjetor 1915

Gjithë natën
shtri pranë
një shoku
të masakruem,
me gojën
që skërmitej
kthye hanës së plotë,
duert
të përgjakuna,
që përshkonin
heshtjen time,
kam shkrue
letra plot dashuni.

Kurrë ma parë
si sonte
me jeten s’kam qenë
i dashunuem.

 




PABLO NERUDA


VDES PËRDITË

Vdes përditë
ai që bahet skllav i rutinës,
e përditë përsëritë të njejtën udhë,
ai që ritmin s’ndrron,
ai që s’rrezikon as t’ndrrojë ngjyrën e veshjes,
ai që nuk flet e njohje të reja s’kërkon.
Vdes përditë kush pasionit i shmanget,
ai që pëlqen të zezën mbi të bardhë,

e pikën mbi “ì”
ai që u shmanget emocioneve,
që bajnë të të shndrisin sytë,
ata që
përgjumjen kthejnë në buzëqeshje,
e që bajnë t’na rrahi zemra
prej një gabimi e prej ndjenje.

Vdes përditë
ai që tryzën s’përmbysë,
ai që i trishtë në punë jetën shkon,
ai që nuk rrezikon të sigurtën
për pasigurinë tue ndjekë një andërr,
ai që të paktën një herë në jetë
s’u shmanget këshillave të urta.

Vdes përditë ai që s’udhëton,
ai që s’lexon a s’dëgjon muzikë,
ai që s’sheh hiret e veta.
Vdes përditë
ai që rrënon personalitetin e tij,
ai që ndihmë s’kërkon;
ai që ankohet çdo ditë
për fatin e vet a shiun që s’pushon.


Vdes përditë
ai që braktisë një projekt para se ta nisë,
ai që pyetje s’ban

për sa mistere të panjohun,
ai që nuk i përgjigjet
pyetjes që i bajnë.
T’i themi “jo”! vdekjes së përditëshme,
sepse të jetosh
nuk do të thotë
thjeshtë frymë të marrish.
Vetëm guximi
na sjell
lumtuninë e vërtetë.
 
 
 
 
 
 
JOSEPH RUDYARD KIPLING
 


NËSE …
 

Qetësinë në ruejtsh, kur bota e humbet,
e ty të fajsojnë ata që ke përrreth,
besimin të patundun në vete ti ta kesh,
Peshoj ti dyshimet, përçmues të mos jesh.
Përmbahu ti sa mundesh, nxitimi asht i huej
Nëse ata gënjejnë, ti t’vërtetën thuej,
Mos urre ata që ty të kanë mëri,
I mirë ti të jesh, urtia me kufi.
Andërrat ti përkundi, por mos flijë mbi to
Shtjello ti ide, pa i kthye n’qellin ato;
Ngadhnjim edhe humbje priti me qetesi,
Asnjenes mos bjer pré me lot as krenari.
Nëse t’vërtetën tande e kthejnë në mashtrime,
Ata që në jetë kanë t’mbrapshta qellime,
Nëse andërrat tueja t’i bajnë thërrime,
Ti prap rindërtoi t’vërteta e synime.
Gjithë sa ke fitue ti veni në lojë
Guximi vlen ma shumë se një fitojë
Në humbsh, fillo rishtas me guxim,
Për humbjen pa shprehë as ndje ankim.
Mos lejo që zemra një çast të të lëshojë,
Kur guxon zemra, dhe trupi do t’guxojë,
Forcat nëse t’lanë, vehten mos e lësho,
Nëse ke Vullnetin, ti mos u ligshto.


Ruej virtytet tueja, as turmën mos përçmo,
Pranë rrij edhe Mbretit, po njerëzit mos harro,
Mos u plagos prej anmikut, as mikut ma të shtrejtë,
Të gjitha kanë randësi, asnjë sa ke ti vetë,
Kurrë të t’shkojë kot, as minutin mos e len,
I vlertë ai që kaloi, dhe ai që mbas tij vjen,
E jotja asht e gjitha ç’gjendet përmbi dhé,
Por mbi të gjitha, Njeri, bir, ti je.
 
 
 
 
 
 
HEINRICH HEINE


HELENA
 
 
Më je betue në përjetësi,
Me fjalë të zjarrta gjithë magji,
Se do më duesh me afsh e zjarr,
Po s’më shuen etjen e jotja fjalë.
Buzët ti ven mbi timen gojë,
Der sa frymë t’na mbarojë.
Unë shpirtin tand ta pi due n’ gotë
Dhe etja prap s’shuhet, asht e kotë.






MOS U BETO
 
 
Mos u beto, po ti puthje me jep;
betimin e grues nuk besoj; hesht!
E ambel fjala jote, po s'ka krahasim
me puthjen ne buze me rrembim.
Puthjes i besoj, puthjes qe me dhe;
fjala fluturon e nuk na nxeh.
Betohu, e dashun sa te duesh,
s'u besoj atyne kur t'm'i thuesh,
po kur koken ve ne gjinin tand,
atehere po, besoj e i lumtun jam.
Atehere besoj ne ty, e dashun, une,
se m'do perjetesisht e ndoshta dhe ma shume.
__________________
Poezitë jan shqiperuar nga Danil Gazulli

MARTIRI I ATDHEUT DOM GJON GÀZULLI


MARTIRI I ATDHEUT DOM GJON GÀZULLI

- Në 84 vjetorin e varjes –

Nga Daniel Gàzulli
I.
Mbas vrasjes së atdhetarit opozitar, demokratit të madh Luigj Gurakuqi, të idhullit të rinisë shqiptare e liridashësit të zjarrtë Avni Rrustemi, të Plakut të Maleve, Lisit të paepun të Kosovës, Bajram Curri, nga mbeturinat antikombtare osmane haxhiqamiliste, rradha e eleminimit fizik i kishte ardhë deputetit të Opozitës, atdhetarit intelektual, Dom Gjon Gàzulli, të cilit anadollaku Ahmet Zogolli i zgjodhi, si prift katolik që ishte, mënyrën ma “spaciale” dhe ma çnjerëzore: “varjen”.
Në Vorrezat e Rrëmajit, atje ku prehen bijë të shquem të Shqipes, atje ku janë themelet prej graniti të një Kombi, asht vorr i tij i thjeshtë, ndreqë rishtas prej familjarëve pse ishte damtue shumë. Ka plot 84 vjet që besimtarë e jo besimtarë, të krishtenë e muslimanë, ndalen tek ai vorr, ndezin një qiri, lanë një tufë lule apo lëmoshë për të vorfnit. “Vorri i Dom Gjonit”, i thonë thjeshtë shkodranët, ndoshta edhe pa dijtë shumëçka për Të, por tashma me një bindje të trashëgueme nga brezi në brez se Ai asht Vorr i Shejtë. Asht vorri i thjeshtë i Martirit Dom Gjon Gàzullit, varë në litar 84 vjet ma parë, me 5 Mars 1927. Dora gjakatare po ajo: Ahmet Zogolli.
Sot edhe Vatikani ka hapë procedurën për shejtnimin e tij. Dhe ja, dhjetorin që shkoi, në Katedralen e Shkodrës, u zhvillua seanca e fundit e Gjyqit Kishtar Kanonik për shpalljen Martirë të Kishës Katolike të 40 klerikëve e laikëve të mbytun gjatë shekullit XX, ndër ta edhe Martiri Dom Gjon Gàzulli.
Po a ishte Shejt Dom Gjoni?
Le t’i përgjigjen të tjerë kësaj pyetje.
Jeta e vepra e Tij janë dëshmi e ndritëshme se Ai ishte, po, Atdhetar dhe demokrat ndër ma të pastërtit që shkelen, jetuen, punuen e u flijuen për vendin dhe popullin e vet.
Kleri Katolik, sogje ndër shekuj në mbrojtje e në luftë për liri të Shqiptarisë e të Fesë, kishte provue mijra shëmtime mbi vete prej pushtuesëve otomanë. Mjaft të kujtojmë një prej tyne: Masakrimin e të madhit, madhështorit, Imzot Pjetër Bogdanit. Si Ai u masakruen sa e sa Meshtarë e besimtarë të tjerë katolikë!
Kujtuen shqiptarët se mbas Ditës së Madhe të 28 Nandorit 1912 nuk do të provonin ma shëmtime e masakrime si ato të turqëve. Po jo, çibanët që la mbrapa otomani, feudalët e agallarët atavikë, shartue shpirtin me urrejtje aziatike ndaj të krishtenëve, edhe pse bashkatdhetarë të tyne, shikonin po të njejtat andrra të kobshme:
“Me ambasadorin anglez Ahmet Zogu në 1927 u ankue për klerikët katolikë: “Ah sa shumë do të dëshroja t’i varja ashtu siç e meritojnë”…E që të kënaqte kërkesen e mbrendshme për t’i varë, ai çoi në trekambësh një klerik…( Dom Gjon Gàzullin).
Ky veprim bani që përfaqësuesi amerikan në Tiranë të komentonte, lidhun me këte ngjarje, se ndrysh nga përsonifikimi i Drejtësisë Përendimore, një Përendeshë me sy të lidhun, që mban në dorë peshoren e paanëshme të fajeve të të gjithë atyne që gjykohen prej saj, drejtësia shqiptare asht një zonjë muhamedane, që herë mbas here vështron tinzisht përmes perçes se cili ndodhet mbi pjatë, përpara se të rregullojë gurin e peshores.” (Bernd Fischer – Re Zog e la lotta per stabilità in Albania, Monographs dell’Europa orientale, Boulder, 1984.)
Ky ishte Ahmet Zogolli i Matit, që dënonte me tre vjet burg atentatorin e tij Beqir Valteri, ndërsa çonte në litar meshtarin Dom Gjon Gàzulli, pa i provue asnjë faj, nëse faj nuk do të konsiderohen:
- Të duesh Atdheun deri në flijim për të;
- Të flijohesh për liri e drejtësi të popullit tand;
- Të shkrihesh për përparimin e tij;
- Të kesh miq toskë e gegë, të krishtenë e muslimanë, e me të gjithë tok të luftojsh për një Shqipni Etnike.
Ndoshta këto vepra për disa janë faje edhe sot, pse, ndërsa Dom Gjoni nëmos tjetër e ka një vorr, i vëllaj, gjuhëtari i shquem Dom Nikollë Gàzulli, pushkatue pa gjyq me 02 shkurt 1946, nuk dihet as ku i ka eshtnat, ashtu si nuk dihet ku kanë eshtnat shumë e shumë klerikë e atdhetarë të mirëfilltë masakrue prej bandës serbo-komuniste me në krye Mehmet Shehun, Shefqet Peçin, Koçi Xoxen etj., në Malësi të Mbishkodrës në vitet 1944-1946.
Ahmet Zogolli nuk e ndërpreu asnjëherë luftën kundër Klerit Katolik. Jo rastësisht ipeshkvijtë i drejtoheshin më 1933 (kur i paten zanë “dritën” shkollat katolike) se, “Na jemi këtu prej dymijë vjetësh; katolikë atëherë edhe sot, shqiptarë atëherë shqiptarë edhe sot”.
Si mund të shpjegohet kjo?
Pëgjigjen na e jep qysh në vitin 1933 një njeri i çliruem nga çdo lloj trysnie, pse tashma gjendej i mërguem në Francë e mund të shprehej lirisht. Sundimtarët shqiptarë, që vinin nga administrata osmane, herë mbas here ktheheshin tek origjina, qoftë si mendësi, por sidomos në veprime. Ja si thotë, pra, At Frano Karma në 1933: “Fara e keqe e sektarizmit kundër katolikëve, përhapë nga Turqit veçanarisht tek paria shqiptare muslimane, prodhoi përgjatë tre shekujve frytet e veta ma të këqija, dhe për fat të keq vazhdoi t’i prodhojë edhe ma të helmta qëkurse një pjesë e Shqipnisë u shpall e pavarun qysh para njëzet vjetëve. Për rrjedhojë, katolikët shqiptarë ndjejnë të randojë mbi ta një atmosferë e randë vdekjepruese.
Në të vërtetë, duhet thanë se shumica e muslimanëve shqiptarë ….. gjithmonë kanë dashtë të jetojnë në paqë vëllaznore me katolikët. Tue përfitue në të gjitha rastet për të nxitë ndër ta fanatizmin fetar musliman, janë gjithmonë krenët ata që kanë ushqye urrejtjen ndaj katolikëve”.
Natyrisht, mundet mos me qenë e këtij mendimi historiografia e sotme shqiptare. Jo që sigurisht nuk asht. Fatkeqësisht tek na shkenca i asht nënshtrue gjithmonë politikës. Kështu, në një kohë kur qeveritë tona me radhë i shesin për dy kacidhe pasunitë kombëtare Turqisë, prej Albtelekomit e deri te Minierat e Bakrit; kur shtetarët tanë heqin nga zyrat bustin e Kastriotit pse u vjen për vizitë “vëllau” turk, kur presidenti Topi quen Lekë Zogollin “Naltmadhni” (e na kujtonim se mbas kapitullimit të Italisë Fashiste nuk kishte ma mbretën në Shqipni), e nipi i Zogollit quhet Leka II, këshilltar i Ministrit të Jashtëm, kur …. Nuk do të kishin fund shëmtimet e fallsifikimet e titujve të pamoralshëm. Shqiptarët janë hutue: po baltosen përditë liberatori i madh, demokrati Luigj Gurakuqi (Ndoshta ndokush sot shfren me vete: “Ah, të kisha mundësi t’ia hiqja emnin e tij Universitetit të Shkodrës!”- ashtu si prishën Shtëpinë e tij Muze), i shkëlqyeshmi liridashës Avni Rrustemi, Plaku i Maleve Bajram Curri, atdhetari i urtë Hasan Prishtina … E nuk asht me u çuditë: A nuk po hedhin baltë deri mbi Gjergj Kastriotin “inglishmenët” e Tiranës e “jatullahët” e Prishtinës?

II.
Në vitin 1961, kur u kthye në Atdhe mbas 35 vjetëve mërgim, tregonte vëllaj i Dom Gjonit, Stefani:
“Na e ndjenim thellë përgjegjësinë ndaj Atdheut. Lirinë e kishim në gjak, e kishim trashëgue, nuk na u desht shumë me e kërkue ”.
E të parët e tyne ishin Gjon Gàzulli i madh, astronomi, matematikani e ambasadori i Kastriotit në Shekullin e Madh, Pal Gàzulli, ambasador i Kastriotit pranë Republikëse së Raguzës në vitet 1452-1459 dhe Rektor i Shkollave të asaj Republike, Doktori i Filozofisë Imzot Ndue Gàzulli, Arqipeshkëv i Shkupit (1702-1753), Abati i Mirditës Ndrè Gàzulli (shek XVII), Andrea Gàzulli, komandant i Forcave të Veriut pranë Ali Pashë Tepelenës deri me sulmin e tij barbar mbi Kardhiq, e kështu me radhë, pse gjithmonë ndër shekuj ka qenë të paktën një pinjoll i familjes që do të shkonte për studime në Universitetet e Europës, e seicili prej tyne u shkri për Atdhe. Jo, nuk dijtën Ata të vdisnin me krye në jastek, sa kohë që Atdheu ishte nën thundrën e mnerëshme otomane apo të sllavit.
Po në fillim të shekullit XX, ishin tre vëllazën njëherësh, Gjoni (1893 – 1927), Nikolla (1895 – 1946) dhe Stefani (1896 – 1964), që vijuen studimet jashtë shteti.
Gjoni, ashtu siedhe Nikolla e Stefani, leu në Dajç të Sapës (Zadrimë) me 26 Mars 1893. Mësimet e para i bani në shkollën e fshatit, që e kishte çelë Dom Ndre Mjeda.
Si vijoi të mesmën në Shkodër, studimet e matejshme i ndoq në Itali dhe Austri, ku ishte edhe vëllaj tjetër, Nikolla.
Ai u Shugurue Meshtar me 4 Gusht 1919 në vendlindje, në Dajç. Mbas një shërbimi të shkurtë në Gjadër të Lezhës, e çuen në Qelëz të Pukës.
Famullia e Qelëzes ishte i përbame prej 9 katundesh. Kishte një organizim shembullor, gja jo e zakontë për atë kohë. Dom Gjoni dijti me i hy në zemër popullit, e të gjithë përendonin mbas tij. Ishte shëndetpakë, por me vullnet hekuri. Përherë buzëgaz, i rreptë me vete, poaq bujar, i çiltë e i dashtun me të tjerët.
Dom Gjoni u ishte përkushtue problemeve të vendit qysh kur ndiqte studimet në Romë, aqsa poeti arbëresh Agostino Ribecco (1867-1928) e cilëson më 1915 “Atdhetari i madh Gjon Gàzulli”.
Tue pa trazimet e Atdheut, ai u angazhue përkrah Luigj Gurakuqit, Avni Rrustemit, Fan Nolit, Bajram Currit, Gjergj Fishtës, Hasan Prishtinës, në atë krah që asht quejtë në histori “opozita”, pse i ishte kundërvu “popullores” së Ahmet Zogut, dhe në zgjedhjet politike të vitit 1923 Dom Gjoni u zgjodh deputet.
Po le të ndalemi pak këtu.
A ishin parti politike “opozita” dhe “popullorja”? Absolutisht jo! Ato ishin dy kahje të politikës shqiptare të kohës, që përfaqësonin dy mendësi. Ndërsa “opozita” kishte në përbamjen e saj atdhetarë të shquem, intelektualë të mirëfilltë, andërrues të pandreqshëm të një Shqipnia Etnike e të lirë, me vështrim nga Europa, “popullorja” e Ahmet Zogollit dhe vjehrrit të tij Shefqet Verlaci, donte të vendoste ligje aziatike, ndërkohë që edhe vetë Turqia e Ataturkut i kishte kthye sytë nga Europa, donte një popull “raja”, që ta shkelte e ta shfrytëzonte njëlloj si kishte ba turku me ta e aty edhe ma keq. Të ndjekun prej mbetjeve ma të përçudnueme të Stambollit, ashtu si i ka pikturue At Fishta, “Ky babën gjaks, gjyshin katil, stërgjyshin mizuer … hasëm të kulturës …”, ata nuk përfaqësonin asnjë interes të popullit shqiptar, po një interes të ngushtë bejlerësh që donin me ruejtë ato previlegje që i kishin sigurue tue i shërbue pushtuesit otoman, kryesisht në një rreth nepotik: Ahmet Zogu, nipi i Esat Pashë Toptanit, dhandrri i Shefqet Verlacit, kunati i Ceno bej Kryeziut, një qerthull mehmurësh anadollakë, atavizëm e kohës kobzezë të gjysëmhanës, të shitun te serbi deri në ditën e vdekjes.
Ndërkohë, tue qenë meshtar në Qelëz, meshtari-deputet Dom Gjon Gazulli kreu atë akt që për kohën ishte një veprim revolucionar i pashembullt: Hapi në qelë (shtëpinë ku banonte vetë, ashtu si banë edhe shumë klerikë të tjerë) shkollën e parë mikse në botë. Po po, në botë. Asht diçka e vështirë për brezin e ri me kuptue disa gjana, por edhe në Europën e përparueme shkollat mikse (djelm e vajza bashkë) janë çelë për herë të parë mbas Luftës së Dytë Botnore, në Francë më 1948, kurse në Itali katër vjet ma vonë, më 1952. Kurse ai, prift, hapi në qelë shkollë mikse me djelm e vajza bashkë, të krishtenë e muslimanë bashkë. Ja përse thash se ai ishte një revolucionar i vërtetë, në kuptimin ma të mirë, të saktë e ma modern të vetë konceptit të vërtetë të fjalës “revolucionar”.
Jo rastësisht një ndër votuesit e tij kryesorë, pse zgjedhjet në atë kohë baheshin me përfaqësim, ka qenë Myftiu i Hasit. Kur Musa Juka iu drejtue Myftiut: “Po ti, si nuk pate turp që votove për priftin?!”, Myftiu, pa prishë terezinë, iu gjegj i qetë: “Nuk votova për priftin, po për atë që po na mëson përditë çka do me thanë Shqipni, çka do me thanë Atdhe”.
Në një fletore kujtimesh me titull të përgjithëshëm që pat lanë, shkrue me dorën e Tij,“Njizet fytyrat ma në shej të kohës teme” (Njëzet figurat ma të shqueme të kohës time), trembëdhjetë ishin muslimanë: Bajram Curri, Hasan Pristina, Avni Rrustemi, Mehmet Vokshi etj; e Ai vetë ishte prift, po prift SHQIPTAR, me të gjitha shkronjat të mëdhaja.
Paraardhësit e tij, në kohë shumë ma pak të kthjellta, e kishin tregue se asnjëherë nuk i kishte vërbue ndasia, apo deri urrejtja, për motive fetare.
Ja ç’thotë Pouqueville tek “Historia e Përlindjes greke”: “Andrea (Ndreka) u gjet si prijs i Mirditasve atë ditë që Ali Pasha (Tepelena) mblodhi popullin e Kardhiqit te Hani i Hormovës me u pajtue me ta, por në të vërtetë me mendimin me i grì. Alia, tue mendue se katolikët, për fanatizëm fetar, kishin me e zbatue urdhnin kundër një popullsie muslimane, sillet prej Taborrit të Zi, quejtë kështu prej xhurdinit të zi që mbanin, e u thotë me grì anmiqtë. Ndër ata trima katolikë u ndje një za i lehtë – Pasha kujton se duem me lypë pare për shpërblim; e Aliu i sillet: Lypni sa të doni, por m’i grini këta qafira! Atëherë duel komandanti i tyne Andrea Gàzulli e i thotë Ali Pashës: “Na nuk kemi ardhë këtu me u vra me njerëzit tanë! … “. Por u gjet një farë Athanas Vajo, grek i pashpirt, e atë ditë qenë pré në sakica 600 vetë në Han të Hormovës”.
Komandanti Andrea Gazulli mori taborrin e gegëve e u kthye në Veri.
Dom Gjon Gàzulli kishte një histori shembullore mbas vetes, që do t’i shërbente në jetën e tij të panjollë.

III.
Të ndalemi sërishmi tek ai që asht quejtë dikur “Revolucioni i qershorit 1924”, kurse sot “inglishmenët” e Tiranës, lakejt e Lekë Zogollit e miqtë Lekës II (sic!) e quejnë me elegancë në frengjisht “Coup d’Êtat” (grusht shteti),kurse Fishta e quente “Trazimet e qershorit 1924”.
Nëse qé një “Coup d’Êtat” (grusht shteti), kush e bani atë?
Fan S. Noli! – Japin përgjigjen menjëherë “historianët” e papaguem të Tiranës. Se këtu qëndron e bukura tek na: historianët shiten edhe pa u pague.
Po e vërteta? Po dëshmitarët e kohës ç’thonë? Vallë akt i një të çmenduni të quejtun Selim Reçi ishte vrasja e Avni Rrustemit me 22 prill 1924?
Zgjedhjet e 27 Nandorit 1923, edhe pse i fitoi, nuk e patën kënaqë Ahmet Zogollin. Ato u zhvilluen në rrethana e kushte tejet të pafavorshme për opozitën demokratike, megjithate nuk u realizue gjithë ambicja e tij. Ja si shkruen Fishta pak muej ma vonë: “Kalben gjindja në burg, tue pritë me vjetë e vjet gjygjin definitiv të gjykatoreve: por Nuz Vrijoni&Co, të gjykuem për jetë, lëshohen prej burgut kohën e eleksjoneve, pa kurrnji vendim t’autoritetit judicjar. Derdhen miljona e derdhet gjak për me çarmatisë popullin: por qé ministrat e kryeministri vetë, tinëz e nën dorë, armatisin boshibozukët e Shqipnisë së mesme e gjaksit e Dibrës e të Matit”. Kjo pra kishte qenë klima e atyne zgjedhjeve.
Praktikisht Asambleja e dalë nga ato zgjedhje ishte e pamundun të bante diçka për së mbari.
Atëherë Ahmet Zogolli mendoi ta shpërbante ate. Po si? Nuk kishte asnjë të drejtë kushtetuese ta bante këte.
“Prandaj – vijon Fishta – duhej qi aj xhahili shqyptar të gjete shkakun e të gjete kohën, se kur me ba këtë Coup d’Êtat. Shkaku ma i mirë do të ishte: me krijue anarkin në Shqypni, për me mujtë me thanë, se Asambleja nuk ishte e zoja me ruejtë qetsin e vendit. Mbasandej, per modum facti, me marrë fuqinë në dorë nëpërmjet njasaj force ilegale e boshibozuke, qi tinzi ishte tue e mbëkamë në Mat e Dibër.Atëbotë me u deklarue diktator … “.
Ideja e shpërbamjes së Asamblesë Kombëtare iu përshpejtue mbas atentatit të Beqir Valterit. M’atë rast ai filloi shpërndamjen e armëve boshibozukëve të tij anë e kand, ndërsa përgjakte Malësitë e Veriut në mbledhjen e armëve.
(Në parantezë duhet thanë se e gjithë periudha e sundimit të tij ishte e mbushun me atentate kundër tij, e sidomos me vrasje me pagesë prej tij të lules së kombit. Ndër ata atentate që kanë mbetë në histori asht ai që i bani Ndokë Gjeloshi në Vjenë, por kalohet një fakt: Ç’desht Zogolli në Vjenë? Shkoi për mjekim, thonë. Apo në një prej orgjive të tij të zakonshme seksuale me zojushat e atjeshme Françeska Janko dhe e motra Maria? Deri sa paguente aq vrasës, përse të mos paguente edhe dy prostituta vieneze me taksat e shqiptarëve?)
Historianët ndërkohë duhet të shpjegojnë përse i organizuen atentate deri edhe bashkpunëtorët e tij ma të ngushtë, si Eshref Frashëri, kryetar i Senatit, Ceno bej Kreziu, kunati i tij, Shefqet Verlaci, vjehrri i tij, e vargu do të ishte i gjatë.
Po le të kthehemi në pranëverën e vitit 1924 kur një mullis, një i krisun i paguem e i strehuem prej tij: Selim Reçi që shtin mbi fatosin e kombit Avni Rrustemi. Pra anarkia u sigurue!
Po Zogolli dhe vjehrri i tij kryeminstër Shefqet Verlaci kësaj radhe nuk i kishin ba llogaritë mirë: Pë rreth trupit të Fatosit të Kombit u mblodh Shqipnia mbarë, prej Kosove, deri në Çamëri.
Ishte kjo gjendje tragjike që kishte krijue Zogolli e flama e tij në mbarë vendin që çoi në rrëzimin e qeverisë dhe ikjen e Zogollit në Beograd. Po po, në Beograd, ku tjetër? Vallë as ato fakte historike që i ka në dorë një Europë mbarë mbi tradhëtinë e Zogollit historianët tanë nuk i dinë?!

IV.
Dom Gjoni nuk u largue kur në Shqipni u rikthye Zogu me hordhitë serbe e bjellogardistët e Wrangelit. Nuk iku as atëherë kur Zogu i vrau miqtë e tij ma të mirë, Luigj Gurakuqin e Bajram Currin.
Në tetor 1945 Eduard Kardeli, numuri dy i Beogradit, porosiste Enver Hoxhën: Nëse do të mbajsh pushtetin, në radhë të parë duhet të zhdukish klerin katolik, dhe Enver Hoxha ashtu bani. Të njejtën porosi i pat dhanë edhe Pashiqi Ahmet Zogut e ky u lëshue mbi Mirditë, Zadrimë, Pukë e Dukagjin ma keq se serbi mbi Drenicë.
Dom Gjonin, mbasi iu desht të përballej në krye të pukjanëve të Qelzës me boshibozukët e Pëllumb Lleshit, që shkonin tue gjuejtë kudo ndeshnin Kryqat e tue vra edhe pukjanët e pafaj tek ktheheshin me bagëti a prej mullinit, në shkurt 1926 e transferuen dhe e çuen në Koman. E puna e parë që bani sa u vendue atje ishte me hapë edhe aty një shkollë.
Ahmet Zogu, para se me i shprehë dëshiren e zjarrë ambasadorit anglez me varë klerin katolik, po zbatonte politikën e tokës së djegun ndër krahinat e krishtena të Mirditës, Pukës, Zadrimës, Dukagjinit, Malësisë së Madhe me andërren e fshehtë që të ishte jo sundimtar i Shqipnisë, po i Arnautistanit anadollak. E për të realizue këte, duheshin zhdukë, ose ma e pakta, të mundoheshin, sa t’i detyronin me lëshue vendin, katolikët e maleve, kurrë të shtruem nga pushtuesit e tiranët, pse si thotë Imzot Noli, “Vetëm Malësorët e Veriut mbetën Katholikë me armë në dorë…”.
Kështu, në verën e vitit 1926, Ahmet Zogu i kishte dhanë letër të bardhë një katili si kapiten Ismajl Osmani, që shkretoi fshatrat e Pukës me njerëz e me pasuni. E njejta gja po ndodhte prej Fanit në Dukagjin. Ajo që asht quejtë Kryengritja e Veriut kundër Ahmet Zogollit, në të vërtetë nuk ka qenë tjetër veçse mbrojtje e lirisë e deri egzistencës fizike nga masakrat mbi popullin e pambrojtun të barbarit diktator të Matit.
Njerëzit u detyruen të merrnin malet: Në Pukë, Kolë Bibë Miraka me të vëllanë Pashukun e toger Spiro Kosovën; në Dukagjin një meshtar, Dom Loro Caka e dy oficera, togerat Ndokë Gjeloshi e Vasë Kiri (e bashkë me ta edhe At Çiprian Nika, At Mati Prennushi). Malet kishte marrë edhe Shqipnia e Jugut. Por edhe asaj here shqiptarët nuk dijtën të bashkoheshin e t’i banin ballë së keqes. E Puka e meshtarëve Dom Gjon Gàzulli, Dom Nikollë Gazulli e Dom Lekë Dredha, që u përpoqën të ndalnin masakren mbi popull, po bahej zhur. Postkomandanti i Pukës Dedë Sadrija kishte marrë urdhnin drejtpërdrejt nga Zogolli: Të digjet Puka, sikur edhe për shtatë vjet atje të mos mbijë ma bar!
Kështu kishte ba dikur edhe Turqia! Ahmet Zogolli po u dëshmonte shqiptarëve si ishte nip “i dejë” i Esat Pashë Toptanit!
Dom Gjon Gàzulli, në pamundësi me ndejë ma në Koman, pse rrezikohej jeta e tij, u strehue në Kalivare tek Dom Ndre Simoni. I thanë të largohej nga Shqipnia, nëse donte të shpëtonte kryet. Po jo: ai nuk do ta linte kurrë truellin amtar! Ai, në luftë me Nënprefektin anadollak të Pukës për çashtje të shkollës që mbante në Koman, Ai, që ishte i mbuluem me nder prej Hasit në Zadrimë, tashti ishte rrethue prej çakejsh e nuk mund të kthehej ma as deri në famullì. E Zogolli nxitoi t’i thurte të gjitha kurthet: së pari, një hoxhë fanatik, që rrejti një njeri qyqan e mendjeshterpë tue e nxitë t’i bante një padi; sekreatri i Prefekturës Ismaijl Axhemi (me origjinë turke), miku i ministrit Musa Juka, nënprefekti Abedin Sakiqi, komandanti i rajonit Rexhep Aliaj – të gjithë të angazhuem me provue “fajsinë” e tij.
Dom Gjon Gàzulli, Dom Nikollë Gàzulli, Dom Lekë Dredha u arrestuen në Kalivare me 28 dhjetor 1926, në muzg të mbramjes, nësa po niseshin për Reps. I çuen në Orosh ku i mbajten të burgosun deri me 5 janar, kur i kthyen në Pukë. Kapiteni katil Ismajl Osmani desht t’i vriste qysh aty tre meshtarët, po ia ndali dorën gjakatare, që kishte ba sa masakra anë e kand Pukës, një oficer tjetër trim, aspirant Ndue Pali.
Tre meshtarët u burgosën në një kthinë nën shkallë: 75 cm e gjanë, një meter e gjatë. Aty u dergjen ata për dy netë e tri ditë.
Gjyqi, një ndër farsat ma të neveritëshme të Zogollit, akuzoi Dom Gjonin dhe shokët e tij se: 1) kishte organizue kryengritjen; 2) kishte shpërnda armë ndër male; 3) kishte pre telin e telefonit. Po po, e akuzuen se kishte pré telin e telefonit!
Vendimi i gjyqit:
Dom Gjon Gàzulli, dënim me vdekje, varje në litar.
Dom Nikollë Gàzulli, me burg të përjetshëm …. (Mbas 4 vjetësh burg në Kala të Gjirokastres, me ndërhymjen e intelektualëve ma të shquem të kohës, e liruen. Sa duel prej burgut, iu dogj qela (shtëpia e banimit) “aksidentalisht” bashkë me dorëshkrimet. A nuk i ishte djegë 15 vjet ma parë biblioteka e pasun edhe të Madhit Imzot Kaçorri?! Haxhi Qamilët, që dogjën shërbëtorin, qelën e bibliotekën e Imzot Nikollë Kaçorrit, nuk i kanë mungue kurrë Shqipnisë, e, për fat të keq, nuk i mungojnë as sot).
Arsyeja e vërtetë: të masakroheshin priftënit, ashtu si ishin masakrue për pesë shekuj nga etnit e tij shpirtnorë, osmanët. Por jo si klerikë, pse atëherë do të mbeteshin Martirë të fesë, por si politikanë.
Ja pra: “Sa dëshirë do të kisha me i varë… “
Pjesa e pashkrueme e atij vendimi gjyqi kishte ma shumë randësi se dënimi me varje i Dom Gjon Gàzullit. Me atë varje barbare Zogolli u thonte të gjithëve, në radhë të parë popullsisë së Shqipnisë të Veriut, kryesisht Malësorëve trima, kundërshtarët ma të rreptë të tij: Ose rrini urtë, ose të gjithë në litar si prifti!

V.
Kujtonin ata që u gjenden në burg pranë Tij, ndërsa ishte i dënuem me varje në litar, se si përpiqej t’i ngushllonte. Po, të ngushllonte ata, të dënuemit me burg! Ai, i dënuemi me varje në litar.
Po sjell këtu fragmente nga një intervistë dhanë të përkohëshmes gjermane “Korrespondez des Priestergebetsve” nga oficeri i ngarkuem me varjen e Dom Gjonit, një farë Xhemal Dibra:
“Ishte ora 11 para mesnate. Udhët e Shkodrës ishin ende të rrahuna prej njerëzish, pse ishte Bajram. Dhash urdhën të thirrej famullitari Gàzulli n’oborr, pse donte me folë me të Ipeshkvi. Gazulli zbriti poshtë. E kuptoj çfarë do të ndodhte. Një françeskan me Sakramend ndej para tij (At Martin Gjoka, shënim im). … Françeskani kishte mbetë pa gojë. Famullitarit Gàzulli nuk i ndrroi aspak ngjyra e fytyrës. Unë e vuna ore mirë. Ai i kapi dorën Atit e i tha: “Pater Martin, tash ke me më rrëfye”. Ati iu lut ushtarëve të mbledhun për rreth me u largue. Mbasi na nuk u larguem, Ati i tha: – “Dom Gjon, rrëfeju, pra, latinisht a italisht”. – “Jo, Pater, i përgjigjet Gàzulli, të mbramin rrëfim due me e ba në gjuhë të Nanës”. E kështu ai u rrëfye në sy tanë. Na, Muhamedanët, pak marrim vesht kësi sendesh, por mëkat nuk dëgjuem prej gojës së tij. Mandej i dha Ati një bukë të hollë, të bardhë, e rrumbullakët, që e kapërdini me një përshpirtnì të madhe. Ai u dukte se po shndritte krejt fytyret. Tash u çil dera e burgut, e u nismë. Ushtarët ishin para, mbrapa e në të dy anët, ma shumë se kurrë. Në mjedis ishte Ai dhe Ati. Gjithë udhën u luten te dy me za të naltë, por unë muejta me vu ore se zani i Atit dridhej, nësa zani i famullitarit tingëllonte i qetë e i qartë. Një trimni kaq të madhe kurrë s’e pash në jetë time. Unë e ushtarët e mi ishim krejt nën peshë të përshtypjes.
Kishim arrijtë te vendi i vdekjes, në Fushë të Druve. Aty ishte shtylla e vdekjes.
Magjypi ishte gati me litar në dorë. Një dritë elektrike e shndritte thektas famullitarin në fytyrë. Ai nuk dridhej aspak. Edhe mue më kishte kapë frika. Mue më ishte dashtë me përcjellë edhe të tjerë te ky vend i mjerë, por tash ishte tjetër. Unë kisha gati si nji frikë para qetësisë së këtij prifti. Ai ishte me të këputme i pafaj. Këte e dijshim të gjithë. Por, urdhni! Unë, sikur asht zakoni, i lash fjalën e lirë. Por ma mirë mos ta kisha ba këte gja! Ai nisi me folë me një za aq të fortë, e me fjalë të drejta e që të këputshin zemrën, sa që mue përnjimend më kapi frika. E ta kisha lanë me shkue gjatë me fjalë, kishte muejtë të gjithëve me na ba me u kthye prej vetit. Mue më duhej me mendue për përgjegjësinë teme. E i thash shkurt: Zotni, s’duem me ndje predke! Foli fjalët e mbrame. Mjaft! Atëherë ai çoi zanin edhe ma e tha: Vetë po des i pafaj. Rroftë Krishti, Mbreti ynë! Rrënoftë Shqipnia dhe Shqiptarët e vërtetë”.
Na ishim të gjithë të përmalluem fort. Lexova vendimin e dekës. I qe veshë një këmishë e bardhë. Magjypi ia vuni vjekcën e konopit në fyt e i hoq shkambin nën kambë. Ai ishte i vdekun! – Kështu foli kapiteni.
Ishte dita e 5 marsit 1927.”
Katër orë mbas varjes, Zogolli, kjo mbeturinë atavike e me djallëzi orientale, dërgoi një telegram ku gjoja i falte jetën. Nuk kanë qenë të pakta veprat e shëmtueme të Zogollit: mjaft të kujtojmë vrasjet e Luigj Gurakuqit, Bajram Currit e Hasan Prishtinës, por varja e Dom Gjon Gàzullit asht pa dyshim një ndër aktet ma të shëmtueme të tij, që e ndoq si hije ndëshkimi, kudo që mërgoi.
Nuk e di nëse ishte Shejt apo jo. Di po, se edhe sot mbas 64 vjetësh Vorri i tij në “Fushë të Rrëmajit” në Shkodër asht qender pelegrinazhi e Shqiptarëve e se Ai ishte Atdhetar, aq sa në gjyq pat lanë ate thanjen e tij lapidare: “I vetmi faj që i njoh vetes, asht se e kam dashtë Atdheun deri në flijim për të”.
Pat shkrue më 1942 At Gjon Shllaku për Bajram Currin, Luigj Gurakuqin dhe Dom Gjon Gàzullin: “Fatosa të vramë dy herë, nji herë kur i mbyten, dhe nji herë kur i lanë në harresë”.
Tue parafrazue thanjen e At Shllakut, mund të them tashma për Dom Gjon Gàzullin: I vramë tri herë: Një herë kur e varën e dy herë me harresë.
Po jo, nuk do të harrojë populli i Shkodrës, i krishten apo musliman qoftë. Do të jetë gjithmonë dikush që do të çojë lule tek ai vorr, dikush që do të ndezë një qiri, dikush që do t’i drejtohet në heshtje: Dom Gjon, lutu për ne, se përsëri sot po vazhdojmë me ju vra, Ju, nderi e krenaria e kombit. Nuk po dijmë çka bajmë, Dom Gjon, po rivrasim të vramët e po vritemi edhe mes të gjallëve !…
______________
Marrë nga gazeta "Tema"

Fakete Rexha: POEZI NGA LIBRI "MAL ME FRYME"


1. LOJE PA DUAR PA GOJE

S'me prek s'me flet s'me do
i larget si bonjaku i perralles
ne gjergjefin e dashurise
qe vizatohet ne trupin tim
- liqen i akullte je, i kthjellet
- mal i larte je, koken me re
- lum i thelle je, valen plot shkume
- det i lodhur je, i pergjume
- stepe pranvere, me humbetire
shkretire
s'me mberrin s'me gjen s'me enderron
i paqene si perfytyrimi plot mall
perrua i shterrur
s'te prek s'te flas s'te dua
te therras
te pres
dhe te krijoj me fjalet e mia






2. QARTESI ESHTE DASHURIA


Nena - rrugetimet e mia te njoma
Baba - kengetimet e mia te reja
vellai - veglat muzikore
motra - une
- i di te gjitha shoqe shpirti
e di kur fjala jote dhe e poetit
si kandil ne mendje me shndriti
e di librin me te mire ne bote qe flet si une
e di lumin me te thelle ne bote - Vendlindjen
e njoh frymen dhe floren e vendit tim
e kam kripen e ditit ne lekuren time
embelsine e burimit te Drinit ne sy
e kam lartesine e maleve ne hapin tim
- dashuria pra eshte qartesi
shihet larg fundi i larget dhe i thelle
i territ mijevjeçar
plis bore e bardhe maje Sharri
rrugetimet e mia te njoma
zgjojne gjumit djejt, jelet, eren e termetet
Nene!







3. KTHIMI


Lodhur jane rruget
eja
mali do t'i futet
nates ne gji
dyshimi
gjithnje kohe e shkuar qe s'flet me njeri
si teja qe bren
ta qet rrugen
kah dere e harruar
ani
eja
t'i zbath kepucet e perbaltura dhe t'i laj kembet
si ne vizionet e femijerise
kur kthehej
nje burr qe emer s'i di as hije
me tamjanin ne vetull
me kaçat ne strajce
me eren
e mire te kujtimit






4. SHTEPIA


Mos me pyetni a e njoh a e pashe a e gjeta
a e humba a e kerkova
a e desha a e urrejta a e prita a i ika
ai ç'do - ka
vetmine urtesine trimerine bukurine
zemergjeresine doreliresine
ai ç'duan te tjeret ka - me i pasur se deti - eshte
ai ç'do - ka
ai kurre s'vjen pas meje se me te mira ka
e une ike prej tij gjithmone e jete do te ike.



Marre nga vellimi me poezi "Mal me fryme"
"Rilindja" - Prishtine, 1990

Mittwoch, 7. November 2012

„VËLLEZËRIT TURKAJ“, NDIHMOJNË LETRARET E DIASPORËS


Bisnesi dhe bujaria

„VËLLEZËRIT TURKAJ“,  KOMPANIA QË NDIHMON LETRARET E MËRGATËS

 Shëmbull që duhet ndjekur edhe nga Kompanite tjera të udhëtimit

 Kurdo që është shfaur nevoja për ti ndihmuar veprimtaritë kulturore në përgjithesi dhe veçamarisht ato letrare, kompania  „Vëllezëzit Turkaj“ është treguar zemëhapur dhe nuk ka nguruar të jap kontributin e vet. Për më shumë se pesë vjet sa isha kryetar i Shoqatës së Letrarëve të Rinj të Kosovë(para luftës), kjo kompani e udhëtimeve pothuajse rregullisht e ka ndihmuar veprimtarinë e kësaj shoqate. Sa herë kishim nevoje, bisedonim me z. Isa Turkaj dhe ai gjithmonë tregohej bujar. Kuptohet, brenda mundësive që kishte.
Pas luftës, njerzit e bisnesit sikur e kan shernguar doren dhe kan më pak vullnet për ti ndihmuaar veprimtaritë kulturore. Gjatë bisedës që pata keto ditë me mikun e vjeter z. Isa Turkaj, vendosa ta provoj sërish. I propozova që,  brenda mundësive,  Kompania e udhëtimeve  „Vëllezërit Turkaj“  të jetë e para kompani që do të bej zbritje çmimi për biletat e krijuesve letrar që krijojnë dhe jetojnë në mërgim. Dhe për befasinë time, Isa Turkaj nuk kishte ndryshuar! Pa u menduar gjatë, me tha:

„Kompania jonë do të ketë zbritje çmimi për të gjithë krijuesit letrar që jetojnë në mergim e që duan të udhëtojnë për në atdhe. Kuptohet, për ata që kan libra të botuar.“
A nuk duhet ndjekur këtë shembull edhe kompanitë tjera të udhëtimit?

Mirënjohje mikut tim Isa Turkaj dhe kompanisë së tij!

Haxhi Muhaxheri
07.11.2012

Dienstag, 6. November 2012

Fakete Rexha: SHKULJA


SHKULJA

Shtepite ne çanta e valixhe.
Xhama te thyera. Rruge te shkreta.
Udhe te humbura. Mendimi i dhembjes, per jeten.
Qe njeriu u shkakton njerezve te tjere.

Zhvendosja me dhune. Deportimi. Shkulja. Vizioni yne me i padurueshmi. C'dallim i madh mes tyre dhe mergimit te vullnetshem. Gjithe pesha e dhembjes bie mbi dy te parat. Vendim i marre nga te tjere qe s'te japin mundesi te zgjedhesh. Qe nga çasti kur t'flakin n'rruge t'madhe. S'je i sigurte. S'ke gje perpara. Fiil lekure ne trup me gjithe ç'mund te bartesh. Marrish perdore, shpines e kraheve. Pa bohçe. Pa te kaluar. Pa kujtime. Pa endrra per te ardhmen. Vetem nje shprese e vogel banon brenda teje. E holle si peri. E vetmja gje qe jep leje, jetes t'i gezohesh nga çasti ne çast. Asgje tjeter ne ty, as perpara teje, qe premton. Dhe, kush s'ishte me ty ne kete rruge te dhembshme, te gjate, te tmerrshme. Ai s'ka kurre per ta kuptuar se ç'do te thote. Te jesh kaq e shpenzuar ne lufte, e me pas edhe e shkulur me dhune. Nga gjithe ç'te perkiste, e jotja qe ishte prej origjines. Udhetim deri breg tmerri. I ftohte, si uji i ngrire dimrit pambarim qe vie nga larg. Ku me s'ka dallim katundi-kamp, prej vdekjes torturuese te vertete.
Si per gjera rrebtesisht te ndaluara. Nuk u tregojme femijeve edhepse shohin se ç'vuajme. Eshte nje pergjegjesi e madhe, qe te mos i traumatizojme. E harresa tu ndihmoj te rriten. Femijet tane. Do te jene krenare. Me ne prinderit qe mbijetuam luften dhe provuam kampet.

- Nene, çeshte lufta? - me pyeti eme bije nje dite.
- Eshte nje e keqe e madhe, qe ndodhe, e qe perndryshe s'duhej te ndodhte! Nje fatkeqesi. Ku nje vend vie per te vrare njerezit e vendit tjeter!
- Nene, qysh kane te drejte? T'i vrasin femijet, njerezit, deshiren e tyre per jete? A kane te drejte?
- Nene, ti ke qene ne kamp. Dhe, pas gjithe ç'ke pesuar ke arritur te punosh, te mbijetosh, te me rrisish, te me edukosh, te me ndertosh? Nene, a ishe ti qe te thyen ne shpirt si kafshen duke te vrare familjen?
Te nesermen ne mengjes mbi tavoline, ne dhome dite e gjeta kete poeme te vogel, qe m'a kishte shkruar eme bije:
Nene.
Ti me bene te endrroj.
Nena ime e bukur. Nene e mrekullueshme.
Diamant qe shkelqen. Zemra yte plot dashuri.
Me bene te lumtur te rritem.
Nena ime e dashur. Te dua me se shumti ne bote.

Fran Tanushi: BJERRAKOHËSIT



BJERRAKOHËSIT

E soditën botën
për të gjetur një hiq

nga hiq
e pjellën hiqin

u zhduke ai

e morën lejleket
në të gëdhirë

adresave të humbura
për busollë shtegtimi

liqejt e turbullt
i ushqyen algët
më pisllekun e vet

hiq hiqi
nga erdhi shkoj...
më bjerrakohësit

Dan Kosumi: NUK DUAM KUFIJ


Sa herë na ndanë e bënë copa-copa,
por trungun s’na e prenë dot, jo,
se të thella i patëm rrënjët në lëmin e gjakut,
që ne me dashuri i themi “nënë”.

Sa herë për ne, prenë e qepën harta,
makete, xhaketa e flamuj.

Askush nuk na pyeti se kush jemi,
nga vijmë dhe a jemi shumë,
emrin siç deshën na e lanë:
Shiftar,
Arnaut,
Alban...
Ata ngritën mure mes nesh,
zemrën labirint na e bënë.
Diellit, shiut të imtë të lirisë, iu bënë ombrellë,
për ne deshën vetëm stuhitë,
dhe na i nisën kohë pas kohe.

E kështu u shkrua historia…

Ne,
larg,
në dhè të huaj
e sytë e lokes mëmë verbohen prej mallit të birit
e loti derdhet pafajshëm faqeve…

Përtej mureve në të katër anët,
hidhet shikimi i saj për bijtë e ikur,
asnjë lajm,
as dje,
as sot,
as nesër…

Si në dy këmbë urash të pafundme gjeografikisht kemi mbetur,
pa motrën, pa vëllanë, pa bijën, pa birin.

Jemi larg, pa njëri-tjetrin,
pa lulet që çelin në pranverën tonë,
pa vesën e mëngjeseve shqiptare….

S’dimë
a jemi gjallë apo vdekur,
veç natën,
natën na takohen shpirtrat,
ata që s’i ndan dot kush.

Por vjen një ditë

që valët furishëm shpërthejnë,
pasi zemra s’i duron dot muret, as barrierat,
ajo do lirinë, ajo do paqen,
ajo do dheun e ëmbël të mëmëdheut.
Pakkush e di ç’na sëmboi në shpirt kaq vite,
deri në mallkim të ditës së të qarës së parë.

dhe vjen një ditë…

që mallkimi kthehet ndër ata
e shemb malet e bjeshkët mizore,
muret hiqen nga vetë ata që na i vunë.

Bijtë e shqipes, si kurrë më parë,
krenarë e ballëlartë.

Ne nuk duam kufij,
shqiptarë na thonë anekënd,
ne jemi bijtë e nënës së madhe, Shqipëri.

Sonntag, 28. Oktober 2012

Gezim Oruçi: KËNGA E TIVARIT


KENGA E TIVARI

Vjen nentori kuq e zi,
Qeshe flamuri feste e madhe,
Ane e kande Shqiperise,
Ushtojne kenge edhe valle.
Qesh Kosova edhe Shkupi.
Shpres te madhe ka Cameria,
Ah flamur, ta puthsha shqipen,
Mbi Tivare therret Rumija.
Mos harroni varret tona.
Per flamur u shkri Tivari.
Ah Tivari Isuf Sokolit,
Komandantit legjendar.
Nga Kalaja vjen jehona,
Ky Tivari asht shqiptar.
………………………...
Rrofte Tivari, Rrofte Tivari.
Therret Rumija e barotit
Prej Tivarit ne Preveze,
Jetojne bijet e KASTRIOTIT.


Nga Prof. GEZIM My.URUCI - Shkoder
Tivare (MN) Tetor 2012.

Mittwoch, 3. Oktober 2012

KUR POETIN E RRËMBEN FJALA

Shkruan SHABAN CAKOLLI
 
Të jesh poet fillimisht duhesh të keshë dhunti,të ndjeshë dëshirën në shpirtin tënd,të i vargërosh popullit tënd në gëzimet dhe vështërsitë në të cilat gjendet.
Të jesh poet duhet të ndjeshë magjinë e fjalës e cila të lëkund shpirtin, të zgjon mendimet dhe ndjenjat për t’i shprehur hidhërimet, dashuritë, vuajtjet, për t’i shtrydhur nga vetja, për të luftuar kundër të keqes së jetës tënde dhe së keqes së jetës së të tjerëve. Poeti ka disa cilësi të shenjëta,atdhedashurinë,miqësinë,drejtësinë,shquarësinë për të dalluar të mirat dhe për të protestuar kundër të shëmtuarës. Poeti duhet të jetë i pregatitur për gjendjen e tij shpirtërore,i cili me mençurinë e tij mund të ecën edhe nëpër tehun e shpatës pa lëkundje ,i pregatitur për të dashur atdheun,të ngjalli dashuri për atdheun te lexuesit të jetë gjëthnjë në kontakt me librin, të lexoj shumë,të tregoj botën e tij shpirtërore para lexuesëve,të ketë gatishmërinë të duan atdheun kur gjindet pranë tij dhe kur i mungon.
Të dijnë të trajtoj dhe zgjedh tema të jep mesazhe të fuqishme,për fjalën,atdheun,shkollën,të dijë të protestoj kundër padrejtësive. Poeti është shpirti i popullit, jeton me popullin, punon për popullin, digjet për popullin, shkëlqen për popullin dhe është gjëthnjë pranë tij, edhe kur fizikisht ndodhet larg. Poeti shkrinë gjithçka nga vetja për të mirën e gjuhës, atdheut dhe kombit. I tillë është edhe poeti ynë i mirënjohur Haxhi Muhaxheri,i cili nga fëmijëria është ushqyar me atdhedashuri, dashuri për kombin, gjuhën, arsimin. Shpirtërore e tij është letërsia në tërësi, poezia në veqanti.
 
Haxhi Muhaxheri lindi më 04 qershor 1967 në fshatin Kosuriq të Pejës, Kosovë. Shkollën fillore e ka kryer në Gllogjan të Pejës, të mesmen në Klinë, ndërsa studimet (letersi dhe gjuhe) i ka vijuar në Univesitetin e Prishtinës. Haxhi Muhaxheri ka qenë kryetar i Shoqatës së Letrarëve të Rinj të Kosovës, editor i Shtëpsë Botuese “Pena”, kryeredaktorë i të parës revistë erotike “Amori” dhe botues i revistës “Alberos”(erotike). Mepastaj, ka botuar edhe tri revista tjera, si: “Pena”(letrare), “Dëshira”(për familje) dhe “Fanari”(për të rinj) Për mungesë fondi,botimi i këtyre tri revistave është ndërprerë pas daljës së numrit të parë.
Haxhiu ka marrë çmimet e para për poezi në Takimet e Gjeçovit në Zym dhe në Sofra poetike në Drenas. Jeton dhe krijon në Austri. Haxhi Muhaxheri është një veprimtarë i pashoq i cili ka bërë dhe po bënë shumë për letërsinë tonë kombëtare. Ai përveq që krijon poezi dhe prozë,bënë shumë në afirmimin e krijuesëve,si dhe mbanë dhe administron disa faqe të kulturës e letërsisë si: "Sofra Poetike", "Faqja për fëmijë", "AlbPlanet", "Bukureza", "Poezi Shqiptare", "AlbPOETIKA", "Proza Shqiptare", "Libra dhe Autor", "Poezi për Shqipërinë", "Arena", "Poezi për Çamërinë", "Poezi për Kosovën", "ALBwebTV", "AlbKINO", "Lugu i Baranit" dhe një faqe për krijimtarinë e vet.
 
 
 
 
POEZI NGA HAXHI MUHXHERI
 
 
 
KUR MË RRËMBEN FJALA

Kur më rëmben fjala
Më vërshojnë gëzimet
Sikur të gjitha të dashurat
Ti kisha pranë

Kur fjala më çalon
Dehem e bëhëm tapë
Si të kisha pirë
Helmin e kësaj bote

Kur më buzëqesh fjala
Diellëzohem lartësohem
Si ti kisha përmbysur
Të gjitha perandoritë


1996
 
 
 
 
 
 
 
 
UNË DHE KËNGA*

Do të varrosemi

Kur të na lindin


Të vdekurit

Për të lindur

Kur të vdekurit

Të na varrosin


1998
 
 
*Kjo poezi mori çmimin e tretë në manifestimin
“Sofra poetike e Drenicës” ne vitin 1995
 
 
 
 
 
LIRIKË ME PËRDHUNË

Të kujtohet ndajnata
kur në kryqëzim sysh
lexoja biografinë tënde
dhe fjalë e ndryrë në gojë
qëkurthi e ruajtur vetë për ty
që edhe sot mendoj
se kurrë nuk ta thashë vetë
po zëri i brëndisë
ai zë që dëgjohet
vetëm në ligjerim zemrash

Të kujtohen fjalët tua të brishta
dhe bisedat e amullta
kur me plot mund
pushtoja foltoren e bindjes
dhe fillonte kënga e psherëtimave
kënga që aq shumë ia pate frikën
po edhe dashur e ke aq sa unë
dhe pas të gjithave më pate thënë
se tash ke gjetur
princin mbi kalë të bardhë
yllin e dashurisë

E unë tretësha në mendime
sa herë dëgjoja radion
të fliste për atdheun
për dhunën
që u bëhej vëllezërve të mi
dhe i mllefosur të pata pyetur
si të mendoja për yllkën e dashurisë
kur populli vuan për dritën e lirisë
të drejtën e harmonisë kozmike
Mars, 1991
 
 
 
 
 
 
 
 
LETËRKËMBIM

Mora letrën tënde shkruar me fjalë malli
fjalë zemre për mua yllin e dashurisë sate
dhe si i krisur zura të bisedoja
me fotografinë tënde vendosur mbi tavolinë
dhe mallkoja ditët që pa ty më gdhijnë

Mike
Të ne punët prapë nuk venë mirë
dorë e hekurt
pareshtur mbi kokat tona rëndon lëndon
ushtaret kthehen në arkivole përsëri
e ne presim Çmimin Nobel
për mendjen e durimit

Me vite prita të mësoja
e ende nuk e di
durimi është pjellë e vdekjës
a vdekja pjellë e tij

E di moj
do të thuash durimi ka kufij
po polemi di më mirë se ne të dy
a duhet flijuar a pritur për lirinë

Do më pyesje për ditën e gëzimit
e vështirë është pritja për ty
të bëj benë
nuk do të vonoj shumë
vadja e dasmës së madhe


Gusht, 1991
 
 
 
 
 
 
UJK MË ËSHTË BËRË VETJA

Përditë zgjohem me mendjen në ty
Shtegun mbuluar e ka bloza e dëshirës
Më përvlon malli
E veten ngushlloj me letra dashurie

Më kot mundohem të mësoj
Kobi je ti që më sillësh vërdallë
A fati im i çalë
Që më shpie drejt çmendisë
Lule ferri je a lule parajse
Bukuri vërbuese
A kumt orësh të liga
Lojtare netesh të humbura
A sëmundje që nuk shërohesh
Pjellë mortore a gjemb durimi
Çelës enigmash a neperkë syri
Si ta kuptoj moj
Më thuaj

Më shanë
Pse me emrin tënd
Pagëzoja yjtë lumenjtë përrallëzat
Pse...


Më qeshen
Për lutjet e mesnatës
E psherëtimat krismë qielli
Për ëndrrat e harlisura
E lotin e buzëqeshur
Për ditet që më iknin
Sy njerëzve të hekurt


Dhëmbet u ranë së qeshuri
E Peruni i Madh
Hiqte valle mbi kockat tona


Ti nuk erdhe e dashur
E në shpirt
Termete shkaktuar më ke


Ti duhej të vije
Bashkë me pranverën
Dhe këngët e të lashtave


Portë e hapur të pret
Dhe karafil i vyshkur
Në dorën time


Eja e dashur
Eja
Ujk më është bërë vetja



Prishtine, 1995
 
 
 
 
 
 
 
GJURMË

Me kohën në hapërim

për të lënë gjurmë
në pemën e jetës

Grurisht
këndoni diellit
legjendave

Me fjalë ndërtoni
ura mbi brigje
ura dashurie

Në gjuhën
e yjve të baladave
rrëfehuni

Për të dëshmuar
me emrin
ne gurin e varrit


RILINDJA, 10.11.1988
 
 
 
 
 
 
 
ATLANDIDA E RE

Urime Veneci shekullin e dhjetë
mbi ujë
kujdes njëzetenjëshin
nuk u besohet më
pellumbave të bardhë
banorëve të parë
në sheshin Santa Maria Sallita
uji po han tokën tuaj
e një ditë do ta përpijë
se bashku me 46 ishujt
dhe Urën e Psherëtimave
qe të krijohet Atlantidë e re
Veneci

1995
 
 
 
 
 
 
 
 
 
URATË*

Zotynë

Pranoje Lutjen time
Diell të ketë
Në Mendjen e Durimit
Orëbardhat ta shpejtojnë
Ditën e gëzimit
Lulet e kësaj toke
Ilirisht
Uratë le ti këndojnë bashkimit
Nuse e Ujrave
Të na i gëzoj shtëpitë
Circe Jona
Të na i mbëltoj dashuritë
Ëndrrmirat
Të na i zgjedhin Fatitë
Këngët tona
Ti pushtojnë lartësitë
Amen

*Kjo poezi mori Çmimin e parë në „Takimet e Gjeçovit" në Zym të Kosovës, në vitin 1994.
 
 
_____________________
Marrë nga PRISHTINAPRESS