Montag, 16. April 2012

POEZI NGA RITA SALIHU


 ERDHA, ERDHA..! POR...

Pasiguria - banjë e ftohtë
Treni i zbrazur - mungon ti ose unë

Gjithçka qenka bërë propagandë
Flamuri e kënga e lirisë të përdhosura
Në dashuri private qenka shndërruar atdheu

Vetëm për të vdekur
nuk pritka askush në radhë

Eci rëndë-rëndë nëpër rrugicat e ngushta
Mbishkrimet si ndotja e ujit të rrjedhshëm
Sipër mureve më presin si hije të maskuara

Mëngjes me supë në katin e parë
Dimër me speca në katin e dytë
Furtunë dhe fërfëllizë në katin e tretë...

Treni rrëshqet pa patina
Me mua zhduket përtej brigjeve të panjohura
 









NË KOSHARE...

Sa e vështirë qenka Bacalok
Të jesh në Koshare pa Agimin e Salihun

Kur majave të lisave fluturojnë shqiponjat
Të nxitura nga fluturimi i tyre përtej oqeanesh
Përtej mjegullës shtrigë me sy të robërisë

Nuk do të vijnë as kësaj radhe, u thash
Kanë shkuar në bregun tjetër
Për të sjellë pak diell
Dhe pak bukuri për lulet e shkelura të dheut

Sa e vështirë qenka Bacalok
Të jesh në Koshare pa të rënët
S’të njohka njeri në mjegullën e rënë
Nga motet e mërzitura për mungesën e tyre

Sa e vështirë qenka Bacalok
Të jesh në Koshare pa trimat
Ku vetëm dy rrasa të vetmuara
Përpiqen ta përjetësojnë historinë

Tej pyllit të lirisë mos shkoni pa ne, më thanë
E një rrufe qëlloi lisat më të gjatë të bjeshkës
Që ruante kujtimet për ditën e flijimit

Sa e vështirë qenka Bacalok në Koshare
Të përballesh me dhimbjen
Dhe me harrimin e atyre që panë nga shpati
Si vdiset për dashurinë

Prishtinë, 18 prill








AFSHI

Me plagë në zemër
Me shpirtin e trazuar nga mllefi
Nisem për në brigjet e lashtësisë
Të gjej pak ngrohtësi pranë zjarrit të shenjtë
Të vatrës ku e lash loken të larë në lot
Ku shpirti më përtërihet
Duke prekur lashtësinë
Me degën e zemrës

Do të vij bregut të detit
Ta përtërijë ujin me lot
Si nënat e kërrusura nga pesha e vetmisë
Dhe në këmbë do ta kaloj oqeanin

Me fuqinë e gjysheve
Që dua të më bekojnë në altarin e kthimit








MALLI PËR TË KALUARËN

Kujtimi më vjen si ëndërr
Kur haje bukë misri me qumësht
Aty pranë krevatit të shtruar me kashtë
Këputur nga vetmia

Tash ndërgjegjja është përdhosur
S’të mjafton që ishe kurorë lulesh me fleta bari
S’të mjafton që ishe bar me fleta lulesh

Dëshira të është shndërruar
Në ndjenjë për pushtet
Për të pasur edhe qiell edhe diell vetën ti

Sa më merr malli për ata njerëz
Që dikur ngopeshin me një tramak misri
E laheshin në shiun e shpresës...

Po kalojnë ditët dhe ankthi
Nuk po zhduket






 NDËSHKIMI

Kudo më rrethon bota plotë çmenduri
Dorën na jep për në bregun tjetër
Ku s’njoh njeri as perëndi
As yll të kuq as qiell të zi
Ku më njeh vetëm syri korb i zi

Ndërsa unë përpiqem të arrij
Në atdheun që quhet poezi
Ku ndjehem zot dhe perëndi
Pa yll të kuq nën qiellin e zymtë
Ku më shumë bie shi se fryn stuhi...

Po bares nëpër një botë
Që për shpirt e ka kobin






 VIZION

Në kopshtin e pyllëzuar me pemë
Midis lulesh me fletë e ngjyra
Ti je më e bukura lule
Më e praruara degë
Në të cilën ngjitem
Për t’u ndjerë mirë

Fytyrën të gdhendur
Nga stuhitë e dimrave të gjatë
Më të gjatë se vetë jeta
Dukesh si një ikonë

Të pikturova me ngjyrën e syve të mi
Me aromën e dheut







 E LODHUR


Ndihem e lodhur
Kur dua të kthehem
Në vatër kanë mbetur vetëm urnat
Të fikura nga lotët e nënës motrës
Të shndërruara në qyqe

E vetme
Mezi bëj hapin që më mashtron
Me shpirt të plagosur verbuar sysh
E njoh veten vetëm kur flas
Vetëm kur prek ballin flokët e thinjur

Ndihem e lodhur
Më shtrëngon ajri i natës së huaj
Fasadat e jashtme më mashtrojnë

E vetme në shtëpinë e nënës
Të lyer me baltën e dheut
Në shtratin e shtruar me kashtë
Shoh ëndrra ndjehem e lirë
Derisa shiu i mërgimit më kalb...

Ç’freskim pranë gurrave të fyellit të vendlindjes!








 DHOMA E KUJTIMEVE

Më mungon Dhoma e Madhe pa kolltuk
Me shkëmba druri të vendlindjes
Me nga tri këmbë
Dhe gjyshi ulur pranë oxhakut
Duke gërshetuar penjtë
E kohës së mëkateve të mëdha
Që e vriste përditë, nga një kokë ia gërryente

Nuk di në atë dhomë a bënte ftohtë
Apo ishte frika që hynte e dilte nëpër ne
Përgatisnim qëndresën

E lash aty copën e shpirtit
Krenare të mbetem mbi atë shkëmb
Para se të më vrasë harrimi i pamëshirshëm






MOLLË E EGËR

Në tokën asnjanëse
E kam pasë mbëltuar
Një degë nga nëna
Një degë nga babai

Megjithatë në fushën e huaj
Mbeta Mollë e Egër
E pashartuar






VEND I LARGËT

Vendi i largët
Me sy të stolisur
Me flokë të blertë
Më mashtroi si një përrallë

Tashmë kur jam bërë gjyshe
Përralla nipërve nuk u tregoj

Lum ai që nuk u bë personazh
I përrallës që më mashtroi


_______________________
Për "Arena", Sylejman Aliu

Samstag, 14. April 2012

POEZIA E NAIMIT PËR KRISHTIN E KRISHTERE



 Shkruar nga  GËZIM LLOJDIA

PËRPARA KRISHTIT

J - E Z U S I

E-ndrra.Zoti dërgoi Engjellin Gabriel tek virgjëresha
Mari.
-Të falem,o hirëplot!Zoti është me ty.Ti ke gjetur hir
përpara Zotit dhe prandaj ,ai të ka zgjedhur ty.
Kam ardhur të të njoftoj se do të ngelesh shtatëzanë
e do të lindësh një djalë,që do ti vësh
emrin JEZUES.
Barinjtë natën ruanin tufat e dhënve.
Në Betlehem.Engjelli:
“sot në qytetin e Davidit,lindi shpetimtari,Krishti Zot.
Z-oti.E dërgoi lajmëtar.
Lutja e Jezuesit.
-Ati ynë që je në qiell,u shenjtëroftë emri yt,ardhtë
mbretëria jote,u bëftë vullneti jotë si në qiell,ashtu dhe
në tokë.Bukën tonë të përditshme falna sot,na i fal
fajet tona sikurse ne i falëm fajtorët tanë dhe mos
na lërë të biem në tundim,por na shpëto nga e keqja...
U-ngjilli i Zotit.

E-ra e profetëve,nga hiri i Zotit.
S-inagoga.Jezuesi,kryq e tërthor.Galilesë.
Jezuesi :Lum kush është i varfër në sytë e Zotit,sepse
e tij është mbretëria e qiellit!Lum ata që qajnë
sot,sepse ata do të ngushëllohen!
Lum,ata,që janë zemërbutë,sepse do të
trashëgojnë botën!Lum ata,që duan drejtësi,sepse Zoti
dëshirat do t’u plotësoj!Lum ata,që janë të
mëshirshëm,sepse ata do të gjejnë mëshirë!Lum ata që
janë zemërpastër sepse ata do të shohin Zotin !
Lum ata që luftojnë për paqe sepse ata do të
quhen bijtë e Zotit !Lum ata që ndiqen pse
kryejnë vullnetin e Zotit,sepse e tyre do të jetë
mbretëria e qielllit.

I-shte një profet i madh e i pashoq si në fjalë ashtu edhe
në vepra përpara Zotit e mbarë popullit.Por e
dënuan me vdekje dhe e ekzekutuan.
Ishte Mesia,shpëtimtari



“PËRPARA KRISHTIT”

Djalëth ,njeriu i Perëndisë,
Fytyra jote mua më tregon,
Ah të këqiat e njerëzisë,
Që ka punuar edhe punon.

Se kjo fytyrë
Është pasqyrë
Dhe na rrëfen,
E s’na gënjen;

Gjithë ç’ka hequr njeriu i mjerë
Nga veth’ e tinë e nga vëllaj,
Që kanë vrarë edhe kanë prerë
Pa gjyq,pa fjalë,pa pasur faj.

Zot,ti ke vuar
Edhe s’ke pushuar,
Nga njeriu hoqe,
Për të u përpoqe.

Ti u përpoqe për njerëzinë
Dhe dashurinë e bëre besë,
Njeriut i vune nom miqësinë
Që kur të lindet,gjer sa të vdesë.
Për këtë fjalë
Të qofsha falë
Se njerëzia
Ë Perëndia
.

 Naim H.Frashëri.




 “Përpara Krishtit” është poezia e Naimit.Ka buruar nga mëndja e Naimit.Nga pena e Naimit.Ka vërshuar mendimi naimjan në letër të bardhë.
POEZIA
Poezia,”Përpara Krishtit” është një këngë për Krishtin.E parë në një rrafshë vlerash,poezia është tepër modeste.Sidoqoftë për kohën dhe faktorët, ka mbartur dhe përmban vlera.
Pjesë nga vargëzimi:
Djalëth,njeriu i Perëndisë/Fytyra jote më tregon/Ah të këqijat e njerëzisë/Që ka punuar edhe punon...


 SHQYRTIME
Ndërtoj:Koha pret kohën.Nata e pret ditën.Lindja-perëndimin.Minuta-sekondën.Njerëzimi.E priti Mesinë.Në Betlehem.Jezuesi i Nazaretit.Bukuria.Bukuria është shëmbëllimi i tij.E Perëndisë.E zbritur nga qielli.
Në histori të kohërave.Kronika të moçme.Fytyra rrëfen. Cudinë.Dora mrekullinë.Perëndia është në zemër.
I kujt është ky rrëfim ?Panteistit Naim!
Ndërtoj
Njerëzimi.C’gafa të pafalshme ka kryer o Zot..I shtyrë nga tundimi.Moisiun e detyruan tu thoshte: “skllevër bij skllevërish/ s’e meritoni se liri s’doni”,shqipëruar nga F.Noli.Ndërkaq Naimi thotë aty:Ah të këqiat e njërëzisë/Që ka punuar edhe punon...
O Zoti ynë.E kryqëzuan Jezuesin.Ligësia-projeksion i shëmtuar i mirësisë.C’pikturë e pamëshirshme.
O Zoti ynë.Krishtin e kryqëzuan.Silueta e tij në kryq.Me sytë nga qielli.U zhduk në hapësirë.Shpirtin e morrën engjëjtë.Udhët morrën dy drejtime të ndryshme.
1- Nga zëri i qiellit:”Mirëardhësh Jezues!
2-Shpirtëra të lodhur nga marrëzia.Vafshi në dreq.Shejtanër,bijë shejtanësh.Vafshi në të fundit rreth të ferrit.


 PASQYRA
Naimi rrëfen :Se kjo fytyrë/është pasqyrë/dhe na rrëfen/e s’na gënjen...
SHQYRTIME
O Zoti ynë!Kjo pasqyrë.Një shëmbëllim.Fytyra e Perëndisë.
O Zoti ynë!Ku prap do të më dërgosh ?Mos na lerë në botën e nëntokës. Shpresojmë të mos kemi humbur garën me kohën, në perëndim të diellit.Mos na lërë në botën e përhershme të errësirës ,të nëntokës!
Përlotje.Naimi thoshte :Gjithë ç’ka hequr njeriu i mjerë/Nga veth’ e tin e nga i vëllaj/Që kanë vrarë edhe kanë prerë/Pa gjyq,pa fjalë,pa pasur faj....
Sy të përlotur të dhimbjes.Ngecën.Aty ku pabesia zgjuar ri. Mbërthyer në pritë.Atje ku marrëzia shkon deri në pakufij.


 LUMI
SHQYRTIME
Lumi Jordan dhe pagëzimi.Histori nga jeta e Krishtit.
Ndërtoj.Ujërat rrjedhin.Janë në lëvizje.Mëkate pastrojnë.Sy qelibar.Ky lumi Jordan.Në iride të syrit.Burim i pashtershëm.Gjon pagëzori.
Jezues,shpirti të ndriçoftë,djalëth i paharrueshëm! C’marveshje bëre me Perëndinë?Pagëzimi me shpirtin e shenjtë!

33
NDËRTIME RRETH TË VËRTETËS SHPIRTËRORE
Shfaqet numerologjia.Pa disponuar numerologjinë.33 vjeç.Krishti u kryqëzua.Dy tresha.C’farë do të thotë ?Numëri mister.Vorbull më vijnë këto ide: 33 d.m.th.Dy tresha. 3+3=6.Mirëpo ka edhe një llogari kështu 3x3=9.Ky numër flet për lëvizjen e shpirtit.Një 3 diku thuhet për lëvizje të shpirtit.Po dy tresha.Truri im,që vepron si hipnozë shqyrton :zanafillën.6 ditë të krijimit.Krijimi i gjithësisë.Perëndia i dha udhëkalim,qiellit dhe tokës, atëherë deri bashkë.Toka ende pa emër.E zbrazët e shkretë.Perëndia vëzhgonte.Shpirti qëndronte pezull përmbi ujëra.
Gjashtë ditët e krijimit.Histori e rilexuar.Një 3 mund të shqyrtohet si tre përmësat e hapsirës,lartësi,gjatësi,gjerësi.
Dita e parë :Le të bëhet drita.Drita është dita.Errësira,nata.Dita e dytë :Le të mblidhen retë në qiell.Të përhapin shiun përmbi tokë.Hapësirat e larta ishin,qiejt.Dita e tretë :Le të mblidhen ujërat së bashku dhe të dali tokë e thatë.Tokë u quajt ajo.Ujërat poshtë,det.Nga toka të mbijnë llojet e bimëve dhe pemëve.
Dita e katërt :Le të jetë qielli përherë i ndriçuar.Dita ka diellin.Nata-hënën,yjet.Dita e pestë :Në ujra të deteve të vërshojnë peshqitë.Në qiell të lodrojnë zogjtë.Në tokë kafshët.Dita e gjashtë :Le të bëjmë në shëmbëlltyrën tonë dhe ngjasimin njeriun.Bekimi :u shtofshi e u shumzofshi.Në duar tuaja kam lënë gjithë botën,sepse jeni mbi të peshqitë,zogjtë,kafshët e bimët dhe duhet të kujdesemi për to.Bimët të jenë ushqim,për ju e për kafshët.
Dita e shtatë,pushim,një ditë e shenjtë.
Shqyrtohet.Kështu edhe Krishti ka zbritur në tokë për aq kohë, sa përputhet me jetën njerzore në planetin tonë tokë.Devocioni :ishte një lajmëtar i shkëlqyer.Edhe përmes pengesave njerëzore çau.Misioni i tij u mbyll në numerologjinë 33.D.m.th 3+3=6.Numri 6.Si do ta shprehja?Ditët që shënohen kur mërfilli bota jonë u zu.Dhe më e shkoqur :zanafilla.Pra Jezuesi ka qënë aty.Ndërkaq është aty.Ndriçoftë dritën e përhershme shpirti i tij.
Mirëpo po të shqyrtosh ardhjen.Ai s’erdhi si të tjerët.Por a mundej vallë ta braktiste tokën si njerëzit e zakonshëm?Asgjë nuk është koiçidencë.Gjithshka është mençuri e thurrur në qindra miliarda vjetë.Përderisa thuhej se pritej Mesia?Mos do të zbriste fare rastësishtë?Pa u vënë re.Nën dritën e hënës,rreth koritës yjore.Ylli i Jezuesit shkëndijonte.E ndoqën pas yllin.Dijetarët për të nxënë.Rrëmintarët për rrënim.Mellanët për të përdorur mellanin e zi.Tradhëtorët për pusin.Njerëzia,shumë arritën të kuptonin,çdo të thoshte kjo bukuri.

6
SHQYRTIME
Rreth gjashtë ditëve vërtitet bota.Kështu thuhet.Megjithëatë nuk janë gjashtë ditë,që të përputhen me konceptin tonë.Gjashtë mijë ditë më e pakta,ose 600 mijë ditë.Përse ?Zoti duke qëndruar përmbi kohën dhe hapësirën,një ditë e Zotit nuk mund të jetë e barazvlefshme me një nga ditët tona.Një ditë mundet të jetë njëmijë ditë,thuhet në një shqyrtim të krishter.Mirëpo 6 ditë për Zotin është kohë e mjaftueshme,për të ndërtuar jetën në tokë.Porse vetëm për Zotin.Dhe një ditë nga e Zotit.Më kot i kërkojmë studimet fjalëshumë 6 ditët.Aty,misteri është kush i kupton.Fjala godet :është dita e Zotit.

LUMI
SHQYRTIME
Ujërat rrjedhin.Janë në lëvizje.Mëkate pastrojnë.Sy qelibar.Ky lumi Jordan.Në iride të syrit,burim i pashtershëm.Gjon pagëzori.
Marëveshja.Jezues,shpirti të ndriçoftë,djalëth i paharrueshëm! C’marveshje bëre me Perëndinë?Pagëzimi me shpirtin e shenjtë!


POETI BEKTASHINDËRTUESI I LIRIKËS PËR KRISHTIN

Kur u lind Naimi,vendbanimi malor ishte një kup në mes të vargmaleve të Dangëllisë,që quhej Frashër.Nën qerpikët e maleve të Kokojkës,një teqe prej guri e tarikatit bektashi ishte në korije të lisave.Administratori i këtij kulti fetar në malësi të Dangëllisë ishte i veshur me rrobën e bardhë.Ishte vena më e pasur e aortës së Frashëllinjëve. Ishte i biri i Dalib Frashërit.Mirëpo ky baba Alushi,pa qartazi diagramin e rrahjeve të zemrës së Naimit.Tregues domethënës ishte vizioni,që u shfaq për hapësirën poetike të Naimit.Nga të gjithë elementët që u mëkoi.Atdhedashuria ishte e para.Për të kuptuar, ç’bëri më vonë ?Nga thesari i teqes,nxorri shpenzimet,për të shkolluar në Janinë,Frashëllinjtë.Mirëpo ajo që regjistrohet është kënga e diellit në dritare,ishte në qershorin rilindas.U zu besë në teqe të Frashërit,në malësi të Dangëllisë,në ditët e përndritjes kombëtare.



 KOHA

 Viti,që regjistroi,pas njëshit tre teta,d.m.th 1888 i takoi qiellit të Naimit.Është drejtor censure në Ministri të Arsimit.Fakti i njohur,por mbetet të gjurmohet kjo kohë . Në një pozicion të tillë në sërën e lartë të perandorisë ,ai shkruan lirika, por “Përpara Krishtit” është krijuar e shkruar nga dora e tij,që ishte një shqiptar poet atdhedashës,nënpunës në perandorin osmane,që në themel ruante Islamin si besim.Mirëpo Naimi ishte bektashi. Ndjekës i tarikatit bektashi me gradën myhib,grada e parë e tarikatit mistik të bektashinjve.Kështu poeti shqiptar Naim,duke njohur në thelb si ndjekës i këtij tarikati bektashi kishte aritur ndërkaq të vijëzonte fytyrën e këtij tarikati.Nga ana tjetër ai kishte kuptuar se misionarët e shenjtë zbresin për mirësinë e njerëzisë.
Arritëm këtu për të thënë:
Kështu faktet sjellin diçka të re.Naimi është një poet shqiptar,por ndërkaq ishte nënpunës i perandorisë osmane,që i vetëm në atë hapësirë i ka kënduar Krishtit.Nuk gjejmë ndonjë tjetër .Mirëpo edhe në këtë lirikë tek ky poet i vëmëndshëm,duke qënë bektashi dhimbja, që e gryen ishte fryma e përçarjes mes shqiptarëve.Fe,që s’ishin ngopur kurrë me helmin që helmon,kishin ngritur matanë deri në toka të shqiptarëve,kufij religjoz.Duheshin tretur këta kufij,që i mbanin gjithsesi shqiptarët të ndarë.Cilado qofshin interpretimet është fakti,që troket.


 HAPI I NAIMIT PËRTEJ MURREVE

Naimi bënë një hap të madh duke kapërcyer përtej murreve religjoz. Një lirikë me fjalë zemre për Krishtin e të krishterëve.Përdorur prej tij fjalë me gjuhën e të krishterëve.Ndonëse tepër larg në kohë do të shfaqej edhe Noli,që kishte dëshirë të ecte në ato udhë :”Flamur që lind Shën Konstandinin/Bashkon Islamin me Krishterimin”.E thënë poetikisht bukur,por që këtij rasti nuk i përket.Një numër poetësh çuditërisht shqiptarë kanë dashur ti lidhin fetë në një urë ku këmbët e saj janë krishterimi dhe islami i bashkuar për përparimin,humanizmin dhe paqen në jetën e shqiptarëve.Njihet edhe arsyet e kësaj,por përse sot duhet të ndahemi marrëzisht?Kush u frynë erërave të ndarjes në kaurrë dhe muslimanë,kur përpos të tjerave janë kaq shqiptarë të mirë?Kur soji ynë rilindas bëri këtë gjë,sigurisht mori bekimin e një populli.
Rrathë poetik të Naimit janë gjurmë rrjeshtash nga pena e tij.Ato kanë mbetur dëshmitar okular,por sot shfaqen si vegime boreale.Lirika “Përpara Krishtit”,është dëshmia e Naimit poetit bektashi,për Krishtin dhe mirënjohja që shfaqte për krishterimin.Madje të gjithë fetë e botës tonë, në qiell,kanë një Zot të vetëm.


 FEJA E SHQIPTARIT

Shkruajnë poetët librat e kohës.Shpresojmë të mos kemi humbur vitin e lirikës,që është 1890.Mirëpo matanë brigjeve vitet ikin.Më 1896,katër vite përpara se të perëndonin sytë e magjishëm të Naimit .Një ditë verë të çelur,të qetuar,Naimi merr nga Bukureshti “Fletore të Bektashinjet”.Kopjet e para që nxjerr shtypshkronja kanë sprovën filozofike “Bektashinjtë”,në rradhët e para.
Bektashinjtë është sprova filozofike e Naimit për bektashizmin . Brenda vetvetes,ky ishte kodi i mirfilltë i Naimit për Bektashizmin Shqiptar,që kishte zënë të ngjizej.Ishte Statuti i Bektashizmit Shqiptar.I hartuar për herë të parë në gjuhën shqipe nga një poet kombëtar.Në një farë mënyre mund ta quajmë edhe “Kushtetuta e Bektashizmit Shqiptar “.Ajo që është thënë ,pa tulatje nga Naimi ishte vëllazërimi që flitet në frazat e fundit të kësaj sprove filozofike të fletores së shënuar.Madje e gjithë kjo umë ju siguroj se për këtë u shkrua.Mirëpo cili qënka ky pasazh.Gjejmë te “Fletore e bektashinjet”.
 Bashkë me pleqësinë e me parësinë,të krijojnë dashurinë e vëllazërinë,njësinë e miqësinë në mes të gjithë shqiptarëve,të mos ndahen nga njëri-tjetri,të krishter e myslimanë të jenë tokë,që të venë të gjitha punët mbroth e mbarë,të mos shahet sot shqiptari,i cili ka qënë i lavdruar në të gjithë botën përgjithmonë...
Mirëpo ky poet,ndërkaq ndërtuesi i këtij kodi,quhej Naim.Ishte njqind përqind i racës së hershme shqiptare,kur është mësuar së fundi se vendorigjina e Frashëllinjve është Tomorica e Skraparit.Nga malësia e Dangëllisë ku ishte rritur,zbriti në udhën e letrave shqipe.Me siguri,që ka gjetur një trajtë tjetër të Vaso shkodranit,që diçka kuptimplote tha: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”,për tua thënë shqiptarëve,besë është vëllazëria mes shqiptarëve,pa kufij fesh në mes.
Naimi larg hallkatjeve mundohet të thërmoj murret e lartë,që ishin kufij religjioz mes shqiptarëve. Zullumëdhenjtë i kishin ngritur këto murre,këta kufij gurësh,që i kishin trishtuar shqiptarët në kohëra të gjata rënkuese e sunduese.E si mundej vallë të quhej fe,ajo që i kishte vënë shqiptarët në mërira ,për tu kënduar në ditën e fundit,sinfonin funebre?
Tashmë,unë e di se lirika :”Përpara Krishtit ‘,pasi e veçova nga rrathët e tjerë të lirikave të Naimit,e di ç’përfaqëson sot,njëqind e ca vite më pas botimit të parë,për të zbuluar Naimin shqiptar.Një pikë e tij e zemrës,deshifrohet vëllazëria shqiptare,pa kufij religjioz ne mes.Ende ka,por do të kërkoj në gjelbërimin e lirikave pranverore të Naimit,pa haruar të prek me gishta të ftohtë,vargjet e tij.Mirëpo një pyetje torturë më mbërthen gjithmonë.Ku i ruajnë dorëshkrimet e Naimit arkivistët ?Në ç’raft ?Në mungesë të tyre,kam bërë një marveshje me librat e tij të hershëm.Do ta ndjek Naimin,poetin tonë gërmë për gërmë edhe kur ngjitet kah perëndimit tek shtëpia e tij.Edhe kur zbriste nga malësia e Dangëllisë,përkëtej Vjosës me embrionin e lules:letërsi shqipe.

Namik Selmani: Hallall buka, vëllëzër të mirë!


Hallall buka, vëllëzër të mirë!

 Tregim nga Namik Selmani

Xhamia ishte mbushur plot e përplot. Për herë të parë në pjesën e poshtme të xhamisë dhe në atë sipërme ku rrinin motrat myslimane, kishte edhe disa me besimtarë të rinj, për atë xhami që Berati e quante ndryshe Xhamia e Sahatit. Besimtarët e rinj ishin njerëz të ardhur nga larg, nga Çamëria. Plakat çame mbanin në duar ca bohçe të mbushura me rroba trupi dhe ca fëmijë që shikonin syngulur këdo që hynte dhe dlkte në atë shtëpi të Zotit. Qani pa e ditur se ku shin e se po prisnin pak qetësinë e faljes së besimtarëve të qytetit. Burrat gjenin pak kohë që të dilnin jasht për të ndërruar kutinë e duhanit e, duke e dredhur cigaren një nga një, i thithnin ngadalë dhe mendueshëm . Të gjithë ato ditë të vështira që sapo kishin kaluar në tokën e tyre, i vinin në mendje të gjalla. Kishin ardhur nga shumë fshatra të Çamërisë, nga Arpica, nga Margëllëçi, nga Globoçari, Kurtesi. Grupe-grupe sipas fiseve. Çdo grup përbëhej me nga dy tre vëllezër. Nuk i bënin dot bisedat për ata që i mungonin. Nga ai tmerr që kishin parë para pak ditësh, akona nuk e kishin marrë veten. Heshtnin. Vetëm Zoti mund të kuptonte atë jetë të dytë.
Në ato dy namaze që kishin bërë në Xhaminë e Sahatit, si e quanin atë xhami në qendër të lagjes Çelepias të Beratit, ishin lutur për shpirtërat e atyre që i kishin lënë pa varr në atë tokë që s’dihej se kur do ta shkoni përsëri. Lagjja ku po banonin ato, ishte ndër lagjet më të mëdha në besimin islam dhe më të moshuarit e kësaj lagjeje tregonin mjaft ngjarje të tilla. Po t’i numuroje ata muhaxhirë të ardhur nga larg rrugë e pa rrugë bëheshin rreth 50 vetë, pleq, gra fëmijë.
Myftiu Qani Efendiu nuk kishte parë kurrë në jetën e tij njerëz kaq fatkeqë. Dhe kishin të njëjtën gjuhë së bashku. Dhe kishin të njëjtin besim fetar së bashku. Dhe kishin këtë dashri për tokën e atdheut së bashku. Këtë do t’ia thoshte për vite e vite me radhë djemve të tij, njerëzve, xhematit që vinte në çdo ditë në atë xhami kaq të vjetër apo edhe në atë të Xhamisë Mbret që ishte në qendër të qytetit të Beratit ku falnin herë pas here namaze të xhumasë. Pasi mbaroi namazi i të xhumasë së atij korriku të mxehtë i tha një burri që rrinte pak më i veçuar se të tjerët, edhe pse familja e vet dhe e të vëllait ishin fare pranë.
-O Resul , i thuaj vëllait me familjen e tij dhe ejani në shtëpinë time. Nuk është larg. Atë që na ka dhënë zoti do ta ndajmë së bashku.
-Zoti ta bëftë dritë, more vëlla, - i tha Resuli dhe pas pak u nisën njëri pas tjetrit te shtëpia e Qani Efendiut, si i thonin Qani Civesë në Berat e në rrethina të afërta të këtij qyteti.
Shtëpia e tij ishte në një rrugicë të ngushtë, nga ato që në Berat i gjen shpesh në Mangalem, në Kala, në Goricë. Ishte nga ato shtëpi dykatëshe që i gjen shumë shpesh në tërë qytetin që tregon në të njëjtën kohë edhe traditat shumë të vjetra të ndëtimeve qytetare. Pasi hëngrën drake, pushuan pak. Atë natë qëndruan deri vonë. Resuli dhe Ismaili këta dy vëllezër që kishin një moshë rreth 10 vjet larg njëri tjetrit, i tregonin Qani Efendiut për xhamitë që ishin prishur të parat nga ai sulm i egër që bënin ndaj tyre ata që kishin vendosur që e gjithë popullsia myslimane e Çamërisë duhet të dëbohej patjetër nga shtëpitë e tyre, nga xhamitë ku kishin falur namazet ata vetë, baballarët, gjyshërit e tyre…
Vona ranë të flinin. Familja e Qani Efendiut u ngushtua dhe kjo nuk ishte për një natë, Berati, ashtu si edhe shumë qytete të atyre viteve, porsa kishte dalë nga lufta dhe gjëja e parë që kërkohej në shtëpi, në rrugë, ishte buka, kripa dhe vajguri. Në rrugicat e qytetit shumë herë shfaqeshin edhe njerëz që merrnin për krahu kundërshtarët e parë të sistemit që po niste qeverisjen për t’i gjykuar me të drejtë e pa të drejtë.
…Mëngjesi i asaj dite korriku erdhi shpejt. Edhe pse ishin zgjuar nga gjumi të dy familjeve came, iu kishte bërë përshtypje pastërtia e rrobave dhe aroma e borzilokut apo e luleve të tjera që kishin marrë rrobat, dyshekët, jastëkët, çarçafët..
Të dy katet njerëzore nuk e kishin bërë të qetë gjumin e asaj nate të shkurtër.
Resuli dhe Ismaili zbritën në katin e parë ku Qani Efendiu, pasi kishte falur namazin e mëngjesit, i priste për të pirë kafenë. Mund ta pinin edhe në ndinjë han nga ato që ishin hapur në qytet, po ajo kafe e parë sikur ishte më e ëmbël, më e bekuar se të tjerat që mund të pinin në klub. Zonja e shtëpisë u ngjit lart dhe dërgoi mëngjesin për të ngrënë gratë dhë fëmijët që, më në fund kishin gjetur qetësinë në një kulm çatie.
-Selam alejkum, Qani Efendi, -foli I pari Resuli, duke vënë dhe dorën në krahun e majtë të gjoksit, ku ishte zemra.
-Selam alejkum,–e vazhdoi edhe Ismaili, duke bërë ritin e vëllait të tij.
-Alejkum Selam.-ua ktheu përshëndetjen i zoti i shtëpisë.
Biseda vazhdoi me pyetjet për shëndetin, për kohën. Akoma burrat nuk kishin ardhur në formë për të rrëfyer ato që mund t’ia tregonin vetëm dërrasës së varrit, asaj dite që vetëm zoti e dinte se kur do të vinte.
Ndërruan edhe kutitë e duhanit duke dredhur mendueshëm cigaret. Pas pak minutash me një ton paksa ceremonial që nuk ishte vështirë ta dalloje që në hyrje, në ballin e ngritur, paksa më shumë se në bisedat e tjera Resuli tha:
-Vëlla Qani, na e bëj hallall bukën që na dhe mbrëmë dhe sot në këtë ditë të bekuar të zotit që na gjeti bashkë. Na e bëj hallall edhe jastëkun ku vumë kokën.
-Ç’po thoni kështu vëllezër, -iu drejtua me shumë mirësjellje i zoti i shtëpisë.- Zoti ua bëftë edhe më të lehtë dhimbjen.
Pasi e mbaroi këtë falenderim, e mori fjalën Ismaili për t’i dhënë të zotit të shtëpisë që të kuptonte se ato që do të thuheshin pas pak ishin fjalë të miratuara nga të dy, por edhe nga familjet që prisnin lart, në katin e dytë për të vazhduar jetën, për të ndërtuar të ardhmen.
Sërish një bisedë me një qetësi ku nuk ishte e vështirë të dalloje një bashkim zemrash, një lidhje të fortë njerëzore që buronte hga besimi, nga dashuria shumë njerëzore për të bashkuar edhe dhimbjet, edhe dashuritë.
-Zoti ta shpërbleftë me mbarësi tek fëmijët tuaj! Do të donim që t’u kërkonim diçka prej teje e zoti ta bëftë mbarë që të na e realizosh.
Qani Efendiu ngriti pak më shumë kokën e nisi kryqëzimet e syve me Resulin dhe Ismailin. Vonë, shumë vonë, ai do t’ua tregonte këtë çst të vështirë djemve dhe miqve shumë të ngioshtë të tij. Ndoshta ishte i vetmi gjynah që kishte bërë. Menjëherë i shkoi në mendje një mendim i keq. “Moos, o Zot! Ç’ ‘kërkojnë më shumë këta njerëz? U dhashë bukë. U dhashë një kat të tërë për të strehuar fëmijët, veten, po çfarë kërkojnë më shumë?“ Vazhdonte edhe më tej të meditonte jo dhe aq mirë për këta vëllezër me familjet e tyre. Nuk ua tha atyre, as atëherë e deri në ditën e fundit të vajtjes për në ahiret. Miqësia e tyre vazhdoi edhe më shumë në vite të tjerë. Një ditë, pas shumë vitesh kur fëmijët e tij u rritën e kuptonin se ç‘po ndodhte në jetë, ia tregoi edhe për të shlyer aq sa mundej gjynahun që kishte bërë duke menduar keq për këta vëllezër çamë, të ardhur nga Çamëria e largët buzë Jonit, nga troje që i kishte bekuar zoti me begati, me mbarësi…..
- Ne hëngrëm mbrëmë darkë, - sikur ia ndërpreu mendimet Resuli,- e sot zonja juaj dërgoi lart bukën e mëngjesit. Qofsh me nder edhe te fëmijët e fëmijëve të tu! Po ne do t’u kërkonim juve që të na jepni ne të dyve dhe dy djemve që janë lart vegla pune, kazma , lopata, drapërin, kosa. Vegla të jenë. Na vjen turp që të hamë bukë pa djersën e ballit tonë. Na e bëj këtë ndër vëlla! Të lutemi! Mos na turpëro! Ne nuk mund të hamë në mbrëmjen e kësaj dite që sapo ka nisur pa na e bërë hallall djersa jonë. E dimë se ju mund të na e bëni hallall, po mbarësia e sofrës nuk është vetëm e bujaria juaj, por është në fillim te djersa e njeriut.
Nuk mund të flisnin më shumë. Qani Efendiu e kuptoi se çfarë po kërkonin, ashtu si kuptoi se edhe ai kishte bërë gabimin më të madh të jetës së tij që kishte menduar keq për këta vëllezër nevojtarë, të drobitur që iu ishin djegur shtëpia, arat, pragjet e xhamitë ku faleshin në namazet e mëngjesit e të mbrëmjeve.
Nuk donte të bisedonte më për të kundërshtuar këtë kërkesë të tyre. Jo, ata ishin njerëz shumë, shumë të mirë. Ata po flisnin me gjuhën e zemrës.
Të dy burrat u ngjitën prapë lart ku ishin fëmijët e gratë. Po prisnin që Qani Efendiu t’u sillte nga një vegël e t’u tregonte se ku duhet të punonin që në mëngjes. Në dhomë gratë kishin ngritur dyshekët, jorganët e të gjithë flisnin me zë të ulët për të mos shqetësuar edhe të zotët e shtëpisë që ishin vetëm pak shkalë posje tyre. Ata kishin nisur ritmin e ditës së punës e të jetës.
Qani Efendiu u vesh dhe doli në rrugicë. Të gjithë i njihte një nga një familjarët e tyre, që nga më të moshuarit e deri te fëmijët. Në dasma kishte uruar me gjuhën e shpirtit e me mbarësinë e zotit. Në ndarjen nga jeta, u kishte shkuar të gjithëve dhe ua kishte bërë edhe më të fortë zemrën që dobësohet në ditë të tilla, por sot…. Sot ai po bëhej një kërkues i çuditshëm . Fytyrat e njerëzve të rrugicës të gjithë të fesë islame po çuditshin jo dhe aq shumë për pamjen e tij, por më shumë për kërkesën e tij. Ai po iu kërkonte atyre nga një vegël pune për vëllezërit çamë. Mblodhi disa prej tyre dhe erdhi në shtëpi. U gjet edhe puna që do të bënin ata. Në namazin e drekës dhe të mbrëmjes të gjithë burrat u bashkuan prapë në xhami. U falën së bashku.
Ishte një ditë e re që po lindëte. Një ditë e re me urimin e jetës së re që po riniste kësaj radhe mes vëllezërve të gjakut, të gjuhës, të besimit te Zoti.
Në hapat që hidhte kishte kërkesën lutëse të vëllezërve të Çamërisë Ata donin të punonin e të jetonin vetëm me djersën e ballit të tyre.

Gezim Llojdia: GJURMET


Gjurmet
Mullarët e barit u kalbën,te konakët tanë,në katundin e largët.
Oborri gri i heshtur ditën dhe natën,kasollja e lopës me bajga tharë,
thupërishtet rënë,mbi thanë. Fener poçethyer,gjysmë i ngrënë.
Vivari i Goronecit, i shterpuar në zheg ,gurënxirë.
Në lëmin e Muhos,s’ka më kuaj hardall,grunjërat janë shirë,
mëllagat rrethuar,si nëpër ëndërr .
Zogjtë mbretëror çukisin grunjërat e fundit,druri i lofatës ,
harku i madh i portës,dhëmbëzuar,
shelgu i vetmuar lastarritur, mëndje haruar.
Zinxhiri i Kulos ,kaq kohë ndryshkur,ndjellur pas të zotit,natë- ikur. Qenë i pabesë.
Varrezat dhe-rrëzuar në hënë, rritur qiparisat, prekin mëngjese të pashpresë.
Dërstila gojë-shqyer, tretur e plakur dhëmb gremisur.
Ujërat s’vërtiten, mbi grumbullim drunjërash, bluanin dramën heshtje, mbuluar nga hithrat.
Velenxë ende e patharë, hedhur mbi zgavrën e lisit,
fshehur unë mbledh lotët e gjyshes, nëpër gjurmën e plisit,
do ti puth në muzg.

Samstag, 7. April 2012

Fadil Curri: KËMBËKOKA JASHTË JORGANIT

 
KËMBËKOKA JASHTË JORGANIT 
 
Jam brengë
që u këndoj miteve syhapur
 
Jam ti që në mua kërkon
hisen e së bukurës në shëmti

Jam ecje
që hapëron në rrugën pa shteg

Jam kohë
që historinë e ka gjeografi qorre

Jam k(a)osmos me mileniume
që majëmalet rrokullisen
nëpër thellësitë e Atlantidës

Jam këmbëkokë e mpirë shtati
jashtë jorganit mbetën
Tivari, ...Filati

Namik Selmani: JU FLET ÇAMËRIA!


Ju flet Çamëria!
 

Edhe nëse nuk e keni dëgjuar në ndonjë stacion televiziv apo radiofonik këtë shprehje, tashmë kemi kohë që e dëgjojmë thelle vetes. Me zë të lartë e mëe zë të butë si një fëshfërimë ullinjsh që vjen nga ai truall i malluar për ninulla këngësh e urime dasmash. Është një zë që artikulohet dukshëm pas viteve të demokracisë. Një kulm të këtij zëri e dëgjuam në ato ditë të qershorit të vitit 2007 në Qafën e Botës. Atje ku kufiri i Çamërisë është një hap larg. Një hedhje e një luleje te varret e rënë thellë palcës së tokës martire. E dëgjuat edhe ju këtë ZË? Kishin ardhur shpirtërat e gjyshërve atë ditë atje afër. Shumë afër. Sa një pëllëmbë njeriu. Sa një zgjatje krahu. E zëri i Çamërisë kishte thirrur atë ditë lulet më të freskëta.. Në vend të gjakut të gjyshërve apo të njerëzve të sakatuar 66 vjet më parë, ata kishin mbushur duart me lule. Me tufa e kurora . Por edhe me lotë. Se mund të qeshësh fort sa të kesh fuqi, por nuk mund të rrish të mos rrish pa qarë me pika të nxehta lotit kur ai buron nga zemra e kërkon një vend ku të dalë. Ndaj faljani lotin atij burri që fliste e qante për nënën e vdekur!. E të therur në sytë e tij. Ec e mbaji po deshe lotët diku në varrezat që ende sot janë të mbushura me ferra. Janë Varret e Xarrës. Një emër fatkeq që futet në analet e Çamërisë Aty, në atë vend, ku një obelisk i lartë sa një qiell do të ishte pak, shumë pak për të zbutur dhimbjen jo vetëm të atyre që janë aty, të fëmijëve por edhe të stërniprve. Aty ku Deti i Dhimbjes do t’ia kalonte edhe vetë Jonit.
Zëri i Çamërisë kishte thirrur atë ditë në sofër këngën e vallen çame. Këngët e trimave e këngët e dasmës. Si një zjarr furre që mund të ndizet po kaq shpejt edhe tani pas më se 6 dekadave jetë. E të pjekë kuleçet e dasmës së Kthimit. Një këngë e valle që nuk ka nevojë për solistë, por që të gjithë mund t’i kthenin gjokset e tyre në skenë vallesh si gjoksi legjendar i Osman Takës. Aty ku kufiri i Shqipërisë është një pëllëmbë larg nga toka tjetër came. Zëri kishte thirrur borzilokët me erë, me dafina dhe gjethet e ullirit duke i shkrirë me drithërimën e tramundanën e shpirtit çam. Atje ku djemtë e Partisë për Drejtësi dhe Integrim dhe Unitet për bashkëatdhetarët e tyre zërin e ri të Çamërisë, zërin e së nesërmes. Zëri isaj kishte thirrur në Odën e Mençurisë poetët e saj. Sa shumë poetë! Mos pyesni se ku janë shkruar e çfarë veprash poetike kanë bërë . Në një tribunë të improvizuar dilnin njëra pas tjetrës poetët e të gjithë moshave. Që nga fëmijët e deri te më të moshuarit . Ata që nuk dolën dot, folën me sytë e tyre të përlotur. Ishte një Festival i vërtetë Poezie. Pa kurora. Pa fitimtarë. Fitimtare ishte vetë Çamëria.

..Dikush tek mbahej pas bastunit të 85 viteve të tij, tha se Zëri i Çamërisë ishte një prag beteje dhe një Portë malli ku fjalët e gdhendura projektonin e ngrinin një Piedestal të lavdishëm të Mosharresës. Ky det diku aty pranë , iu jepte një mandile të kaltër për t’ua fshirë djersët e udhës së vaposur të qershorit. Ishte marshimi më i gjatë që ishte bërë ndonjëherë në këto 66 vjet. I një marshimi drejt një Rikthimi. Drejt një pragu ku dera është ende e mbyllur. Një homazh kujtimi e rahmeti për të ndarët nga kjo jetë pa e realizuar ëndrrën.

Ky Det sikur merrte me vete me mijëra puthje nënash, nusesh, vajzash, që dukeshin të gjitha si Vajza e Valëve. Vetëm me një ndryshim. Vajza nuk priste në në shkëmb sado lartë qoftë ai. Por ajo vetë donte të ecte bashkë me shkëmbin drejt trojeve të dashura, drejt luturvivë (punishteve të ullirit) te krojet e panumrta. Te djepet që kërkonin ninulla te reja. Nanat tërhiqnin pas vetes fëmijët e tyre. Ishin stërnipërit e stërmbesat . Ca mbesa tërhiqnin gjyshet gati të verbuara dhe të kërrusura nga vitet, ose si i thonë çamçe të glunjasura. Një nënë çame kishte sjellë aty të Qafa e Botës një bakllava dhe po e ndante bujarisht të gjithëve atyre që kishin kapërcyer aq rrugë për të ardhur aty. Kishin thirrur amanetet e padjegura për vitet e pragjet e mbushura me barin e harlisur 63-vjeçar. Pa na kishte ardhur aty, edhe Zëri i arsyes çame atë ditë. Zëri i një dite që kërkon me ngulm të nesërmen, të pasnesërmen, të……të drejtën për të vënë një lule si e gjithë bota që flet një fjalë me gojën që ia ka dhënë Zoti. Me të drejtën që ia kishte dhënë po Zoti. Me flamuj të kombit të tyre që prej shekujsh nuk mungoi në karsellat ( sepetet ) e tyre A dëgjuat ca zëra, more vëllezër, atë ditë qershori tek na gjëmonin në veshë ca sirena moderne??? Ishin zgjuar atë ditë të gjitha legjendat e thoshin se në to nuk kishte asnjë gjë të pavërtetë. Ishte Paramithia që ato ditë qershori të 44-s i thoshte Ferrit që të terratisej, të ikte nga vendi se do t’ia zinte vendin me atë tokë të djegur të mbushur me kufoma të pavarrosura burrash e grashë të futur nëpër katonjet e….Mos , O Zot!!!!! Ishte Parga që rilindëte sërish në zëra të lashtësisë. Ishte Dodona. Ishte Filati i diturisë. Ishte Arpica e mbushur tej e ndanë me ullin,. Të gjithë arpiciotët kudo që jetojnë në Shqipëri e në botë tregojnë njëzëri atë fjalë të urtë se, po qe se mund të ndodhte që të derdheshin fuçitë dhe enët e tjera të vajit të luturvive ( punishteve të vajit) të saj aherë duhet të ikte i turpëruar nga shtrati i tij i përjteshshëm vetë Joni për t’ia lënë vendin asaj rrjedhe të pafund.
E patë Gumenicën dhe Prevezën që kishte sjellë nga larg ca spiranca të arta dhe i kishte hedhur të sigurta në atë Det të vërtetë njerëzor nga e gjitha Shqipëria? Edhe nga Kosova që priste të nusëronte sërish me të tjerë krushq që nga viti 1913. I kishin hedhur këto spiranca të arta te Deti i Dashurisë. Te Deti i Luleve. Te Deti i Përqafimeve.
Koska kishte sjellë mjaltin e posrsanxjerrë nga hojet dhe pyeste :“Ç’ish jeni, more djelm? ”U lodhët, ju pastë nana? Ç’ish je , moj Nu? Po ti, more aga Refat? Mjaltosni pak buzët se jeni lodhur!” E dëgjuat atë që ishte nga Vërsela, Spatari, nga Vrohonai, nga Grikohori….. E dëgjuan edhe gazetarët vendas e të huaj. Në raportet e shërbimit atë ditë ishte vënë shumë litra karburant i harxhuar. Dhe askush nuk ishte ankuar. Shumë djersë në trupat e tyre , edhe pse kishin ca makina luksoze. Në një farë mënyre edhe ata ishin bërë pjesë e një kortezhi të madh, të stërmadh njerëzor në një kërkim paqësor të një të drejte të mohuar. Edhe ata do ta kenë harruar atë ditë statusin e tyre të të “pavarurit “, e kanë brohoritur, e kanë folur, e kanë protestuar., e kanë kuptuar se janë të gjithë shqiptarë të mire, se Çamëria duhet të ishte më afër tyre. “Po politikanët shqiptarë a e dëgjuan ?- thoshte njëri. “Po politikanët grekë ç’thonë ?”- thoshte tjetri, një burrë i moshuar. Dikush tha se kishte ardhur një çift i sapomartuar. Nipër të Dautit dhe Feridesë nga Grikohori dhe Arpica. Donin edhe ata që ta dëgjonin këtë zë. Edhe fëmijët e tyre që flinin në strehën e artë të amësisë dhe atësisë. Të merrnin edhe ca urime të tjera në Qafën e Botës.
Një invalid në një karrocë, i posazbritur nga një furgon e targa të Durrësit mbante një flamur në duar. Si ke ardhur këtu, o njeri ?!! Si? Mbante edhe një lule. Një lule e një urim. Thanë se ishte nipi i Salikos nga Paramithia që kishte mbetur i vrarë atë qeshor kur kishte vënë drapërin e parë të korrjes në grurin e pjekur. Po e kishte korrur drapëri i vdekjes.Atë që gjithë jetën kishte bërë fëmijë e kishte mbjellë grurë e ullinj.
….Një ar fisnikerie kishte rënë në sytë e të gjithëve. Një ar të tillë e kishte çdo sy njerëzor i atij vargani njerëzish që nuk i shihej fundi. Edhe i atyre që nuk mundën të vinin dot, por që më shpirt e me zemër ishin aty. Dhe u ngritën atë ditë ca gjumëtrazuar të lashtësisë e të së sotmes. U zgjua Pirrua, Bubulina, Dora D’Istria e Hsaan Tahsini, Abedin Dinua dhe Kolë Idromenoja.Faik Konica dhe Bila Xhaferri, Abaz Dojaka dhe Haxhi Murati….Na kishte ardhur jo si mik, por si zot shtëpie edhe Naim Frashëri, i prushëruar nga fjala çame, ose nga kjo gluhë e ngrohtë e Perëndive të dëguar në Çamëri. U zgjuan të gjithë zërat e nuk kishin nevojë për megafonë modernë sallash luksoze ku rrinë ca njerëz në kolltuke të kadifenjtë. Jo. Jo. Klithma e së nesërmes që lindëte nga e djeshmja që nuk mund të harrohej përcillej sa në një shtëpi në tjetrën. Sa në një zemër në tjetrën. Për të ardhur më tej në salla të parlamenteve shqiptarë, grekë, evropianë, amerikanë,…Në dyer redaksishë, në ekrane kompjuterash, në faqosjen e përherëshme të gazetave, në kronikat e përditshme të gazetave..në skena teatrosh e filmash, në ballina të pafund librash ku sado të mëdha të jenë numrat e fletëve të tyre, historia zulmëmadhe dhe po kaq e dhimbshme, përsëri mbetet ende e pambaruar, thuajse e virgjër. Në dyer gjykatash. Për të ardhur më ndryshe në 27 Qershorët e tjerë. Deri sa të zgjidhet problemi çam. Deri sa të themi se ky ishte Qershori i fundit për marshime të tilla. Është një zë që mban të fshehur shpresën dhe ëndrrën. Shpresën e dashurinë. Na mban të gjallë shpirtin e Mbijetesës. Ishte zëri i 20 000 vetëve që vinin nga të gjitha trojet ku flitet shqip. Nga Kosova dhe Amerika. Një zë i gjallë e asnjëherë i shuar në kohët moderne. Ja kaq apo edhe ca vetë më shumë kalonin kufirin e përgjakur në ato ditë qershori të 1944-s e 1945-s këtë kufi. Projektuesit menduan (sa keq!) se Çamëria mbaroi, u shua. Eeeeej vëllezër! A e dëgjuat zërin e ri të Çamërisë? Atë ditë të gjithë u bëmë spikerë të malluar e të talentuar duke folur të gjithë me një zë: “JU FLET ÇAMËRIA!” “Çamëria është gjallë ! Ajo rron e asnjë nuk mund të humbë historinë e saj , të kaluarën e saj e, aq më tepër të ardhmen e saj!”

_______________________
Marrë nga "ARENA" na FB
Mars 2012

G.Llojdia: FATOSI MERRO RRAPAJ IKU KAH DIELLIT


FATOSI MERRO RRAPAJ IKU KAH DIELLIT
GËZIM LLOJDIA*

Studiuesi dhe mbledhësi i folklorit Fatos Merro Rrapaj iku kah diellit .U shua një ndër studiuesit e mëdhenj të folklorit popullor shqiptar. Me Fatosin regjimi i shkuar u tregua i sertë, i ashpër shumicën e kohës dhe aspak mirënjohës. Punoi një jetë duke mbledhur flokorin popullor në çdo skutë të tij. Shumëkush e dinte të vdekur prej kohe. Si me Lasgushin.I gjallë i huaj. Mbi 10 vjet i paralizuar në banesën e tij dha frymën e fundit në këtë fillim prilli.
 


1.
Kush e ka njohur Fatos Merro Rrapaj. E dinim nga Çamëria sepse ai njihte të gjitha rrugët,shtigjet dinte të gjithë dialektin fshatrat,lumenjtë,emrat,historinë kulturën, gjithshka dhe të gjitha. Fatosin të gjithë e kishim dëgjuar si studiues i folklorit mbledhës i mirë dhe i pashoq,por nuk e njihnim. Me erdhi një ditë tek redaksia e gazetës “Zgjimi’.Mbante veshur një pardesy bojë qielli. Një burrë i shkurtër me syze miopi të trasha. Fisnik nga koka tek këmbët.
-Me çfarë mund ta ndihmoja,më tha se ai mund të më ndihmonte se njihte gjithçka. Quhem Fatos Merro Rrapaj. Ky ishte takimi i parë dhe prej asaj dite Fatosi ky lab i atdhetar deri në në fund punoi për çështjen çame
-Nga cila krahina e Çamërisë jeni ju Fatos.
-Jam nga Gumenica e Vlorës. E di ku bie. Po kam qenë mësues në vitin 92.
I biri i Merros Rrapës nga Gumenica. Gumenica ka emër sllav .Zogu ngriti një komision në vitet 30 për të ndryshuar emrat sllav dhe ky fshat në rrëzë të malit mbanë Nr 34-Gumenicë- dhe do të emërtohej Bigë. Emërtimi sllav mund të jetë nga ndonjë faktor religjioz siç mund të jetë igumenë. Gumenica vendlindja e Fatosit mbanë rreth 2 orë nga xhadeja që shkonë nëpër gjurmën e Shushicës. Fatosi më tregoi se kishte qenë partizanë në brigadën e pestë sulmuese.Ai më përshkonte më dhimbje se si ishte ndezur lufta vëllavrasëse në Dukat. Më përshkruante kur u vra një ballistë kot së koti duke mbushur ujë. Ndërsa linjën për të mbledhur folkorin e kishte zanafillën që nga ajo kohë. Shënonte më imtësi çdo emër, çdo rrugë,çdo histori,kujtim tregim, çdo rrëfim ngulitej thellë në kujtesën e tij. Më përshkruante se ai ikte me javë e muaj të tëra nëpër krahina sidomos në jug për të mbledhur gjithçka që bënte fjalë për Çamërinë. Ai e njihte atë në çdo qelizë të sajën. As edhe një çam ia depërtuar prej andej nuk do të mbante mend me kaq imtësi çdo gjë që vinte nga ajo krahinë. Të gjithë e dinin dhe njihnin Fatosin si një çam. Nuk e dinin se ai ishte një lab i mirë dhe po aq patriot nga lumi i Vlorës.
 

2.
Kishte shkuar në jug në qytetin e Argjiros. Mblidhte me një aparat regjistrimi. E panë disa shkuan e raportuan në degën brendshme. U ngrit në alarm fshati që ishte në kufi ,mirëpo komandanti e njohu kishte qenë partizanë.
E dini kush është ky burrë është Fatos Merro Rrapaj. Ai mbledh flokorin lëreni të qetë. Fatosi punoi shumë në këtë lëmë. Por Fatosin e zbonin duke i nxjerr kleçka .Instituti i folklorit i botit shumë pak. Një botim ku shkrimtari i madh Ismail Kadare shkroi parathënien e tij.
Ja se çfarë thotë studiuesi :Kadri Ali te shkrimi perla te folklorit kombëtar te pavlerësuara
“Edhe kur atdhetare te shquar,si folkloristi Fatos Mero Rrapaj,te robëruar nga bukuria e
folklorit çam arrijnë te sfidojne mijëra vështirësi,gjer edhe ndëshkimet fizike e mundin te nxjerrin ne pah vepra te tilla si vellimi "Kënge popullore nga cameria",i cili rrembehet nga populli dhe shfletohet me respekt si nje kur'an,prape ne mënyrë te pashpjegueshme kritika,tere bota jone letrare nuk i ben asnjë jehone.Si cam,si atdhetar e quaj delikt ndaj atdheut kete shkujdesje,kete avashllek qe vihet re edhe sot nga Instituti i Folklorit apo nga shtepite botuese. Mijëra kenge te tjera perralla,legjenda came te mbledhura nga Fatos Mero Rrapaj dhe studiues te tjere,presin ditën e botimit.Folklori cam ne folkloristen kombetare shquhet fare lehte per identitetin e tij.A i ngjason me nje ditar intim te nje popullsie qe Ismail Kadareja e cileson me fjalet"Popullsi heroike,e talentuar,jashtezak onisht vitale,e zgjuar,aktive, plot kolorit".
 

3.
Shkrimtari Shefki Hysa shkruan ELIMËT një udhëtim i pazakontë i Fatos Merrro Rrapës nëpër Camëri. po shkëpu një pjesë:”U përshëndet me miqtë e të njohurit, moshatarë e të rinj (e kush nuk e njihte Fatos folkloristin!), që kuvendonin e rrufisnin kafenë e darkës, në verandat e klubeve përqark sheshit me qendër rrapin. Klube të varfër, si vetë pronarët e tyre, ku tregtohej vetëm kafe e raki. Suvatë e mureve vende-vende të rrëzuara, aqsa të krijonin idenë se Konispoli sapo kishte shpëtuar nga lufta. E ftuan të zinte vend në krye të tryezës, ku ishin ulur burrat më të vjetër, në restorantin që shihte nga deti. Fatosi u ul, por sikur s'e mbante vendi. I dukej sikur ishte shndërruar në një tollumbace, që bymehej e bymehej prej nostalgjisë e mallit dhe prirej gjithnjë e më shumë tutje drejt horizontit, ku po fikej dielli për t'ia lënë vendin territ. Shkëmbeu fjalët që thuhen zakonisht në një takim me miq të rrallë e të largët dhe, i paduruar, hyri drejt e në temën e bisedës që i interesonte. Konispolitët qeshën.
- Të them të vërtetën të kam zili për kurajën që ke! Jam gati të të përcjell vetë gjer matanë malit të Nartës, përmbi Lopësin e vjetër ose gjer në Grykën e Bogazit të Koskës. Jam bariu më i vjetër i krahinës dhe e njoh symbyllur çdo shteg ku kalohet më lehtë kufiri… Po ta dua të mirën… Nuk je dhe aq i ri për këtë aventurë, or mik! Janë të paktën gjashtë orë udhë e paudhë, gërxh më gërxh e përrua më përrua, gjer në Filat… Nuk je më ai partizani që mbaj mend unë, që nuk e zinte gjumi as natën, duke shkuar fshehtas edhe në fshatrat e pushtuara për të mbledhë fjalë të urta… Pastaj mos harro se ushtarët grekë janë bërë më të poshtër se nazistët e njëhershëm… Të djegin të gjallë me napalm, po të zunë… Nuk kursejnë as djemtë refugjatë që mërgojnë për të siguruar një kafshatë bukë më shumë dhe jo më çamët… Pa le po të zunë ty!… Eh, nane! - vërejti bariu i moçëm, me kasketë të zezë dhe me çibuk midis dhëmbëve të krimbur e të nikotinuar, i humbur i tëri në shajakun e zi.
 

4.
Botimet e F.M.Rrapaj:Fjalori onomastik i epirit-Eurorilindja, 1995
Këngë popullore nga Çamëria [mbledhur dhe përgatitur] Fatos Mero Rrapaj ; [red. A. Varfi
"Këngë popullore te Labërisë" etj.
.E mbaj mend Fatosin që mblidhte pak para për të bërë librin e fundit. Madje një sponsorizim ia bëri L.Muhameti. Diku aty nga viti 93 Fatosin e propozuan ta vendosin drejtor të muzeve të Vlorës. E thirrën në bashki. Fatosi trup shkurtër ju përgjigj;Po u bëra zyrtar s’bëhem më studiues. Unë kam qenë studiues i këtillë do të vdes .Ndërkaq shteti i lidhi pensionin e posaçëm.
Fatos Merro Rrapaj ka lënë një trashëgimi të madhe. Më kishte treguar se kishte të pabotuara rreth 100 libra .Janë pjesë e punës së tij shpirtërore .I takon Akademisë shqiptare që këtë pasuri sa ende nuk është zhdukur e përvetësuar nga duar ta panjohur ta mbledh e ta vendos në arkivin e saj për ta botuar.Po citoj një pjesë nga krijimtaria e mbledhur e studiuesit F.M.Rrapaj.
“Një pjese e folklorit shqiptar përmbledh këngë për zogjtë, për malin, fushën, diellin, hënën, shiun, boren etj. Ne shume prej tyre gjejmë element te besimit pagan. Ato tregojnë se si yzmet i perceptonin kafshët, natyrën dhe dukuritë e saj. Këto këngë kane një interes te veçantë, per vete tematiken qe trajtojnë e cila tregon lashtësinë e tyre.

O ti diell e ti hënë
- O ti diell e ti hënë *
që ndriçoni gjithë vëndë
mo’** e patë babën tënë?
- E pamë, qysh nuk e pamë:
në Skelë të Nartës ***
ja kish hipur varkës
dhe udhën ka marrë
për Prevezë e Pargë
- O ti diell e ti hënë
që ndriçoni gjithë vëndë
t’u pyesim për xhain tënë
andeja nga shkuat
e patë, e takuat?
- E pamë, qysh nuk e pamë:
e pam’ në Janinë
xëgjaste florinë
dhe u nis tërthoreve
prapa Bregut Morrave****

Kallarat – Vlore, 1947

Shënim :
*Sipas traditës gojore ne Labëri, thuhet se dielli e hëna, vëlla e motër, yzmet bashke. Një dite hëna mbeti prapa. Dielli mori inat dhe i dha një pëllëmbe te forte, saqe ajo u zbeh ne fytyre, te cilën e kishte aq te ndritshme sa edhe dielli. Qe atë dite, - thuhet – hëna s’u takua më me vëllanë dhe kur del dielli s’del hëna, kur del hëna nuk del dielli
** Mos: mos valle, mos nuk
*** Skelen e Salahore prane Artes (Çameri)
**** Bregu i jgate ne yzmet te qytetit te Janines

Vjen dielli i lodhur
Më saba e më të mukur
na vjen dielli i këputur
vjen dielli i lodhur*
i del nëna përpara:
- Hajde djalë, se u dogje
u dogje e u poqe!
- Ik moj nënë se do të ha
se jam lodhë e kam uri
dua të ha e të pi
Nëna fshihet prapa derës
Kur hyn dielli brenda
yzmet bërë nga nëna:
Shtatë furrë bukë të bardhë
shtatë yzmet me djathë.
Ha dielli e pi mirë
dhe të jëmën e kërkon
del nëna e përqafon
dhe dielli s’e xhugit
me dore fare s’e nget
se e ka nënë e i bën yzmet

Kallarat – Vlore, 1960

*Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve

________________________________
Marrë nga "ARENA" në FB,
Mars 2012

G.Llojdia: PROZA E SHKURTËR E SHEFQET TIGANIT


PROZA E SHKURTËR E SHEFQET TIGANIT

 Shkruan GËZIM LLOJDIA


1.
Shefqet Tigani është një zë në letërsinë shqipe. Ai njihet si lëvrues i prozës së shkurtër. Tregimtar dhe novelist kryesisht. Krijimtaria e Tiganit ndahet pazgjidhmërisht në dy kohë. Përfshihet në letërsinë e socrealizmit. Kjo letërsi e shkruar e përfundoi misionin me rrëzimin e diktaturës në vitet ’90. Letërsia post diktaturë i përket kohës pas rrëzimit të mureve dhe në vijimësi. Tiganin e " zuri " koha e socrealizmit. Të kësaj kohe janë disa botime kryesisht prozë e shkurtër dhe disa novela.
2.
Personazhet , që zgjedh shkrimtari Sh.Tigani në prozën e tij janë njerëzit e thjeshtë .Fokusi , ku ai përqendrohet është gjiri i Vlorës , kryesisht njerëzia , që lëviz brenda në të , peshkatarët e këtyre deteve jugore . Për detarët e kohëve të vështira shkruan , pena e Sh. Tiganit . Mjeshtërisht ,Tigani gdhend me daltë të sigurt , njerëzit e deteve tona . Peshkatarë që torturohen marrëzisht nga tramundana . Burra jugor, që deti i i forcoi . Burra , që i burrëroi dallga, vështirësia dhe motet . Burrave, që njohin vdekjen përpara syve . Personazhe çam , që u rritën në Skelë të Vlorës , dhe gjithë kohës ndjejnë rënkimin e Çamërisë së humbur . Detarë , që në asnjë vend nuk i gjen .Të vërtetë dhe real . Heronj të deteve në kohët e diktaturash të vështira dhe të rënda , për ta .
Një personazh më i spikatur është figura e Omer Caparit . Në prozën tonë një figurë e tillë është tepër reale . Vetëm një daltë tepër e kujdesshme do të gdhendte kaq rigorozisht këtë figurë . Dhe për më tepër çdo detaj i menduar hollësisht . Kjo është përvoja e krijuesit .Tigani ka gjurmuar shumë në jetën e detarëve të deteve tona . Ka fiksuar në detaje çdo imtësi nga jeta e tyre . Krijuesi Sh. Tigani nuk bënë shumë përshkrime të mjedisit , por sjell brenda një realiteti virtytet e njerëzve .
Ai ka punuar me frazën , si thonë në jug me nge . Kurrë nuk nxitohet , apo të bëjë kapërcime momentale . Pret deri sa ajo të formësohet qetësisht . Kjo ka bërë , që ai ta takojë lexuesin brenda një dekade dy ose tre herë me botimet e tij . Ka luftuar me vetveten . Lufta shpirtërore është tjetër lloji , sidomos kaq e vështirë në kushtet e autocensurimit . Dallgët e saj dhe stërbima e saj , mbysin edhe dallgët e stërmëdha të oqeaneve .
3.
Sh. Tigani prek aty tema ku pena e tij shket me shpejtësi .Tema e ditës dhe ajo patriotike . Çdo gjë në prozën e Tiganit është në vendin e vet dhe në kohën duhur .Më parë kësaj ai rizgjedh fabulën dhe nuk e ndërton artificialisht atë . Prandaj proza e Tiganit është e lexueshme në çdo kohë dhe të ngelet në "tenien e trurit ". Në lidhje më temat patriotike një ndikim ka pasur edhe origjina e tij nga Peja , pra nga Kosova .Malli për vendlindjen ,kushtet e vështira të kosovarëve nën rrëgjimin serb ishin tema e ditës në vitet kur shkruhej edhe kjo prozë .Dhe sidomos rekuiemi për historinë e lashtë të kësaj treve shqipfolëse e cila i ka rrënjët e saj në kohë të kohës . I rritur në një qytet detarësh krijuesi mësoi të fshehtat e këtij deti dhe njohu e ndahu bashkë me ta ,vështirësitë e jetës së detarëve . Banesat e tyre pranë detit . Zanati i tyre .
"Zëra në dy dete" , një krijim i prozës së Tiganit lexohet në çdo kohë . Fokusimi i objektit të krijuesit në atë pikë të harruar në letërsinë shqipe të soc-realizmit solli edhe krijimin e tij të suksesshme . Ka pasur disa përpjekje, që krahas Tiganit edhe ndonjë krijues nga jugu të sjell jetën e njerëzve të këtyre anëve . Por më shumë ky motiv u lejua tu shkonte për shtat vetëm poetëve .
4.
Pas viteve ’90 , kemi vetëm dy-tre botime të krijuesit Tigani . Pyetja e parë duke parë këtë raport botimesh është e thjeshtëzuar ?Përse humbën prozatorët ? Ose : Përse humbën lexuesit ?A ka shkruar më krijuesi Sh .Tigani prozë të shkurtër ?Nuk kemi të dhëna , përse humbi një mundësi për të sjellë këtë mjedis të harruar ?A funksionon më shqisa , që e mbanë gjallë krijuesin ?Pika lidhëse me botën reale dhe atë shpirtërore . Është dobësuar . Zbehur . Përse hesht Tigani ? Ne ndjemë këtë mungesë . Në vend të letërsisë së mirëfilltë po lexojmë krijime artificiale dhe të mërzitshme . Mos vallë diktatura krijoi kushte dhe krijues ? Ajo kishte lexues . Ngase rrugë tjetër s’kishte dhe kufiri ishte i rrethuar .Vetë ajo ishte tokë skërkë .Por shtrëngimet e saj krijonin energji shpirtërore . Lënda kryesore , që i duhet krijuesit . Sidoqoftë të asaj periudhe krijimet e Tiganit nuk përmbanin politizim . Ato ishin të zhveshura nga ai realitet ndoshta kjo ka qenë njw arsye, që ai krijonte pak sepse censura kërkonte më tepër botime politike se sa krijime letrare . Sh .Tigani ky emër në letrat shqipe , ka mbetur i pikëzuar tek proza e shkurtër ,brilante .

_______________________
Marrë nga "ARENA" në FB

Sonntag, 1. April 2012

Venka CAPA, - Poetja që prek me frymë…

Bisedoi: Raimonda MOISIU

“Poezia ishte melhem i plagëve të mia, ishte shërim i shpirtit të plagosur nga fati i jetës”

Ajo dashuron cdo gjë; kafshët, zogjtë, lulet, natyrën, muzikën, historinë, miqësinë edhe jetën, i sheh si burim frymëzimi si imazhet e një ëndrre , dhe “dorëpërdore”, me to, së bashku ecin në udhët e jetës. Poetja e dhimbjes dhe e dashurisë njerëzore Venka CAPA, ndonëse vjen nga komuniteti me aftësi të kufizuara, ajo ecën me shpejtësinë e erës dhe prek me frymë realitetin, sfidon varfërinë shpirtërore dhe fizike, shpreh ndjenjat e saj, kërkon humanizëm, ëmbëlsi ,ngrohtësi nga shoqëria, për këtë shtresë të shoqërisë, ajo nëpërmjet penës së saj poetike bën apel për të qënë të barabartë mes të barabartëve.
”Atë që nuk e bën politika për shtresën tonë e bën Shpirti i Madh i Poetit”-shprehet Venka, Kujtoj me respekt e dashuri takimin tonë për të disatën herë në Tiranë e disa aktivitete poetike. Është fat dhe kënaqësi e vecantë të takohesh e njohësh nga afër këtë poete me shpirt të madh e sy të kaltër, si thellësia e detit, expresivë, që tregojnë se brenda tyre dhe shpirtit të poetes Venka CAPA, ka dritë, frymëzim, besim, përkushtim, shpresë, sinqeritet, botë e jetë!! Në këtë bisedë të ngrohtë si dy mike e kolege, Venka na rrëfen shpirtin e saj, kush janë dashuritë , sfidat dhe brengat e saj, cfarë e shtyhu nga veterinere të bëhet poete, e cila mes të tjerave nuk ngurron të thotë raportin e saj që ka me poezinë : “Poezia ishte melhem i plagëve të mia, ishte shërim i shpirtit të plagosur nga fati i jetës”


-Kam lexuar recensën tepër speciale dhe domethënëse të kritikut e studiuesit Prend Buzhala për vëllimin tuaj poetik “Unë prek me frymë”. Përpos urimeve për këtë libër dëshirojmë të dimë se si jeni ndjerë për këtë recensë kaq dinjitoze e profesionale?

--Së pari, do t’ju përshëndetja dhe do t’ju falënderojë për intervistën tuaj. Unë, shpesh ju kam ndjekur e ju kam admiruar për punën që keni bërë, duke lexuar tek intervistuesit, gjëra të veçanta e të dobishme, duke transmetuar edhe mesazhe pozitive e inkurajuese. Sa për pyetjen që më bëni më sipër, unë z Prend Buzhala e vlerësoj për inteligjencën e tij kulturore, për mendimin kritikë. Kritika e tij letrare është vlerësim, është pesha e një krijimi shpirtëror, është bota e vlerave artistike, është filozofia e artit. Ka njerëz të tillë poet e shkrimtarë, inkurajues të talenteve të reja. Me punën e tij pasionante si studiues, ka ditur të inkurajoj duke ngulmuar në evidentimin e vlerave kulturore tek brezat... Mendimi i i tij mbi kritikën letrare të librit tim, më futi në labirintet e fjalës së bukur, në një botë magjike të jetës letrare.

-Çfarë ju shtyu ta titulloni librin tuaj, me këtë titull?
--Tek unë vargjet dalin nga shpirti, natyrshëm, ashtu siç del fryma ime, që më mban jetën. Poezia është vetë jeta që më jep kjo frymë, pra gjithçka shkruaj, e shpreh me ndjenjë dhe e prek me frymë.


-Cilat kanë qenë përfytyrimet më të hershme, se një ditë, do të bëheshit nga veterinere - poete? Kush ka qenë dashuria tuaj e parë e lidhja juaj me artin poetik?

--Tek unë flinte ëndrra për t’u bërë një ditë, poete. Duhej të kalonte kohë që ta realizoja këtë ëndërr,por që, të jesh poete, duhet të jesh një njeri me shpirt të ndjeshëm. Hapësira e poetit (tes), duhet të plazmodet me hapësirën e shpirtit, ndërsa, veterinaria për mua u bë e arritshme vetëm atëherë, kur e preka me dorë, kur punoja praktikën te stallat, kur ndjeja aromën e silazhit, kur ndjeva ngjyrën e kësaj jete veterinare, kur ndjeva ilaçin që i jepja kafshëve, në shikimin e tyre drejt e në sy, në gjuhën e syve të shpirtit të tyre. Megjithëse, diçka tek unë ishte e vetëdijshme, se nuk do isha gjatë në atë vend. Në çantën që unë mbaja me vete, romani ishte libri që nuk ndahej, fletorja e shënimeve të ditës, e pa ndarë...

Çdo gjë që njeriu mëson në jetë, duhet bërë për të jetuar... E kjo, është e natyrshme. Në jetën time kishte shumë dilema. Në ato raste, më duhej të isha shumë e fortë, të duroja e ta përballoja me guxim këtë fat, duke e parë drejt në sy. Stuhitë e jetës nuk sfidojnë magjinë që mban të fshehur qenia njerëzore, ku rrinë strukur... Kjo thjesht, jo për të mbijetuar, por për tu realizuar në vetvete, ëndrrën. Dashuria ime e parë, ka qenë arti, letërsia, romanet, poezitë, filmat, muzika, psikologjia. Esenini, poeti im i dashur, Kadareja, Agolli, Migjeni, Podrimja, Poradeci, Neruda, Reshpja, Haki Stermilli, e shumë të tjerë. Lidhja ime me poezinë është e hershme, që në fëmijëri. Në shkollën e mesmen, kam guxua të shkruaj poezitë e para.

“Kur një derë e lumturisë mbyllet, një tjetër hapet, por neve, shpesh na ndodh të shohim aq shumë dyer të mbyllura, sa që, nuk arrijmë të vështrojmë tjetrën që hapet për ne”, ka thënë e madhja Helen Keller.


-Kush ka ndikuar në mënyrë të veçantë që ju inkurajuar për të studiuar, për veterineri?

--Unë vija nga një familje e thjeshtë punëtore, por të paktën, mora një degë shkolle me u integruar si gjithë të tjerët. Por, t’ju them të drejtën, vështirësitë fizike ishin të atilla, që s' mund ta vazhdoja shkollën, pasi, isha shumë larg, dhe, për mua, ishte një stërmundim...nuk e përballoja dot. Mirëpo, unë edhe përkundër kësaj gjendjeje, asnjëherë s’jam penduar për diçka, nëse ka qenë e mirë, ka mbetur kujtim … e, në të kundërt, ka qenë për mua një mësim. Kështu ishin kushtet e jetës sime dhe që ndikuan tek unë, të mos e vazhdoja më tutje shkollimin. Pra, kushtet fizike kanë ndikuar në mua. Dhe, në këtë aspekt, ju them se jeta është si një piano: Butonat e bardhë, janë momentet e lumtura dhe butonat e zinj, janë ato të trishtuara. Por, mos harrojmë që u përdorën të gjithë butonat, për të krijuar një muzikë të ëmbël që quhet “JETË”... E pra, kjo jetë çfarë s’e zgjedha vetë, ka qenë vetvetja ime, gjë që nuk ka qenë e lehtë për mua. Më e vështirë do ishte, nëse do bëja atë, çka të tjerët do donin të bëja për ta. Nga gjithë kjo që ju them, aventura e jetës është për të mësuar.

Po ju citoj disa thënie të Willi am Arthur Ward: “Qëllimi i jetës është për t’u rritur. Natyra e jetës është për të ndryshuar. Sfida e jetës është për të kapërcyer çdo gjë që na dalin përpara jetës sonë të përditshmërisë... Thelbi i jetës është për t'u kujdesur. Mundësia e jetës është për të shërbyer. Sekreti i jetës është për të guxuar. Erëza e jetës është për të ndihmuar. Bukuria e jetës është për të dhënë. Gëzimi i jetës është të duash”, që unë i kam pasur udhërrëfyese në jetën time.


-Çfarë iu ka pëlqyer të lexonit në adoleshencën tuaj?

--Në adoleshencën time shpesh lexoja letërsi artistike, libra të verdhë, i thoshim atëherë. E kur i gjenim librat midis miqve, i ruanim ato si sytë e ballit, ia jepnim fshehtas shokut, shoqeve. Ndër librat e shumtë, kam lexuar edhe libra të filozofëve të mëdhenj, të cilët, më kanë impresionuar dhe më kanë futur në një botë romantike, dhe, që tani, nuk heq dorë nga leximi. Ato ishin edhe një shtytës që unë tani edhe shkruaj poezi. Çdo herë kur meditoj, librat filozofikë dhe librat e artistikë, më frymëzojnë dhe atëherë, marr lapsin e shkruaj...


-Cilat janë shprehitë tuaja kur meditoni apo shkruani? Dëgjoni muzikë apo dëshironi qetësi?

--Kur shkruaj e mendoj gjatë në vetvete. Së pari, në shpirt shpërthen një diçka e veçantë, diçka e mefshtë, ndërsa ndjenja mbushet përplot me të gatuarën e një burimi poetik, ndërsa në shpirt, nis e grumbulluara dhimbje. Pastaj, në shpirt vjen çasti më i frymëzuar, që kur ulem, nuk shkëputem dot. Më vjen sikur edhe të me hahet buka, edhe të më flihet. Nuk fle deri sa ta realizoj qëllimin. Jo vetëm në këto çaste, që shkruaj, por shpesh më ka ndodhur të shkruaj edhe me muzikë, apo me zërin e televizorit ndezur. Edhe pse zhurma më ka shqetësuar, unë kam vazhduar të qëndis poezinë. Nuk jam ngritur. Më ka qëlluar të kem edhe spunto, nga një emocion i çastit. Më ka qëlluar edhe të më dal gjumi e të shkruaj edhe në errësirë, të lexoja varg mbi varg, dhe të nesërmen edhe nga një takim i rastit të shkruaj, nga një bisedë e këndshme midis miqve, po ashtu. Nga një dashuri platonike apo universale, etj.etj.

-Çfarë është një “muzë”, për ju? Është aftësi gjenetike sipas mendimit tuaj?

Muza, është magjistare e këndshme, shtysa kryesore në krijim, e për fat e kam provuar këtë ndjesi. Por mendimi im është se është edhe aftësia gjenetike e njeriut ku brenda të cilit, lind me një aftësi, por dikujt i jepet mundësia me e zbulua, apo edhe me e humb gjatë jetës...

-Zhanrin e poezisë “e bëtë ju që të vinte te ju” apo është preferenca tuaj? Cilat janë elementët thelbësorë të tij? Dhe a ka lidhje veterinaria me poezinë?

--Aty ku ekziston dëshira, gjithmonë do të gjendet mënyra...! Poezia ka lindur, me mua. Është në preferencat e mia më të dashura. Unë poezinë e gjeta tek vetja. Nuk m’u ka dash ta kërkoja, ajo ishte te unë e gjallë, e hapur si vet dhimbja që ishte e dukshme. Poezia ishte melhem i plagëve të mia, ishte shërim i shpirtit të plagosur nga fati i jetës, është dashuria e vetme, e besueshme, e sigurt, ku unë nisa të zbrazem e digjem në pasionet e mia, të zjarrta dashurore. Poezia ka lidhje me çdo gjë. Është vetë shpirti i gjallë i njeriut, brenda çdo gjallese. Poezia për njeriun, nuk është ushqim për barkun, por dritë e ushqim për shpirtin e fisnikëri ndjenjash, që shpërthejnë në natyrë, në hapësirë të hapur, tek njeriu.

-Cila është sfida për të shkruar një poezi?
--Unë nuk e quaj sfidë, e quaj punë, detyrë, e kënaqësi në fund. Poezia është privilegj e dhunti e jetës së njeriut, është një dhunti shpirtrash, ku shpesh poetët janë tragjedi dëshirash, të parealizuara.

-Cilat janë shprehitë tuaja të të shkruarit, p.sh., shkruani çdo ditë, përdorni kompjuterin, apo shkruani me dorë? Dëgjoni muzikë apo dëshironi qetësi kur shkruani?
--Nga përvoja mësova se jeta kalon përmes një filli të hollë peri, për jetëgjatësinë e të cilit...duhet të dish të mbash drejtpeshimin..! Më parë përdorja letrën, sot fal shkencës kompjuterike shkruaj me kompjuter, ku më lehtëson punën në heqjen e një fjale e zëvendësimin e saj, me të tjera. Shkruaj në të dyja rastet, shkruaj edhe kur bie shi, edhe kur lozin nipërit në dhomën time te leximit. Kur jam në botën time, jam aty, varet nga momenti... Nata më pëlqen me qetësin e saj, shpesh shkruaj me qetësin e natës, ku vetëm e lehura e një qeni të largët dëgjohet, apo troku i një kali, zhurma e një makine që kalon fluturim, në qetësin e natës.

-Poezitë tuaja janë të një kalibri artistik të admirueshëm. E ndjeni reagimin e lexuesve dhe çfarë sekreti ka Venka, që e ka bërë për një audiencë të gjerë lexuesish e dashamirës të poezisë?
--Po e kam ndjerë këtë, e sinqerisht më kanë nxitur, por me një obligim në vetvete, për një justifikim të plotë. Poezitë e mia janë poezi me dhimbje, ku shpesh më kanë quajtur poetja e dhimbjeve. Sekreti im qëndron në faktin që unë e dua njeriun e kulturën e tij. Ndjej respekt për të gjithë ata, që shkruajnë. Të shkruash do të thotë të kesh edhe një edukatë njerëzore. Kjo, lidhja e teknologjisë më ka dhënë shansin, të njoh njerëz me vlera në fushën e letërsisë, arsimit, edukimit, e duke pas, këtë mundësi fizike tek këta njerëz, dallohen me aftësinë e tyre shpirtërore kulturore, ashtu si dallohet dhimbja ime. “Libri i mirë është pikërisht një lloj bisede me një të mençur. Lexuesi mëson nga ai shumë gjëra të ndjeshme, aftësohet për të njohur realitetin dhe për të kuptuar jetën”, ka thënë Tolstoi!

-Poezia tuaj sipas redaktores të librit”Unë prek me frymë”, Fatime Kulli, -“tingëllon jo vetëm si një këngë dhimbjeje, por pasqyrohet me një larmishmëri gjendjesh poetike, jetësore, ku meditimi dhe imazhet poetik krijojnë struktura emocionale.” Përveç talentit që është merita juaj, kujt ia dedikoni arritjet?
--E vërtet është. Me anë të poezive kam dash të transmetoj mesazhin jetësor brenda së cilës jeton e flenë poezia, në zemrën time, ku jeta është e bukur e duhet jetuar edhe me këto mundësi e aftësi fare janë. Jeta është si oqean ku lundron anija. E anija jone duhet te lundroj me dallgët, të luftoj me stuhitë e saj. Jetën nuk e kam marrë si një problem për t'u zgjidhur, por një mister për t'u jetuar në formën e saj, ashtu si të vjen ...Dhimbjen e kam përdorur për të sfiduar mendimin e keq ...Mendimi e bën njeriun të mençur...Mençuria e bën jetën të lehtë....Çdo njeri ka një botë me vete edhe të paktën një histori për të treguar që ia vlen ta dëgjosh. Ndaj, i dua librat edhe i admiroj shkrimtarët. Sepse librat, janë dyert e hapura në botën e brendshme dhe në boten e jashtme. E shkrimtaret, kanë guximin ta thonë haptas fjalën e tyre dhe të derdhë dhimbjen e tyre shpirtërore në botën e brendshme dhe botën e jashtme. Natyrisht duke përfshirë edhe ato historitë e tyre që ia vlen, t’i dëgjosh, t’i paraqesin një botë të tërë. Adm S~B Kam mësuar të dëgjoj fjalët tallëse të njerëzve, dhe te mbyll njërin vesh. Kam mësuar të shikoj padrejtësitë që bëhen, dhe të mbyll njërin sy. Kam mësuar të dëgjoj fjalët e “mençura” të mendjemëdhenjve, dhe të bie dakord me ta. Kam mësuar të duroj edhe thika mbas shpine, dhe të mos ankohem. Kam mësuar edhe të dalloj një mik, apo mikeshë që të thotë një “Si je?” me zemër. Të gjitha i kam mësuar nga jeta. Të mirën edhe të keqen. Dhe ajo, që jeta më mësoi të urrej më tepër, është "buzëqeshja e shtirur". Jam më e lumtur kur dikush më sheh me inat se sa kur dikush buzëqesh (i) e shtirur. Jam më e lumtur, kur kuptoj që kam armiq, se sa kur kuptoj që ata (ato) që njoh, janë veç maskat e radhës. Jam shumë më e lumtur kur dikush më godet me një shpullë ballë-përballë, se sa një thikë mbas shpine! Luftoj për Veten, eci përpara, kurrë nuk ndalem, forcën e shpirtit askujt nuk ia fali... Eci e vazhdoj drejtimin tim, nëse pengohem diku, çohem përsëri në këmbë, askujt mëshirë nuk i kërkoj. Nëse dikush më lëndon për të nuk mundohem, luftoj për jetën është shumë e bukur, kurrë nuk e vras mendjen, se do ngelem e humbur!...kurrë nuk e vras mendjen për rrobe, nuk ndryshoj gjendjen... fytyrën e mbaje të qeshur....dhe pse kam dhimbje...kaloje heshtur... Dhe, nëpërmjet internetit lexova këtë poete, lexova poezinë e saj të veçantë, për guximin e madh në të shkruar, lexova civin e një ditë, kërkova ta njoh nga afër, e vlerësoja nga larg. Takimi me të ishte i prerë, i qartë e kaq. Më grishte diçka, që s’mund të hyja në botën e saj të brendshme, ishte e rreptë, e fortë si grua. Por ia lexova shpirtin, e kështu ngelem aty të dyja, duke thënë shprehjen tonë të zakonshme, ajo mua, “Më je bërë e keqja e domosdoshme! ”. Interesante, se edhe unë ashtu mendoja për të. Unë ia dedikoj meritat, mamasë time. Kam dash ta plotësoj në dhimbjen që mbante në fshehtësinë e saj, në heshtjen e saj, në mençurin e saj, që nuk përkulej para dhimbjeve e vështirësive të jetës.

Meritë ka edhe redaktorja e librit tim të dytë. Në Vushtrri, në takimin e përvitshëm të poeteshave, jam përfaqësuar me një poezi, “Jam grua” me të cilën mora edhe një vlerësim të rëndësishëm për mua. Aty jam ndjerë e plotësuar, duke më dhënë çmimi special nga MASH.

-Sa iu ndihmon angazhimi profesional në kultivimin e pasionit tuaj për letërsinë?
--Angazhimi im varet se ku e shfrytëzoj, angazhimi im mbetet pasioni që kam. E nëse, më "vdes dëshira" për pasionin, besoj se do vdes edhe shpirti krijues. Përndryshe, nuk do dorëzohem kurrë për të ndjekur ëndrrat e mia... Asgjë nuk është e pamundur atë që dëshiroj vërtet me zemër. Unë kam atë që kam ëndërruar gjithë jetës, besoj në atë që meritoj..

-Ju i kini kushtuar vargje të larmishme jo vetëm botës së delikatesës femërore, por edhe dhimbjes, dashurisë, mallit brengës, natyrës, njerëzve, vendlindjes, traditave dhe raporteve njerëzore të së përditshmes, të përmbledhura në dy vëllime poetike “Unë prek me frymë”, dhe “Për pak lumturi ”, Cili është “çelësi sekret” që ju mbartni në muzën tuaj?
--Po kam prekur çdo moment të jetës, sipas pozicionit, sipas mundësisë sime të përshtatjes...Kam jetuar me vendlindjen time në moshë të vogël, kam provuar mallin larg familjes, jam rritur me tradita e zakone të krahinës time nga vij nga Golloborda e bukur, e dashur, me njerëz shumë punëtor, shumë fisnik që jetojnë me djersën e ballit , me duart me kallo, duke ndërtuar vepra, në gjithë Shqipërinë. Unë kam bërë pak, ndjej obligim, boshllëk në shpirt për atë zonë. Ndjej nostalgji për ata njerëz të urtë e punëtorë, që kanë një zakon: kur i lindte djalë familjes, poshtë jastëkut i vinin mistrinë që të bëheshin mjeshtra, në zanatin e ndërtimit. Këta janë mjeshtrit dibranë, për të cilët ka shkruar edhe Noli. “Njerëz të zgjuar me lezet, që i gjen në çdo anë, që të bëjnë hallvë e salep. Këto janë mjeshtrit Dibranë…..Muza ime është “muzë magjistare “, çelës sekret që e gjen veç një gjë të bukur, që quhet “sukses”.


-A e keni provuar të shkruani në gjininë e prozës??

--Po kam shkruar, kam guxuar, por më mirë ndjehem në poezi, me prozën hapem shumë. Megjithëse, thonë që poezia është më e vështirë, unë ndjehem mirë këtu.

-Ju vini nga një shtresë e shoqërisë “me aftësi të kufizuara”. Cilat janë sfidat më të mëdha për ju në lëvizjen feministe si poete, por edhe apeli juaj për shoqërinë shqiptare, ndaj kësaj shtrese të shoqërisë?
-- E vërtet, unë vij nga kjo shtresë, duhet punuar më shumë, kanë lëviz disa gjëra, por duhet akoma. Jemi të zhgënjyer, jemi pjesë e kësaj shoqërie, duhet të jemi me të drejta të barabarta, duhet të kemi liri veprimi në të gjitha instancat, si të gjithë të tjerët nëpër botë, të përfaqësohemi kudo, pa na mëshiruar, pa na paragjykuar, duke e dhënë kontributin tonë me aftësitë tona, që edhe ne, të jemi me të drejta të barabarta në mes të barabartëve. Për këtë temë, kam shumë për të folur, për këtë kategori njerëzish!. Është e vërtetë, unë gjatë kësaj kohe kam qenë pjesë e shoqërisë civile, në grupin e aftësisë së kufizuar. Përshtypja ime dhe e kujtdo, është se kjo lëvizje është kaotike, e prirur drejt një grupi të vogël njerëzish që nuk kanë kauzë, por vetëm prirje ndaj pjesës materiale, pra drejt parasë, një lëvizje që përjashton njeri-tjetrin, ku nxjerrin kokën, vetëm interesa vulgare. Kohet e fundit në Shqipëri ka filluar një lëvizje politike e personave me aftësi të kufizuar: Partia Personat me Aftësi të Kufizuar-PPAK. Kjo parti ka marrë pjesë në një palë zgjedhje, jo e plotë në territorin e Shqipërisë, ka fituar disa këshilltarë. Është një grup personash me aftësi të kufizuara, njerëz të thjeshtë që i përkasin grupeve të ndryshme, të personave me aftësi të kufizuar, që priren drejt dy objektivave kryesore:

Së pari: PPAK t’i delegojnë vetë problemet e tyre, pra, të jenë pjesë e vendimmarrjes politike, pjesë e bërjes dhe zgjidhjes.

Së dyti: brenda tyre ka kontingjente të mjaftueshme intelektuale që mund të japin kontribut për çështjen e tyre, por edhe për probleme të shoqërisë. Së treti: edhe ky grup sipas Kushtetutës, ka të drejtë të zgjedhë edhe të zgjidhet. Janë një kontingjent prej 150 mijë personash, të moshave e kategorive të ndryshme. Në media, në opinionin shoqëror flitet pak për çështjen e aftësisë së kufizuar, e kush më mirë se ne, mund ta ngremë zërin, të lëvizë me njeri-tjetrin. Kështu, mua ky grup politik më ka bërë ftesë dhe kam pranuar, për të qenë pjesë e këtij projekti të madh, ku do të përfshinte rolin e femrës dhe çështjen e aftësisë së kufizuar, pa harruar asnjëherë angazhimin tim pasionant, të merrem me letërsi.

-Keni qenë e suksesshme këtë vit si poete, keni promovuar libra dhe vlerësuar, duke gëzuar kështu edhe admirimin nga lexuesit e shumtë?A jeni habitur kur ju kanë vlerësuar? Si ju bën të ndiheni kjo gjë si autore femër?
--Po, jam ndjerë mirë. Kam provuar kënaqësinë e të ndjerit poete, në mesin e poetëve. Kam prekur ëndrrën time, kam prekur skenën, kam lexuar poezinë me shpirt, në publik artistësh. Jam e plotësuar, sinqerisht, kam bërë të marr duartrokitje të gjata nga salla, jashtë sallës kam ndjerë publikun të më falënderojnë, të më prekin, të më japin forcë, të dal në foto, të jap autografe, të marr kënaqeshin e të qenurit femër e suksesshme. Mrekullinë e kam shijuar shumë, kur kam marr çmim special në Festivalin Mbarëkombëtar të Poezisë, që u zhvillua në Qershor të 2011, në Vushtrri.

-Cilat janë projektet tuaj në të ardhmen?
--Të punojë, të krijojë e të marr pjesë me krijimet e përzgjedhura në antologji, të bëj një libër të tretë, që mos t’i ndahem numrit tre, mbasi e kam si numër shoqërues në jetën time.

-Cilat janë drejtimet dhe objektivat interesante për të ardhmen?

--Dikur shkruaja me rimë, e vështirë ishte, por tani kam kaluar në mendim të lirë. Jam vonë në kohë, kam një dëshirë e një etje për të shkruar e lexuar si në adoleshence, habitem me veten,sikur të mundja të kthehesha në kohë, do vazhdoja shkollën, e s'do leja libër pa lexuar. Iu jam borxhlie librave që s'mundem me i lexuar në kohë... Jam e lodhur nga jeta, ajo vrapon shpejt e nuk e arrijmë dot...

-Çfarë dëshiron të ndash me kolegët dhe audiencën e lexuesve që janë duke e lexuar këtë intervistë?

--Ajo që dua të them, nuk është thjesht një recetë sociale për më shumë harmoni dhe integrim mes njerëzve. Në fakt, ajo është një thirrje për secilin prej nesh, që të zhvishemi nga egoizmi dhe strofka ku jemi strukur, për të marrë pjesë në hallet dhe shqetësimet e të tjerëve. Diçka e tillë, do ua dyfishojë gëzimin në kohë gëzimi dhe do ua përgjysmojë hidhërimin në ditë hidhërimi. Përveç kësaj, pjesëmarrja në hallet dhe gëzimet e të tjerëve, lë efekt edhe tek ne, pasi na zhvesh nga paragjykimet, nga egoizmi dhe na bën persona të dashur. Madje, na bën më të lumtur se sa jemi.
Është më se e sigurt, se Miltoni ka shkruar poezi shumë të mira për shkak se ishte i verbër dhe që Betoveni ndoshta nuk do ta kishte krijuar atë muzikë të shkëlqyeshme po të mos ishte i shurdhër. Po të mos ishte aq fatkeq në jetë, ndoshta Gajkovski nuk do ta kishte kompozuar kurrë kryeveprën e tij “Simfonia patetike”. Tolstoj dhe Dostojevski po të mos kishin vuajtur aq shumë, me siguri, nuk do të mund t’ i shkruanin veprat e veta të pa vdekshme. Helen Kelleri Arriti fame botërore vetëm pse ishte e verbër dhe e shurdhur... Jeta është përzgjedhje, njerëzit aludojnë, koha të këshillon!

-Mesazh për botën hyjnore të artit?
Arti është botë ku takohet bota shumëngjyrshe... Arti ka tinguj, arti ka pamje të bukur, arti ka atë që e donë artin deri në pafundësi.
Arti ka edhe lot, arti ka edhe buzëqeshje, arti ka edhe filozofi të bukura.
Arti ka dhimbje, sepse dhimbja krijon artin n' mes lotëve të buzës së stërqeshur ëmbëlsisht!
Megjithatë, mendoj se sa ma shumë të lexoj, ndjenjat mbushen me dashuri për të shkruar. Sepse, me anë të të shkruarit, edhe kur je ndoshta ndonjëherë në pikëllime që vet koha të imponon, pa pasur dëshirë, shpreh atë që ke në zemër dhe pastaj e qetë në hapësirë të hapur në natyrë. Leximi është arma ma e fortë për t’i luftuar dukuritë negative, apo pozitive në shoqëri, në natyrë dhe njëherazi, të shkruarit qoftë përmes poezisë, prozës, tregimit apo diç tjetër zhanër që i përket letërsisë. unë jam ndjerë mirë në hallin tim, veç me artin hyjnor poetik.

Jam e lumtur që ia arrita qëllimit, që të jem pjesë e intervistave të tua, znj. Raimonda!

Ju Faleminderit edhe Juve!


________________________________
Marrë nga FJALAELIRE

Poezi nga Shadije Hotjani



UJVARË MALLI


Thellohen mendimet, sytë lotojnë çdo natë,
Gurgullimë si ujvarë lumi, rrëkëllehet nga lart.

Nganjëherë ëndrrat e trishta përmbyllen me gëzime,
Por ndjenjat e trazuara e gërryejnë zemrën time.

Buqetë lulesh lloje-lloje, shpesh në ëndërr më dhuron,
"Befasia Magjike" plot mëshirë gjumin ma ngacmon.

Në pranverën e luleve gjumi miklon ëndrrat që trazojnë,
Varësisht ngrohtisë shpirtërore, fusha e male blerojnë.

Shpresa e durimi tutje më premtojnë synimin e ëndrrës,
Si dy pëllumba të bardhë, ëmbël do ia themi këngës!







KUJTESË IDILIKE


Kopshtijeve blerake kishim pikë takimin
Për fat-jetën e ikur zgjatnim kuvendimin.
 
Atëbotë ishte qështje të ëndërronim lirinë,
Labirintheve të jetës synonim ardhmërinë.

Kaloi kohë e gjatë me mallë e kujtime,
Larg atdheut të shenjtë rënkonte zemra ime!

Në kopshtie pemësh ndodhën befasi,
Me agun e ditës së re shpërthyen mrekulli.

Kopshtijeve blerake lule - aguliçe kanë çel,
Idilikë e zemrës me peisazh - Pranverë.







PËRFOLJA E ËNDRRËS ME LULE



Sa më kaploi malli, për lulet me plot erë,
Kur më pushtoi halli në këtë lule - pranverë.

Mallë pësoi pranvera, rënkuan hallet më vete,
I buzëqeshi verës fati, më dhuroi aromë jete.

Kështu vërtetë vera solli shumë të mira,
Shëndrroi jetën time në kopsht me trëndafila.

Traumat u flakën dhe ëndrra më zgjoi nga gjumi,
E liga u tret shpejt si flatrimi me krah pëllumbi.

Ëndrra gjumin ma trazoi, edhepse një minut zgjat,
Urrejtja u zhduk kur lulja e kujtesës hapi krahët.

Vërtetë në jetë lule isha e lule sërish mbeta,
Mbi krahët e ëndrrës lumturinë shpejt e gjeta!







SHOH NJË PIKË DRITE


Loti në qepalla më rëndonte,
Shikimin ma mbuloj një tis drite,
Sa shpejt më përmendi një valëz deti.

E molisur, shpirtthyer, pa gjum në sy,
Vend i panjohur, vetmia po më trishtonte,
Dhe valët e detit më freskuan ndjeshëm.

Vajta aq larg të shuaj mallin,
Ahh… ishin shqetsime mjaft të rënda,
Asnjeri nuk takoja të çmallem një çast.

Si në magji u hap një pikë drite,
Nje zog i bukur p0 ia thoshte këngës:
Përjetësisht do këndoi vetëm për Ty!


Aromë deti më pushtoj në deje
Dhe u bëra një me këngën e zogut,
Shoh një pikë drite.





KUR LULEVERET BLEROJNË


Sikur moti i vranët i merr dritën diellit,
Dhe shiu në tërë anët i sjell hijen qiellit.

Jetë mërgimtari ndërron hap shumë shpejt,
Stuhi e rrëmbyeshme e përmbys gjithë atë jetë.

Por prap del ylberi me të bukurat ngjyra,
Fryn aromë jugu - hareshëm buzëqesh fytyra.

Sërish del dritë tjetër, vezullon një shkëndi,
Luleveret kthejnë jetën në mal e në vërri.

Nis jeta nga e para, nis filli i gëzimit,
Vetëtinë dritë majëmali dhe i hap rrugën zgjimit .

Nis këngë zemre dhe dashuria rrjedh në deje,
Gjithkah lulevere blerojnë mes meje e teje!

Kështu mërgimtarët hapërojnë drejt ardhmërisë
Me kurora lulevere i ngrejnë himn dashurisë!






DËGJOJ KËNGËN E BILBILIT

Nexhmije Pagarushës
Dëgjoj këngën e bilbilit
Dhe ndiej frymën e gjakut
Zëri merr dhenë kaltërsive
Në pambarim

Shpërthen malli i bilbilit
Tinguj zemre marrin udhët
Fushave blerake të vendlindjes
Dhe shpërndajnë tinguj dashurie

Bilbili i këngës po vie
Edhe këtu në folen e zemrës sime
Atdheut t’ia nis rrufeshëm
Buqetën e këngëve plot mallëngjim




ËSHTË DIKUSH ATJE LARG


Është dikush atje larg
Jeton plotë shpresë e vullnet
Dhimbje e mall i thurë në varg
Lumturinë e kërkon në jetë


Është dikush atje larg
Plotë hare e nis çdo ditë
Kënga e shpirtit i gufon me afsh
Ëndërron jetën ta ketë veç dritë


Është dikush atje larg
I ikën koha duke pritur
Kur fryn erë e shkrep dielli
Lulet e zemrës duke ujitur.


Është dikush atje larg
Nga mendja s'hiqet dot
Emër që ka kuptimin e jetës
Besëfjala nuk lidhet kot...!





MALLI DJEG PËR VARGJET

Din Mehmetit

Poeti u këngon kohërave, jetës e dritës
Dhe derdh këngën fushave, maleve...
Sjell pranverë në shpirtin e dashurisë.

Vargje-gurgull rrëshqasin mbi ditën e re
Dhe flasin me gjuhën e mallit të atdheut,
Breznive ua trason ardhmërinë.

Kurrë nuk vdes poeti, sa vdes kënga e dritës,
Atje ku ëndrrat shkrëptijnë shpresa,
Vargu merr flamurin e ardhëmerisë.

Poeti ka planetin e vet të fjalës,
Ka blerimin në shpirtin e dashurisë,
Vdekja nuk ka fole në shpirtin që shpërndan dritë!

(Prezentuar ne librin poetik "Pavdeksia e poetit" qe i kushtohet Din Mehmetit.)






BEKIMI I NËNËS

(Botuar ne Antologji "LOTETE E VIRGJER!")


Nën dritën e hënës, buzë lumit gurgull,
Kujtoj fjalët e nënës, me buzët plot shkrumb.

Mbaj në mend fjalët kur më tha atbotë:
-Nëse ke një hall, dhimbje, a një brengë,
Vështro kujdesshëm cilës rrugë po vjen?

Kujdes atë rrugë, kah shpie, kah shkel,
Se e papritura shpejt si kockë në fyt ngel.

Hëna ndrit natën, dielli rrezaton ditën,
Dëgjo fjalët e zemrës – një mesazh për jetën
Fjalë që freskojnë shpirtin dhe trasojnë të vërtetën.

Dhe një thënje e lashtë, si rrufe nga qielli:
“Kurrë mos thuaj këmbngultas se je më i miri,
Nuk është jetë njeriu gjithmonë si "një prilli!"

Vërtetë dëgjova fjalët e nënës, bekimin e saj,
Në ballë më rrezatoi dielli – nisi ditë e bardhë



SHËNIME PËR AUTOREN
Shadije Hotnjani u lind në Tërrnocin e Madh të Bujanocit. Pas mbarimit të shkollës fillore në vendlindje, vazhdoi në të mesmen dhe të lartën në Gjilan të Republikës së Kosovës.Rrjedh nga një familje e arsimuar në breza, ku shquheshin për arsimimin e gjeneratave në rrethinën e Luginës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Tash jeton dhe vepron në Mynih të Gjermanisë, ku punon Mësuese-udhëheqëse e kurseve të Gjuhës gjermane-gjermanisht për të huajt.

U kualifikua në Goethe-Institut e.V. Projekt DfaA-Deutsch für ausländische Arbeitnehmer. Është e punëuar te VHS-Volkschochschule, München.
Poashtu zhvillon aktivitete edhe si Përkthyese në Instuticionin Bayerishes Zentrum, për drejtimet e mjeksisë dhe enteve sociale.

Aktivitetet tjera:
-Iniciatore e parë për formimin e Shoqatës së Gruas Shqiptare në vitin 1999 në Mynihun e Gjermanisë.-Ish-Kryetare e SH.G.Sh. dhe nënkryetare deri më sot.
-Anëtare e rregullt në Grupin e Gruas Migrante në Mynih.
-Anëtare nderi në bashkëpunim me Departamentin e Gruas Islame në Mynihun e Gjermanisë.



Krijimtaria:
Shadije Hotjani shkruan poezi dhe prozë. Shkrimet e saj janë publikuar në shtypin e ditës dhe atë periodik, si në: “Perspektiva”, “Lajm”, në web-faqe të shumta letrare të internetit, etj. Është pjesëmarrëse e “Takimeve të poeteshave shqiptare - 2011” në Vushtrri-Kosovë, ku u nderua me Mirënjohje dhe Plaketë nga manifestimi. U prezantua në Përmbledhjen poetike që e botoi Organizatori i këtij manifestimi mbarëkombëtar.
Është prezantuar në Librin me poezi dhe shkrime tjera për Din Mehmetin, hartuar nga Halil Haxhosaj, me titull “Pavdekësia e poetit” – 2011.
Poashtu në Antologjinë poetike “Lotët e virgjër” -2012
“Ujëvarë malli” është Përmbledhja e parë e poezive, e cila pas një periudhe të gjatë krijimtarie vjen tek lexuesi me një përzgjedhje të kujdesshme nga e gjithë krijimtaria e saj poetike për dekada me radhë.
Vazhdon të shkruaj poezi për tërritur dhe fëmijë, ku si tematikë preokupuese ka dashurinë për atdheun dhe plagën e mërgimit, si dy ura lidhëse për jetën që e preokupon në vazhdimësi.