Montag, 23. Juli 2012

KOSOVARJA QË U BË MBRETËRESHA E KËNGËS VLONJATE


Nga Gëzim Llojdia


KONSTELACIONI I YJEVE KËNGËTARË
Shuhet ylli i “Trio vlonjate Meliha Doda”.Mosha e shuarjes 79 vjece.Kush ishte dhe si beri karriere,ndiqni intervisten qe kam realizuar ca vite me pare me kengetaren Doda.





Nje interviste me Meliha Doden

Meliha Doda, këngëtarja më e adhuruara për 30 vjet në muzikën popullore, më ka pritur në apartamentin e saj, pranë sahatit të lashtë në qëndër të qytetit. Meli siç e thërrasin ”bukurinë e këngëve vlonjate”, ruan po atë timbër zëri si në rininë e këngëve të saj. Këngëtarja e këngës hymn të Vlorës ”Aromë portokalli”, ndihet plot ngrohtësi, për të folur për median.


KËNGA E SHETGËTARTËVE TË PANJOHUR

Përpara se të mbërrini te kënga, cila është ajo pjesë e panjohur e këngës suaj?

Kam ardhur në jetë në kryeqytetin e vendit. Jam lindur në 1933, në Tiranë. Origjina ime vjen nga Kosova. Nga qyteti, ku formua lidhja e dëgjuar e shqiptarëve në Prizren. Prindërit e mi kanë zbritur nga Kosova aty rreth viteve ’30. Kemi banuar në Tiranë, ku kemi patur një një shtëpi. Nëna ishte një malësore fisnike nga Dibra e Madhe, nga fisi Shehrit. Gërmat e para të shqipes i kam mësuar tek shkolla ”Avni Rustemi”. Atëherë ishte një sistem 7-vjeçare. Deri në vitin e dytë të 7-vjeçares qëndrova në Tiranë.


Rrokullisje të pafata

NDARJA PËRMES DHIMBJES

Më vonë çfarë ndodhi që u larguat nga Tirana? Ku shkuat, në ç’qytet të Shqipërisë?

Babai im antifashist, i tronditur nga dhimbja e pushtimit të vendit, së bashku me xhaxhanë i internuan gjermanët. Xhaxhai im Xhevdet Doda është dëshmor i atdheut, i cili nuk u shpëtoi dot tmerreve të kampeve të përqëndrimit nazist. Nga ai ferr i çmendur shpëtoi gjallë vetëm im atë. Babai shkoi në Kosovë. Mbasi Shqipëria u prish me Jugosllavinë, ku gjendeshin padrejtësisht trojet e shqiptarëve, pas ”kirurgjisë së pamëshirshme” të fillimshekullit, babai shkoi andej, ne mbetëm këtej, unë dhe nëna ime. Është e vështirë të përshkruash një dhimbje të dyfishtë.



ZEMRA TE LENDUARA
NË SHKODËR TE
”SHEJNAZE JUKA”

Të vetmit, që u bënë strehë ishin njerëzit tanë në Tiranë, por edhe aty gjërat shpejt do të ndryshonin. Tashmë koncepti i lëvizjes shoqërore prek fëmijërinë time. Aty rreth viteve ’47,të afërmit tanë, xhaxhai, dajot i nxorën nga kryeqyteti si familje të mëdha tregtare, duke i larguar për të mos u kthyer dot më. Më nënën shkuam në Shkodër, kishim një mbështetje. Aty përfundova të mesmen tek ”Shejnaze Juka”. Në 1952 mora emërimin në viset jugore.



VLORA –QYTETI I ENDERRAVE TE MIA
 QYTETI ME AROMËNE PORTOKALLIT

Isha e tmerruar, ndërsa kthenim nëpër duart fletat. Atje lexohej: mësuese fshati Piqeras. Nuk e di as sot ku bie, por e di, që është në bregdetin e Sarandës. Ndiihej po aq e dëshpëruar edhe nëna ime. Rrugëtimi u krye, por ne ”ngecëm” në Vlorë, në gjysëm të rrugës. Qyteti jugor u bë pas kësaj streha ime e përhershme. Ishte viti 1952. Në këto rrethana qytetin me aromën e portokajve, e njoha. Qëndrova 4 muaj pa punë. Gdhiheshim ngryseshim të vetmuara me një kosh plaçkash në dyert e hotel ”Sazanit”. Filluam të na shfaqen vështirësitë e mëdha financiare, sepse rronim me ndihmën që na dërgonin dajallarët. Gjithë ato ditë na u kthyen në ankth. E provova se nuk ia dilnim do më. Sa për jetën, ishte shkruar të hiqnim kështu, vuajtje pa fund. Paratë po shkonin çdo ditë, ndërsa nëna ime sëmurej vazhdimisht. Nuk deshëm të shkonim më larg, të paktën në ato rrethana, që gjendeshin. Ishte një tmerr. As rastësia nuk mund të na sillte dot asgjë për momentin. Ashtu e brengosur për të mos u larguar më nga ky qytet, por duke ndjerë një fije shprese shkova tek shtëpia e kulturës. Aty, ku takova Themistokli Monen, kënga më hyri si ai i ftohti deri në thellësi të shpirtit. Përgjithësisht unë vij nga një familje muzikantësh. Halla ruante një freski për këngën. Gjyshi i binte, dajres, xhaxhai violinës, ndërsa babai mandolinës. Kjo është një vegël muzikore që përdoret në trevat e Kosovës. Por, që kur isha tek ”Shejnaze Juka”, isha evindentuar si këngëtare. Zëri më buronte të paktën pa ndalesë, ishte i kthjellët. Në Shkodër, kur isha gjimnaziste, kisha kënduar me Simon Gjonin, një kompozitor i dëgjuar nga Shkodra. Porfesor Liu arriti t’i kapë të gjitha vuajtjet dhe përjetimet e mia. Do të këndoj i thashë, sepse më duhet të jetoj. Profesor Liu më ndihmoi kur me nënën time gjendesha në pikë të hallit. Ai u kujdes që të sistemohesha mësuese tek shkolla ”1 Maji”. Isha 19 vjeç dhe sido dhe çfarëdo që këndoja, ndonëse me një brishtësi çupëline, më afruan në këtë qytet. Punova si mësues tek shkolla Nr.1, 2. Gjatë kësaj kohe jam aktivizuar shumë. Zëri ishte kristalizuar. Më ofruan vend në ditën, që estrada e qytetit u formua. Kjo ishte edhe familja ime e parë. Ndiheshim të çliruar brenda bërthamës së parë. Estrada e Vlorë u formua me 15 vetë. Me mundim dhe këmbëngulje artistësh, M. Ferra, G. Vishi, V. Panozaqi, P. Sava, E. Shtrepi, M. Lako, bënë një estradë që t’i ndihet zëri shumë, por jo vetëm brenda këtij qyteti.


KRIJESA E MAHNITSHME POPULLORE

TRIO VLONJATE

Znj. Meliha, trio vlonjate është grupi më melodioz, më i dëgjuar dhe më origjinali. Si u mendua të krijohej kjo trio?

Th. Mone me dimensionet e një artisti, me sytë, me mendjen në skenë, nxori “Dasmën vlonjate”. Ishte kënga e të gjitha zonave si Kanina, Lumi I Vlorës, “Birbili”. Mbas “Dasmës vlonjate” u pikëzua grupi. Treshja ishte Reshat Osmani, Kostandin Thana dhe unë. Trioja vlonjate u ndërtua e atillë, 2 burra ishin marrësi dhe një lloj hedhësi të këngës, unë isha zëri I gruas. Pra, ishte një formë e këngës popullore me konture të grupit lab. Trioja vlonjate ishte forma e parë në atë kohë. Pas nesh nxori Gjirokastra dhe Lushnja. Trioja vlonjate në ditën e saj të formimit përbëhej nga mosha më e re e këngës. Reshati ishte 25 vjeç, Kostandini 26, unë 22 vjeçe.


Casti i përhumbjes hyjnore –ose magjia shpirtërore

KENGA

Kënga e parë e trios vlonjate ishte “Ku këndojnë zogat o”. Burimi i saj ishte marrë nga fshati Kaninë. Por promotori i trios ishte Reshati. Ai bridhte fshatrave me ditë, gërmonte me pasion. Këngët që ai gjente i merrte, i përpunonte në orkestrën popullore, karakteristikë për trion vlonjate. Dhe pak nuk janë këto këngë të trios vlonjate. Ai ka zbuluar këtë thesar. Pritja e mrekullueshme e trios, na i shtoi dëshirën për këtë gjetje. Filluam të bëjmë turne, madje për herë të parë si do të pritej. Njerëzit kurioz pyesnin tek autobuzi:” Ka ardhur trioja vlonjate? Në 1957 na dërguan në Moskë në një koncert në festivalin e Moskës. Aty morëm çmimin e tretë. Këngët e trios nën atë qetësi të stëpave ruse, ishin nje magjepsje. Ne bëmë turne nëpër BS, ishin tëpër melodioze kenget tona,s’kishin ftohtesin e perendimit te larget te stepave.Këngët ishin “Hajde moj kumbull vlonjate”, “Vajza myzeqare”. Kur u hap për herë të parë festivali i këngës në fundvitin 1961, këndova dy këngë. “Këndoj” ishte një kompozim i Avni Mulës dhe kënga “Vashëzo” e N. Uçit. Shtypi bëri vlerësime të rëndësishme. Më quajtën fillimisht si Milva e Italisë. Në 1964 u ftuam në festivalin e Mesdheut në Egjipt. Aty na dhanë çmimin e dytë si dhe na bëne turne në Algjeri dhe Marok. Mbas trio mori këtë famë, fillova të mbaj edhe peshën më të madhe të estradës. Kompozitori im ishte Reshat Osmani. Kënga “Arom portokalli” u bë hymni i Vlorës. Nuk ka dasme apo gëzim pa kënduar këtë këngë. Këngët e tjera të trios janë në nivelin e saj. Ja disa nga këto: “As po, as jo”, “Do të vras bribilin”, “Festa e madhe”. Dy herë kam marrë pjesë në festivalin kombëtar të Gjirokastrës. Kam marr çmim edhe në një festival që u zhvillua në qytetin e Durrësit ku kam kënduar “Jam shqipja e tokës labe”.
Natyrë rebele



Znj. Meliha, në librin e kohës është thënë se ju nuk qëndruat gjatë si këngëtare profesioniste?

Deri në vitin 1968 isha këngëtare profesioniste në estradë. Por 4 vjet martesës më hoqën nga estrada dhe më dërguan mësuese tek shkolla “Teli Ndini”. Dridhesha nga ankthi, por frika për të mos u kthyer më trembte, gjithçka ishte e ngritur si ajo shtëpia dhe mund të prishej.

Ngasje shpirtërore


Përnatë shkoja dhe këndoja në estradë. Suksesin e kisha të garantuar. Madje regjizorët për këtë arsye më linin në fund. Zihesha me ata, më vendosnin në fillim, nesër do të shkoj në punë dhe ne darkë do të jem këtu. Estrada jepte shfaqje çdo natë me përjashtim të së hënës. Në çdo premierë kam marrë pjesë . Kam kënduar edhe 8 muajshe shtatzanë, aq sa gjineokologu që u ndodh në sallë thirri: “Ik, tha, se ndryshe fëmijën do na i bësh në sallë”. Dhe kur prisja një rikthim më hoqën fare nga shkolla. Më dërguan edukatore tek kopshti i shkollës “ Naim Frashëri”. Deri në pension aty punove. Kur shkoja nëpër turne, më quanin profesioniste, nuk e dinin se ç’mundim hiqja, e kisha zemrën copë-copë nga dëshpërimi. Trio vlonjate u zbeh aty nga vitet ’83. Ishte koha e pensioneve, mosha e la këngën. Por e thënë ndryshe nga kjo trio, kush me shpirt, kush me vullnet e mbanin ndezur.

Znj. Meliha kur e keni ndjerë se kishit rival, por Zoti a ka mbajtur anën tuaj?

Në takimin koncert të këngës në Vlorë, me këngëtarët më të mirë divat ishin Vaçe Zela, Qemal Kërtusha. Ishte një rivalitet i fortë. Nuk po gjeja qetësi, sepse më kishin vendosur pas Vaçes. Dridhesha se pas çmimit të Vaçes, çdo këngë e jona do të tingëllonte e zbehtë. Ti do të dalësh, më thanë, se të do populli. Ishte e bindur salla se ishte këngë e mirë, që më priti. Unë përpiqesha të gjeja, këngët që i donte populli.



Zbardhja e mëngjerzit-pjesa e shifëriar e ëndërrës

Znj. Meliha si i pritët vitet e ndryshimeve në Shqipëri?

Me shpresë si të gjithë shqiptarët e tjerë. I prita ndryshimet siç pret një i verbër dritën. Ne shpesh themi: “Nuk dashka qorri dritën ? ”. Në kohën e ndryshimeve pas viteve ’90 këngët tona filluan të dalin edhe jashtë. Pati një “oreks” në tregun e kasetave. Sot, gëzohem si fëmijë kur dalë në rrugë e më thonë: “Më duhet një kasetë e jotja, ma kërkon vajza në Amerikë, a gjetkë”. Por këto vitet e fundit gjendja ka ndryshuar. Nga vitet ’90 ka mbetur veçse liria. Artistët rrojnë me pensionet e shtetit, jo me kontributin e tyre. Kështu sot, kasetat e këngës i kanë në dorë piratët, ata i vërtisin djersën dhe mundin tonë shumëvitesh si t’i duan ata, për të fituar. Një pjesë me ato mbajnë shtëpitë me bukë. Kurse krijuesi, pra artisti rron me pensionin. Unë kam marrë një pension të posaçëm këto kohët e fundit. U propozova në kohën e PD, e mora tani afër. Ja më thonë ca, socialistët ta dhanë. Mos harro i thashë, 50 vjet për ta kam kënduar. Me këtë pension unë vetëm jetoj.



Tronditja e kohës ose çasti i përhumbjes

Znj. Meliha, si do ta gjykoni gjendjen e sotme të artit në këtë qytet që ka patur traditë?

Artin, do ta quaja të trembur, për vdekje. Këto kohët e fundit, arti bëhet vetëm për festivalin, për ditën e një feste, kur ai është kthyer në të tillë ai është i vdekur. Një koncert u bë në vitin e ri, por që mbahet mend. Por nuk jetohet vetëm duke pritur kur të vijë Viti i Ri, artin populli e mban gjallë. Po nuk u këndua këngëve ajo ikën. Unë i ndjek koncertet që kryhen në qytet dhe të gjithë përsërisin këngët tona. Ka pak vlersim investim për artin. Dua të them se këtu dallohet shteti për atë çka i jep arti, jo për atë që kërkon ta varrosë. Vjet një tip reforme u krye në art. Në vend të shkonte tek perëndimi që është ëndërra e përhershme e jona, u drejtua nga lindja. Unë nuk e kuptoj, ç’është kjo reformë. Në vend që të bëhet sa më shumë për artin ndryshe flitet, ndryshe veprohet. Kjo i zhgënjen artistët. Prandaj, duan s’duan shumica tyre ia mbathin ca në Itali Greqi, Amerikë, në kryeqytet.

Samstag, 21. Juli 2012

CIKËL POETIK NGA ALI PODRIMJA



POEZIA DHE VASHA


Ajo shkruante poezi erotike

U ngjante vitrazheve, frymës

Kish shpirtin dhe bukurinë engjëllore



Para se të bënte dush

Plaçkat i hidhte nëpër sallon

Dhe shikonte trupin në pasqyrë



Mos ka mbetur edhe diç



         Mund të ndërpritet komunikimi

          Mes saj dhe atij tej xhamit

          Që shikonte me sy të mjegulluar



Ne bisedonim për të bukurën

          Dhe sensibilitetin njerëzor

Për kohën që na mungonte



Atë që prekte shkaktonte vërshime, tërmete

Dhe atë zërin e brendshëm

Që duhet mbrojtur



Një nga një ia ktheja plaçkat

Para sa kohësh të shpërndara

Në hapësirën blu



Dëshironte të ndjejë zgjimin e trupit

        Të shëndetshëm, të pastër

        Ç’të heqë më dorë e Krijuesit



(2010)







HARTA E GRISUR



Kujdes se minjtë grimcojnë hartën

                        e të qenit tonë



Breznitë ku mësonin si të ecet lashtësisë

Deri ku shtrihet atdheu e sa dete e lagin



Në fund të horizontit ngrin fryma

Në një cung ulur vërej para Kullës

Ku bie guri e ku fluturon zogu im



Shalues të ri një kalë kërkon

Gryka e vdekjes nuk kapërcehet

Nën krahë engjëlli udhëtim ëndërrues



Dherave lë nga një gur varri

Në shkreptina humb

Buzë Ujit të Madh shfaqet vdekja

Në rroba të zeza



Arbëria m’i ngjante një deleje të zgjebosur

Gardhiqeve lëkurë linte e ndrite pikagjaku



Ulërinte kopeja e ujqve të tërbuar



Vetëtimë shpatash këtejeandej Murit

Binin Majët e Sulit e lotonin selvitë

Me kokën e Ali Pashës në shuplakë



Hapet harta e grisur e atDheut



(Pragë, 1986)









FUSHA E ZEZË



Ku të lëshoj rrënjë

E të bëj pakëz hije

Se varre e varre e varre

Mbi to zgjohemi e dashur

Shkundim dritën e verbër

Të lexojmë fundin e ëndrrës

Nën një qiparis



(2005)








MARATONI NGA ILIRIA



Është një engjëll që na mbron

Se kujt Maratoni nga Iliria

Do ia kumtojë lajmin

Se në Ulpianë

U gjet tërfili me katër fletë



(1999)







TEK IA KALOJA AKILIT



Këmbëzbathur zbres Malit të Vetëtimave

Qetësinë përrallore të Villa Walbertës

Ta hap në Gadishullin Ilirik

Çast të lumtur të kujtoj nga Golgota

Në shpinë Breshke Arbërie

Akilit tek ia kaloja



(Feldafing, 23.7.1992)









GJARPRI, BUKURIA



Mbyta gjarprin të hy në kohën time

Ç’po më dendëson zbrazëtia nëpër

huqet e mia



Diku në botë



Po qe se nuk të shkruaj

miku im i dashur dhe

Po qe se nuk ma dëgjon zërin

Merr një karafil

e ma kërko varrin

diku në botë

se vajta pas Lumit



(Ulpianë, 1982)









NJË LOZË SEÇ LOTON



Tatëpjetë Golgotës zbret

                hija e Njeriut

Është Çami, këngëtari i verbër i Sulit

Me një vravashke ndritë

                rrugën e errët

Kërkon shtëpinë në lagjen Plaka

dhe varret e të parëve

Buzuku do të men

për komandant Arvanit

Nën çati seç loton lozë e tharë.



(Athinë, 1986)









GUASKA



Dikur ishte shfaqur Shkretëtira

Dhe kisha dëgjuar vajin e Burrit të  Dheut



Kisha përvjelë pantallonat

Pas zërit të fyellit isha nisur



Nga fundi i mistershëm  tej horizontit

I' guaskë seç  e kishte nxjerrë Uji i Madh



Kisha filluar ta hapë dhe Guaskë pas Guaske

Zbuloja fatkeqësitë e dherave të Arbërisë. 



(Vlorë, 1992)








LITARI I ANKTHIT



E lirë Kosova dhe e pavarur

Me një litar rreth qafe

Kërkon degën më të lartë



Si dele nuk i dilet në pazar

Nëpër fjalë seç dridhet

Midis dy qytetërimeve e zënë



Nuk e mban litari as e lëshon

Në konferenca ndërkombëtare

Kallëzohet si përrallë



E s’e lëshon as e mban një litar



(Ulpianë, 9.10.2000)









LUFTA IME



Ra nata, tej vringëllin

Kur te duan me ndëshkojnë

Ligji nuk ekziston për mua

Timin prandaj e shkruaj

Thyej xhamin e errët

Mes meje e forcës së verbër



(Këln, 1 nëntor 1998)









VAJI PËR KOSOVËN



Na pate apo te kishim



Ne toke as ne qiell

mori e uruar



Hap shuplaken dhe peshoj

Piken e gjakut tënd



(Munih, 1998)











DRIDHME



Ne Kosove

Vetëm vdekja

nuk vonon



(Munih, 1999)











MJERIMI NJERËZOR



Edhe Qeni

nuk kafshon

nganjëherë

e nuk është Njeri



Po Njeriu

nuk le gjë

pa gëlltitur

e nuk është Qen.



(Prishtinë, 1980)











KOMETA E HARRUAR



Gjithnjë e më pak i ngjaj vetes

Dje e varrosëm poetin Jamarbër Marko

Tirana e zbrazur dhe më bëhej se

një peshkaqen kërkonte gjahun e vet



Jam i huaj gjithnjë e më shumë

Me kockë e mish më kapërdinë zbrazësia

E kërkoj gurin tim dhe ik

nga Uji i Madh që rrah brigjet e mia



Nuk besoja se kaq shumë vetmi

Tjerret metropoleve shqiptare

Ku ndonjë mbret i minjve

Hedh dhe duqin e fundit të cigares



Duhet ikur duhet ikur miku im

Para se t’më zërë nata e thikave



Në Lesbos tek kërkoj Safon

Kokën e poetit të panjohur nga Australia

E pashë si fluturonte në qiellin grek



Komet e harruar nga koha e Homerit.



(Lesbos, 8/09/2010)











HARTA E GRISUR



Kujdes se minjtë grimcojnë hartën

                        e të qenit tonë



Breznitë ku mësonin si të ecet lashtësisë

Deri ku shtrihet atDheu e sa dete e lagin



Në fund të horizontit ngrin fryma

Në një cung ulur vërej para Kullës

Ku bie guri e ku fluturon zogu im



Shalues të ri një kalë kërkon

Nuk kapërcehet gryka e vdekjes

Nën krahë engjëlli udhëtim ëndërrues



Dherave lë nga një gur varr

Në shkreptina humb

Buzë Ujit të Madh shfaqet vdekja

në rroba të zeza



Arbëria m’i ngjante një deleje të zgjebosur

Gardhiqeve linte lëkurë e ndrite pikagjakut



Kopeja e ujqve të tërbuar ulërinte



Vetëtimë shpatash këtejeandej Murit

Binin Majët e Sulit e lotonin selvitë

Me kokën e Ali Pashës në shuplakë



Hapet harta e grisur e atDheut



(Pargë, 1986)








FLUTURIMI I FUNDIT



Paqen e përjetshme ma fale imZot

Kërkoj një vend të vë kokën

Mbi bos dheu ku shirat

nuk pushojnë



Në kujtesë të mbyll fluturimin e

fundit të fluturës

Para fjalës e shpirtit

tek digjen në flakën e qiriut



Faleminderës imZot që nuk më turpërove

mua rebelin e mbretërisë së përhirtë

qe ik tek fishkëllon andej fryma



(Ulpianë, 1998)







DËGJOHET `I KAMBANË



Jeta nuk është

Është vdekja

Që fshihet pas

Therres së vet



Pret të troket

Diku dëgjohet

`i kambanë



(Berlin, 1989)