Sonntag, 6. Mai 2012

Bexhet Asani: KËNGËT E SHËNGJERGJIT


KËNGËT E SHËNGJERGJIT

Shëngjergji kremtohet më 6 maj. Edhe për këtë festë përgatitjet fillojnë një ditë përpara, më 5 maj sipas kalendarit gregorian. Kjo festë është mjaft e pasur me rite, formula magjike dhe këngë popullore. Prej kohësh është vënë në dukje se thelbi i teksteve poetike për shëngjergjin, shëngjinin, për llazoret etj. , lidhet me rite parakristiane se prapa shenjtorëve të krishterë fshihen hyjni pagane (Çabej, 1975:200). Polifunksionaliteti i hyjnisë së kryehershme që më vonë ka marrë emrin shëngjergj del në pah edhe në këto vargje:”O shëngjergj i mushtullu, /Njishti motmot m.gjeç martu. /Sa ky li, /Të bahen flokët e mi!(Papleka, 1999:12). Shëngjergji në fshatrat e Tetovës dhe të Gostivarit është kremte më e hareshme dhe më masive e vitit, kjo shihet nga ritet dhe këngët e shumta, për nga numri, në këto treva, që i kushtohen kësaj feste. Ndër popullsinë shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Jabllanicës së Epërme, Preshevës etj. , shëngjergji është festa pranverore më e përhapur dhe në shumë pika përputhet me ditën e verës, madje në disa nga këto treva edhe identifikohen, duke u shkrirë dita e verës në shëngjergj (Pllana, 2004:43).
Dita e shëngjergjit llogaritet si festa më e madhe pranverore të cilën e festojnë jo vetëm kristianët por edhe të gjithë banorët e Maqedonisë, që në anën tjetër do të thotë se bazë e kësaj është festimi i natyrës, i përtëritjes së vegjetacionit dhe të jetës në përgjithësi (Kitevski, 2001:140).
Në të gjitha fshatrat ku banojnë shqiptarët e Maqedonisë ka vende të caktuara se ku i mbledhin lulet, por është e pamundur t.i di dhe t.i përmend të gjitha këto toponime. Në këto festa vajzat maqedonase, ashtu si edhe vajzat shqiptare, bënin kurora me ngjitësa, filiza shelgu et.. , dhe i vinin në krye për largimin e dhimbjeve dhe për shëndet (Neziri, 1997:39). Ditën e luleve fëmijët, por, në disa vende edhe të rinjtë e të rejat, shkojnë për kukurakë, degë thane, degë shelgu, degë dushku etj. , përveç këtyre ata mbledhin edhe qumështorka. Në Gostivar i quajnë “lule mutejni”. Lulet e mutejnit zakonisht rriten përreth përroskave dhe kur i këpusin, nxjerrin një lëng të trashë e të bardhë (Osmani, 1997:84). Lëngu i qumështorkave është iritues, sidomos për pjesët e ndjeshme të lëkurës, prandaj këputen me kujdes. Qumështorkat njihen edhe me emrin “lule gjarpri”. Me këto lule të cilat lëshojnë këtë lëng të bardhë si qumështi në trevat e Strugës dhe të Gostivarit e stolisin ftirin me qëllim që gjatë vitit të ketë sa më shumë qumësht. Në fshatin Shipkovicë vajzat e reja gjatë mbledhjes së luleve, të gëzuara për festën që po vjen, këndojnë:


 192
Lumë ne, të lumët,
Xhi na erdhi shinxherxhi,
Ka zbilue mali, ka çelun xhethi,
O shinxherxh, sa i mejri konke,
Qefin t.rejave va bone.
Dë shkojna për lule nëpër ara,
Dë t.i mbushim krejët me kolara.
(Osmani, 1997:68)
Në fshatin Brodec të Tetovës vajzat këndojnë duke e thurur kurorën e tundësit:
Ditën e luleve, dulëm me lulue,
Bashk me shoçet dulëm me këndue,
Rrethin ptejnit me ja mbarue.
(Osmani, 1997:69)

 Edhe për festën e shëngjergjit me lulet e mbledhura stolisin shtëpinë. Ymrie Shaqiri nga Frëngova kujton:”ditën e shëngjergjit nëna ime por edhe vjerra, në kokë vinjin një plloçë prej gjeramide dhe përsipra asaj vinjin një gur që të shtillet (mblidhet) gjalpi”. Po kështu në Veshallë, amvisa ditën e shëngjergjit del në rrugë dhe kërkon dy gurëz të rrumbullakët dhe të bardhë në formë më të bukur. Gurëzit i vendos te burimi i fshatit duke thënë tri herë:”Me nijet t.Allahut tëm bahet e tundmja e tlinit, e madhe, t.rredhe tomli si ujti!”(Osmani, 1997:83).
Për shëngjergj viçat nuk i ndajnë nga lopët, i lënë lëshuar, sepse në këtë ditë bëjnë magji që t.i ndjellin qumështin bagëtive. Prandaj lulet e mbledhura, një ditë më parë, zonja e shtëpisë i grinë dhe i përzien me krunde, kripë, vezë dhe kërmij të dërmuar, ua japin kafshëve t.i hanë, pasi t.i ketë fryrë te ndonjë besimtar apo t.i ketë bërë duanë hoxha i fshatit, me qëllim që të mos sëmuren dhe të mos marrin mësysh gjatë vitit. Prandaj, në Jazhincë gjatë mbledhjes së barishteve, me të cilat stolisin ftirin, vajzat nëpërmjet vargjeve recitative mallkojnë:
Koush bon mënxhi,
Mbet me dorë në xhi!
Kush bon për dhejt, (dhitë)
Ju çërofshin sejt!
Kush bon për dhent,
I dalshin mendt!
Kush bon për lopët,
I pjekshin fjokët!
(Osmani, 1997:82)
193
Ritet dhe disa këngë të shëngjergjit ndjellin gjelbërim mbarësi, shëndet dhe pjellori. Ja një shembull nga Reka e Epërme:
Exhi, mori exhi, se na vjen shynzherzhi,
Shynzherzhi ke dera, me dhen e me shqera,
E me nuse t.reja, oooih!
Shynzherzhi ke shpija,
Dë na gzohen nuset e fmija, oooih!etj.
(Osmani, 1997:63)
Në fshatin Gurgurnicë të Tetovës ditën e shëngjergjit rrogëtarit të bagëtive i gatuhet “bukë shëngjergji” e cila sipri zbukurohet me lule të bukura të stinës (Osmani, 1997:81). Ditën e shëngjergjit zonja e shtëpisë, lopëve u lidh te brirët dhe te bishti nga një leckë të zezë, ndërsa në disa vende edhe pe të kuq. Kurse në fshatin Novo Sellë të Sharrit, nuskat u vihen kafshëve shtëpiake (lopëve) në ditën e shëngjergjit. Çdo e fejuar e di sa lopë ka i fejuari dhe aq nuska do të dërgojë në familjen e të fejuarit. E fejuara i bën nuskat prej kindit të zi me të cilin fshihen çerepët. Në të mbështjell disa thëngjij dhe i bën në formë hajmalie. Sipër nuskën e zbukuron me motivin e diellit të bërë me rruza speciale të blera. Në motiv mbizotërojnë ngjyrat:e verdhë, e bardhë, e kaltër ndërsa rreth e përqark ngjyra e portokallit (Osmani, 1997:74). Të gjitha këto veprime magjike-religjioze bëhen me qëllim që kafshët shtëpiake të mos marrin mësysh.
Më 5 maj fillon edhe riti i larjes së fëmijëve me lule. Në mbrëmje fëmijët shkojnë të marrin ujë me shtamba dhe kova te jazi i mullirit. Tek enët e mbushura me ujë shtiejnë lule dhe gjethe. Në mulli shkojnë vajza e djem të cilëve u ka kaluar mosha për martesë. Ata hipin një nga një mbi gur të mullirit, ndërsa një grua e rrotullon gurin tre herë duke shqiptuar formula magjike me qëllim që t.i dalë fati. Kurse vajzat e fejuara shprehin dëshirën që shëngjergji i ardhshëm t.i gjejë me dimia-të martuara:
Oj Hanife honëm-me jelek të keç,
Luj, e mejr-o, ene kët shinxherxh.
Ene kët shinxherxh nëpër hije,
Në shinxherxhin qetër me santije (dimia)
(Osmani, 1997:71).
Te guri i mullirit shkojnë pothuaj njerëz të të gjitha moshave dhe rrotullohen për shëndet. Këtë ditë (5 maj) vajzat presin një degë hardhie nga pjergulla. Lëngun që e lëshon hardhia e shtien në një enë të vogël dhe e lënë të rri tërë natën. Riti i prerjes së flokëve dhe riti i larjes së fëmijëve
194
me lule do të fillojë ditën e shëngjergjit. Me ujin e fjetur e lajnë fytyrën edhe të rriturit. Fëmijët lahen te rrënja e trëndafilit me ujin i cili ka fjetur me lule e gjethe. Nëna apo ndonjë grua tjetër e familjes duke e larë fëmijën thotë tri herë:”Uji teposhtë N. terma”. Në Derven të Shkupit edhe lëvozhgat e vezëve, kanë një rol të cakutar magjik. Ato nuk hidhen, por ruhen me kujdes, në një vend të sigurtë, deri në ditën e shëngjergjit kur përdoren sërish, përkatësisht futen në ujin me të cilin lahen fëmijët. Kjo flet se funksioni i lëvozhgave, në rastin tonë konkret, është i destinuar për ndjelljen e shëndetit dhe për një “rilindje” të re pasi që edhe dita e shëngjergjit paraqet kohën – kufi midis dy cikleve kryesore kalendarike (Murtezani, 2001:51). Ditën e shëngjergjit vajzat pa lindur dielli shkojnë te rrënja e plepit apo te rrënja e ndonjë peme tjetër që t.i presin flokët pasi t.i kenë lyer me lëngun e hardhisë. Përderisa kryhet ky rit vajzat këmbët i mbajnë në ujë. Në të kaluarën i prisnin me sëpatë, kurse sot me gërshërë. Në trevën e Strugës gjatë ritit të prerjes së flokëve zhvillohet ky dialog:

 -Oj Lirie, ç.bon ashtu?
-I pres flokët.
-Mos i pre se nuk të rriten!
-Dë t.i pres që të më rriten.
(Tregoi:Sherife Asani)
Kurse në Sellcë të Tetovës me këtë rast vajzat thonë:
T.na rejten fjokët si tërkuza,
T.rasha si perajka,
Si hec uji, t.na hec shneti,
Të m.rejten fjokët sa nji duj.
(Osmani, 1997:69)


 Flokët e prera i hedhin në lumë me qëllim që rritja e tyre të ecë si lumi, t.u rriten shpejtë dhe t.u bëhen të gjata si hardhia. Pasi i presin flokët, fillon kullotja e tyre. Vajzat shkojnë nëpër lëndina e livadhe të rrokullisen, duke u rrotulluar ato këndojnë këngë të ndryshme. Po, kënga më e njohur që këndohet nga vajzat gjatë kullotjes së flokëve nëpër bar me vesë është:

, maj, kokomaj,
Rritmi flokët,
Sa t.i mbaj.
Për një jav,
195
Sa një stav.
Për një muëj,
Sa një duëj.
Për një vjet,
Sa një plep.
Sa pragu i derës,
Sa bishti i pelës,
Sa qimja e kalit,
Sa purtek. e malit,
Sa udh. e pazarit!
(Asani, 1996:14)
Vajzat e Cërnilishtit të Prilepit i drejtohen hënës duke kënduar:
„Anxa e re
Sa ni palare
Raitmi flokët
Ner përdhe.
(Ibrahimi, 2003:31)

 Pas rrokullisjes vajzat marrin disa kashta thekri dhe i lidhin për beli me qëllim që të rriten të gjata si thekri dhe të bëhen belholla.
Edhe në Gradec të Gostivarit vajzat përpiqen të gjejnë arë të mbjellë me grurë, tërshërë e thekër. Ulen mbi të dhe vënë kokën (flokët) mbi bimët duke thënë:”Si rrejtet gruni, ashtu m.u rrejtshin fjokët!”“T.ëm rrejten fjokët sa thekni, sa tërshona, sa gruni!”(Osmani, 1997:80). Pastaj i lëshojnë flokët e në to varin penj të zinj me copa kungulli të egër dhe thelpinj hudhre (Osmani, 1997:80), besohet se këto do të ndikojnë në rritjen e flokëve.
Ditën e luleve apo ditën e arifesë më 5 maj në mbrëmje fëmijët marrin nga një degë plepi dhe e prekin njëri-tjetrin me të në rrugë si dhe kalimtarët e rastit, pastaj degën e plepit e ngrejnë lart duke thënë:”U rriç sa plepi!”. Me degët e plepit preken edhe anëtarët e tjerë të familjes, me të rrihen edhe kafshët e shtëpisë, për të përfytyruar fuqinë edhe shëndetin (Çabej, 1975:200). Në disa vende degët e plepit i lagin me ujë, pastaj i stërpikin anëtarët e familjes, si dhe kafshët shtëpiake.
Ditën e shëngjergjit në mëngjes herët nëna shkon te fëmijët dhe u shtie në gojë hudhër me qëllim që të mos i mund gomari, në disa vende një lugë kos që të mos i mund qyqja, kurse në vende të tjera i shtien në gojë thelpinj arre me qëllim që të bëhen të fortë si arra.
196
Në Reçan të Gostivarit dhe në disa fshatra të Rekës së Epërme, natën e shëngjergjit ndezin zjarre purifikuese.
Po në këto treva shëngjergji veçanërisht për vajzat, nuset dhe gratë përfaqëson jo vetëm harenë që sjell stina e re e punës, por edhe momentin (ditën) e një takimi të rrallë e të gëzuar të botës femërore (Osmani, 1997:68). Ditën e shëngjergjit vajzat dhe nuset vishen me tesha të reja. Vajzat shëtitin në grupe rrugicave të fshatit dhe luajnë lojëra të ndryshme popullore.
Sot o ditë shinxherxhi nuk punohet,
As lule tentene nuk mbarohet,
S.mbarohet tentene se grashajtet,
Sot o ditë motmoti sall shatajtet
(Krosi, 1984:15)
Këtë ditë ato koloviten me litarë. Të gjithë popujt e Ballkanit-shqiptarët, grekët, sllavët e rumunët kanë pasur zakon të ngrinin ditën e shëngjergjit shtregullat (lëkundëset, shilarësit, kunën). Lëkundjet në shtregull, si një rit magjik për bollëk shëndet dhe largimin e dëmtuesve të bujqësisë, blegtorisë e njerëzve, kanë qenë dokumentuar në gjetjet arkeologjike të Ballkanit që në periudhën parahelene (Neziri, 1997:39). Litarët zakonisht i varin nëpër degët e pemëve si te molla, qershia, mani, dardha etj. Te trarët e shtëpisë apo të kasollës nuk i lidhin, sepse mos “thahen” si trari. Megjithatë në këngë përmendet emri tra. Si duket kënga do të jetë e vonshme, atëherë kur kanë filluar litarin ta lidhin edhe në tra. Duke u kolovitur këndojnë këngë të ndryshme. Në të kaluarën shilarja ka pasur karakter ritual, ndërsa sot ka vetëm karakter argëtues. Vajzat kënaqen duke u kolovitur e duke kënduar:

 Ja, një tra,
Ja, dy tra,
Kët. Zelien-
Dë te ha.
Dë te marr,
Opa-opa,
Dë te boj,
Copa-copa-
Dë te shtie
Nëpër gropa.
(Asani, 1996:22)
197
Në këngë inicuesja nuk do ta bëjë “copa-copa”, apo nuk do ta shtie të inicuarën në gropë, por “sëmundjen, të keqen” që ka pasur ajo. Në lashtësi besohej se me anë të kësaj praktike magjiko-religjioze njeriu mund të hynte në kontakt me Zotin e Qiellit a me forca të tjera të mbinatyrshme (Papleka, 1999:91). Ditën e shëngjergjit përgatitet drekë e begatshme, kurse jevgjit therin qengja për kurban, për ta është festa më e hareshme e kryemotit.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen